E premte, 19.04.2024, 06:44 AM (GMT+1)

Kulturë

Flet Drejtori i TOB-it, akademiku, Zhani Ciko

E enjte, 03.05.2012, 04:30 PM


“PENA E MUZIKTARËVE RILINDAS, një koncert me risi

 

Lec Kurti Konsulli i parë në Athinë është shpallur “Qytetar Nderi i Athinës”

Dokumenti më i hershëm i muzikës shqiptare “ Bashkimi i Shqipënisë” i Palok Kurtit,  i krijuar më 1881

 

Nga Albert ZHOLI

 

Para disa ditësh në TOB nën kujdesin e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinise dhe Sporteve në kuadër të vitit të 100-vjetorit të Pavarësisë u shfaq “Pena e muziktarëve rilindas” me muzikë nga Arkivi.

Në koncert u ndoq dokumentin i parë i muzikës shqiptare (1881) “Bashkimi Shqipërisë”,

“Himni i Organizatës Vatra” (i cili ekzekutohet për herë të parë) e deri tek krijimet e viteve 1930 – 1940. Një pjesë e mirë e repertorit u ekzekutua për herë të parë. Autorët:Palok KURTI, Frano NDOJA, Fan S. NOLI, Lec KURTI, Martin GJOKA , Thoma NASI, Murat SHEHU, Mikel KOLIQI, Prenk JAKOVA, Kristo KONO.

 

Interpretuan solistët:

Irini Nikolla, Ylber Gjini, Vikena Kamenica, Sonila Baboçi, Shpresa Beka, Eriona Gjyzeli, Irida Dragoti, Denis Skura, Solen Alla

Kori dhe Orkestra Simfonike e TKOB

 

Në kuadrin e 100-vjetorit të Pavarësisë, cilat janë prurjet e reja të TOB-it?

 

Jubileu i 100 - vjetorit nga mënyra se si po zhvillohet nga muaji në muaj, po sjell prurje të reja, të cilat në një vështrim të parë ishin të paimagjinueshme. TKOB sjell në çdo muaj një premierë veprash skenike shqiptare siç ishte “Lulja e kujtimit” kompozuar nga Kristo Kono. Kjo vepër ishte një rizgjim i kësaj vlere të një opere që solli momentet e afrimit të pavarësisë, në fakt përfaqëson veprën skenike që i kushtohet kësaj date historike, më pas mund të përmend dhe rivënien  në skenë të veprës “Plaga e dhjetë e Gjergj  Elez Alisë”, një nga veprat më të suksesshme që ka sjellë “Eposin e kreshnikëve” në gjininë e baletit.

 

 

Të ndalemi tek koncerti i fundit  “PENA E MUZIKTARËVE RILINDAS”...

Koncerti me veprat e muziktarëve të rilindjes plotëson një kapitull që mbas viteve ‘90 ka ekzistuar vetëm në historiografinë e shkruar muzikore shqiptare vetëm si renditje emrash të këtyre autorëve. Sigurisht që, kjo punë është tepër e rëndësishme pasi u bë hapi i parë për hapjen e kufirit të historisë sonë të muzikës drejt fillimeve të para të saj. Ndërsa prurjet në jetën koncertore të tyre kanë qenë shumë të vakëta dhe pothuajse kanë munguar tërësisht. Pas një kërkimi të gjatë  në arkivat e shtetit shqiptar dhe ne arkiva të tjera në familjet e veçanta të kompozitorëve të cilat kanë ruajtur këto vepra, mundëm të kristalizojmë një program, i cili u shfaq para publikut në këtë mbrëmje koncertore. Qëllimi ishte që të plotësohej gjerdani i krijimtarisë muzikore më të vjetër në skenë. Veprat  që mbeten në arkiva dhe ne biblioteka asnjëherë nuk kanë jetë vetvetiu, ndryshe nga letërsia që mes shtypit lexohet vetijshëm, kurse arti muzikor vetëm nëpërmjet ngjitjes në skenë gjallon dhe komunikon përmbajtjen dhe emocionet tek publiku. Ky kërkim solli vërtetë gjëra surprizuese.

 

Dhe cilat ishin ato?

Për herë të parë doli dhe tingëlloi dokumenti më i hershëm i muzikës shqiptare që është “Bashkimi i Shqipënisë” i Palok Kurtit,  i krijuar më 1881. Kjo vërteton atë tezë  të cilën e kam shprehur edhe herë të tjera, që zhvillimet muzikore me kahje evropiane, rikthimi në shtratin evropian mbas rreth 500 vjetësh inkubacioni, e ka marrë shtysën nga lëvizja patriotike e njohur si Rilindja Kombëtare, pjesë e së cilës u bë dhe ajo. Pra, ne, në ndryshim nga shumë vende të tjera, ku fillimet muzikore kanë qenë si rezultat i përpjekjeve të klasës politike elitare, kryesisht shtresave aristokratike, ose të grupeve të ndryshme të mecenatit artistik, tek ne shqiptarët, ky fenomen si shtysë ka patur Rilindjen kombëtare. Ka qenë impakti i figurave të rilindjes që i dhanë shtysë zhvillimit të arteve. Krahas këngës patriotike që është sinjali i parë që erdhi vetvetishëm mbas Lidhjes së Prizrenit, filluan të gjallojnë shoqëritë kulturore. Njerëz që patën vepra muzikore, dikush të realizuar përmes studimeve artistike apo edhe të fushave të tjera si ato teologjike e intelektuale, krijuan në qytetet më kryesore të Shqipërisë (atje ku kishte premise për një fillim të jetës kulturore),  shoqatat e para, bandat e para, shoqëritë korale të para, ku asnjëherë nuk mungoi fryma patriotike brenda tyre. Kjo është meritë e jashtëzakonshme e të gjithë këtyre anëtarëve të devotshëm të armatës rilindase.

 

Pra, në këtë kohë filloi organizimi i shoqërive të mirëfillta muzikore?

Dokumenti i parë ishte vepra “Bashkimi i Shqinisë”, i Palok Kurtit më pas është veprimtaria e Martin Gjokës, Frano Ndojës dhe autorëve të tjerë me radhë si: Thoma Nasi, Thanas Floqi, Spiridon Ilo, Mihal Ciko, etj., që morën pjesë në këtë zhvillim muzikor patriotik. Secili prej tyre kishte një  prurje të veçantë. Kjo erdhi me spikatjen e duhur në koncert. Më e veçanta ishte ekzekutimi për herë të parë i himnit të Federatës  mbarë shqiptare “Vatra” në Amerikë. Një krijim i Refo Çaparit, muzikë të Thoma Nasit, i orkestruar nga Ylli Ramazoti,  që tingëlloi për herë të parë në mjedisin shqiptar. Edhe në Amerikë e kanë  pasur të pamundur të kenë një regjistrim me këto përmasa. Po kështu shumë interesante ishin edhe vepra e Martin Gjokës, e këtij muziktari me vlera të mëdha, që i përket jo vetëm sferës së krijimtarisë por edhe shkollës muzikore që ai inicioi, një pamflet muzikor poetiko-politik do ta konsideroja unë krijimin e tij Vvo ist der Friede (Ku është Liria) teksti i poetit gjerman F.  Eicherl

 Është një baladë që del tej konceptit tonë mbi rolin dhe mënyrën si  shkruhej muzika në atë kohë. Një vepër e vitit 1917 adresuar më shumë drejt publikut të huaj dhe atyre që vendosnin mbi fatin e vendit tonë asokohe. Një vepër me vlerë të veçantë ishte edhe fragmenti  nga melodrama “ Vdekja e Pirros” me muzikë të F. Ndojës sipas veprës letrare të Mihal Gramenos. Fragmenti që përfaqëson një marsh funebër meriton të futet padyshim në të gjitha  okazionet e zhvillimit të procesioneve funerale, siç janë të  shtetit e të tjera. “Vdekja e Pirros” qëndron shumë mirë krah literaturës që koha ka sjellë nga repertori botëror dhe ai tipik i derisotëm.

 

 

 

 

Cilat vepra të tjera do të veçoje?

Me vlerë janë edhe veprat e Mikel Koliqit, siç janë melodramat e tij, “Ruba e kuqe”, “Rozafa” dhe “Rrethimi i Shkodrës” të cilat i pat shpëtuar në momentin e arrestimit të Don Mikelit ish nxënësi i tij dhe pasuesi i veprës së tij muzikore, kompozitori i shquar Tonin Arapi i cili mbajti të fshehura në shtëpinë e tij për 50 vjet. Me punën që është bërë mbas viteve ‘90-të me Orkestrën e RTSH, mundëm t’ia kthenim veprën e Mikel Koliqit përpara se kardinali i  parë shqiptar të mbyllte sytë, redaktuar dhe orkestruar me kujdesin e mikut tonë të paharruar Gjon Simonit.  Vepra të tjera të kompozitorit Thoma Nasit me spikatje të valles popullore janë të mrekullueshme.

Ishte edhe Rapsodia Nr.2 e një emigranti në Amerikë, beratasi Murat Shehu që malli për atdhe e kishte djegur nga brenda dhe e bëri të studiojë seriozisht muzikën kombëtare. Ka shkruar 5 rapsodi për orkestrën simfonike, ose Fan S. Noli që mbetet personaliteti më i madh muzikor i viteve ’30-40. Vepra e tij simfonike “Skënderbeu”, është vepra më e madhe që mbyll këtë periudhë të historisë kombëtare, ku ai kreu studimet e plota muzikore në Boston. “Skënderbeu” është pjesë e atij përkushtimi total nolian ndaj kësaj figure. Në poemën simfonike në fjalë, gjëja me e veçantë është se përmbajtjen autori e ka marrë jo nga krijimet e tij poetike apo historike mbi Skënderbeun por nga një vepër tjetër siç është poema e H. Longfellovv mbi heroin tonë kombëtar që e pat përkthyer në shqip, ku figura e Skënderbeut nuk është vetëm figurë luftarake, por shtrihet edhe ne dimensione të tjera. Fan Noli e nis me kthimin e Skënderbeut, sinjalet e trompave që lajmërojnë afrimin e  tij në Krujë dhe e mbyll me Korabin e famshëm nga Pasionet sipas Shën Mateut të J.S Bach. Ai  tregon se triumfi i Skënderbeut duke e vendosur në një temë triumfi “Ohampt voll Blut und Vvunden”, ngrohet në nivel europian.

Pra kemi një vizion tepër të gjerë rreth kësaj  figure, e cila bën që  vepra të mos ketë atë efektin “guerresc” (të jashtëm luftarak), por të sjellë një zbërthim të plotë të botës së brendshme të figurës së Skënderbeut.

Duke u shkëputur tani nga këto përsihatje rreth veprave, mund të pohoj se ky operacion kërkimor në Arkivin muzikor të muzikatarëve të hershëm na bëri disa surpriza.

Në ç’kuptim?

Po nxorëm në pah dhe krijmatarinë e Lec Kurtit, këtij ideologu, patrioti dhe një njeriu të arteve shumë të rëndësishëm. I panjohur për shkak të qëndrimit të tij nacionalist. (Ai në Shqipëri ka operuar në mjediset e Ballit Kombëtar në kuadrin e përpjekjeve te tij për Çlirimin e Shqipërisë, dhe pastaj është larguar përgjithmonë. Pra, si meteor. Ai është Konsulli i parë në Athinë dhe është shpallur “Qytetar Nderi i Athinës”, ka qenë në Itali, Bari, Romë, Londër, pra në konsullatat tona të Mbretërisë. Ka ardhur në Shqipëri, pas pushtimit fashist, ka parë si po zhvilloheshin ngjarjet, është larguar dhe më pas ka  vdekur në Romë. Krijimtaria e tij muzikore është e madhe. Ai i adresohet (me ato pak krijime që janë gjetur) botës muzikore  të kohës në Itali. Ka edhe një opera shkruar në 1915-ën e largët që daton si e para opera shqiptare e titulluar “Arbresha”, me kontekst historik dhe patriotik. Vepra është zhdukur dhe sot kemi vetëm disa fashikuj të saj nga akti i parë, ruajtur në shtëpinë e tij. Kështu mundëm të  nxjerrim Arien e Arbreshës, ku gjithë monologu zhvillohet në formën e deklamacionit me të cilën ne u njohëm për herë të parë në ekzekutimin e saj. Vepra e Lec Kurtit, ku nuk mungon edhe një katalogu i muzikës së dhomës, dëshmon se Kurti është një nga  intelektualët e parë në gjirin e kompozitorëve shqiptarë të të gjitha kohërave.

 

Po nga autorët e pas viteve 1940- të cilin do të veçonit?

Prenk Jakova erdhi në koncert,  me një krijim të tij të shkruar rreth viteve ‘40 – ‘50. Një melodramë e titulluar “Juda Makabe” me tekst të Gjergj Fishtës.  Por opera “Mrika” e tij mbetet e para opera e shkruar dhe shfaqur në skenën shqiptare.

“Juda Mekabe” sipas tekstit të Fishtës,  është ekzekutuar në Shkodër në ditët e para të viteve ‘45-‘46.  Vepra u ndalua dhe autori pati një përndjekje të egër personale dhe të të gjithë familjarëve të tij. Nga kjo melodramë Aria e “Juda Makabe”, me dramaticitetin e saj e detyroi vetë autorin për të mos e lënë në harresë këtë pjesë që pa mëdyshje mund të konsiderohet aria më e bukur shqiptare, të cilën ai e rimori vetë duke i ndërruar tekstin dhe përfshirë në operën “Mrika” e njohur si “Aria e Gjinit”.

 

Si u ndoq ky koncert?

Koncerti pati mjaft prurje të kësaj natyre të cilat bënë që ai  të ndiqej me shumë interes. Këtë e shikojmë nga kontaktet që kemi pasur dhe përshtypjet që na ka dhënë publiku. Ka pasur një impenjim total të të gjithë artistëve. Kjo u shpërblye me vlerat e muzikës që paraqitëm atje. Si konkluzion koncerti nuk përmbajti vetëm vlera historike e të gjallimit të Arkivit, sado që edhe kjo nuk është pak por solli dhe kënaqësinë e përfitimit të vlerave të mirëfillta artistike. Një pjesë e dallueshme e tyre mund të konsiderohen që tani si pjesë e repertorit të qëndrueshëm muzikor kombëtar. Evidentoi jo thjesht emra krijuesish muzikorë por zbuloi formimin, përkushtimin dhe rezultatin krijues të Muziktarëve Rilindas për të cilët shkon shumë shprehja që thotë francezi: “T’i heqësh kapelën”.

Është një traditë që duhet njohur dhe studiuar ende. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora