| E hene, 07.05.2012, 02:59 PM |
Bekim Qazim Toçani u lind më 11.04.1969 në fshatin Sfeçël të Podujevës. Shkollimin fillor dhe të mesëm i kreu në Podujevë, kurse studioi në Fakultetin Ekonomik në Prishtinë.
Ka punuar gazetar në QIK, “Gazeta Shqiptare” dhe “Bota sot”.
Në Aarhus të Danimarkës ka kryer kursin 6 mujor ndërkombëtar “Outspring2000” në Shkollën e Lartë të Gazetarisë.
Është shpërblyer disa herë në konkurset letrare për poezi e prozë.
Aktualisht jeton dhe vepron në Londër. Është baba i tre fëmijëve.
Ky është libri i tij i parë me poezi.
Botues: Qendra e Kulturës e Podujevës – QKP 2003
Për botuesin: Nexhmi Balaj
Redaktor: Fadil Halimi
Lektor: Agim M. Kikaj
Recensent: Shefqet Dibrani
S´ka më
Kam shkruar më se njëherë
Shkronja e lotë e dashuri
Dhe pak ...veç pak ngushëllim
E kam ndry në sytë e tu
Për një shikim për një copë dhembje
Kam bërë pikturë skandaloze
Mbi letër të bardhë fjalë
Një ëndërr e dytë
Dhe pak ... o sa pak buzëqeshje
Për veten time dhe fatkeqësinë
Kam puthur largësitë e tua
Një mijë e njëqind ditë
Nuk e bëmë dot dhembjen
Dashurinë e pathënë dhe lotët
Një mijë e njëqind net e kam parë
Ikjen në gërshetim shikimesh
Kam qenë në tokë edhe një çast
Nuk do të ketë pse dhe si
Alfabetin e dhembjes nuk e ke mësuar
E dashurisë epja emrin dhe mos harro
Le të bëhem përrallë e gurit
Pluhur nën këmbët tua
Kam qenë njëherë e kaherë
Në një kohëdhembje
Në një jetëpritje baraz me vdekjen
Ka pasur edhe këngë e fjalë
Dhe pak dashuri ... o zot sa shumë
Vjeshtë në jetën time
Kam prekur sytë e tu e të dhembjes
Edhe fjalën edhe lotin edhe puthjet
Edhe ... ditën e sotme e të nesërme
Tretjen time në prag pranvere
Mes lulevargjesh hi i kujtimeve
Dhe asgjë tjetër s´ka më
As pritje e fjalë as lotë e dashuri
S´ka më
Vdekje në shi
Pritja noton në sytë e tu
E ti digjesh në vetminë e madhe
Se jeta bën kërdi mbi lotë e plagë
Ftohtë është nën strehën e shpirtit
E ti dergjesh si zog i vrarë
Shumë kemi pas folur për vjeshtën
E ti kot mi mbledh kujtimet
Andej nga s´ka mbetur asgjë
Mbi varr bie shi i pritjes
Kisha harruar ta puth vdekjen në sy
E unë vdes i gjallë në shi
Ëndërr e gozhduar
Jeta zverdhet përditë
Përfolet njeriu në djep
Vdekja plagoset pa mirëmëngjes
Një jetë
E dyshimtë është edhe ëndërra
Mbi fëmijëri
Simfoni e kujtimit të zverdhur bie
Kush do t´na gozhdojë n´këtë vjeshtë
Miku im
Askujt s´do t´ia themi tregimin
Për fëmijërinë që nuk e patëm
E kam prekur me dorë vdekjen
Unë
Nuk e di ku fillon liria
E mbaron lufta
Të çmendur në vargje kohe
Unë e TI e Soji yt
Të dyshimtit grryejnë biografitë
Përsëri fjala
Jezusi rigozhdohet
Emrat i kanë nënvizuar të njëjtit
Kush do t´na gozhdojë nesër
Kur biografinë na e shkruajnë të tjerët
E lutjet
Simfoni kujtimi të zverdhur mbesin
Legjenda
Këmbana ka rënë
Sot
sikur para tre milion vjetëve
Në vajin e parë të dashurisë
Copë e grimë fëmijëria
Kur qanë e s’thua
Pse
Tek altar i pendimit
Ti tretetesh në vetmi
Edhe kur shi bie
Mikja ime
Ti s’ma thua
Emrin tim
Pa mbiemër
Tek arat e kishës e kam varrin
Pikturën e lotit
Më e dashura ime
Kot përgjërohesh
Edhe kur belbëzon
Mëshiron emrin tim
Dhe puth buzët e tjetrit
Dashuri e verë
Vjeshtë e shi atë ditënatë
Mbet e lagur veç dhembja ime
Një ëndërr e thyer në mes ishte
Fjalë mbi partiturë dashurie
Enigma e then heshtjen ofshamat këngën
Sonte le të vdes krejt fëmijëria e lagur
Kishte dhembje shumë
Sa dashuri e verë mbet pa u thënë
Pse s´(u) nisëm bashkë e dashur
Një mikut tim
Çka ka lidhje nëse shkruajmë për dashurinë
Kur na e thurin varrin të tjerët
Pse kot mërzitesh mbi këtë tokë
Bukën tonë e ngjyejmë veç në rimë pritjeje
Miqtë po na i merr dimri i madh
N´rrethana të pasqaruara mbyllet vetmi e jonë
Edhe kot heshtë kur të dhemb si mua
Të tjerët na e këndojnë harrimin e përmotshëm
Baladë
Shota e egër
Varrosur në gur zgjohet
Këngë nisur në mbarim
Hingëllon në provincë
Emri im
Zhvarros kalorësit e kohës
Apokalipsa në post barbari
Frymon shqip e vret
Tridhjetë e sa pranvera
Matem me shpirtin
Çmatem në vargje e çmallem
E kurr s’e shoh buzëqeshjen e parë
Mes librash
Kujtesë varresh mbi pluhur
Se ajo
E egër
E butë
Nuk vdiç
Përgojuesi i dha fjalë e helm
Të gjithë ata
Të qytetit tim
Pikëçuditëse kanë vënë në nisje
E llapi dergjet shiut të verdhë
Baladë në shi
Vetmia viteve të humbura
Këndon këngën e mjellmës
E unë e ndiej thellë
Vetminë e rrugës