E enjte, 25.04.2024, 05:01 PM (GMT+1)

Kulturë

Thani Naqo: Triptik me poezi lirike

E enjte, 03.05.2012, 03:56 PM


Thani Naqo


MOS MË PËRGJO KUR JAM NË GJUMË

Mos më përgjo kur jam në gjumë,
Frymëmarja ime si psherëtimat e pyllit.
Në errësirë dallon edhe kur një rrudhë,
Më gdhend kryqe mes ballit e gjer n’ cep të syrit.

Mos përgjo rrjedhën e lumit të fshehtë,
As ankthet e zemrës ti s’ke pse numëron.
Tek unë bëri shtrat dashuria jote e vjetër,
E moti me shi e gjëmime, atje gurgullon.

Mos më prek me gishtat e trembur,
S’ është kjo nata të shoh ëndrrën e keqe.
Ku rriten thonjtë e, flokët mbeten pa krehur,
Atje, ku s’të përkëdhel kush e s’ flet dot as me vete.

Kur jam në gjumë mos dëgjo ç’them,
Kështjella e ëndrrave mban portën hapur.
Ti kapmë për dore dhe mos më ler të bredh,
As me ndonjërën që rastësisht më ka dashur

GJYSMA E FAJIT

Tani çdo gjë e bëj ngadalë,
Me frymë të thellë dhe me mundim.
Kur më shket nga duart porsi ngjalë,
S’ të bëj me faj. Është faji im.

Tani çdo gjë e mat me sy,
S’më duhet litër e metrazh.
Një pëllëmbë jam më i gjatë se ty
Edhe Rrugën e Diellit me hostenë e mas.

Tani çdo gjë tek unë po ndryshket,
Krëk-krëket e gjunjëve lëshojnë ankim.
Edhe ardhjen e shiut ma thonë kryqet,
Por dhimbjet duroj e s’ lëshoj rrënkim!

Rrugën tënde mora ngadalë,
Një vrap pele ka mbetur tani.
Në më shkafsh nga duart edhe sot si ngjalë,
Gjysmën e fajit mbaje ti…
 
LULJA PA EMËR

Aman, më thuaj, ç’të bëj me ty,
Lule e Hershme më mbive në zemër.
Ditën që çele u puthëm të dy,
Dëbor' e pabesë të la pa emër.

Lulet pa emër edhe sot i ndjej,
Arom' e tyre ndjek hapin tinzar.
Siluetat, si tënden, më thëthijnë përtej,
Lodrim’ i pulpëve në çdo trotuar.

Lulet pa emër ndezin marrëzinë,
Por unë s’ di ç’ta bëj vegimin tënd kristal.
Ta mbjell diku në ndonjë lëndinë,
A, bebzës të syrit, t’ më mpikset lotmall. 

Aman, më thuaj, ç’ të bëj me ty,
Lule e Hershme më mbive në zemër.
Ditën që çele u puthëm të dy,
Dëbora e pabesë të la pa emër



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora