E marte, 23.04.2024, 06:22 PM (GMT+1)

Kulturë

Arif Kutleshi: Dr. Ibrahim Rugova si frymëzues i përhershëm

E enjte, 10.05.2012, 05:50 PM


DR. IBRAHIM RUGOVA SI FRYMËZUES I PËRHERSHËM

Nga Arif KUTLESHI

FRYMËZIMI I PARË: KRUE I GJALLË
  I. Rugovës

 Rrëmove sirtarëve të shekujve
 Cuneus/it ia fshive pluhurin
 Llërëpërveshur

 Po pimë të gjithë me radhë
 Pas meje edhe im Bir
 Me buzëqeshje në zemër
 Te ai KRUE I GJALLË

 Në GURI Bogdani rri ulur
 Shikon si heqet mjegulla
 Para rrezeve të diellit
 Të Dijes e të Urtisë

 I pari dal të shëtis në botë
 Me një Libër të Çelur
 Në dorë

U botua më 1984 në FJALA dhe më 1987 në librin
LOJË E PËRJETSHME.


FRYMËZIMI I DYTË : ÇETA E RE

 Sytë prishin gjumin në agun e parë
 Hijet shikojnë diellin e kthehen në varrë
 Dija bëhet shpatë e sillet në log
 Djali i bie fyellit kënga bëhet zog
 Gruaja derdh gërshetin se lind binjakë
 Në zjarrin e fjalës provohemi ngapak
 Burri dredh plisin në ditën me diell
 Fytyra hapet zdritet qeshja bëhet qiell
 Era fryn dredhet mikëlohet Shtëpia
 Afshi hyn në zemër ringjallet Urtia
 Dashuria lind në kopshtin me mollë
 Diku lëmë Gjurmë diku fshijmë njollë
 Në kokë rrufe drite në djep fëmija plak
 Ylberi i kujtimit mbi Botë e mbi prag
 Një mijë vjet më vonë nisim hapin vrapin
 Hopa përmbi re prekim majën rrapin
 Mësimi mësohet mësohet fjala shkruhet në kartë
 Heqim perden sysh puthim kohën e artë
 Katërqind e tridhjetë e tri vjet kërkojmë Mesharin
 Të mos mbesim fëmijë të gjuhës së vdarun
 Pak e harrim malin pak e shartojmë dudin
 Te Drini plak lëmë takim me Budin
 Në tokë i la vjershat kur u sul mbi valë
 Ta prekte Bregun tepër kishte mallë
 Në Kullën e Shpirtit gurë të gdhendur vëmë
 Në çdo anë dritare syrin kah ta kthejmë
 Qe treqind vjet Bogdani rri në paradhomë
 Rreth tij dhjetë Sibilat i fryjnë kohës sonë
 Me dorë të stërnipërve shkruan Çetën e Re
 Në Krue të Gjallë merr ujë të shëlbojë tjetër fe.

´Zëri´ e botoi mbasi i dha në konkursin letrar shpërblimin e parë më 1988
kurse më 1990 u botua në librin PERDJA E DIELLIT.


FRYMËZIMI I TRETË: HIJA E SHENJTË MBI MESOPOTAMÍ
                                                       
Shkretëtirë e madhe dimërore-verore…
   Jo vetëm akull por ka edhe borë, mirëpo fushat, livadhet e  arat, janë tharë në mungesë të lagështisë. Mbretëron një situatë që s´mbahet mend ndonjëherë. Nga vapa një pjesë e njerëzve vrapojnë në lumin Tigris, e një pjesë tjetër rrëshqasin mbi akull në lumin Eufrat. Është viti i ri 2004 vjet para Jezu Krishtit. Anipse kanë kaluar afro 600 vjet qysh se përdoret, dikush e vajton ende kohën kur ende nuk kishte Rrotë, por ka edhe të tillë që e vajtojnë shkrimin e gëdhendur mbi gurë të Babilonit. Tevona pritet t´ia nisin edhe prodhimit serik të lëkurave, pritet ta bëjnë Mesopotaminë kasaphane – sepse dalja në dritë e Përgamenës, thonë është krejt afër. Të tjerët paralajmërojnë kultivimin e Papyrusit në mënyrë që të lehtësohet shkrimi i shenjave, por edhe të ruhet gjaja e gjallë.
  Mandej… papritmas ndalet era, stuhia, duhia, vërvima, pështjellima.
  Mandej…shkrihet akulli e  Eufrati e Nili përmbysin fushat, arat, livadhet, dhe arrijnë deri në Aleksandrí mirëpo librat nuk i lagin nuk i prekin. Njerëzit pëshpërisin vesh më vesh: librat i shpëtoi Hija.
  Hija e kujt, zo?
  S´ka shpjegime s´ka fjalë të tjera, vetëm kaq dinë të thonë.
   Mandej zbutet vapa, dielli ia kthen nxehtësinë e vet hënës, i jep pak prush edhe Marsit, Saturnit, Uranit e hajde Bacë u del rend edhe disa yjve të llastuar në thellësi të Galaksisë të marrin gaca prej tij…marrin e i pështyjnë këmbët,  duke u qeshur, bëhën pikë e pesë duke i lëpirë gishtërinjtë si fëmijë t´përgazt. Temperatura bëhet tamam  për zog t´qejfit ashtu siç e lyp tambëli i kosit. Njerëzit nisin të çlirohen pakëz nga hundët pakëz nga eshtërat e nga truri i bërë rrush i terur.
…Tashti del Plaku për të bërë vizita e për ta parë  Nilin e Tigrisin e Eufratin se si  kthehen n´shtrat t´vetin, për t´i parë edhe arinjtë mesdhetaro- polarë të cilët i ka nxjerrë shkrirja e akullit përmbi zallë. Por ai dëshiron t´i vizitojë edhe  ata të cilët kanë shpëtuar nga vapa, dëshiron t´ua lëshojë nga një zë majekrahu:
   ´O, a u shpëtuan eshtërat pa u shkrirë, more hej?´
   O a u shpëtuan trutë pa u bërë pekmez, more hej?`
   Shkon Ai nëpër çdo rrugicë nëpër çdo sinore nëpër çdo barishtë. I merr me të mirë edhe zogjët e malit të cilët hidhërohen nganjëherë, e edhe botën bimore e shtazore që bëhet lëmsh ndërmjet veti nganjëherë.Ulet në gjunj e u flet n´vesh barojave. I lut të bëhen të buta, i lut kulumbritë të bëhen molla e murrizat pjeshka. U këndon edhe nga një uratë e u jep fjalën sumero - babilonase se ka me i vaditë vet me kaçorre shtatë herë në ditë, zatetet edhe me disa qenie të tjera të cilat dalin nga dheu e hyjnë në ujë, të cilat dalin nga uji e lozin mbi dhé, këtyre u  flet e i merr me të mirë.
   Gëzohet plaku mjekërbardhë, dhe e puth shtagën e shenjtë me të cilën arriti ta shkrijë akullin, arriti t´i shpëtojë librat në Aleksandrí nga yryshi i lumenjve të çmendur, arriti ta thyejë vapën që shkrinte ashtin në hije, arriti t´i mbjell dymbëdhjetë mijë hurme në Saharë…e tashti gëzohet, kënaqet, loçkohet… mandej thërret në kupë të kresë binjakët, i përmend emërat e tyre: Armavir, Tavash… ku jeni bre babë, përmend emëra të tjerë të lozës së tij të gjakut, Sem, Ham, Jafet…
Përmbi kurorat e hurmeve fillojnë të fluturojnë krimbat e mëndafshit…Nga të dy anët e Araratit qet shtatin një ylber me ngjyra krejt të ndezura si shenjë e Besëlidhjes së tij me Krijuesin…

POST SCRIPTUM

Ai hyri në Tempull atë ditë me një ndjenjë të veçantë. Ndjehej disi i lehtësuar sepse fillimisht gjeti portën të shkyçur, dhe as  rojet e zakonshme nuk i takoi. Shyqyr, tha, njeri të gjallë s´paska këtu.
Gjëja e parë që bëri  ishte heqja e rrobave e të mbathurave, duke mbetur krejt lakuriq; sepse çdo pëlhurë a mbathje në trupin e tij mund ta tradhtonte atë vizitë e cila duhej të mbetej përjetë sekrete.

(2004-2008)

U botua më 2008 në VERBI, dhe më 2009 në librin MALLI PËR FLUTURIM.


FRYMËZIMI I KATËRT : NJERIU I SHENJAVE  TONA
- Dr. Ibrahim Rugovës,  in Memoriam.

Ecte. Ndalej. Dhe zhytej në heshtje.
Fliste duke i matur gurët e çmuar në dorë.
Fliste fjalë të rralla. Të çmueshme. Të Mëndafshta.
Si shallin. Që e kishte simbol. Paris dhe Rugovë.
Ecte. Vetëm ecte. Në ecje u promovua për Të Gjallë
Në çdo gjurmë la nga një Shenjë, nga një Urtësi, nga një Fjalë.

Ecte. Ndalej. Dhe zhytej në heshtje.
Fliste duke i matur përmasat tona Tambëlborë.
Fliste fjalë të rralla. Të çmueshme. Të Mëndafshta.
Si Buzëqeshjen. Që e kishte Kristal. Shpresë. Dhe Kurorë.
Ecte. Vetëm ecte. Në ecje na lidhi me Jashtëtokësorët. Për të Gjallë.
Në çdo gjurmë la nga një Shenjë, kur tha Po e doli në Ballë.

Njeriu i Shenjave ecte. Ne i besonim Biblës së Tij të Rrugëtimit.
Tepër e vogël Hapësira dhe Koha për Hapat e tij të peshuar.
O Njerëz ! Ai more kaherë kishte lidhur Besë
me Bukën, Krypën, Zemrën dhe Gurin Tonë të Çmuar !
 
U botua më 2009 në librin MALLI PËR FLUTURIM.


FRYMËZIMI I PESTË : SANKTUS

(akrostih)

shihe ti!, kur na krijove nuk kishim shkronja as letër!
heret besuam në mrekulli si në shajninë e hijes së artë
ëndërronim të ishim ndryshe, të ishim dikush tjetër
natës ia kishim frikën se s´kishim kompas as hartë
jetonim një çerek dite si lule mëngjesi kacavarur
tri të katërtat tjera i bjerrnim në mrizin nën qarr
ëndërronim të mos ishim prore barishtë e harrur
ré e shkundur nga pezmi në shpinë të malit Sharr
ishe krejt hyjnor atëherë kur na u shfaqe në mal
afër kishe të dymbëdhjetit me të urtin Shën Pal
e gjatë udha, veç gjurmë të lëna në shkretëtirë
sa më të këputur o aq më afër ishim detit të kuq
herë të rrëzuar pashpresë të humbur në humbëtirë
prore të ndjekur të kërcënuar nga kopeja me ujq
i thërrisje ti Logjikës së Kulluar në kupë të kresë
rinoheshe, plakeshe, duke e shtyrë udhën e pafund
tepër i rëndë ai zall që na fshinte fytyrën si fshesë
i rëndë ai vullkan ai diell që nuk pushonin askund
të lumtur ishim kur në Aloe Vera pinim pakëz vesë
ti banor i kosmosit mbështjellë në hirin durimplotë
ëndërroje Çastin e Ekzaltimit të pirë me një fundgotë
se koha nuk moshohet, koha s´ka rrudha as shkop
heret a vonë do të ngjitemi në të artin piedestal
është prania jote që na bëri të kërcejmë me hop
nëpërmes detit trupuam e u ulëm rreth zjarrit në mal

ji! dritësona! të na kesh dhe të të thërrasim në emër
të pimë nga ai Krue i Gjallë të kemi qiell dhe zot
ëngjujt të jenë me ne të na japin krahë dhe zemër.
----------------------------------       për sot dhe mot!

U botua më 2009 në librin HERBARIUM ILLYRICUM.


FRYMËZIMI I GJASHTË : A-DHURIMI I GURIT

preu shkëmbin dhe e futi në zemër
pastaj çdo udhëtari të vonë
ia fali nga një brinjë të virtytshme

preu shkëmbin
dhe e vizatoi hartën e mermerit
pastaj çdo brincaku
ia nxori kunjat e gilgameshit

o dhuratë e barit të përjetësisë
vetëm ti e mashtrove gjarprin
me gurapeshin e Urukut

u botua në muajin mars 2012 në librin AQUA LUDENS.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora