Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ilir Muharremi: Konceptualizmi në “Net/Rrjet”

| E diele, 06.05.2012, 03:12 PM |


Konceptualizmi në “Net/Rrjet”

Nga Dr. Ilir Muharremi

Një botë e menduar dhe konceptuale  që si bazë të përcaktimit ka qenësinë e mesazhit, aktualitetit, protestë për të ndryshuar, përmirësuar ose spastrim të pasioneve. Bëhet fjalë për ekspozitën kolektive “Net/Rrjet” që mblodhi artistë të ndryshëm kosovar dhe ndërkombëtar e që u hap në Galerinë “Expoart.40” para disa ditësh në Prishtinë. Artistja Majlinda Kelmendi shpalosi një video të titulluar “Error”. Misioni i kësaj vepre është të dyfishojë apo të forcojë jetën reale, të tillë çfarë është, për hir të dëshirës që të ruhet imazhi real dhe sipas nevojës të intensifikojë ose të ndërroj sa më pak që të jetë të mundshme. Të dyzuar me gabime, lajthitje, mëkate, mendje të gabuara apo veprime të gabuara, e gjitha rrumbullakohet me epitetin “Error” dhe sipas artistes duhet dyfishuar premtimi i lumturisë, pra estetike, pa zbukurime duke i sfiduar gabimet ose i zëvendësuar me instrument gëzimi. Portreti i digjitalizuar i një femre, në formë hije, qëndron prapa titullit “Error”, ngase vështrimi i mjegulluar interesant i saj, për fat të keq grimohet nga lajthitjet, mëkatet e përditshme që shprehin fakte të gjalla. Kelmendi shënon ndjenjën si të vetmin organ të së bukurës dhe është një paragjykim i ngushtë. Jeta dhe realiteti janë qëllim i artit, dhe ndjenjat e jetës janë të forta duke u gërshetuar me të bukurën. Pasuria estetike është karakteristikë specifike e imazhit të punimit. Tek artisti Ardian Isufi video e titulluar “Pa titull nga dritarja” konsiston në një imazh të turbullt dhe të lëvizshëm që është në transformim ku çdo gjë ngjan si në një proces formësimi por, ka një situatë SOFT që përngjan me soditjen nga një dhomë intime përtej dritares të një imazhi të papërcaktuar që vjen e duke u përshfaqur në një imazh social dhe urban të qytetit dhe në qendër të tij është një personazh i cunguar.  Ndërkaq, tek artisti Adem Rusinovci paraqitet vepra me titull “Tranzicion” që në esencë përmban korrupsion, prostitucion, trafikim etj. Të gjitha këto kanë një kritikë të gjykimit të pa kalueshëm ose të shndërrueshëm në diçka jo pozitive dhe kryepersonazhi ngjyroset me të gjitha njollat që përmbajnë disiplinë ogurzezë të elementeve me ndërthurje aktuale, e që janë të pa tejkalueshme, por vetëm trashëgohen. Ky lloj arti shpalos  drejtime të shpirtit që ndikojnë në kulturën estetike të një populli. Nga kjo na del se arti vërtetë interesohet për dukuri të ndryshme preokopuese, mënjanime dhe ndryshime, dhe në formë të imazheve, funksioni shpalos disiplinë jashtëzakonisht pasionuese. Raporti i artit me jetën kolektive tregon bashkëpunim dhe spastrim, çlirim ose paragjykim ekzistues. Nga kjo na del se arti nuk është disiplinë e luksit apo e fiksionit, por realitet social, ekonomik, moral dhe imoral. Ndërsa, krijuesi Thomas Heiber evidenton konceptin me pa konceptin, ngase të flasësh për të pakonceptueshën sipas tij, është të flasësh kot. Vetëdija estetike e tij është e krahasueshme me atë moralen. Artisti Rrezat Galica-Giqi shpalosi një poster me titullin “Eusex” e që trajton një temë që dikur ishte tabu. Prostitucioni në Kosovë. Misionet ndërkombëtare e thyen këtë tabu, dhe tashmë kjo gjë servohet në “pijat” sikurse një ushqim i mirë, me shije të ndryshme. Sipas Giqit,  rrethanat në të cilat është rritur brezi i tij në Kosovë, para 13 vitesh, kanë qenë pothuajse drastikisht të ndryshme me këto rrethana që jemi ne sot. Nëse sot prostitucioni ushtrohet edhe në rrugë para 13 vitesh nuk ka ekzistuar fare, apo nëse ka ekzistuar ka qenë mister i sofistikuar dhe në përmasa tejet minimale. Prezervativët e paraqitur në punim aterojnë mu sikurse pjata fluturuese duke mos e humbur përmbajtjen e përdorimit të tyre. Artistja Judith Siegmund në videon e saj ka trajtuar skenarin nga intervistat e femrave punëtorë të seksit me klientin e tyre. Edhe këtu tema e prostitucionit vërtitet pamëshirshëm mbi artin, apo arti futet në hendekun e prostitucionit. Kjo pothuajse është si një ligj por, jo i modës, i evolucionet dhe trashëgimisë së popujve të ndryshëm. Në ekspozitë u prezantuan edhe Elena Zanichelli dhe  Christiano Berti të cilët po ashtu trajtuan tema me koncepte interesante me forca të vërteta të simbolizmit të vërtet estetikë dhe të një gjykimi me përligjësim të parimeve dhe shijes. Ekspozitën do e rrumbullakoja si një lëvizje e artit konceptual që ngreh në pah pikëpyetjen e nocionit të artit, analizë, kritikë, prezantim i dukurive negative , pozitive, ideore, morale, amorale. Veprat e artistëve të lartpërmendur nuk reduktohen në një ide, por esencializohen në shumë dhe koncept artistik. Gjuha e këtij arti ka një strukturë të aplikueshme me sistem shenjash që kundërshtojnë shumë fenomene të sistemit global. Qëllimi i tyre është krijimi, rezultimi, pranimi i shenjave intime, dhe emblematike që fuqizohen me ndihmën e artit modern.