Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Xhevahir Cirongu: Në udhëkryqet e jetës nuk ka semaforë…

| E marte, 08.05.2012, 07:04 PM |


Në udhëkryqet e jetës nuk ka semaforë…

(Vështrim rreth poezive të poetit Kosovar Enver Aliu)

Nga Xhevahir Cirongu

Poeti  Kosovar,Enver Aliu del para lexuesit me vëllimin e tij të parë me titull:"Njeriu me dy shpirtra".Eshtë marrë me shkrime që kur ishte në gjimnas në vitin 1973.Ka lindur në fshatin Mushtisht të Suarekës në vitin 1955.Merr pjesë në mënyrë aktive në demostratat e vitit 1981 në Prishtinë.Për këtë shkak nga regjimi serb dënohet me  gjashtë muaj burg.

Ka kryer Fakultetin Ekonomik në Prishtinë. Aktualisht banon me  gjithë familje në Zvicër. Nga vëllimi me poezi, që është i pari botim për autorin , ne shkëputëm disa prej tyre për t’i deklamuar para lexuesit që adhurojnë vargun plot dritjetdhënës për të djeshmen e shkuar, por që tingëllojn fuqishëm edhe për të nesërmen. . Poezia e Enver Aliut përshkruhet nga fryma atdhetare, ku fjala dhe vargu janë të lidhura me thërmijat e plisit të dheut të vendlindjes,por aty gjen dhe venat e gjakut që nëpërmjet vargut  lexohet qartazi liria që  po trokiste si një gonxhe e bukur maji në çdo prag e dritare  shtëpie Kosovare në vitet 1980 – 1981. Ishte rinia Kosovare e atyre viteve që theu barrierat  sunduese shekullore të një perandorie që po jepte shpirt si një bishë në fund të jetës së saj. Pikërisht, rinia me ndjenjën e madhe të atdhedashurisë mbolli farën e lirisë , jo vetëm me sakrifica sublime, por edhe me gjak nga ku pavarsia e Kosovës po shkruhej dalëngadalë.

Ishte kjo rini e udhëhequr nga armata e madhe intelktualësh që vunë para edhe jetës së tyre interesat e  Atdheut e të Kombit tonë.

Autori ka ditur ta thotë bukur artistikisht fjalën e vet, edhe me  ndjenjën e rrënjës së  vendlindjes. Atje në semaforin e historisë që kishte padrejtësi ndaj kombit tonë, poeti porashikonte dritën  jeshile të lirisë e të pavarsisë që sot ne kemi një Kosovë të lirë.

Ne shkëputëm disa prej poezive nga vëllimi i autirit Enver Aliu, të cilat po i botojmë si më poshtë vijon:

* Tragjedi e përsëritur

Në labirintet e truallit Arbëror
Prej shekujsh hyn e del një përbindësh njerëzor,
Herë del e herë fshihet duke lënë gjurma gjaku
Ky mostër i etur për mizori
Trupin në Kosovë,kokën në S erbi.
Plagoset,ngrihet,kafshon dhe ulërin
Amfiteatri ballkanik nuk jep më Eskilin
Trojën,Akilin,Thermopilet e Baton,
Jep përbindshin sllav tek lufton
Me NATO-n....
Tragjedi e përsëritur
në Ballkanin e zhuritur....


* Njeriu është si  guri në vend të vetë

Eh,ky mërgimi sa i trishtë dhe i rëndë
I huaj për të gjithë,njeri pa njeri,
Punon e robëtohet,dhe buzës ke një këngë:
"Në vdeksha moj nënë loke,ma shit kaun e zi!"

Dhe thirri miqt e shokët të hedhin një grusht dhe
Se paskam lindur i vdekur,pa asnjë ditë të bardhë,
Mallkimi s'di nga erdhi,- na zuri vetëm ne
Të digjemi larg vatrës të humbur-mërgimtarë!

Kaloj buzë një liqeni që akull sot ka zënë
Çudi me zemrën time sa shumë që më përngjet,
Dy fjalë më the kur ika: atë e ëmbla nënë
Ti shko mor bir,por guri peshon në tokë të vet!


* Kështjella  NORDSEE - HAMBURG

Kështu unë e quaj qytetin bregdetar
I shtrirë si një gjarpër pranë detrave të ngrira,
Anijet e rreshtuara në Nordsee,bëjnë gjumin e parë
Unë kam dalë të shëtis në mëngjeset e pa gëdhira.

Hamburgun unë e quaj qytet i piratëve të zemëruar
Se dashnorët përvëloheshin me ta veç një natë;
Pastaj zhdukeshin nëpër"San Paolo"ato i kërkuar
Të nesrmen hapnin velat e dëshpërimit e largoheshin prapë.

Iknin pratët nëpër detrat e veriut
Nga"San Paolo"sikur dilte një psherëtimë:pse ikët?!...
Ky qytet princëror një mëngjes që sapo gdhiu
Më kujtoj se këtu kishin lindur Arianitët....

* Shpirti  shqiptar

Unë jam fondamenti i 1878-ës....
Aty fillojnë rruzat e kuqe të gjakut,
Lëvizin nëpër trupin Arbëror
Nga majat e gishtave t'gjymtyrëve
Nëpër palcë t'kurrizit,deri n'mendor.

Hapsirë e madhe e rrugë e gjatë
Çamëri,Manastir,Shkodër e Dardani,
Një cak e kanë rruzat, n'tru kullohen
E me ritëm t'matur n'zemër kalojn.

Unë do vdes, e shpirti do më pushojë
E mendimi do jetë atje larg,larg....
N'prizeren,nën "Kalanë e cucës"DARDANE
Te ata mendimtarët shpirtëror 1878-ës....

* Burgu dhe i burgosuri

Burgu i qytetit me mure të nxiruara
Rreth e rretull roje që luajnë me përtesë,
Brenda mijra shpirtra s'gjalli të varrosura
Dyer që nuk hapen,njerëz të pa shpresë...

Të burgosurit vërtiten në oborrin e trishtuar
Rituali i ditës që nuk ka mëngjes;
Vendi i pushkatimit në një qoshe i harruar
Zemra e sejcilit thotë:Më mirë të vdes!

Viti'81,u arratisa brenda ditës
Burgjet e qytetit sa nuk plasën brenda,
U tmerruan dhe na lidhën të gjithëve prej frikës
Por, harruan mjeranët që nuk lidhet zemra.

Akuza e përgjithshme ishte irredentist
Sa tregjikomike bie shumë e habitshme,
Ne donim veç Kosovën, e donim marrëzisht
Qelitë i mbushëm plot me ëndrrat e përditshme.

Burgu rëndë-rëndë me mure të mykosura
Donte të na trembte,donte t'na gjunjëzonte,
Duart vërtet ne i kishim të prangosura
Po ëndrra jonë e bukur e dinim do fitonte.

Vitet do të kalojnë dhe brazat do vijnë
Tek ty burg i vjetër,ku na mbylle ne,
Do vijnë ta shikojnë do shprehin habinë
Tek mbishkrimi i ri:"Dje burg-sot Muze!"

*  Pasqyra e thyerë

Mos më shani ju lutem,e mos më merrni nëpër gojë
Atdheun shumë e dua,e kam si pasqyrë;
Asaj kur të keqen dikush mund t'ja dojë
Unë jam gjaknxehtë dhe... e pështyj në fytyrë!

Mos ma shani Shqipërinë të voglën time
Se ajo mbijetoj nëpër shekuj;
Shqipëria është përherë pasqyra ime
Po m’u thye pasqyra më numëroni të vdekur...

*  Promenada

U futa për herë të parë nën tokë
Tek një parking moderrn zviceran;
I gjithë Zurichu më rrinte mbi kokë
Më ngjante vehtja si gjeolog taman.

Sa tmerr dhe sa frikë që pata atë çast
I rritur me erën nervozë të veriut,
I flladitur me erën e bjeshkës - Rugovës plot gas
Eh,çfarë nuk i ndodh njeriut....

* Më thanë që është" PROMENADA "

E automobilave të zi.
I gjithë  Zurichi e ka vend strehimi;
Njeriu habitet me fatin e tij
Por,më i zi se promenada
Më duket vetë mërgimi.

* Rruga e jetës

Në mëngjes ne ecim me të katër këmbët
Ndërsa dreka na gjen me dy këmbë,
Kur vjen mbrëmja,nga goja i heqim dhëmbët
Kemi mbetur me tre këmbë...kjo është gjëmë...

Fati na rrotullon nëpër veglat e tija
Lumturia gjer në Himalaja na ngre,
Fuqia pasi tallet me vitet e mija
Kur vjen mbrëmja e jetës m'i thotë:do të le!

Në udhëkryqet e jetës nuk ka semaforë....
Shënim :
Me autorin e këtij vëllimi jam takuar rastësisht në plazhin e Durrësit. Ishte muaji gushit i vitit 2010. Një tufëz me poezi të këtij autori, unë i botova edhe në faqen letrare të gazetës ‘’Bulevard’’ të qytetit bregdetar të Durrësit.

Durrës 06/05/2012.