E premte, 29.03.2024, 02:04 PM (GMT)

Kulturë

Fatmire Duraku: Ritmi i rrjedhës

E enjte, 03.05.2012, 12:56 PM


Ritmi i rrjedhës

(Fakete Rexha “Mal me frymë”, poezi)

Nga Fatmire Duraku

Paraqitja me librin e parë me tekste poetike e Fakete Rexhës njëzet e sa vjet më parë, për lexuesin dhe kritikën letrare te ne, padyshim shënon një moment të veçantë në krijimtarinë e femrës shqiptare në Kosovë. Dhe kjo, në radhë të parë, për shkak të frymës së re që  solli poetika e saj si në formë po ashtu edhe në përmbajtje. Libri “Mal me frymë”  i ngërthen të gjitha karakteristikat e një libri të mirë dhe pashmangshëm radhitet ndër librat e parë shumë të suksesshëm në poezinë e viteve të `90-ta përgjithësisht. Për dallim nga librat e shkruar nga femrat te ne, ky libër përfundimisht e shlyen vijnë që ndante poezinë e poetëve dhe të poeteve. Ajo krijon baraspeshën e krijimit letrar mes gjinisë së bukur dhe gjinisë tjetër.

Karakteristikë tjetër e librit është ajo se  shtatëdhjetë faqesh ia del me sukses të bëjë ndarjen e poezisë së mendimit dhe të poezisë së ndjenjës, të muzikës së brendshme të poezisë (pa të cilën ajo do të përjetohej si një gjë pa shpirt) dhe filozofisë-mendimit të urtë, që në shumë njësi i jep vulë, veçanti, mëvetësi, vargut të autores së re, e cila megjithatë, që më parë kishte krijuar përvojë në shkrimin poetik.

Libri hapet me vjershën Mal me borë, të realizuar në tri këngë, 1. Mali me krahë, 2. Mali i cekët si lumë dhe 3. Mali me frymë, sipas së cilës emërtohet edhe libri. Me këtë vjershë pra-në tri pjesë, autorja me shkathtësi shfaq të gjitha karakteristikat dhe risitë e poezisë së vet. Ajo, gjithë këtë e realizon  përmes vargut të lirë, jo gjithherë të latuar sa duhet dhe jo njëherë të thyer ku ndoshta nuk do të duhej. Megjithatë, shpirti i saj dhe mendja e saj ngërthehen aty dhe krijojnë harmoninë e rrjedhës, me të cilën ajo  shpalos një gjendje të veten të tendosur,

“ka dy ditë e tri net/ që s` më lë fryma/ gjallë”,

ky shtrëngim, kjo ngele pa udhë, që “të vë këmbë ku zhytet/ hëna që s` ka syprinë” dhe kot, nuk   ia del të prek atë që synon, ngaqë  “s` më lë fryma/ të dal prej lëkure”!

A duhet ta flasë kjo përfundimisht pafuqinë? – Jo! Kurrsesi jo, ngaqë të vetmuarit megjithatë janë të plotfuqishëm dhe sado sy më sy me  shurdhësinë, pamundësinë e lidhjes me veten,   për  t`i ikur tretjes, përsëri e gjejnë mënyrën të ecin, të mbahen të paepur, me shpresën dhe kujtimet. Me dashurinë. Me poezinë. Sidomos me poezinë. Sepse ajo është qiriri, është drita fund tunelit. Dhe, sado humbja, zhgënjimi dhe  kuptohet, pafuqia të jetë  e madhe, megjithatë –

“I thellë merr frymë/përjetshëm/ dhe rrjedh gjakut tim” ,

Kështu pra, zhbëhet ajo që bëhej fare e vdekur. Dhe, në një udhëtim të gjatë e të rëndë “Ka dy ditë e tri net”, ndërsa “ s`më lë fryma/ të dal prej lëkure”, në një gjendje të këtillë, gati-gati pa shtegdalje, përsëri   kënga është ilaç, vetëm poezia shëron...

II

Me secilën fjalë, me secilin varg, me secilën poezi, poetja Fakte Rexha hap dritare të re, për të parë më larg dhe për t`i nderë më afër gjërat që e rrethojnë, për të prekur thellë- thellë në shpirtin e shqetësuar ndarjen e panatyrshme, për ndarjen me hekur dhe zjarr, me gjak, të të njëjtit trung,të të nga dridhjet e rënda të kohës, nga nata e pafund, e cila brenda rrashtës së vet e fsheh ankthin, dhembjen që nuk zbutet kurrë për  njëjtit gur, të të njëjtës tokë...  për zjarrin që nuk shuhet të ndarjes mes zemrës dhe zemrës!

Me një ton tjetër, sikur e mundur nga nata e tillë-e pafund, që kullon gjak, autorja zë e i kthehet ëndrrës, kujtimit në vetmi, shkëlqimit të humbur, duke bërë përpjekje të ikën nga  çdo gjë, madje dhe nga vetvetja, por – a mund njeriu të ikën nga vetvetja? Megjithatë, “s` më lë fryma/ të dal prej lëkure”! Dhe kjo e vërtetë, kjo gjendje mes dhembjes dhe ëndrrës është metafora, simboli, mbi të cilën ndërtohet  shpresa, është bërthama gati e çdo poezie.  Kështu, përmes magjisë së shkrimit poetik, autorja ecën “Dy ditë  e tri net” ëndrrës, për të arritur te ëndrra, apo  për të dalë nga ëndrra dhe gjithherë kështu, duke hyrë në ëndërr prapë dhe duke i prekur fshehësit e saj, autorja para nesh shpalos situata reale dhe ireale, që fillojnë aty ku jemi, e herë-herë përfundojnë diku tjetër, atje ku na fërfëllon vala e jetës, gjithherë duke i  zbuluar të fshehtat, shkaqet që shkaktojnë dhembjen...

III

Autorja nuk ka krijuar libër vetëm për një udhëtim, vetëm për një shqetësim, vetëm për një ndarje të dhembshme. Ajo as nuk është përqendruar vetëm te paepja e trupit dhe shpirtit në kacafytje të pandërprerë me natën,  me pritjen tejet tronditëse. Ajo, në këtë pjesë të librit-në disa nga poezitë  mjaft të realizuara - sado me një gjuhë të rëndë, ku dominojnë fjalët varr, gur, plagë,   pluhur, etj., ka radhitur edhe fluturimin e lejlekut, edhe vallëzuesen, edhe rrugën e luleve e kështu me radhë. Me këtë ndërhyrje, me këtë shkrim tjetër, me rrjedhë më të qetë,  sado pak e ndryshon natyrën e poezisë, mënyrën e rrëfimit e ngrit në një shkallë më të lartë, ndërsa edhe ndjesia-emocioni është më i pranishëm. Hetohet një ndryshim edhe sa i përket fakturës; ajo këtu është gjithnjë më e kursyer, më fjalë pak, për të vazhduar shkrimin me gjuhë të zgjedhur, e cila gjë bën që të shumtën e herës poezitë të jenë më të realizuara artistikisht. Dhe ja këtu dhe zë të shthuret drama e dhembjes, e shpirtit të tendosur... e cila gjë, bashkë me shumë komponentë  të tjerë, në një masë të madhe krijojnë disponim tjetër dhe shumë më të fuqishëm te lexuesi. Poema “Rruga e luleve”, përjetohet fuqishëm vetëm nga mestitujt që janë mjaft të gjatë dhe shumë mbresëlënës. Paraqesin vetë për vete vargje të bukura, me kuptim dhe duke e emërtuar poezinë kthehen në krijime më vete, në shprehje të veçanta poetike, siç janë “Librat pa vitrinë”, “Rrëmuja që u bë nëpër terr dhe klithjet e të dehurit që për të parën herë në jetën e vet e futi në gojë alkoolin” apo “Kukulla me penj të hollë ari dhe me dy sy prej rruazave  të kalit, të kaltra fare” dhe “Shkathtësia e murit që lëviz 1600 slajte në sekondë dhe korniza që pret pikturën e vonuar nëntëmbëdhjetë vjet”.Ja, më pastaj edhe  lulegjaku i jetëmbetjes këtu, në atdhe... Kështu, nga “Mali me borë” tërhiqet vija diku e ndezur – flakë e diku e ftohtë – akull deri te “Shtëpia”, poezia që e përmbyll librin e parë të poetes Fakete Rexha, libër ky i cili për shumëçka do të lë gjurmë.

Në fund nga e tëra do të veçoja se poezia e saj është klithmë, është protestë,  është shqetësim, ndoshta edhe dashuri, plagë e thellë, por në të njëjtën kohë edhe eliksir.Për shumëçka e veçantë:

“Mos më pyetni a e njoh, a e pashë a e gjeta a e humba e a e kërkova a e desha a e urrejta a e prita a i ika”.

Një libër që qartë dhe bukur e shpjegon se as kohë ka më as ka ëndërr, prandaj-ja, ka mbetur vetëm fjala, vetëm poezia, nga e cila duhet kërkuar të na bëj robër, të na lidh për gjakun e vet, pa rrugë shpëtimi.

IV

Fakete Rexha njëmend të robëron me fjalën e vet, me shkrimin e vet poetik.

Të përvetëson deri në mishërim me fuqinë e shkrimit, me veçantinë dhe motivin që sado i prekur nga ndonjë poet tjetër edhe më parë, në këtë libër vjen i ri, me horizonte të reja, me pamje, imazhe, me gjuhë të re poetike - krejt  origjinal.

Dhe, motivi, ai kuç, pra, që ik gjatë gjithë librit me degët e gjethet, me qiellin e dritën e tokës në majë, është a-ja dhe zh-ja e krijimit poetik të Fakete Rexhës. Pa tokën e lashtë, pa drurin me rrënjë në zemër të tokës, pa qiellin në kurorë të të njëjtit dru, ajo nuk mund të marrë frymë. Kjo është alfa, është omega e poeteshës që herë kacafytet herë përkëdhelet me motivin, që e derdh në vargjet e veta, me ritmin që e cakton vetë, me rrjedhën e furishme dhe të qetë, me shkulma aty-aty, që e bëjnë herë lirik e herë epik të folurën e brendshme, por edhe kumbimin e jashtëm të poezisë që e krijon me zjarr. Nuk ka udhë tjetër, përveç udhës që të shpie te ky motiv, te poezia “Poetesha me motivin”, e cila përbëhet nga tri tekste poetike; 1. Vendi im, 2. Lapidari dhe 3. Heroina. Ja pse tërë këtë e “thonë metaforat më të bukura nëpër amfora/ çdo pergamenë e përshkuan me mishin e gjakun e gjallë”! Sepse, duhet të mbetet të kujtohet, jo vetëm gojë më gojë, brez më brez, por e shkruar, e gdhendur, ajo që edhe pse ra, do të jetojë dhe duhet të flasë “Ra zogu me flatra dhe ra kohë e lashtë/ vuri myshku dhe shkronja u fshi/ ra pluhur e shi dritë e terr/ vapë e acar ra e termet u bë” ... “poti krenar/ flet me gjuhën e kuqe të rrufesë/ e zjarrit me zjarr i flet”.

Libri i Fakete Rexhës radhitet në vargun e librave të mirë të poezisë në përgjithësi, të shkruar nga një krijuese e re, por e talentuar dhe me perspektivë të ndritshme.



(Vota: 60 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora