E enjte, 25.04.2024, 10:20 AM (GMT+1)

Mendime

Adnan Abrashi: Heshtja e popujve është mësim për mbretër

E hene, 24.03.2008, 02:10 AM


HESHTJA E POPUJVE ËSHTË MËSIM PËR MBRETËR

Nga Adnan Abrashi

Adnan Abrashi
Si një ithtar i flaktë i ekzistimit të shumë teorive konspirative në botë, dita më ditë po bindem se, që nga hyrja e trupave të NATO-s dhe instalimit të pushtetit të UNMIK-ut në Kosovë e deri në këto çaste të shpalljes së pavarësisë, pas të gjitha këtyre realiteteve aktuale, në mënyrë më të sofistikuar dhe më perfide, po ndikon një qendër e fuqishme koordinuese e vendosjes globale, e cila, duke pasur para vetes një plan të detajuar të arritjes afatgjate të një synimi më parë të përcaktuar, po vepron me sukses në drejtim të ndikimit imponues te masat tona popullore. Se kah është duke na shpjerë ky plan, dhe, sa ai sipas konjukturave të tyre strategjike do të jetë favorizues për ne si popull, mbetet vetëm t’ia qëllojmë, por, si duket, me pak gjasa të ndikojmë në vazhdimësinë e ndodhjes së tyre në praktikë. Përveç përsosmërisë taktike dhe metodike vepruese, kësaj rrjedhoje të pandalshme, me sukses po i kontribuon edhe serviliteti dhe dëgjueshmëria përtejmase e lidereshipit tonë vendor.
Këso shembujsh kemi mjaft dhe unë në vazhdim do t’i cek vetëm disa sosh, si më aktuale:
Sa më tepër afrohej momenti shumë i paralajmëruar i aktit formal dhe solemn i shpalljes së pavarësisë, më së shumti kam ndruajtur se si populli im shqiptar në Kosovë, ende as pa e parë dhe as pa e ditur dukjen, do ta pranonte flamurin e ri të Kosovës. Në sforcimin edhe më të madh të këtij dyshimi në mua, më bënte presion ngjarja e kaluar dhe e pakëndshme me flamurin e Ibrahim Rugovës, kur disa dishepuj të tij fanatikë, tentuan që në mënyrë provokative ta shpalosin publikisht më 28 Nëntor. Çfarë ndodhi atëbotë, të gjithëve na është i njohur mirë ky moment.
Në pritje të flamurit tonë të ri shtetëror, aspak nuk më hante palla se si do të dukej ai, sepse, që më parë isha në dijeni me konditat e rrepta të konkursit të shpallur publik për idetë e kufizuara dizajnues.  Në pritje të këtij akti, më tepër më bënte, jo aq për formën e pamjes së tij, po për vetë momentin e përzgjedhur si më të përshtatshëm të promovimit para popullit. Isha më se bindur se, edhe për këtë çast të ndjeshëm dhe historik, ekziston ndonjë taktikë e sprovuar e veprimit psikologjik në masat. Ky moment i pritur dhe i parashikuar u shpreh në stilin: “trego një herë lajmin më të mirë, e pastaj atë më pak të përshtatshëm, sepse, edhe po të jetë e dyta jo aq e këndshme,  patjetër do të shkrihet në thelbësoren e prioritetit emocional të së parës”. Kështu, sikur e pamë të gjithë, pa e bërë ende publike në popull dukjen e flamurit të ri, së pari, nga Kuvendi i Kosovës, u bë shpallja e Deklaratës së pavarësisë, e tek më pas, promovimi zyrtar i tij. Pra, që më parë është ditur se ne si masë psikikisht e parapërgatitur për prioritetin e rëndësisë së vet aktit të shpalljes së pavarësisë, shumë më lehtë do ta gëlltisim karremin e imponimit të flamurit të ri, se sa, sikur më parë ta kishim ditur formën e tij .
Ashtu edhe ngjau! Fundja, nëse duam të bëhemi shtet, nuk kishim qare pa  pranuar çdo far oferte të ofruar. Kush kishte guxim dhe vullnet të kundërt që në ato momente të euforisë festuese të reagojë ndryshe? Sigurisht askush!
Si tek veprimi i imponimit strategjik për flamurin e ri, praktika e njëjtë vazhdoi edhe me mënyrën e çuditshme të procedurave të përshpejtuara të aprovimit të një sërë ligjeve nga Parlamenti i Kosovës, ligje këto, që patjetër duheshin të jenë në harmoni të plotë me fantom -kallëpet e shtetësisë ahtisariane.
Derisa, pa i parë dhe as pa i lexuar këto far ligje, deputetët tanë në Parlament, me ngritje gishtash “pro”, njëzëri i aprovonin ato, nga ana tjetër, si top-lajme mediale ishin njoftimet bombastike për njohjen e Republikës së Kosovës nga shumë shtete më të fuqishme të botës. Në këtë hapësirë informative të vëmendjes së përqendruar masive, pakkujt i hante palla nga populli për natyrën dhe peshën e këtyre ligjeve si dhe për efektet e tyre pozitive apo negative që mund të kenë në praktikë. Ato ditë, kryesorja ishte numërimi i shteteve që me të madhe filluan të na njohin, dhe asgjë tjetër!
Psikoterapia e strategjisë së ngjashme të manipulimit me masat vazhdoi edhe gjatë diskutimit publik për Draft Kushtetutën e Kosovës!
Kur, nëpër diskutimet publike rreth këtij akti, pasuan reagimet e ashpra të pakënaqësisë popullore, dhe nga ana tjetër, ndjehej një zbrastësira e njohjes kuantitative të Kosovës nga shtet tjera, sipas logjikës së njëjtë vepruese, patjetër është dashur të kishte një top-lajm tjetër mediatik që do ta kthente vëmendjen informative të masës kah diçka më joshëse. Dhe ky lajm nuk vonoi! Kryetari i SHBA-ve Bush, me një dekret special, lejoji furnizimin me armë të Republikës së Kosovës. 
Ta zëmë se të gjitha këto shembuj janë koincidenca të rastit, por, unë, duke qenë edhe më tej i sigurt në ekzistimin e praktikave të qëllimshme të manipulimit me masat, i japi vetes të drejtë që të parashikoj se, në vigjiljen e miratimit formal të Kushtetutës nga ana e Parlamentit, sigurisht edhe këtij momenti tejet të rëndësishëm, ku duhej përqendruar vëmendja e jonë kritike, do t’i paraprijë ndonjë lajm bombastik për njohjen e Republikës së Kosovës nga një varg shtetesh tjera të botës. Nëse, eventualisht, kjo pritje do të dështojë, mundësia alternative është futja në lojë e ndonjë promovimi investues me rëndësi kapitale për Kosovën.
“Katundi që shihej, kallauz nuk do”,- thotë populli, ndërsa unë këtë artikull do ta përfundoj ashtu edhe sikur ia nisa në titull; thënien e atij të mençuri të urtë: “Heshtja e popujve është mësimi i mbretërve”
Gjersa kjo formë e veprimit të tyre vazhdon të pijë ujë në terren, mbretërit tanë, edhe më shumë do të mësojnë nga heshtja e jonë...por, deri kurë se?!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora