E enjte, 25.04.2024, 11:53 AM (GMT+1)

Kulturë

Violeta Gjoka: Sot preferohet femra e bukur se sa femra inteligjente

E merkure, 02.05.2012, 02:42 PM


Flet shkrimtarja, spikerja dhe drejtuesja e emisionit kulturor “Omnibus” në tv “Planet”, Violeta Gjoka

Sot preferohet femra e bukur se sa femra inteligjente

Albert ZHOLI

Një grua e qetë, por mjaft energjike. E lidhur me ekranin ajo dhe pse vitet kalojnë është ende e dashuruar me të. Dhe pse e ka filluar karrierën si spikere, tashmë ajo është dhe folëse, por dhe një gazetare e kulturës mjaft dinjitoze pasi drejton emisionin më të spikatur në tv “Planet” për kulturën, “Omnibus”. Por jeta e saj ka kohë që ka kaluar dhe në një dimension të ri më të përgjegjshëm me më shumë angazhim, pasi ajo tashmë është autore e dy librave në prozë një vëllimi me tregime dhe një romani që e promovoi ditët e fundit. Jeta si shkrimtare zbulon edhe një anë të fortë të karakterit të saj, papërkulshmërinë para angazhimeve të mëdha dhe botimeve të suksesshme.

Sapo promovuat romanin tuaj të parë, a ndiheni më e plotësuar tani në rrugën e krijimtarisë?

Po romani erdhi pas vëllimit me tregime “Trëndafili i Bardhë”, është pritur mirë nga kritika, mendoj se, kam plotësuar një ëndërr timen. Shumë nga ata që e kanë lexuar e kanë pëlqyer e më kanë thënë fjalë të mira. Romani ka në qendër historinë e një gruaje. Kritika e ka përcaktuar një roman shumë psikologjik. Aty flitet për jetën e një gruaje të dëshpëruar dhe faji i saj, i vetëm është se fatkeqësisht ajo dashuron, për të mbushur botën dhe vetminë e saj. Burri i saj ndodhet burg, është një i burgosur politik, kjo situatë, e bën të përndiqet dhe më shumë këtë grua, e cila për “fatin e saj të keq”është shumë e bukur, dhe inteligjente, nga meshkuj perversë, dhe me pushtet! Dhe që ti kthehem pyetjes tuaj, a ndihem e plotësuar, në të tërën? Po, ndërsa në krijimtarinë letrare besoj se kam akoma rrugë për të bërë.

- Gazetaria vizive, cilat janë të veçantat dhe të përbashkëtat e saj, me atë të shkruar duke pasur se ju i lëvroni të dyja gjinitë?

Jo, unë gazetarinë e shkruar nuk e lëvroj. Sigurisht që shkruaj, po për radio, për tv, sepse ajo ka qenë dhe është puna ime. Them se gazetaria vizive apo radiofonike me atë të shkruar, janë shumë të ndryshme.

-Mund të flisni pak mbi kolegët tuaj, që keni ndarë ditë të mira dhe të këqija dhe që keni sakrifikuar shumë nga orët e lira për t'ju kushtuar televizionit?

Çfarë mund të them për kolegët e mi, unë jam më e madhja aty, ata janë me të rinj në moshë edhe se vajza ime . Unë i respektoj, më respektojnë, kalojmë mirë.

-A e keni gjetur veten në një media vizive?

Po, sigurisht nëse mund ta them, e kam gjetur veten tek “Planet” tv, jam shumë mirë aty. Kam një emision kulture “Omnibus”, i cili në përmbajtje ka disa rubrika, si spektaklin, librin, artgaleri, personazhin etj., etj., është një emision që e dua shumë, vijnë aty personalitete të letrave të artit e kulturës dhe kjo më nderon, por dhe më vë para përgjegjësisë për t’u përgatitur sa më mirë.

-Një femër publike duhet të ketë histori të bukur dashurie. Ç’është dashuria për ju ?

Përse duhet patjetër të këtë një histori të bukur? Mund të jetë e dhimbshme, e shëmtuar… ose normale, asnjëherë  nuk i dihet. Ndërsa do të thoja se Dashuria është gjeja më e bukur që i është dhuruar njeriut! Si të them... dashuria është jeta, familja, fëmija, ti duash e të sakrifikosh çdo gjë për ta është dashuri.

-Sa kohë i kushtoni lukut?

Jo shumë kohe .

-Ëndrra në sirtar?

Kam shumë ëndrra në sirtar ose më mirë të themi, projekte konkrete. Të ulem të shkruaj një tjetër roman dhe një vëllim me tregime. Të cilat i kam gati të (ideuara). Kam projekte të pa realizuara për dy transmetime televizive. Do t’i paraqes sezonin që vjen! Me tej kam dhe ëndrra, të cilat i përkasin familjes sime, e që shpresoj të më realizohen dhe ato, se Dio vuole...- thotë italiani.

-Sot në shoqërinë shqiptare ka shumë debate për bashkëjetesën. Mendimi juaj?

Mendimi im është që, edhe pse duket se ka ardhur koha që secili të bëjë atë që dëshiron gjithnjë pa shkelur rregullat e shoqërisë, mentaliteti shqiptar nuk ka ndryshuar dhe aq shumë, mund të them aspak... Shumë dukuri akoma gjykohen, e një nga këto është dhe bashkëjetesa. Unë kam mendimin, që secili ta zgjedhë jetën, siç dëshiron qoftë edhe duke bashkëjetuar. Nuk kam asnjë paragjykim për këtë gjë m.gj.se jam shumë për familjen tradicionale.

--Si fillon një ditë pune?

Një ditë pune fillon me hapjen e e-mail-eve, ku marr njoftimet për aktivitetet artistike. I përzgjedh ato që me duhet të ndjek. Kjo, jo se nuk kanë rëndësi, por jo, të gjitha janë për emisionin tim. Dhe,jo të gjitha kam mundësi t’i ndjek për arsye të ndryshme. Bëj telefonatat, caktoji intervistat që do të regjistroj për javën dhe shpesh herë, më duhet të lexoj, e të mësoj për personazhet që ftoj në emisionin tim. Të mësoj për jetën krijimtarinë e tyre. Të lexoj librat që më sjellin e që sapo janë promovuar etj., etj.. Tre ditë të javës, më duhet të futem në montazh, e kështu më shkon dita shpesh herë 10-11 orë.

-Cili është motivi nga i cili udhëhiqeni në jetë?

Dashuria, ndershmëria, respekti, drejtësia! Këto janë motivet e mia. Dashuria sepse pa dashuri, nuk ka asgjë të bukur e asgjë, nuk mund të jetë njerëzore, po të mungojë ajo. Flas për dashurinë në përgjithësi, ndershmëria sepse asnjëherë, nuk kam bërë ndonjë gjë, që ta fitoj në mënyrë, jo të ndershme. Kam jetuar e punuar gjithë jetën pa i zgjatur dorën askujt, e pa mashtruar kurrë, asnjeri. Respekti, sepse unë ose Ne, si familje e respektojmë shumë tjetrin, që do të thotë, kjo fillon që në familje, fqinjin, shokun, mikun, kolegun. Për mua liria ime gjithnjë ka mbaruar aty, ku fillon liria e tjetrit. Mundohem që këtë kufi, të mos cenoj asnjëherë dhe këtë vlerë, respektin karshi tjetrit, i kam mësuar edhe vajzës sime, ashtu siç ma ka  mësuar e bërë edukatë, edhe mua, nëna ime.

-Veshja e preferuar?

Sipas rastit

-Po ushqimi?

Ushqimi… Sigurisht mundohem të ha një ushqim të shëndetshëm, atë  që është e padëmshme për mua, m.gj.se shpesh herë jam jashtë dhe në Shqipëri është e pamundur, të ruash një dietë të kujdesshme për vet, llojin e ushqimeve që gatuhen këtu.. Por ushqimi im i preferuar janë perimet dhe frutat. I ha me shumicë!

-Jeni supersticioze në jetë?

Varet, por mund të them që jam.

-Çfarë pëlqeni dhe çfarë kritikoni tek një njeri?

Mund të numërosh shumë gjëra që mund të kritikohen tek një njeri, por ajo që do të thoja është se kritikoj shumë mendjemadhësinë, mungesën e tolerancës, mungesën e respektit, padrejtësinë, çfarë të të them, ka aq shumë… por… do të veçoja shumë këtu mosmirënjohjen! Mosmirënjohja është më e keqja, mendoj unë…

-Kush është më e rëndësishme për ju, bukuria apo inteligjenca?

Për mua janë të dyja të rëndësishme, nëse je me fat t’i kesh të dyja, do të ishte gjëja më perfekte. Por nëse do të zgjidhja një nga të dyja, do të zgjidhja inteligjencën, m.gj.se. në ditët e sotme kam përshtypjen që nuk të hyn fare në punë. Është më mirë të jesh e bukur, ndërsa në kohën tonë bukuria nuk vlente për asgjë pa inteligjencën.

-Marrëdhëniet tuaja me librin?

Marrëdhëniet e mia me librin kanë qenë dhe janë shumë të mira. Lexoj se më pëlqen, po shpesh herë edhe puna ma kërkon një gjë të tillë, duke qenë se në emisionin tim kam një rubrikë për librin.

-Cilat janë aftësitë profesionale që gazetaret e reja kanë nevojë sot? Ndonjë këshillë për ata që aspirojnë gazetarinë?

Me thënë të drejtën nuk do të doja të flisja edhe për këtë temë, gjithë jetën njeriu mëson. Por varet nga dëshira që ka për ta bërë. Unë kujtoj se kur kam filluar, kisha oraret e mëngjesit në radio, që do të thotë të ngrihesha në 4 të mëngjesit, që të isha në 5 aty, për të filluar me hapjen, për të vazhduar pa fund deri në orën 24:00, kur radioja mbyllej. Kisha disa emisione në ditë, edicione lajmesh dhe ndërkohë kisha dhe lajmet në TV. Kur më thoshte ndonjë kolege se nëse mund ta zëvendësoja për ndonjë orar e merrja me shumë kënaqësi, se e ndjeja që duhej të isha sa më shumë në mikrofon për të mësuar. Nuk doja t’ja dija për lodhjen, kënaqësia që ndjeja, që bëja një punë me të cilën isha e dashuruar, që e adhuroja ma largonte atë. Sot vë re nuk e kanë këtë dëshirë. Më bëjnë shumë përshtypje disa gjëra. Ndonjëherë kjo vjen se ka të rekomanduar e kanë dikë që ju mbështet shpatullat, por nuk mendojnë se profesionin duhet ta mësojnë e respektojnë njësoj, se kështu tregon respekt për shikuesin ose dëgjuesin që të ndjek, por dhe për atë, që të ka hapur dritën jeshile, e të ka dhënë mundësinë. Gazetarë të zotë me eksperiencë vë re që mezi gjejnë punë ndonjëherë, ose paguhen pak. Vë re që ka mungesë respekti për kolegët. Shumë e marrin përgjegjësinë si një luks ose për CV, jo si një detyrë e përgjegjësi për punën që do të bëjnë. Nejse mos të flasim për këtë.

-A keni përjetuar fëmijëri të lumtur?A ka pasur në fëmijërinë tuaj se një ditë do të bëheshit gazetare dhe shkrimtare?

Mund të them se ka qenë relativisht e lumtur deri ditën që vdiq babai im. Por dhe më pas kam patur ditë të lumtura, sigurisht. Kur je fëmijë, je gjithnjë i lumtur për faktin se fëmija nuk mendon shumë dhe akoma se njeh jetën. Atë e lumturon çdo gjë! Dhe përsa i përket ëndrrave të mia për të ardhmen kur isha fëmijë pothuajse shumë prej tyre i kam realizuar pak vonë, por i kam realizuar. Dëshirën për të shkruar e kam patur që e vogël. Dua të them këtu një gjë që se kam thënë kurrë. Në moshën 12 ose 13 vjeçe kisha një fletore të trashë,64 lekëshe i thonim ne atëherë plot me poezi e poema për heronjtë, për të cilët mësonim në shkollë, dhe disa përralla të shkruajtura nga unë. Janë ato frymëzimet e para kur je fëmijë. Në atë kohë ne kishim udhëheqëse artistike nëpër shkolla, e cila merrej me aktivitetet. Udhëheqësen tonë e ndihmonte shumë babai i saj, që kish qenë një mësues letërsie, i cili pasi lexoi disa nga poezitë dhe përrallat e mia më tha, që unë duhej t’i botoja e ai do të më ndihmonte. Por s’e bëri. Më mori fletoren dhe nuk ma ktheu kurrë. E kam kujtuar dhe dhënë rëndësi shumë vonë këtij fakti!

Marrëdhëniet tuaja me vajzën tuaj, violinisten e talentuar Enxhi Ninin?

Kemi marrëdhënie të shkëlqyera. Enxhi është një vajzë e formuar dhe me botë. Jemi jo vetëm nënë dhe bijë, por dhe dy shoqe të mira. Tashmë që jam në Shqipëri ajo më mungon shumë. Jemi shumë të lidhura me njëra-tjetrën.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora