Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Antologji nga Fotaq Andrea: Arbëreshët e Italisë, 1413-2007

| E enjte, 03.05.2012, 03:47 PM |


Arbëreshët e Italisë, 1413-2007

Antologji nga Fotaq Andrea

Me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë, në kuadrin e programeve të Ministrisë së Kulturës dhe nën përkujdesin e prof. Luan Malltezit, këto ditë doli në qarkullim Antologjia e Fotaq Andreas “Arbëreshët e Italisë, 1413-2007”. Po japim më poshtë pjesë nga Parathënia e autorit rreth vlerave të këtij libri, me një këndvështrim sa historik, aq edhe enciklopedik, shkencor e kulturor.

Antologjia e ilustruar “Arbëreshët e Italisë, 1413-2007” nën penën e autorëve francezë vjen në këtë vit të shënuar të 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë si një vëllim i dytë i Antologjisë “Pena të arta franceze për Shqiptarët”, vepër tashmë e njohur nga lexuesi ynë. Ideja për hartimin e kësaj antologjie u hodh dhe u ndoq nga afër nga prof. Francesco Altimari, profesor i gjuhës dhe i letërsisë shqipe, dhe i filologjisë arbëreshe, pas çeljes së Ekspozitës sonë me gravura të vjetra “Shqiptarët në shekuj” në fund të muajit maj 2009 në Kozenca.

Sikurse është e njohur, valët historike të emigracionit shqiptar që prej shekullit XIV kanë përfshirë në radhë të parë vendet fqinje të Shqipërisë, Greqinë, gadishullin Apenin, brigjet e Dalmacisë, por edhe më në thellësi të Ballkanit, Bullgarinë, Rumaninë etj., për t’u përhapur gjer në brigjet e Detit të Zi, në Theodozi e Odesa, vende që do rrezatonin e shpërndanin në mbarë Evropën e më tej diasporën historike shqiptare. Prania e ngulimeve të shumta arbëreshe në Itali, arvanitase në Greqi, arnaute në Turqi, Egjipt, Siri, Maltë dhe në krejt brigjet e Afrikës së Veriut, familjet e mëdha fisnike shqiptare nga Spanja, në Francë, Belgjikë, Transilvani, Bohemi e gjer në Holandë, flasin dhe dëshmojnë për gjakun shqiptar që gufon prej shekujsh në damarët e Evropës, për kontributin e vyer të mendjes e të krahut të Shqiptarit në qytetërimin evropian, për frymën e tij të komunikimit e të bashkëpunimit me popuj të tjerë, në proces marrëdhënieje të ngushtë, përmes tallazeve të një mbijetese etnike, sa titanike, aq edhe sizifiane.

Në fakt, historiku i këtyre marrëdhënieve daton përtej Mesjetës së hershme, që nga Lashtësia, me fiset ilire e epirote që këmbenin mallrat e tyre në gadishullin italik, me ekspeditat e mirënjohura ushtarake të Pirros së Epirit në Itali, me ato të Cezarit e të Pompeut në Shqipërinë e sotme qendrore, më pas, me marrëdhëniet e ndera të Teutës me senatin romak për kontroll të Adriatikut, gjer në tensione e përplasje dhe gjer në pushtime një pas një e përfundimisht të krejt Ilirikumit.

Sigurisht, procesi historik i hapjes së botës iliro-epiro-shqiptare drejt dy boshteve të kryqëzuar Veri-Jug dhe Lindje-Perëndim në kontinentin e lashtë është shoqëruar paralelisht me të kundërtën e vet, me atë proces po aq historik shqiptar të mbrapsjes, tërheqjes, tkurrjes e izolimit në zonat e thella të maleve shqiptare, si fole të përhershme të mbijetesës etnike, për të ruajtur gjakun dhe shpirtin e Arbrit  të pastër, të kulluar, të rifuqizuar e të rihovshëm drejt sfidave të kohës dhe hapjeve të reja.

Boshti qendror i kësaj antologjie, që i dhurohet sot lexuesit, është, pa mëdyshje, vlera e mirëfilltë shqiptare zhvendosur historikisht në Apenine, kryesisht në Kalabri e Sicili, ku ndodhet pjesa më e madhe e ngulimeve arbëreshe. Kjo vlerë shqiptare e transpozuar që herët, veçanërisht para dhe pas epopesë skënderbejane, do merrte me kalimin e kohës rëndësi të dyfishtë: së pari, do përcillte gjithë thelbin e vet në mjedisin e ri ku do ngulej, tek popullsitë italiane, në një proces sa shkëmbimi, aq edhe përplasjeje e përshtatjeje; së dyti, do ruante të paprekur, në gjendjen e vet origjinale gjithçka të mbartur historikisht, gjuhën, doket, zakonet, etj. për t’i sjellë të tilla gjer në kohët moderne, duke i bërë kështu një shërbim të vyer vetë etnosit shqiptar në evolucion e sipër në kufijtë e trungut amë. E cilësuar tashmë arbëreshe, kjo vlerë do shndërrohej kështu gradualisht në perlë më vete në gjerdanin me lot Afërdite të historisë, kulturës dhe traditës shqiptare.

Dhe jo vetëm kaq, por kjo vlerë arbëreshe shpejt do t’i tejkalonte kufijtë e Apenineve, për të rrezatuar më gjerë në Evropë, që në shekujt XV-XVI, duke vendosur kontakte me Humanizmin dhe Rilindjen Evropiane, me botën e artit e të kulturës së përparuar, me figura të shquara të pararojës së shkencave historike e filologjike të Perëndimit, të interesuara nga afër për botën shqiptare dhe diasporën e saj. “Skënderbeu” i Barletit do të vetëtinte tre shekuj me radhë nën penën dhe penelin e një plejade të tërë historianësh e artistësh, duke u shndërruar madje gjer edhe në figurë qendrore të romaneve, poemave apo operave. Po ashtu, figura e stradiotëve shqiptarë, me kapelën e tyre historike “albanua”, tek shtrëngonin radhët rreth prijësve të tyre, do të shkëlqente në kalorësinë e lehtë italiane e evropiane, si dhe në gardat e mbretërive të Evropës, duke nxjerrë nga gjiri i tyre emra të shquar kapedanësh shqiptarë, Mërkur Buan me shokë, gjer te gjeneralisimi Gjergj Basta, strategu i hartimit të Traktatit evropian të Kalorësisë së lehtë.

Figura të tjera të shquara arbëreshe, si piktorët e famshëm të Rilindjes Italiane, Alban, Karpaçi, Bazaiti, do të rreshtoheshin përkrah filozofit L. Tomeu dhe poetit M. Maruli, anëtarë të Shkollës shqiptare të Venedikut “Santa Maria degli Albanesi”, themeluar që më 1442. Këto figura do të vendoseshin kështu në altarin e nderit të Rilindjes italiane, ashtu sikurse do të vendoseshin më pas në altarin e shenjtërisë edhe vetë papa shqiptar Klementi XI dhe kardinalët Albani.

Në rrjedhë të historisë italiane, i shohim më tej Arbëreshët të shtrëngojnë radhët rreth Garibaldit për pavarësinë dhe bashkimin e Italisë, si dhe të nxjerrin nga gjiri i tyre politikanin dhe dy herë kryeministrin e Italisë Francesco Cripsi, i cili luajti një rol të dorës së parë gjatë ekspeditës së “Një Mijëve”.

E teksa pleksej e shkrihej energjia e pashtershme arbëreshe me vetë energjinë e popullit italian në atdheun e dytë, nuk do harrohej për asnjë çast toka e Arbrit, dheu i të parëve, tek përcillej prej gjashtëqind vjetësh, brez pas brezi, gjithë mall e dhembje, himni arbëresh “Moj e bukura More”, ashtu si ruheshin me fanatizëm krejt këngët e gëzimit dhe hidhërimit, vetë gjuha, doket, feja, e gjer te fustanet piktoreske të nusërisë qëndisur me fijeza ari, kostumet kombëtare, armët me filigrame argjendi, madje edhe ikonat e kandilat e pashuar. Vetë ikona më shpirtërore e Arbërve, e Shkodrës loce, Zoja e Këshillit të Mirë, pajtorja e mbarë Shqipërisë, do të strehohej e ruhej, që pas pushtimit otoman të vendit, në Genacano pranë Romës, duke u ngjitur në altarin më të lartë, tek do shndërrohej në shenjtore e vetë papëve të Romës dhe tek do frymëzonte në mbarë Evropën, e gjer te kontinenti i ri, në Kanada etj. pagëzimin e mjaft kishave dhe dioqezave me emrin e saj të artë.

Veçse malli, dhembja, dashuria për tokën mëmë, në lëngim prej shekujsh pushtimi të egër, nuk ishin gjithçka për Arbëreshët; ato përfaqësojnë anën më shpirtërore edhe si një nxitje për veprim, për të bashkuar e shpërthyer sa e sa herë energjitë e tyre në ndihmë të Shqipërisë, gjë që do arrinte kulmin e vet me plejadën e figurave të shquara arbëreshe të shekullit XIX, përqendruar rreth figurës emblematike të Jeronim De Radës. Me “Milosaon” dhe veprat e tij, De Rada, jo vetëm do të ngacmonte vëmendjen dhe ndjeshmërinë e personaliteteve të shquara të Evropës për t’u interesuar nga afër për fatin shqiptar, nga Lamartini e nobelisti i ardhshëm Mistral e gjer tek Louis Benloew, Dora d’Istria e Legrand, por ai do të vendoste lidhje të fuqishme me vetë patriotët shqiptarë të shekullit XIX, duke e bërë Rilindjen arbëreshe pjesë përbërëse e të fuqishme të vetë Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Kësisoj, energjia arbëreshe do vihej në themel të zgjimit kombëtar, për të shkundur vargonjtë e pushtimit, drejt një Shqipërie të pavarur. Orvatjet e sotme për ta katandisur këtë rizgjim kombëtar në një lëvizje romantike, janë thjesht foshnjore, të destinuara për t’u shuar me turp.

Antologjia “Arbëreshët e Italisë” përfshin shtatëdhjetë e pesë autorë dhe burime franceze, përzgjedhur si për tematikën e veçantë të shkrimit, për të dhënë një kuadër sa më të gjerë të botës arbëreshe, ashtu dhe për analizën e dukurive historike, etnografike, gjuhësore, artistike, etj. që ka shoqëruar procesin e shpërnguljes e të vendosjes së kësaj diaspore shqiptare në Itali, duke mbuluar një periudhë historike prej mbi shtatë shekujsh. Po ashtu, përfshihen në të mbi treqind e pesëdhjetë ilustrime, edhe këto me tematikë të gjerë, që nga portretet e figurave historike, gjer te peizazhet, kostumet, madje dhe faksimile dorëshkrimesh të fushës epistolare.

Është përcaktuar simbolikisht viti 1413 si pika e parë e kontaktit të Arbrit me Venedikun dhe Italinë, vit kur i është lëshuar diploma e qytetarit venecian Gjon Kastriotit, të atit të Skënderbeut. Dhe në këtë rast, parapëlqyem që Antologjinë për Arbëreshët e Italisë nën penën e autorëve francezë ta nisnim pikërisht me vajtjen e Skënderbeut në Itali e Romë, duke kaluar më tej në fazën e fundit të qëndresë shqiptare në Skutari kundër dyndjeve dhe pushtimit osman, gjë që do të shkaktonte edhe valët një pas një të mërgimit të Arbëreshëve drejt brigjeve apenine.

Portreti i Heroit Kombëtar, si figura qendrore e shpirtit shqiptar, epirot dhe arbëresh gjen mishërimin e vet në mori autorësh, qoftë studiuesish, qoftë artistësh, dhe për herë të parë botohet këtu një portret i Skënderbeut nga Giorgione, i cilësuar ky si piktori i parë i madh venecian i Cinquecento-s italiane.

Kriteri themelor i ndërtimit të veprës është kriteri tematik, mbi bazën e  kronologjisë historike (dhe jo koha kur është hartuar shkrimi nga ana e autorit). Vepra është ndërtuar në tre pjesë: Pjesa e parë – shekujt XV-XVII; Pjesa e dytë – shekujt XVIII-XIX; dhe Pjesa e tretë – shekulli XX e në vijim. Pjesa e parë shërben si një prelud për krejt veprën, ku figura e Skënderbeut në Itali dhe pushtimi otoman i vendit pas vdekjes së tij pasohen nga përpjekjet për të rifituar pavarësinë e vendit nëpërmjet një rizbarkimi të mundshëm në Vlorë të Shqiptarëve që nga brigjet e Otrantos. Shfaqet këtu figura e stradiotit shqiptar nëpër ushtritë venedikase dhe evropiane në fillim të shekullit XVI, sidomos nën penën e kronikasit francez De Bayard, personazh historik, i konsideruar si hero kombëtar në Francë, si dhe jepet një episod i veçantë për Skënderbeun e ri, nipin e Heroit tonë kombëtar. Nga ana tjetër, del në pah ideja se në këtë fazë të parë historike të mërgimit, Shqiptarët dhanë me shpirt për Rilindjen italiane e evropiane gjithçka që kishin më sublimen në kulturën, artin, fenë dhe traditat e tyre të trashëguara.

Pjesa e dytë përbën kockën e fortë të vëllimit, kur ngulimet arbëreshe në Itali i kanë rezistuar tashmë kohës, në proces përshtatjeje e mbijetese të fuqishme ndaj luftërave pushtuese, banditizmit, frymës armiqësore lokale në ndonjë rast e gjer te sëmundjet e egra epidemike dhe fatkeqësitë natyrore, si  tërmetet. “Ata janë punëtorë, mikpritës... dinë si të respektohen prej hordhive të egra, ndaj të cilave ruajnë gjithnjë vigjilencën. Bashkimi dhe qetësia që sundojnë ndër ta [Arbëreshët], duhet të shërbejnë si model për vendin që u ka dhënë strehë”, shkruan Duret de Tavel, Kalorës i Legjionit të Nderit të Francës. Udhëpërshkrues, shkrimtarë e studiues të tjerë të shquar francezë, si Houel, Malte-Brun, Didier, A. Dumas, Lejean, M. Du Camp, etj. pleksin penën e tyre me penelin e piktorëve të shquar si Corot, Deveria, Magaud, për të dhënë kështu të kristalizuar e të pastër figurën e Arbëreshëve, në mjedisin e tyre, me doket e zakonet që kanë, ku nuk mungojnë mjaft elementë ekzotikë, që nga piktoresku i kostumeve, e deri te këngët, arti kulinar, ceremonitë fetare, martesore e mortore.

Element i rëndësishëm i veprës që shfaqet në pjesën e dytë është edhe letërkëmbimi, ku shquhen letrat e Lamartinit dhe të Mistralit për De Radën, si dhe korrespondenca e tij me mjaft filologë të shquar francezë. Po ashtu, në këtë pjesë të Antologjisë, dalin në pah portrete figurash të mirënjohura arbëreshe, si Francesko Kripsi dhe At Mateo Liberatore. Theksojmë këtu edhe një studim interesant mbi gjuhën shqipe të Princit L.L.Bonaparte të vitit 1884, “Arbëreshët në Terra d’Otranto”.

Pjesa e tretë, më pranë kohëve moderne, përqendruar rreth shekullit XX, ka për objekt kryesisht studimet filologjike rreth gjuhës, letërsisë dhe historisë shqiptaro-arbëreshe, ku shquhen në radhë të parë shkrimet analitike të M. Rocque, F. Thiriet, A. Zotos, A. Ducellier, H. Bresc, J.de Miceli e N. Clayer. Vazhdojnë edhe në këtë pjesë të antologjisë udhëpërshkrimet, si dhe del në pah një shkrim kritik i M.B.Romoeuf rreth veprës së shkrimtarit të njohur arbëresh  Carmine Abate, ilustruar me mjaft afreske dhe vepra po të piktorëve arbëreshë, ku nuk mungojnë ilustrimet nga fshatrat arbëreshe të piktorit të shquar I. Kodra e N. Martini.