E enjte, 25.04.2024, 12:53 PM (GMT+1)

Kulturë

Birçe Hasko: Në vitin 1979, kur varrosa babanë, në mbrëmje isha në skenë.

E shtune, 22.03.2008, 06:06 PM


Nga Albert Zholi

Mbititull:

Në vitin 2001 në Kanë në filmin “Parrullat”, një i moshuar pas filmi më thotë edhe tani të kam frikë.

Box

-Në vitin 2002 merr titullin “Mjeshtër i Madh”
-Në vitin 1991, merr titullin Profesor.
-Në vitin 2007 shpallet “Qytetar Nderi” i Orikumit.

Kur e takon Birçe Haskon, të jep përshtypjen e një njeriu babaxhan, të sinqertë, me një vështrim zhbirues (tipik lab), që nuk nxitohet të shprehet qartë dhe saktë. Flet me një zë kumbues, me theks vlonjat duke detajuar dhe ribluar çdo mendim të bisedës. Jeta e tij i ngjan një romani me shumë labirinthe, ku ai ka ditur të dalë në krye me një punë serioze dhe me shumë përkushtim. Në bisedë nuk pranon lavdërimet, sikurse është racional në vlerësime të pameritura. Vlerëson maksimalisht bashkpuntorët e tij në punë, por sidomos ata të skenës. Duke qenë gjithmonë kërkues, si pedagog, nuk ka asnjë vrarje ndërgjejge në vlerësime dhe nuk pendohet për kërkesën e lartë të llogarisë ndaj studentëve. I dashuruar me librin, nuk e shmang as gazetën nga sytë duke qenë gjithmonë në korrent të ngjarjeve.

Është një nga pedagogët  më profesionalë të Insitutit të arteve që prej shumë vitesh jep kontributin e tij akademik në formimin e studentëve. I njohur për publikun e gjerë nëpërmjet disa roleve të spikatura në teatër dhe në filmin artistik zoti Birçe Hasko ka krijuar modelin e një intelektuali krijues, personaliteti i të cilit është i padiskutueshëm dhe një model i admirueshëm për brezin e ri. Njeri i këndshëm, inteligjent, i mbyllur ai bën pjesë në plejadën e atyre artistëve që nuk i preferojnë tribunat por që dinë ta thonë fjalën dhe shembullin e tyre aty ku duhet. Njeri patriot, familjar, besnik, idealist, erudit ai rrëfen në këtë intervistë thjeshtësinë e karaktetrit të një burri të suksesshëm, talenti i të cilit e ka ndihmuar të dalë në sipërfaqe, por karakteri i fortë e kanë bërë të qëndrojë aty ku duhet, i palëkundur dhe gjithnjë në pozitat e një artisti që nuk përqaf politikën për të zënë një vend në jetë. Në këtë intervistë, përveçse për profesionin e tij, punën e palodhur me breza të tërë aktorësh, ai  me shumë sinqeritet tregon dhe për dashurinë e madhe të jetës së tij, duke sjellë për herë të parë në gazetën tonë jetën e tij familjare, dashurinë e madhe të jetës dhe rolin e tij të jashtëzakonshëm si prind. Kur e pyet për politikën ndalet. Të shikon fort në sy, tund kokën me mosbesim dhe thot me plot gojën një togfjalësh të një filozofi  “Ai që merret me politikë, asnjëherë s’mund ta dijë vuajtjen e popullit, sepse e pengon mendjelartësia”

-       Si është jeta  si  pedagog  dhe  artist i Birçe Haskos?

-       Unë  jam ai që kam qenë dhe bëj një jetë normale.  Jam  shumë  korrekt dhe kërkues  me  studentët. Në  arsim kam  42 vjet. 38 vjet  i kam  në  Akademinë  e Arteve  dhe  4 vjet  i kam në  arsim  fillor dhe shtatëvjeçar. Kam  mbaruar  shkollën pedagogjike  dhe  kam  fatin të  jem pedagog I mirëfilltë sepse njoh pedagogjinë, psikologjinë etj. Në  kohën  që  kam punuar si mësues  në  Vlorë, çdo  lëndë  kishte dhe  kërkesat  e veta  tepër  profesionale. Kishim  fatin që  të  gjithë  pedagogët  ishin  kthyer  nga Rusia  dhe   çdo lëndë  kishte metodikën e  vet. Kjo  gjë  sot  nuk  ekziston  fare. Brezi tanishëm është  shumë  larg  brezit tim,  përsa  i  përket përkushtimit  të  punës, dashurisë  për  punën. Do të them një  frazë  fare  të  thjeshtë: “Atë që  zë  kali  nuk  mund  të jetë  kurrë  karrocier  i  mire”. Mund  të kesh  profesione  të  ndryshme, por  duhet  ta  duash  atë  profesion  që ushtron. Edhe  kur  ka  qenë  sistemi  komunist  studentët më  thoshnin  “obooboo” sa  i  lodhshëm, por  kur  dilnin  në punë  vinin  dhe më puthnin, dhe më  thonin  se të  jemi  mirënjohës  për  atë  që   ke  bërë  për  ne.      

-       Po në skenë  ?

-       Përsa  i  përket  skenës unë  kam  qenë me fat se edhe në  vitet postkomuniste   nuk i jam ndarë asaj. Unë i jam  mirënjohës  edhe  talentit tim, por i  jam  mirënjohës  edhe  atyre  që  më  kanë  përzgjerdhur si Gjergj  Xhuvanit, etj. Në  kohën  e Partisë së  Punës  bëheshin  14 filma  në  vit, ndërsa  sot si zor të  bëhen  2 filma në  vit, një ndryshim i madh. Pra, ka një krizë filmike, kur ka kaq shumë aktorë profesionistë të vërtetë. Në  atë kohë të gjitha shpenzimet i hiqte  shteti. Ndërsa  sot  shteti jep një  shumë  fare  minimale dhe duhet të gjesh  ndonjë  ndihmë  të  huaj  që  të  bëhet  një  filëm serioz. Kështu  raportet  kanë  ndryshur  shumë. Filmi shqiptar ndodhet në krizë.

-       Kur  e keni  luajtur  filmin  tuaj  të  parë?

-       Filmin  tim  të  parë e kam  luajtur  në  vitin 1970, me tri  telenovelat e Anastas Kondos dhe regjisor  Piro Milkanin, (Armo, ura  dhe Meçua). Kam luajtur me aktorin e spikatur Timo Flloko. Anastas  Kondo për mua mbetet një  krijues  modest  ku për rolin më ka  uruar dhe përshëndetur me gjithë shpirt. Ai ishte gjeolog, dhe  shkruante bukur. Ishte njeri  me kulturë  dhe  kishte  mbaruar  studimet  jashtë, në Rusi. Ai në këto novela tregoi  kulturën  e tijë  profesionale. Piro Milkani është regjisori i parë  që më  ka hapur rrugën e bukur të skenës.

-       Ku ishit  në  atë  kohë  që  ju  thirrën për të luajtur në film?

-       Unë në  atë  kohë  isha  pedagog në  Institutin e Arteve siç quhej  atëherë.

-       Në  cilën  vit  keni  ardhur  në  Institutin e  Arteve?

-       Unë  kam  qëndruar 3 vjet mësues  në Tepelenë. Një vit  drejtor  shkolle  në  Poro të Vlorës. Nga  drejtor  Shkolle  erdha  student. Pra nga  vitet  61-64 unë kam  qënë  arsimtar  në  Tepelenë. Kam  qenë  në  fshatin Amanikaj. Pastaj  shkova  në Memaliaj  në  11 vjeçare, ku jepja   matematikë.  Aty fillova të angazhohem me estradën amatore të qytetit. Shkolla  e  lartë  për  aktor  ishte çelur  në ’59-tën. Ky ishte viti  ’64, dhe nëpër  rrethe  nuk kishin  njohuri për aktrim. Edhe unë  vetë  nuk  i kisha  njohuritë e duhura. Një   inxhinier  që  kishte  mbaruar  në  Poloni  më  shikon  në një shfaqe në Memaliaj dhe  me  një  komposto në dorë më thotë:   merre  këtë  dhe kam një sygjerim, duhet të  vazhdosh  shkollën për  aktor. As  nuk  e mendoja se  do  të  kisha   talent. Erdha,  konkurova  meqë  më tha  ai dhe fitova. Më propozuan qysh athere për pedagog. Vitin e  parë  nuk më lanë. Erdha në Institutin e Arteve një vit më vonë.  Kam  patur  fatin e  madh që në rrugën time të artit skenik kam patur  kolegë   që  secili u  bë  dikushi si: Timo Flloko, Lulzim Kani, Kristaq Mitro, Liljana  Porova, dhe  shumë  të  tjerë  që  nuk më  kujtohen  për  momentin.

-       Sa  filma  keni  lozur  në jetën  tuaj  skenike?

-       Kam  lozur  35 filma  dhe  12 role  në  Teatër.

-       Ku e  keni  ndjerë veten  më  keq  në film apo  në  teatër?

-       Askund   nuk e  kam  ndjerë  veten keq. Mua  pedagogjia  më  ka  mbajtur  të  freskët dhe më ka zhvilluar dhuntinë  ta  zbërthej  rolin. Shumë herë me mirësjellje i bëj ndonjë sygjerim regjisorit, sigurisht për hir të punës. Unë  respektoj  çdo  regjisor  edhe  atë  që është shumë më i ri.  Por i kërkoj  me  mirësjellje  që të më bindë dhe ta  bind. Asnjë  profesion  nuk  bëhet pa  mirëkuptim. Pa  mirëkuptim  nuk ka as  marëdhënie  të  drejta  familjare edhe  me  gruan  dhe fëmijët.

-       Ndjenjat  maksiliste  ekzistojnë ende  në  burrat  shqiptarë,  ju si  jeni  me këtë mendim?

-       Jam shumë  fisnik, por  megjithatë  përgjigjen  mund  ta  japin  pjestarët  e familjes. Jeta  është  familjare, shoqërore dhe  individuale.Unë  nuk kam qejf  të  ndërhyj në  jetën  personale  të  tjetrit. P.sh. pse e  ke   shkruar  kështu ose  pse   e  ke  veshur  kështu ?! Në demokraci përgjegjësia është individuale. Shijet nuk mund të paragjykohen. Nuk mund ti përgojosh shijet e njerëzve. Këtu hynë zilia dhe cmira. 

-       Shoqëria shqiptare sot po kalon   një  krizë, fenomeni divorcit është bërë masiv. Mos vallë ka një  liberalizim  të jetës nga  gratë, apo mos ndoshta është thelluar ndjenja maskiliste e meshkujve shqiptarë ?

-       Ndoshta liberalizmi i një pjese të gjinisë femërore ekziston, sikundër dhe e kundërta. Kjo sepse ne  kaluam  një  ndjenjë  diktature  brenda familjes. Tani me  ndryshimin  e sistemit menduan  se demokracia  erdhi  vetëm  për gratë. Por,  kjo  nuk  është e  drejtë, sepse  demokracia  erdhi për  të  gjithë. Në  të  gjithë  botën  familja  është e shenjtë. Për  brezin e ri  është  një mendim i  gabuar  që  thonë se dashuria  është  thjeshtë  seks.

-       Është  marrë  ndonjëherë  me  politikë  Birçe  Hasko ?

-       Kam  qenë  Sekretar  Partie 2 herë në sistemin komunist në  Institutin e  Arteve. Koha bën të vetën.

-       Po në  Demokraci  a  keni  vazhduar të  merreni  me  politikë?

-       I kam  vënë  vizë  çdo  gjëje. E kam harruar atë lloj profesioni nqs do ta quaj kështu. E urrej ligësinë, poshtërsinë, keqdashjen  dhe  keqbërësit.

-       Pse  nuk  merreni  me  poloitikë  më?

-       Sepse me politikën e sotme është  zverdhur  çdo  gjë. Sot në shumë drejtime  ka vetëm  hipokrizi. Hipokrizia është  futur  edhe brenda  familjes, le  më  në politikë. Unë  si  qenie   njerëzore  kam  alergji ndaj hipokrizisë. Fenomen apo ves tepër i shëmtuar.

-       Kush  ka  qenë  dita  më  e bukur  skenike  e Birçe  Haskos?

-       Dita   më  e bukur  skenike  ka  qenë  në  Kanë në promovimin e  filmit  “Parrullat”, ku  mbas  mbarimit  të  filmit,  në sallë  ishin  njëmijë  veta dhe  kanë  duartrokitur mbi 10 minuta. Kjo ka qenë në vitin 2001, në festivalin e  Kanës. Aty pas shfaqjes vjen  një  plak 75 vjeç,  me  bastun i cili  çalonte. Ai  kishte  parë  filmin dhe ndiqte konferencën e  shtypit e cila zgjati një  orë e  dhjetë  minuta. Pas konferencës, ai  erdhi  drejt  duke  më  parë  mua  dhe më tha  “urime  për  rolin  dhe tani  që ju kam  përpara ju  kam frikë”. Ky  ishte  një  qytetar   frances. Një  urim  tjetër  përsëri   shumë  të mirë  ishte  ku  poshtë  Ministrisë  së  Jashtme  (janë  ato  urat), më  ndalon  një qytetar (vitin  me thënë  të  drejtën  nuk  e mbaj  mend), ai më thotë:  a  do  të  vish  në shtëpi  sepse po  bëj  një  raki  shumë  të  mirë. Faleminderit i  them. Ti  je i dyti më tha, se i  pari  që kam  pritur  në  shtëpi  është  Tano  Banushi.

-       Po  dita më  e  vështirë  kur  ka  qenë  për  ju në  skenë ?

-       Dita  më  e vështirë  në skenë  ka qenë në  vitin  1979, kur më vdiq babai. Varrosa  babain dhe  në darkë kisha shfaqje në Tiranë. Bëhej takimi  i  teatrove  popullore  dhe profesioniste të  Tiranës. Qaja  mbrapa perdeve dhe pastaj dilja  në  skenë. Kjo  ka  qenë  dita më  e dhimbëshme   në  skenë dhe  në  jetë.

-       Po si  pedagog  kush ka  qenë  dita  më  e vështirë  për  ju?

-       Si  pedagog  nuk  kam  pasur  ditë të  vështira  sepse duke  ardhur  nga  shkolla  pedagogjike  kam qenë mësues i  formuar, por  në  profesionin  që  kam,  jam pjekur gradualisht. Mjafton ta dashurosh profesionin dhe objektivat arrihen.

-       Sot vihet re  një  krizë  në kinematografi  apo  në  teatrin  shqiptar, kjo  mos  vallë  është  për  faj  të  aktorëve, apo të  politikave ?

-       Dhimitër  Anagnosti  ka  thënë  një fjalë të artë për vlerësimin që politika shqiptare i bën artit dhe sportit. Ai  vetë  ka  qenë  edhe ministër  i  Kulturës në  qeverisjen e parë të Partisë  Demokratike. Sipas tij, në  shoqërinë  njerëzore  ka  ca  tuba, ka edhe  ca  rubineta. Rubinetat  e fundit që hapen në kohën  që  jemi  ne,   janë ato për  artin  dhe  sportin, d.m.th, po  lanë  gjë   ato  rubinetat  sipër...! Tubat janë vetëm mjet komunikimi. Rubinetat kanë rëndësinë e madhe  që varet nga pozicioni që kanë. Ato të poshtmet...!!!

-       Kush  është  pengu  skenik  i  Birçe  Haskos?

-       Unë  nuk  kam  pengje, unë  dua  të  krijoj  meqë  kam shëndet, sepse  në  artin  skenik  aktori  don edhe  shëndet. Ka  një raport  të  çuditëshëm  midis  sportit,  balerinëve, artit  skenik   dhe muzikës. Një  balerinë   mund  të  kërcejë maksimumi deri  42 vjeç. Futbollisti 39 vjeç. Ndërsa  arti  skenik ka  jetëgjatësi por vetëm  kur ka  shëndet. Po të la  kujtesa  profesionale  atëherë  ke  marë  fund  në  artin  skenik.

-       Ç’farë  urren më shumë  tek një  njeri  Birçja?

-       Urrej gënjeshtrën, hipokrizinë.Ti je ai  që je. Ka raste kur  gënjeshtra  edhe  pranohet, por  të  gënjesh  dhe të  mashtrosh  që ti të përfitosh, është shumë e  dëmshme.

-       A jeni   supersticioz  në jetë ?

-       Absolutisht jo. Unë e marr jetën siç  më vjen. Jam  shumë  praktik, konkret. Ndikoj  edhe në  familje  për këtë. Nuk më pëlqen as të  dukem, këtë e them   me  thjeshtësinë  më  të madhe. Urrej  të  mbështetem  tek  njerëz  që  kanë  pozitë, këtë  e  kam  kategorike.

-       Ushqimi  juaj i  preferuar?

-       Mishi i  pjekur  në  hell. Kur  shkoj në  Vlorë, në Llogara  të Vlorës  se atje  është vendlindja  ime, kënaqem. Më duket vetja si në parajsë. Më largohen streset dhe ajri i pastër më mbush me frymëzim. Magjia e detit më rrëmbën, më jep oreks. Por  pëlqej  edhe  lakrën e egër.

-       Ç’farë  ju  kujton  Vlora në  momente  të  caktuara ?

-       Vlora për  Shqipërinë  është  si  Franca për  Europën.

-       Sot  flitet shumë  për  flirtin. Ju  c’mendim  keni  për  flirtin?

-       E urrej  shumë flirtin. Unë  jam  monogam. Unë  gruan  e kam  marrë  me dashuri, nuk ma ka dhënë njeri me zor. Atëherë  pse   duhet ta tradhëtosh  ?!

-       Si  i  ka  lidhjet  me  shtypin  dhe librin Birçe  Hasko?

-       Marr gazeta të caktuara përditë, sipas lajmeve. Lexoj  të  paktën  40 faqe  në  ditë. I ndërroj gazetat   që  të  mos mërzitem. Lexoj shumë  libra  poetikë, monografi. Leximi  është  si  puna  e ushqimit. Monotonia  të  vret, si në ushqim, si  në  të  lexuar. Ç’farë  e vret  njeriun në  jetë, është horizontalizmi, jeta e varfër. Kot nuk  thonë  8 orë  gjumë, 8 orë  punë, 8 orë  qejf.

-       Mendohet dhe thuhet se Shqipëria ka aktorë  potentë dhe  fatkeqësisht  ka  pasur  edhe  disa  vdekje  të  aktorëve  të  mëdhenj  shqiptarë që pothuajse  janë lënë  në harresë, kush është  mendimi  juaj?

-       Shqipëria  ka  aktorë  potentë  sepse  ka shkollë  ruse  në  Teatër. Ka  qenë  shkolla  më  e  mirë në  botë. Edhe  Amerika  e përdor  sot shkollën ruse. Aktor të tillë si Alpaçino  etj, kanë  bërë  shkollë  ruse. Shkollës ruse për  teatër   dhe  balet  nuk i del zot përpara. Aktorët që kanë ikur kohët e fundit si zor ti voijnë shpejt Shqipërisë.

-       Ka  momente  njeriu  që  del nga  vetvetja për  shumë  arësye, a  ka  dalë ndonjëherë nga  vetvetja  Birçe  Hasko?

-       Nuk ka njeri  që nuk  del  nga  vetvetja, por  ato  janë momente   shumë të  vogla  që  nuk  ja  vlen  të  thuhen.

-       Nuk ke bërë ndonjë gabim që  të  ndihesh  i  vrarë   në  ndërgjegjen  tënde?

-       Absolutisht jo. Artin e nis llogjika dhe mrekullitë i bën  subkoshienca. Kështu  kam qenë  dhe  jam në  jetë, kështu  jam  edhe në  teatër. Unë  përdor  logjikën e  hekurt.

-       Në  qoftëse  do  të  ishte  i  pasur  Birçe  Hasko çfarë do  të  bënte?

-       Në qoftëse  do të  isha i pasur do  të  ndihmoja  të  gjithë të  varfërit. Nuk  ka  gjë  më të  dhimbshur se varfëria, ku fëmijët nuk  vazhdojnë  shkollën  dhe vijnë nëpër  tavolina  dhe shesin  çakmak. Unë  i  blej  kot  çakmakët që na servirin nëpër tavolina fëmijët e vegjël, se më  vjen  keq se  vijnë  si  fukarenj (loton).

-       Mund të na  thoni dicka nga  dashuria  juaj e  parë, që ja  vlen edhe për  lexuesin?

-       Kur e kam parë për herë të parë gruan  që kam  sot, kishte  veshur  një pallto të  madhe të  nënës së  vet. Një pallto  e  kthyer  mbrapsht. Tek ajo pallto   më ngelën  sytë. Ishte një vajzë e thjeshtë. Thjeshtësia  e saj vinte nga  fukarallëku. Edhe unë fukara kam qënë vetë. Ka  qenë  ditë  Bajrami ku ne mbanim  një qese  në dorë  dhe  shkonim shtëpi  më  shtëpi  dhe kërkonim karamele. Shkonim në  mëngjes dhe kthehenim në darkë në  shtëpi. Në  një  shtëpi  kishin  bërë   hallvë  me hime  sepse nuk  kishin  miell, dhe sa dolëm nga  shtëpia  të  gjithë  e hodhën hallvën, sepse nuk u pëlqeu. Vetëm  unë  nuk  e  hodha  sepse  isha po aq i  varfër sa ajo familje. Në nëj ditë të tillë njoha nusen time.

- Ndoshta  shumëherë   varfëria  të  bën  më  të  përgjegjëshëm  për  jetën?

- Patjetër të  bën  më  të  përgjegjëshëm, më  njeri, të bën  të jesh  shoqëror, fisnik, me logjikë  dhe  të  kulturuar.

-       Flitet   shumë  herë  se  në shkollat  shqiptare  sot  ka probleme  nga  më të  ndryshmet deri  sa  mer  edhe  nga  3 diplloma  universitetesh, dhe niveli i këtyre  të  dipllomuarve vlen  për tu  dëshiruar?

-       Sot çdo gjë është e kthyer në tregëti  dhe kjo  është  e dhimbëshme. Babai  im ishte  me  shkollë  të  vjedhur,   shumë  i  mençur  dhe  na  thoshte  neve se  atë  dipllomën  edhe  mund të  ta  grisin  por  në  qoftëse  ke  bërë  shkollën si duhet atë  e  ke këtu në kokë. Diploma më e mirë është suksesi dhe përkushtimi në punën e përditëshme.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora