Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sinan Sadiku: Një libër që meriton të mos harrohet

| E enjte, 03.05.2012, 06:41 PM |


NJË LIBËR QË  MERITON TË MOS HARROHET

Arif Kutleshi “Perdja e diellit”, botoi “Rilindja” Prishtinë 1990, fq. 66

Nga Sinan Sadiku

Mund të themi se poezia shqipe në Kosovë gjatë viteve `80 në aspektin artistik e arriti nivelin, gjegjësisht u barazua me poezinë e popujve përreth dhe në përgjithësi me poezinë evropiane. Sado që një zhvillim i shpejtë i kësaj poezie kishte filluar në vitet `60 dhe kishte vazhduar gjatë viteve `70, tek në vitet `80 kjo poezi e zuri hapin me kohën dhe arriti aty ku kishte mbërri poezia e popujve të tjerë evropian, të cilët kishin pasur kushte dhe rrethana shumë më të volitshme. Ishin kushtet e rënda të shtypjes dhe të terrorit të ushtruara nga okupatori ndaj popullatës shqiptare në përgjithësi dhe ndaj intelektualëve e krijuesve në veçanti ato që e kishin penguar ecjen.

Nëse themi se  shumica e librave të botuar gjatë viteve `80 kanë dalë të suksesshëm, nuk kemi gabuar. Përkundër një zhvillimi kaq të vrullshëm, kaq cilësor  të krijimtarisë poetike, ngecja kishte filluar te kritika letrare dhe veçmas te studimi shkencor i letërsisë në përgjithësi dhe studimi i poezisë në veçanti. Kjo kishte sjellë te ajo që vetëm poezia e disa krijuesve të brezit të viteve `80 t`i bëhej e njohur një rrethi më të gjerë të lexuesve edhe pse nuk mund të flitet për studimin e mirëfilltë të saj, ndërsa poezia e pjesës tjetër të krijuesve të mbetej thuaja e panjohur.

Njëri ndër poetët që librin e parë e ka botuar gjatë viteve tetëdhjetë, konkretisht në vitin 1987 (të titulluar “Lojë e përjetshme”), krijimtaria e të cilit thuaja nuk është vërejtur nga kritika letrare është poeti llapjan Arif Kutleshi. Duke qenë dashamir i librit, veçmas i letërsisë në fillim të viteve nëntëdhjetë e pata ble librin e dytë të këtij autori të titulluar “Perdja e diellit”. Libri është botuar në vitin 1990 nga biblioteka “Drita” e “Rilindjes”, me redaktor Ali Podrimjen, recensentë Azem Shkrelin e Eqrem Bashën dhe me lektor Shaip Beqirin. Pra në një mënyrë  daljes së këtij  libri i kanë kontribuar katër krijues, që hyjnë në rrethin e ngushtë të poetëve më të mirë bashkëkohorë shqiptarë dhe nuk do të kishte kuptim që këta të mos angazhoheshin, edhe atë me sukses, që prej  një krijuesi të talentuar të  mundësonin të realizohej më e mira e mundshme. Sigurisht që ata kanë ditur të parashtrojnë kërkesa, të bëjnë vërejtje, të japin sugjerime në mënyrë që krijuesi ta jap maksimumin e mundshëm dhe libri të dalë sa më i mirë. Të mos keqkuptohemi, meritën kryesore për librin e ka autori. Edhe sukseset e edhe dështimet në fund të fundit janë të tij, porse redaktori dhe recensentët duhet ta kryejnë pjesën e vet të punës. Këtë vepër në tërësi e kam lexuar disa herë, ndërsa disa poezi të tij me dhjetëra herë. Thjeshtë i kam lexuar se më kanë pëlqyer, ndërsa nuk kam menduar se një ditë do të ulem dhe të shkruaj për to. Libri është një vepër e mirë, e përpunuar me kujdes e durim, pa nguti, vepër në të cilën nuk ka lëshime e dobësi, të cilat i lëshojnë edhe krijuesit e talentuar kur iu mungon përkushtimi dhe përgjegjësia ndaj punës krijuese, vepër e cila e meriton të mos harrohet, të cilën kur ta lexojmë e shohim se nuk e kemi humbur kohën kot. Autorin e librit nuk e kam njohur kur e kam blerë atë, kur i kam lexuar herë pas herë poezitë e tij e nuk e njoh as tani kur po i shkruaj këta rreshta. Krejt çka di për të është biografia e shkurtë në fund të librit, ndonjë poezi te “Alternativa” dhe kohëve të fundit te “Zemrashqiptare”. Megjithatë nga disa poezi të tij dhe shkrimet te “Alternativa” e di se ai në kohën kur e ka shkruar librin në fjalë ka jetuar dhe punuar në Slloveni. Andaj te disa vargje të tij, te disa poezi dhe te një pjesë e  rëndësishme e librit në një mënyrë ose tjetër vjen në shprehje malli i mërgimtarit, dashuria e tij për vendlindjen, për njerëzit ...

Ky libër  i ka gjithsej 55 poezi të ndara në katër cikle: “Lisi i gjakut”, “Perdja e diellit”, “Historia e fatit”, dhe “Kutia e Pandorës”, të cilave iu paraprin poezia “Në fillim”. Libri është tërësi e kompletuar, ndërsa nuk mund të themi se ndarja në cikle është bërë sipas tematikës që trajtohet edhe pse tematika e ka një rol të padiskutueshëm në këtë plan.

Vlerësimi i trashëgimisë kulturore dhe letrare – përkushtimet

Në ciklin e parë të titulluar “Lisi i gjakut” poeti i ka sistemuar poezitë kushtuar vendeve, njerëzve, personaliteteve nga e kaluara të cilat e dëshmojnë të shkuarën e pasur  të popullit tonë, rrënjët e tij të ngulitura thellë në këto troje që nga lashtësia e këndej. Andaj, aty e gjejmë poezinë kushtuar Vendenisit, një vendbanim ky i vjetër iliro-shqiptar, pastaj poezitë kushtuar shkrimtarëve, poetëve, veprimtarëve: Pjetër Bogdani, Shtjefën Gjeçovi, Migjeni, Lasgushi, Esad Mekuli etj.  Të gjitha poezitë kushtuar këtyre shkrimtarëve janë realizime të bukura poetike. Secila është e veçantë siç kanë qenë të veçantë edhe krijuesit të cilëve iu kushtohen. Janë poezi që iu kushtohen shkrimtarëve ndaj të cilëve autori ushqen respekt të veçantë, të cilët i çmon si krijues dhe si njerëz, poezi në të cilat ka investuar punë krijuese, përkushtim të rrallë dhe shumë dashuri.   Autori ka ditur që përmes poezisë t`i paraqes dhe aktualizojë disa nga tiparet më karakteristike të këtyre personaliteteve kombëtare, që i kanë dhënë shumë kulturës dhe veçmas letërsisë sonë. Thjeshtë ka bërë punë krijuese të mëvetësishme, jashtë skemave të përgjithshme, duke ia përshtat secilit jo vetëm aspektin tematik e kuptimor, por edhe atë artistik e stilistik.

Shumë ide, mendime, mesazhe nuk thuhen në poezitë e këtij libri, por lexuesi i kujdesshëm i nënkupton. Në fund të fundit kjo është karakteristikë e veçantë e gjuhës poetike, që atë e bënë të bukur, e bënë art. Pra nuk rrumbullakësohen idetë, nuk shpjegohen, por preken tema dhe ide të cilat lexuesi mund t`i lidhë dhe t`i nxjerr kuptimet, vlerat... Mund të themi se Kutleshi nuk e sakrifikon artin për ta thënë me çdo kusht atë që dëshiron ta thotë, porse, përsëri, në një mënyrë specifike, përmes gjuhës poetike, përmes figurave, atë e  thotë, pa e dëmtuar artin. Pra edhe pse nuk thuhet e tëra në një poezi, diçka thuhet në të, diçka në një tjetër, pastaj edhe në një tjetër dhe në fund në libër si tërësi. Kuptohet edhe poetit që i shkruan me dhjetëra libra i mbetet shumëçka pa thënë. Përveç në këtë cikël, poezi përkushtim gjejmë edhe në pjesë tjera të librit. Fjala është për poezinë “Shkove sikur të mos ishe” kushtuar xhaxhait të vdekur, pastaj “Bregu i mallit” dhe “Të njëjtit flamuj varim” kushtuar miqve të tij slloven si dhe poezia “Hasta La Vista në Prishtinë” kushtuar një krijueseje spanjolle e cila “I ka rënë kryq e tërthor Evropës / me hartë ditar e laps / duke shënuar gjithçka me kujdes”. Këtë spanjolle poeti e fton në Prishtinë që edhe aty ta plotësojë ditarin e vet me shënime nga kryeqyteti ynë.

Shprehje e përpunuar poetike

Nga cikli i dytë do të veçoja poezitë “Shiu vetëm ty të lag”, “Përrallë”, “U zbardhe”, “Letër Kosovës” dhe “Perdja e diellit”. Ky cikël sikurse edhe libri në tërësi janë titulluar sipas poezisë së fundit. Kjo poezi në aspektin kuptimor lidhet me poezinë “Thyerje” të ciklit vijues “Historia e fatit”.  Ato i japin dhe e pasurojnë  njëra - tjetrën. Drita, rrezet, dielli zakonisht janë simbole të lirisë, të së mirës, të jetës. Veprat e këqija të shumtën e herave planifikohen dhe realizohen prapa perdeve, në errësirë, aty ku  nuk depërton syri i opinionit. Dihet perdja vendoset për ta penguar pamjen, andaj lojërat (e ndyta)  luhen prapa perdeve. Kur hiqet perdja çirren maskat, dalin në shesh të palarat e shumta, mbledhjet e fshehta, planet e fshehta, marrëveshjet e fshehta, traktatet e fshehta... Prapa perdeve merren edhe vendime për kryerjen e krimeve të mëdha e të vogla, të rënda e të lehta, të cilat prodhojnë vuajtje, fatkeqësi, fatalitet... Në këto raste krijohet paqartësi, mjegull dhe shpesh e vërteta me gënjeshtrën i ndërrojnë vendet e rolet duke u proklamuar si e vërtetë gënjeshtra ose  duke u shpall gënjeshtër e vërteta. Atëherë “Pafytyra pështyn fytyrën / në logun ku palohet rrena” konstaton autori në Vargjet e poezisë “Thyerje”. Kjo poezi i ka gjithsej katër apo tri strofa sepse  strofa e parë pa  asnjë dallim është edhe strofë e katërt, gjegjësisht kemi përsëritje të së njëjtës strofë në fillim dhe në fund të poezisë. Kjo strofë që përsëritet në fillim dhe në fund të poezisë është:

Ma lakojnë boshtin kurrizor

Farkëtuesit e ditëve të nxehta

Diellit i varin perde

Të mos i ngrohë lulet në ballkon

Pra “farkëtuesit e ditëve të nxehta, diellit i varin perde, të mos i ngrohë lulet në ballkon” .

Sa i përket shprehjes poetike mund të themi se gjuha është e përpunuar deri në imtësi. Veçmas janë përdor metafora dhe simboli. Këto dy figura të ndërlidhura  mes veti në poezinë e Kutleshit nuk kanë kuptim të ngurtë, statik, por bartin kuptim i cili prej një vargu në tjetrin, prej një poezie në tjetrën lëvizë, ndryshon, pasurohet. Kjo vlen veçmas për simbolin i cili ka gjet një përdorim të bollshëm në këtë libër. Në disa poezi trajtohet tema e fatit, fatkeqësisë, vetmisë, mërgimit, ndarjeve etj. Nuk mund të flasim për një ndarje tematike të cikleve në kuptimin klasik për faktin se një ide, një teme, një motiv i trajtuar në një poezi trajtohet edhe pak te një poezi tjetër, ndërsa trajtimi i saj deri diku kompletohet te një poezi e tretë. Këto poezi, të ndërlidhura në një farë mënyre në aspektin tematik, mund të mos i takojnë një cikli, e mund të jenë të shpërndara në të gjitha ciklet.  Duke qenë vet mërgimtar poeti në poezinë e vet e ka trajtuar temën e mërgimit, qoftë si mall për vendlindjen, për të afërmit, miqtë, qoftë si gëzim për kthimin në vendlindje, te shtëpia ku i takon fëmijët, gruan..., qoftë duke i përshkruar gjërat që kanë ndryshuar ose ato që kanë mbet ashtu siç kanë qenë. Në shumë poezi endet në një fjalë, në një varg, në një strofë, ose në tërë poezinë ai malli dhe dashuria e mërgimtarit për vendin e vet, për njerëzit, për të afërmit. Edhe pse ky mall nuk e ka atë patosin romantik që e karakterizon  pjesën më të madhe të poezisë sonë me temë mërgimin, veçmas të poezisë së traditës, përsëri është mall i mërgimtarit që jeton larg atdheut. Kush mund t`i përjetoj, t`i kuptoj dhe mirëkuptoj më mirë se poeti mërgimtar mallin, dhembjen, vetminë, trishtimin e njeriut që jeton larg atdheut e familjes. Andaj Kutleshi i cili kur e ka krijuar librin në fjalë ishte mërgimtar në Slloveni  e ka shkruar një poezi të titulluar “Ndarje” në të cilën me aq mjeshtëri i ka përjetësuar ndjenjat, përjetimet e gjalla që i shkakton ndarja nga personi i dashur , ndarje kjo  e cila dihet sjell lot e dhembje.

Të këqijat dhe rreziqet

Cikli i fundit titullohet “Kutia e Pandorës”. Nga mitologjia e dimë se  ishte Pandora ajo që e hapi kutinë ku ishin të mbyllura të gjitha të këqijat e kësaj bote si: sëmundja, lakmia, vëllavrasja... Edhe te  poezia e titulluar, “Kutia e Pandorës”, kjo kuti e ka të njëjtin kuptim, veçse afrohet me kohën dhe ambientin e poetit, bëhet më konkrete, më e afërt. Te kjo poezi përveç Pandorës personazhe tjerë janë babai, nëna dhe vëllai i subjektit lirik. Poezia fillon dhe mbaron me vargjet, gjegjësisht strofën “E hapi kutinë Pandora / Kur Nëna i dha Gji Blerimit / Të mbramën herë”.  Te ky cikël dallohen poezitë: “Herë ngjitje herë zbritje”, “Zhgënjimi”, “Kutia e Pandorës”, “Dashuri dhe vdekje” dhe “Luga e shtrigës”. Është interesante poezia “Luga e shtrigës”. Poeti disi e ka zbutë shtrigën, këtë krijesë të tmerrshme. Natën derisa fëmijët flenë ajo hynë brenda  përmes vrimës së çelësit, gërryen lugën e vet, dhe del, shkon po përmes vrimës së çelësit, pa ua bërë ndonjë të keqe fëmijëve. Derisa shtriga është brenda “Fëmijët bëjnë gjumin e shqerrave / Ëndërrojnë Zogun e Artë / Qiellin e kaltër pa re”. Ata nuk  dinë për rrezikun që iu kanoset sepse shtriga edhe pse nuk bënë ndonjë të keqe në këtë rast, shtrigë është,  ku t`i besohet? Rrezikun, bile edhe tmerrin  e simbolizon vetë emri i saj, po edhe shtrëngimi dhe kërcitja e tmerrshme  e nofullave. Pra i kemi në njërën anë fëmijët që flenë, ëndërrojnë zogun e artë, qiellin pa re, qeshin, lëkunden, pra që mendojnë dhe ëndërrojnë vetëm mirë, që janë simbol i së mirës dhe pafajësisë  dhe në anën tjetër shtrigën që i shtrëngon dhe i kërcet tmerrshëm nofullat, që është simbol i së keqes. Në një mënyrë poezia thotë se kjo botë është përplot rreziqe dhe të këqija, ndërsa fëmijët akoma nuk e dinë këtë dhe mirë që nuk e dinë.

Vetëm  poezitë “Herë ngjitje herë zbritje”, “Shtatë vjet harrim”, “Çeta e re” dhe “Vdekja e trupit” janë të rimuara”.  Pra gjithsej katër nga pesëdhjetë e pesë poezi sa i ka libri. Janë këto ndër poezitë më të bukura të librit. Pak, por të mira. Këto poezi dallojnë mes veti sa i përket gjatësisë së vargut, ndërsa sa i përket rimës “ “Çeta e re” dhe “Shtatë vjet harrim” janë të shkruara me rimën e puthur aabb, por derisa e para nuk është e ndarë në strofa, pra është monokolone, e dyta është e ndarë në strofa katërvargëshe. Poezia “Herë ngjitje herë zbritje” dhe “Vdekja e trupit” janë me rimë të alternuar abab, porse dallojnë mes veti për nga gjatësia e vargut.

Perdet e hekurta në mes të të dashuruarve

Rrallë ndonjë varg dhe vetëm dy poezi janë lirika të mirëfillta erotike. Të tilla janë “Kur puthen akrepat e orës” dhe “Dashuri dhe vdekje”. Kjo e dyta është një poezi interesante dhe për shumëçka e veçantë, duke filluar nga titulli, nga aspekti semantik dhe për nga ndërtimi figurativ. Sa i përket anës kuptimore poezia është shumë e pasur dhe ofron mundësi të shumta interpretimi, duke e bërë thuajse të pamundur një interpretim përfundimtar, të pakontestuar, për faktin se figurat,  renditja e tyre, ndërtimi i vargjeve, strofave, përsëritjet ofrojnë shumëkuptimësi, ambiguitet dhe dinamizëm. Flitet për takime të fshehta midis subjektit lirik dhe të dashurës së tij. Takimet mund të kenë qenë  të fshehta për shkak të ndalesave si produkt i mendësisë konservative, që e sanksionon dashurinë, që i kufizon tej mase raportet midis djalit dhe vajzës duke i vështirësuar ato e në raste të ndryshme duke i bërë të pamundura. Strofa e dytë: “Vije e veshur në të kuq e në të zi / Të thërrisja Flamure, Besnike , Diellore / Gjarprin nuk e shihnim kur hynte mes nesh” na jep mundësi të besojmë se gjarpri këtu e simbolizon njeriun i cili dëshiron t`i ndaj të rinjtë, ta pengoj dashurinë. Duket se qëllimi i gjarprit është realizuar të paktën deri diku, sepse ai ka hyrë midis të rinjve pa e hetuar ata. Ka hyrë  tinëzisht dhe e ka bërë punën e vet. E dashura e folësit lirik  ka shkuar në takime me të “e veshur në të kuq e në të zi”, ndërsa ky e ka thërritur “Flamure, Besnike, Diellore”. Ngjyrat e kuqe dhe e zezë, pastaj emërtimet  Flamure, Besnike, Diellore, vetvetiu na kthejnë në vitet tetëdhjetë kur shtresa më e arsimuar e të rinjve e pajisur me idealet e atdhetarizmit dhe të lirisë në çdo aspekt përpiqej t`i manifestojë dhe t`i realizojë ato ideale. Andaj e kuqja dhe e zeza, flamuri, besa, dielli çmoheshin shumë si nga vajzat ashtu edhe nga djemtë dhe shumë djem do të donin ta kishin të dashurën të tillë të “veshur në të kuq e në të zi” që është e gatshme të sakrifikohet për flamur e atdhe. Do të donin ta kishin një të dashur me të cilën i lidhin edhe idealet më sublime, të cilat e pasurojnë dhe e fisnikërojnë dashurinë. Dihet disa prej tyre edhe e kishin një të dashur të tillë e cila iu doli besnike dhe i priti me vite e vite deri sa dolën nga burgu, ku kishin rënë në përpjekje për t`i realizuar idealet e përbashkëta, ndër të cilat kryesore ishte fitimi i lirisë kombëtare.  Një interpretim i tillë qon te konstatimi se gjarpri që ka hyrë midis dy të rinjve të dashuruar për t`i ndarë është njeriu gjegjësisht tradhtari që  ishte në shërbim të pushtuesit. Poezia përfundon me vargjet

Njëqind herë jemi takuar e kurrë s`jemi parë

Kemi folur me perde  të hekurta në mes

Si dy të rinj të vrarë zemrash

Flamure, Besnike, Diellore.

Perdet e hekurta në mes na i përkujtojnë burgjet në të cilat kanë vuajtur një numër i madh i të rinjve tanë, i shtresës më të formuar të tyre për fajin e vetëm se punonin në të mirë të atdheut dhe lirisë. Dhe të rinjtë e dashuruar shiheshin, bisedonin, takoheshin (kur kishin mundësi dhe iu lejohej ta vizitonin të dashurin ose të dashurën) në burg duke i pasur perdet e hekurta në mes.  Shihet se në tërësi gjuha e kësaj poezie është figurative, me simbole e metafora të zgjedhura. E ndeshim edhe  paradoksin te vargu “Njëqind herë jemi takuar e kurrë s`jemi parë”. Kjo poezi na e përkujton një të kaluar jo të largët kur të rinjtë shqiptarë nuk mund ta jetonin jetën e vet, nuk mund të dashuroheshin, të kënaqeshin, të ishin të lumtur, sepse i pengonte pushteti dhe shërbëtorët e tij, i pengonin zakonet prapanike, i pengonte varfëria, disa nga të cilat pengesa mjerisht janë të pranishme edhe sot.

Në fund mund të themi se libri poetik “Perdja e diellit” i autorit Arif Kutleshi, po të na lejohet të shërbehemi me shprehjet vlerësuese të Dr Ibrahim Rugovës, është një libër i mirë, por i pavërejtur nga kritika letrare (sikurse edhe disa libra të tjerë të mirë, veçmas të shkruar gjatë viteve tetëdhjetë e këndej),  një libër i përpunuar si tërësi, mjaft i pasur në aspektin semantik dhe stilistik, që sa i përket shprehjes poetike shquhet për  metaforat dhe simbolet e përpunuara me mjeshtëri, një libër ky që dëshmon se autori i saj është  poet i talentuar dhe i përkushtuar në punën e tij krijuese.