Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Në kishat braziliane lutje dhe bekime speciale për Republikën dhe Popullin e Kosovës

| E hene, 24.03.2008, 03:37 AM |


ME RASTIN E KREMTËS SË PASHKËVE:

Në kishat braziliane lutje dhe bekime speciale për Republikën dhe Popullin e Kosovës

Veprimtari e shkrimtari i mirënjohur kosovar – Engjëll Koliqi, si një ambasador i mirëfilltë, po depërton në të gjitha shtresat shoqërore të vendit tonë, me kërkesat për përkrahjen e vendit dhe të popullit të tij, në fazën më të rëndësishme të historisë së atij vendi, që dikur ishte Dardania e njohur. Ai në Javën e Shenjtë (Java e Madhe – siç thuhet në Kosovë) dhe në kremtimin solemn të Pashkëve, në vendin tonë siguroi lutje dhe bekime, për vendin e tij, nga besimtarët dhe klerikët – deri te Kardinali Ynë – Lartmadhëria e Tij Serafim Fernandes de Araújo.

Nga Caio WERNECK

Caio WERNECK
Belo Horizonte, 24 mars 2008. – Mbas hapjes së mrekullueshme të konferencës ndërkombëtare, kushtuar luftës, organizuar nga Universiteti Papëror Katolik i Minas Geraisit, në Belo Horizonte, veprimtati i denjë dhe i devotshëm i Kosovës Dardane – Engjëll Koliqi, edhe në kremtimin dhe ritet e Javës së Shenjtë dhe të Pashkëve, nëpër kishat tona u fut me Flamurin e Republikës së Kosovës dhe denjësisht "nxori" lutje e bekime speciale për Shtetin dhe Popullin e Kosovës, nga besimtarët dhe klerikët tanë, përfshirë edhe Kardinalin e Minas Geraisit – Lartmadhërinë e Tij Serafim Fernandes de Araújo.

Të Enjtën e Madhe, Z. Koliqi ishte i ftuar special në ceremoninë e Darkës së Fundit të Jezu Krishtit me apostujt, në Kishën e Shën Pjetrit në Belo Horizonte, ku famullitari At José Carlos Vieira Trópia i ka ftuar besimtarët që të lusin për përparimin e shpejtë të gjithëmbarshëm të shtetit më të ri në botë – Republikës së Kosovës. Të gjithë kanë lutur dhe kanë përshëndetur përfaqësuesin kosovar në mesin e tyre – veprimtarin e devotshëm Engjëll Koliqin, i cili i ka falënderuar në emër të mbarë popullit të tij, duke siguruar se Kosova do të jetë një shtet shembull i demokracisë së mirëfilltë dhe i tolerancës mes popujve dhe besimeve të ndryshme. Qindëra besimtarë, mbas falënderimit të Tij, në shenjë solidarizimi kanë duartrokitur frenetikisht për Republikën e Kosovës.

Flamuri i Republikës së Kosovës bekohet në altar, gjatë Meshës së Mesnatës së Pashkëve
Të Premten e  Madhe, i shoqëruar nga Profesoresha Jonë e mirënjohur dhe e nderuar – Dr Vera Lúcia Alves Neves, me ftesë të Kardinalit të Minas Geraisit - Lartmadhërisë e Tij Serafim Fernandes de Araújo, Z. Koliqi ishte pjesëmarrës i ceremonisë "Shtatë Fjalët e Fundit të Jezusit", në kishën katedrale të qytetit tonë historik, me status special nën mbrojtjen e UNESCO-s, për pasurinë kulturore botërore – Ouro Preto (dikur kryeqytet i Minas Geraisit, rreth 90 km në juglindje të Belo Horizontes. Në Katedralen e Zojës Sonë të Shtyllës, ku i shoqëruar nga famullitari – Kanoniku José Feliciano da Costa Simões, Kardinali Araújo ka përshëndetur publikisht Engjëll Koliqin dhe  bashkë me besimtarët ka lutur Zotin, që t'i sjellë bekime dhe mbarësi Republikës së Kosovës – vendlindjes së Të Lumes Nënë Tereza dhe mbarë popullit shqiptar. Ai ka paralajmëruar se së shpejti do të shkojë për një vizitë në Kosovë.

Në Meshën Solemne të Ngjalljes së Jezu Krishtit (në Meshën e Mesnatës), në Famullinë e Shën Margaritës Maria  Alakokue (Santa Margarida Maria Alacoque) ambasadori faktik i Kosovës në vendin tonë (edhepse atij nuk i pëlqen cilësimi ambasador), ishte i ftuar special. At Tiago dhe famullitari – At Philippe Jacques Barrucand e ftuan Z. Koliqin në altar. Mbasi një zonjë lexoi një lutje speciale për popullin  e Kosovës, ia dha fjalën Z. Engjëll, i cili tha se aty ku ishte Dardania Antike, me mbi 110 mijë kilometra katrorë, tashmë përfundimisht u bë Republika e Kosovës me rreth 11 mijë kilometra katrorë – një shtet i vogël, por shumë domethënës për paqen e qëndrueshme në Ballkan dhe shembull tipik i demokracisë dhe drejtësisë së mirëfilltë njerëzore në botë. Me shembullin e bijës së Tokës së Kosovës, që mbarë bota e thirri Nënë – Nënë Terezës – ka thënë Ai – populli i Kosovës ka gjetë fuqinë t'i falë të gjitha ata që e kanë shtypur dhe martirizuar deri në gjenocid, por nuk do të lejojë kurrë më dhunë as gjakderdhje mbi tokën e vet, që tashmë është e paprekshme dhe e vulosur, edhe me hartën në flamur.

Engjëll Koliqi, gjatë ritit të Darkës së Fundit, Të Enjtën e Madhe, në Kishën e Shën Pjetrit
Në kishën famullitare të Shën Margaritës Maria Alakokue, Flamuri i Republikës së Kosovës bekohet në altar, gjatë Meshës Solemne të Mesnatës,  Dr Vera Lúcia Alves Neves shpjegon simbolikën e Flamurit

Famullitari pastaj ka bekuar Flamurin e Republikës së Kosovës, shoqëruar me duartrokitje frenetike të qindëra besimtarëve, që ishin të pranishëm në kremtimin e ringjalljes së Jezu Krishtit. Ai ka thënë se së shpejti nga zyrtarë të Kishës së Minas Geraisit, në emrin e të gjithë besimtarëve, do t'i dërgohet Qeverisë Federative në Brasilia kërkesa për njohjen e menjëhershme të Republikës së Kosovës. At Philippe ka shprehur gatishmërinë, që pranë kësaj famullie të organizoj promovimin e librit të Engjëll Koliqit "Nënë Tereza – një dashuri e pakufijshme", me praninë e Kardinalit tonë, i cili e ka shkruar parathënien e këtij libri. Autori, duke pranuar me kënaqësi këtë propozim, ka thënë se duke parë veprimtaritë e guximshme sociale e humanitare të Komunitetit të këtushëm "Ecja e re" që ngjajnë në ato të Misionareve të Dashurisë, do të dëshironte që ky komunitet fetar të shtrinte veprimtarinë edhe në vendin e tij. 

 

At José Carlos Vieira Trópia përqafon Z.Koliqin, duke i ururar Pavarësinë e Republikës së Kosovës

E. Koliqi, të Premten e Madhe, me Eminencën e Tij Kardinal Serafim Fernandes de Araújo

E. Koliqi, duke folur për Republikën e Kosovës, me famullitarin José Feliciano da Costa Simões në Ouro Preto

Në kishën famullitare të Shën Margaritës Maria Alakokue, Flamuri i Republikës së Kosovës bekohet në altar, gjatë Meshës Solemne të Mesnatës, Dr Vera Lúcia Alves Neves shpjegon simbolikën e Flamurit

Engjëlli duke ndezë qiriun (Dritën e Krishtit), në Meshën e Mesnatës