Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Cikël poetik nga Lutfi Alia

| E diele, 13.05.2012, 05:27 PM |


SHTËPIA E PËLLUMBAVE 
                          
-Cikël poetik nga prof dr Lutfi Alia-

Një njoftim për lexuesit:
Për një ngjarje të veçantë në jetën e bashkpunëtorit të revistës sonë ZemraShqiptare, dr Lutit.

Me 5 mars 2012, në programin shqip të Rudina Xhungës, ishte ftuar një profesor italian letersie, Ennio Grassi, senator dhe shkrimtar, i cili foli per kontributin e emigranteve shqiptar ne Itali, natyrisht duke i u referuar shkrimtareve dhe poeteve shqiptarë që shkruajnë në italisht.
Në diskutimin e tij veçoj 28 shkrimtarë shqiptarë emigrantë, të cilët i quajti “nuovi italiani” që kanë dhënë kontribut letrar me botimet e tyre.
Rudina dhe një tjetër i bënë një pyetje: -a ka ndonjë nga këta që shkruan shumë mirë në italisht?
Prof Grassi theksoj se: - Janë dy-tre që dallohen për nivelin e lartë, që shkruajnë në italisht si italianët.  Janë teper të rafinuar,- tha ai dhe  permendi Ron Kubati si tregimtar, në veçanti Lutfi Alia si poet shumë i rafinuar dhe Amik Kasaruho si tregimtar.
Me thënë të drejtën na gëzoi shumë ky vlerësim, pasi është vlerësim nga një njeri kompetent, një profesor letërsie. Nderkohë, nuk mund të rri pa permendur që, atje  në Atdheun tonë, këta njerez, gati mund ti quaj të harruar e ndoshta-ndoshta edhe me keq:-të braktisur!
Këtë bisedë televizive të këtyre ditëve, mund ta nxirrni nga you tube, por unë sot, si redaktor i ZSh-së dhe si mik i poetit, prof dr Lufti Alia, që ky lajm sinqerisht më ka gëzuar shumë, desha që këtë gëzim ta ndaj dhe me ju, kolegë të redaksisë dhe me ju lexues të nderuar.
    Urime për Ju, shumë i nderuar Lutfi Alia, ose, siç unë, në koinfindencë miqsore të thërras:
Djali i Martaneshit, Plaku i Sienes.  

---------------------

NUK E DUA PARAJSËN

Nuk më pëlqen parajsa,
atje ka shumë rregull e vetmi, 
heshtja është hapsirë provokatore,
e mbushur me shkëlqim të rremë,
qetësia i shurdhon mendimet,
gjithçka rrjedh në heshtje. 

Edeni është tepër i trishtë,
hapsira s’ka horizont,
atje ndalohet të bëhet dashuri,
të lodh mërzia,
andaj e përmbysa parajsën,
u riktheva përsëri në botën e marrëzisë,
do të qendroj në anën e zhurmëshme,
të rend në këtë jetë të rrëmujëshme,
të përplasem me rreziqet,
të shetis në rrugët plot potere,
fati im i zgjedhur je ti e dashur.
kur dua qesh e të therras me gëzim,
shpesh të ftoj në darkat tona plot alegri,
ti të pishë venë e unë zjarrin raki.
                                      ./.

TI NUK JE VETËM NJË POEZI

Pasi ti u largove
mbeta i vetëm në hije,
mbyllur mes mureve të dhomës time,
duke u vërtitur si një shtjellë ere konfuze
dhe shpirti i im
si një fantazëm,
përpëlitur në melankoni,
shpërtheu e
fluturoj mbi Siena
e së fundi erdhi te ti,
të rrethoj me dashuri
të shtërngoj me krahët e padukshëm,
u mbush me bukurinë tënde,
të çliroj nga mendimet e ndryme brenda mureve,
të rrëmbeu e të solli pranë meje,
e ti mbetesh ende e imja,
tërësisht e dashuruar,
të fsheh mes vargjeve
dhe librave që kam shkruar,
por brenda teje ka më shumë dashuri
se sa në të gjitha poezitë e mia.
                ./.

SA HERË

Sa herë
kam ndjekur hapat e mi të lodhur
në vetminë time
nëpër rugicat e ngushta senese
mbuluar nga errësira e thellë,
duke shmangur vështrimet e fantazmave,
pa hequr dorë nga spiralja e jonë
për t’u ankoruar ne parajsën e vogël
ku bashkohen dashuritë tona
e ku përsërisim ëndërrat deri në agim.
                   ./.

DIELLI QË LINDI ME VONESË

  Sot dielli lindi me vonesë,
  kishte mbetur i fshehur tej në agimin e bardhë
  i penguar në kreshtat e bjeshkëve
  atje larg në atdheun tim
  e kishin rrëmbyer malet,
e mbajtën peng malli përvëlimtar
  dhe pasi e lanë të lirë
  dielli nisi vrapin vezullimtar,
  me vrull respiroj reflekse të ngrohtë,
  i qeshur rendi me nxitim rrezor,
  e më solli përshendetje nga larg
  nga vendlindja ime
që më mbush me shumë mall.
               ./.
  
ERA DHE HËNA

Ti moj era çapkëne
që bredh lirshëm nëpër botë   
i shtynë retë kunder qiellit
shpupurit flokët e vajzave të bukura
trazon gjethet e verdha
ngjitesh lart
e përkëdhel malet,
trazon detin
e grabit klithmat e pulëbardhave,
bëhu dhe ortakja ime e mirë
e kur rend me vrull drejt lindjes
merr pak nga shpirti im
i mbushur me lot malli
së bashku kapërceni mbi tallazet e detit
shoqëroje deri në agimin e largët
e kur të arrini në vendlindjen time
mbështete lehtë mbi shpatet e maleve
ule në livadhet me lule aromatike
lëre të pushojë gjatë gjithë ditës
të shuaj etjen në krojet e fshatit 
e vonë në mbrëmje
këtu në Siena
ma sjellë hëna.
                            ./.

SHTËPIA E PËLLUMBAVE

Një ditë u riktheva në Valin tim te larget
shetita në rrugët me kalldrëm të bardhë
kalova nëpër shtigje të lulëzuara
me hapat e mi të gjatë e të shkujdesur
eca i mbështetur në shpatet e maleve
i shoqëruar nga meloditë e laureshave
e nga fluturimi i trazuar i pëllumbave të egër,
ngado shihja shtëpitë e braktisura
të ngritura në rradhë e krah njera tjetrës
të fshehura nën pemët e përkulura
si barka të mbytura.

Në atë ditë të bukur shtatori
shtëpia ime u zgjuar nga vetmia,
era i përziente retë në qiellin e kaltër,
i shkundëte arrat mbi çati,
përplaste një teneqe mbi portën e mbyllur,
përmes xhamave të thyer
hynte drita e zbehtë e çjerrë,
ndërsa brenda dhomave boshe
pëllumbat kishin ndërtuar foletë e dashurise.
                           ./.
VENA SHQIPTARE
  (Londra – 1993)

Vështrimi i im
i befasuar u ndal
në një shishe mbi banak,
etiketa:
venë shqiptare
venë e kuqe
si gjaku i atdheut tim,
venë e ngrohtë
si malli për vendin tim.

Me etje piva venën time,
të bukurën, të kuqen hyjnore,
shijova embëlsinë si dashuria
thartësinë si kurbeti.

Në të kuqen mitike
gjeta të shkrirë bukurinë shqiptare
lulet e kopështeve aromatike,
erën e maleve epike,
piva venë me etje
nga gota e kristalit të ftohët,
piva në heshtje dhimbjen time
piva venë të thartë si braktisja
të ëmbel si dashuria për mëmëdheun.
./.

DRITË

Ngadalë zbret dielli në perëndim,
errësira tinëzisht e mbylli ditën,
shtriva duart e pritjes e grisa terrin
nuk e lejova të më kafshojë dhimbja e natës
kërkova dritën e ditës e i ndeza yjet,
në qiellin e errët nisën vezullimin,
me rradhë i lidha në vargje poezie,
i ngrita në valle xxixëllime,
e ne valle drite,
nga ylli Polar deri te i fundit,
së bashku i mblodha e ndeza qiellin,
dhe prita në kohën e mbetur pezull,
që dita të shpalosi vrullshëm shkëlqimin.
./.

VETMIA

Në dhimbjen e braktisjes,
mbeta si lisi pa rrënjë,
gur i rrokullisur tatpjetë,
brenda meje lumi i hidhërimit.
Përsëri në vetmi,
i mbyllur në burgun e natës senese,
pa mure e pa kangjella,
guardian shishja e venës,
të dy perballë njëri tjetrit,
zbrazim vetveten,
e ndajmë dhimbjen e vetmisë,
në ditët pa mbarim të braktisjes.
Nga dëshprimi
piva venë dhe ëndërra,
aq shumë sa u deha u bëra tapë,
bota me sillej vërdallë,
por jam i sigurt,
nuk u rrëzova për tokë,
renda në errësirën e dendur,
i rilindur në vetminë time,
nga toka deri në qiell,
përsëri u ngrita në këmbë
i lëviza yjet nga universi
i zbrita një e nga një në tokë,
e i thirra botës:
kush thotë se është larg qielli?
kush thotë se e prek vetëm dielli?
dhe tokën e ngrita në qiell
e qiellin e zbrita në tokë
shkela mbi shfrenimet shtazarake
e në këtë marramendje
i injorava të pabesët
piva venë për çdo blasfemim,
e në ekon e tedeum-it
prita të nesërmen që më rrinte pranë,
renda dhe unë në rrugën time,
i vetëm e gjithmon në paqe.

KOHA E MBETUR PEZULL

I vetëm
në kohën e mbetur pezull,
endem nëpër rrugët e botës,
në çdo kohë
e pa kohë,
e zgjova jetën time,
që ishte pak e përgjumur,
i dëgjova të gjithë e në të gjitha menyrat,
e vendosa të jetoj lirinë time,
në të njëjtën kohë të jem ai që jam. 

Udhëtoj i vetëm,
por nuk jam asket,
nuk jam as Robinson Kruso,
nuk mbaj shpatë samurai,
dhe as harkun e Robin Hood,
jam Odise shtegëtarë,
ne ikje ditën,
jetoj brenda ditës,
dhe natën në metamorfozë,
në hapsirën pa kohë,
udhëtar pa ndalim,
gjithmonë në kërkim,
nuk pretendoj parajsën,
veç dua të bëj katarsis-in
e mëkateve të mia,
pa “mea culpa”
në jetën time të trazuar,
të gjallërisë së heshtur,
në botën plot me mistere.
Jam shtegëtar vetmitar
i harruar nga armiqt
i kujtuar me mallë nga miqt
pelegrin i vetmuar nëpër rrugët e botës,
jam dhe aty 
ku gjithmonë kam qenë i pranishëm,
jam afër dhe larg
i munguar ditën
i pranishëm natën.
              ./.

FJALA IME E BURGOSUR

 I braktisur në dhimbjen time,
 i mbetur vetëm,
 e di që më kanë blasfemuar,
mendimet m’i kanë vënë në pranga, 
ma lidhen zërin tim, 
e lidhen në pikën time me të dobët
në vetminë munduese,
në kohën e mbetur pezull.

Rend e rend
në rrugët e shkreta,
i ndjekur nga hija ime,
dorë për dore me shpirtin tim,
që me dhimbjen time grindet, 
ndërsa kuptoj se jam i humbur,
por ndjehem i qetë,
në ndërgjegjien time
“mea culpa” një sarkazëm e pavlerë.

Sa forcë dhe sa paqartësi, 
në rrugën time pa pushim,
shtjellat e jetës shkojnë e vijnë,
i fshijnë njollat që lënë pas hijet,
çlirojnë fjalët që luajne me diellin,
e në fundin e ditës shpallin vërtetësinë.

Nuk prita në heshtje,
ndryshimin e kohës
në sytë e mi drita e shpresës,
me shtyn të flas kurajo burri,
paçka se zëri më del i mekur,
e nga shpirti im i plagossur,
fjala ime shpërthen e lodhur,
jehonë e saj midis meje e botës,
nuk mbeti pezull ne eterin e ftohët,
e lirë shpërtheu fjala,
u ngrit në agimet e freskëta
e shkallmoj terrin e thellë,
doli e rilindur në ditën indiferente,
e përzier me rreze dielli,
kapërceu ferishtet e dhunueme,
hyri në çdo zemër të hapur,
dhe ne pjesën e poshtër të botës,
askush s’mund ta fashisë vrullin e saj.. 

Fjala ime e rilindur,
sot është tingull këmbane,
e degjojnë të gjithë dhe të shurdhët,
e në jehonën e saj
është rrufe qielli
është tallaz deti.
      ./.

NË PJESËN E ZGJUAR TË NATËS

Errësira e pabesë e pushtoj ditën dimërore
terri mbuloj gjithçka me vellon e misterit
ngjitet nata e ngrirë nga i ftohti
kacavirret nëpër yje me etje drite  

Nata e ftohët ma vodhi gjumin
në pagjumësi rrinte brënda terri
shpirti im ndriçonte errësirën
dhe shpresën
që nuk shuhet me perëndimin.

I zgjuar në pjesën e përgjumur të natës
me ngulm kërkoj agimin e ditës së re
ne duart e mia mbaj copa drite
duke pritur të ndizet dielli në qiell
si një fjalë që lind çdo mëngjez
për t’u ngritur me flatra në ditët e ardhëshme
                                              ./.

Shenim: -Lutfi Alia, është mjek në Centro Prevenzione Oncologica të  qytetit Siena –Itali
(Për ZSh-në, nga redaktori ynë në USA, Zeqir Lushaj, -13 maj 2012-)