Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Engjëll Koliqi: Ringjallja - Më i bukuri mesazh i optimizmit të Pashkëve

| E shtune, 11.04.2009, 09:08 PM |


RINGJALLJA – MË I BUKURI MESAZH I OPTIMIZMIT TË PASHKËVE

Ngadhnjimi i jetës mbi vdekjen

Jezusi tha: "Unë jam Ringjallja dhe Jeta: kush beson në mua, edhe nëse vdes, do të jetoj. Edhe kush jeton edhe beson në mua, nuk do të vdesë kurrë" (Gjoni - 11.25-26).

Jezu Krishti ngjallet

dhe ngjitet në qiell, te Ati.

Ngadhnjen jeta mbi vdekjen

Ngadhnjen mirësia mbi të keqen

Përfundimisht kremtet tona popullore – fetare, tradicionale e familjare, i bëjmë në shtetin tonë të pavarur dhe të njohur botërisht. Pra, përfundimisht po përjetojmë edhe një ringjallje kombëtare, për t'i përmbushur gradualisht të gjitha aspiratat tona kombëtare – të natyrshme e të ligjshme. Prandaj, zemra më thotë që urimet për Pashkët 2008 t'ua drejtoj të gjithë shqiptarëve, të besimit të krishterë dhe të besimit mysliman, me bindjen se të gjithë i gëzohen faktit se e para festë e madhe fetare po kremtohet në shtetin e pavarur të Kosovës.

Nga Engjëll   KOLIQI

Engjëll Koliqi
Belo Horizonte, 22 mars 2008. – Të bukurin mesazh të optimizmit të Pashkëve, sivjet e shkruaj larg atdheut, por me plot gëzim e lumturi, sepse janë Pashkët e Para në Republikën e Kosovës dhe sepse kjo largësi e imja në këtë kremte të madhe është vetëm një largësi fizike dhe një largësi në shërbim të vendlindjes sime.

Këto ditë të Javës së Madhe, Kisha Katolike Univerzale përkujton mundimet e Jezu Krishtit – siç thuhet në shkrimet e shenjta – për ta shpëtuar njerëzimin nga mëkati i rrjedhshëm, që doli nga Adami dhe Eva. Siç shkruajnë ungjilltarët (Luka, Mateu, Gjoni e Marku), sipas parashikimit të profetëve Krishti (zot e njeri) kishte pranuar mundimet deri me vdekje në kryq, për ta shpëtuar njerëzimin nga mëkati. Në të tretën ditë pas vdekjes – thotë dogma biblike, pra në Ditën e Pashkëve, Ai ishte ringjallur, duke simbolizuar kështu ngadhnjimin e jetës mbi vdekjen, ngadhnjimin e dritës mbi errësirën dhe fitoren e mirësisë ndaj të keqes. Këto ditë përkujtimore të mundimeve, të vdekjes dhe të ringjalljes së Jezu Krishtit, në Selinë e Shenjtë, si zakonisht kanë filluar të dielën e kaluar, pra të Dielën e Larit. Të Enjten e Madhe Papa Benedikti XVI ua ka larë këmbët 12 besimtarëve të zgjedhur, sikurse Krishti që ua kishte larë apostujve, me simbolikën për pastrimin e njerëzimit nga mëkatet dhe pajtimin me Zotin. Sikurse riti i Darkës së Mbrame, të Enjten e Madhe, poashtu edhe riti i Udhës së Kryqit, të Premten e Madhe në amfiteatrin antik të Romës "Colosseo" janë udhëhequr nga Ati i Shenjtë Benedikti XVI, i cili do t'u prij edhe Meshës së Mesnatës të shtunën dhe asaj solemne të së Dielës së Pashkëve, me ç'rast në mesditë do e kumtojë Mesazhin e Ringjalljes, megjithë Bekimi Apostullik "Urbi et Orbi".

Në ceremonitë e Meshës së Mesnatës, me rindezjen e qiriut mbi zjarr, do të shpallet ringjallja e Krishtit, si ngadhnjim i jetës mbi vdekjen. Me dritën e qiriut do të shpallet ngadhnjimi i dritës mbi errësirën dhe fitorja e mirësisë mbi të keqen. Porosia e gjithëhershme e Atit të Shenjt, me rastin e Pashkëve është: - Me kulturë të lartë jete dhe me dashuri ta mundim logjikën e vdekjes dhe urrejtjen dhe t'ia rikthejmë njerëzimit mbarë paqen dhe lumturinë! Vetëm me dashuri të mirëfilltë ndaj njëri-tjetrit do të mund t'u garantojmë një ardhmëri të dëshirueshme dhe të vlefshme pasardhësve – porositë njerëzimin Papa, në Mesazhin e Optimizmit të Pashkëve, që të Dielen e ardhshme do t'ia drejtojë njerëzimit mbarë – besimtarë e jobesimtarë, anekënd botës.

Mbasi kishte vdekur, i kryqëzuar në kryq, Zefi pre Arimatesë e kishte blerë varrin dhe – me leje të pushtetarëve lokalë, të cilët edhe kishin dekretuar kryqëzimin e Tij, e kishte varrosur. Në agun e së dielës, një grup grashë të devotshme kishin shkuar për t'u lutur pranë varrit të Jezu Krishtit. Grave të devotshme, që në mëngjesin e së Dielës së Pashkëve kishin shkuar të luten pranë varrit të Tij, zëri i Zotit u kishte thënë: "Pse e kërkoni të gjallin ndër të vdekurit? Ai s'është këtu! U ngjall!" (Luka, 24, 5-6). "U ngjall ashtu siç pat thënë" (Mateu, 28,6). Lum kush beson pa parë u kishte thënë Ai vetë apostujve në Ditën e Rrëshajve, duke e thittë Shën Tomën, i cili kishte shprehur mosbesim ndaj ringjalljes, që t'i vëjë gishtërinjtë në varrët e Tij, shenjat e të cilave vëreheshin ende, siç shkruajnë ungjilltarët.

Le ta ndërlidhim këtë simbolikë edhe me historinë, me fatin dhe me ardhmërinë e kombit tonë, që vit pas viti, shekull pas shekulli – brez pas brezi, ka përjetuar shtypje me dhunë e me urrejtje, shumë mëkate mbi kurriz e mbi supe, shumë padrejtësi..... Le të marshojmë pas dritës së shpresës drejt ringjalljes sonë kombëtare dhe drejt një jete të plotkuptimshme, të liruar nga mëkatet, nga vuajtjet, nga dhuna, nga shtypjet, nga urrejtja dhe le të jetojmë deri në amshim, megjithë kohën dhe historinë mbushur me drejtësi, me liri, me dashuri, me respekt, me solidaritet – që sot e deri në amshim. T'i lutemi Zotit të përbashkët, secili në mënyrën e vet dhe me ritet e fesë së tij, që edhe kombi ynë të përjetojë një ringjallje të vërtetë, por le t'i lutemi që ringjallja të vijë për njerëzimin mbarë dhe që në vend të shekujve të përgjakshëm, historisë le t'i vijnë shekuj me lule e me bukuri ngjyrash të ylberit!!! Sidomos këtë vit na takon të jemi shembull i shkëlqyeshëm për botën e civilizuar, sepse kombi ynë tashmë ka shijuar Kremten Madhështore të Pavarësisë së Kosovës, një nga aspiratat tona të natyrshme kombëtare, si fazë kalimtare drejt bashkimit mbarëkombëtar. Me këtë kremte të madhe dhe dinjitoze, uj kemi treguar të gjitha kombeve të botës dhe të gjitha qendrave arbitrare të bashkësisë ndërkombëtare, se ne dijmë të kremtojmë dhe ta organizojmë jetën me dinjitet. Duke mos njohur urrejtjen, le të jemi shembull tipik i kultivimit dhe dhurimit të dashurisë së mirëfilltë njerëzore.

Përfundimisht kremtet tona popullore – fetare, tradicionale e familjare, i bëjmë në shtetin tonë të pavarur dhe të njohur botërisht. Pra, përfundimisht po përjetojmë edhe një ringjallje kombëtare, për t'i përmbushur gradualisht të gjitha aspiratat tona kombëtare – të natyrshme e të ligjshme. Prandaj, zemra më thotë që urimet për Pashkët 2008 t'ua drejtoj të gjithë shqiptarëve, të besimit të krishterë dhe të besimit mysliman, me bindjen se të gjithë i gëzohen faktit se e para festë e madhe fetare po kremtohet në shtetin e pavarur të Kosovës.