Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Komunikatë nga Konferenca ipeshkvnore e shqipërisë

| E shtune, 05.05.2012, 08:07 PM |


Conferentia episcopalis albaniae

Konferenca ipeshkvnore e shqipërisë

Komunikata finale e KISH

Zgjedhjet e reja dhe nje Letër per 100 vjetorin e Pavarsisë

Tre ditët e Asemblesë plenare të KISH shënuan disa ngjarje të rëndësishme ndër të cilat zgjedhjet e reja të Kryesisë dhe komisioneve të Konferncës Ipeshkvnore si dhe Letra e drejtuar me rastin e 100 – vjetorit të Pavarsisë së Shqipërisë.

Zgjedhjet e reja

Imzot Angelo Massafra o.f.m. Arqipeshkëvi i Shkodër-Pult  u zgjodh President i kësaj Konference sipas statuteve të Konferencës Ipeshkvore. Në detyrën e Zv. Presidentit u zgjodh Imzot Lucjan Avgustini, Ipeshkëv i Sapës dhe Sekretar i Përgjithshëm u zgjodh Imzot George Frendo O.P., Ipeshkëv Ndihmës i Tiranë-Durrësit.

Letra baritore Fides et patria (Fe e Atdhe) me rastin e 100-vjetorit të Pavarsisë

Kjo letër, e shkruar nga ipeshkëvinjtë e Kishës Katolike në Shqipëri, u drejtohet të gjithë besimtarëve katolikë, por edhe të gjithë njerëzve me vullnet të mirë. Në krye të saj letra thekson falendrimin ndaj Zotit për Atdheun dhe rolin që katolikët kanë pasur në procesin e Pavarsisë së Shqipërisë e cila kulmoi me ngritjen e flamurit më 28 nëntor 1912 pas 500 vjetësh pushtim otoman. Ndër ngjarjet e rëndësishme të këtyre 100 vjetëve janë përmendur ajo e martirizimit të Kishës Katolike gjatë komunizmit, Vizita e të Lumit Gjon Palit II dhe Lumturimi i Nënë Terezës bijës së popullit tonë.

Më pas letra ndalet në disa aspekte të jetës së vendit tonë. Së pari dashuri për atdheun do të thotë dashuri për familjen. Kjo e fundit është qeliza e shoqërisë e themeluar mbi martesën ndërmjet një burri dhe një gruaje. Nuk mund të kemi një angazhim për atdheun pa një angazhim për familjen. Ipeshkëvinjtë e Shqipërisë duke vënë në pah, jo vetëm mësimin e Kishës, por edhe traditën më të mirë të popullit tone, ngulin këmbë në angazhimin e të gjithë faktorëve të jetës shqiptare për familjen.

Së dyti dashuri për atdheun do të thotë dashuri për njëri - tjetrin në familjen e madhe të vendit tone. Procesi i pajtimit dhe dialogut duhet të jetë i pranishëm në jetën e atdheut tonë. Dialogu ndërfetar, por dhe gjetja e gjuhës së përbashkët për një bashkjetesë më të mirë dhe për proceset integruese të vendit në strukturat Europiane janë temat e tjera që vijojnë në këtë letër.

Vlerësimi i jetës në të gjitha stadet e ekzistencës së saj përbën premisën më të sigurtë për luftën ndaj fenomeneve si aborti, eutanazia, gjakmarrja, vetvrasja dhe përdorimi i drogave.

Së treti, vetëdija dhe respektimi i ligjit  për një Shqipëri më demokratike përbëjnë premisat për luftën kundër korrupsionit i cili pengon rritjen dhe zhvillimin e shoqërisë duke shkaktuar kështu varfëri dhe degradim social. Nëse nga njëra anë të krishterët duhet t’u binden ligjeve të bëra nga ligjvënësit, si një detyrim qytetar, nga ana tjetër ata kanë të drejtë të mos u binden atyre ligjeve që përbëjnë një shkelje të rendit natyror dhe të të vërtetave hyjnisht të zbuluara.

Ndër të tjera ipeshkëvinjtë nxisin integrimin sa më të shpejtë të Shqipërisë në familjen europiane si një sfidë e të ardhmes së afërt. Shqipëria duhet të shkojë drejt Europës aty ku përket natyrshëm e në këtë mënyrë të korrigjojë gabime apo situata të së kaluarës historike.

Së fundmi Konferenca u drejtohet të rinjëve të cilët duke u mbështetur në virtytet më të mira të trashëguara nga të parët, por edhe në besimin e tyre të jenë të përgjegjshëm për Atdheun, të mos e braktisin atë e të punojnë pa u lodhur për zhvillimin e tij.

Në fund ipeshkëvinjtë ia besojnë atdheun tonë Nanës së Këshillit të Mirë, pajtorja e Shqipërisë, që të ruajë vendin tonë dhe shqipëtarët.

Të tjera lajme

Gjithashtu në punimet e plenares u bëne edhe zgjedhje të tjera duke qenë se kishin mbaruar mandatet. U rikonfirmua edhe Presidenti i Karitasit kombetar në personin e Imzot Gjergj Frendo-s, Ipeshkëv ndihmës i Tiranës dhe i Drejtorit të Përgjithshëm të Karitasit shqiptar post në të cilin u konfirmua përsëri drejtori në detyrë dr. Albert Nikolla.

Tema të tjera të diskutuara në këtë asemble ishin ajo e botimit të mesharit të ri në shqip, problemi i laicitetit të shkollave dhe hapave të mëtejshëm që duhet të merren në lidhje me projektligjin për arsimin parauniversitar.

Në muajt në vazhdim pritet edhe botimi në shqip i dy teksteve themeltare për jetën e Kishës, ai i Katekizmit të Kishës Katolike dhe ai i dokumentave të Koncilit II Vatikan.

Mbledhja e ardhshme u la me 13-14-15 nentor 2012.

Tiranë 04.05.2013

Zyra e shtypit

 

Konferenca Ipeshkëvore e është një organizëm permanent i Kishës Katolike që përbëhet nga Ipeshkëvinjtë e një vendi apo territori të caktuar të cilët sëbashku ushtrojnë funksionet baritore për besimtarët e atij territori, në mënyrë që të promovojnë më së shumti të mirën që Kisha u ofron njerëzve, mbi të gjitha nëpërmjet formash apostullimi të përshtatura në mënyrën e duhur sipas rrethanave të kohës dhe vendit, duke ndjekur normat e së drejtës. (Can 447 i CIC).

 

Konferenca Ipeshkëvore e Shqipërisë përbëhet nga të gjithë ipeshkëvinjtë e pranishëm në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe funksionon sipas statuteve të saja të aprovuara nga Selia e Shenjtë. Aktualisht Ipeshkëvinjtë që përbëjnë janë këta: SH. T. Imzot Rrok Mirdita, Arqipeshkëv Metroplit i Arkidioqezës Metropolitane Tiranë – Durrës; SH. T. Imzot Angelo Massafra, Arqipeshkëv Metropliti i Arkidioqezës Metropolitane Shkodër – Pult; SH. T. Imzot Lucjan Avgustini Ipeshkëv i Sapës, SH. T. Imzot Cristoforo Palmieri Ipeshkëv i Rrëshenit; SH. T. Izmot Ottavio Vitale, Ipeshkëv i Lezhës; SH.T. Imzot Hil Kabashi Adimistrator Apostolik i Jugut dhe SH. T. Imzot George Frendo Ipeshkëv Ndihmës i Tiranë – Durrësit.

 

Në punimet e Konferencës janë të ftuar edhe Arqipeshkëvi i Tivarit SH.T. Imzot Zef Gashi dhe Administratori i Administraturës Apostolike të Prizrenit (Kosovë) SH.T. Imzot Dodë Gjergji

 

PER MEDIAT

Zyra e shtypit është në dispozicion për cdo komunkimi që ka të bëjë me shtypin e shkruar dhe elektronik. Kontaktet janë këto:

Zyra e Shtypit e KISH

Selia e Konferencës Ipeshkëvore të Shqipërisë

Ruga don Bosko, pranë Karitasit Shqiptar

Tel: 042247159

Don Gjergj Meta

Zëdhënës i KISH

Cel. 0692080188

Tel. 047200191

Email: gj.meta@gmail.com