E enjte, 25.04.2024, 08:39 PM (GMT+1)

Kulturë

Flaura Kureta: Të luash me një aktor të madh si Ndrenika është fat

E merkure, 02.05.2012, 11:43 AM


Flet aktorja Flaura Kureta për rolin e saj në dramën “Doktor Shuster”

Të luash me një aktor të madh si Ndrenika është fat, por edhe risk!...

Nga Albert ZHOLI

Dhe pse e re, ajo ka luajtur mbi 20 role në drama dhe komedi. Nuk ka luajtur role dosido, por role me disa nga aktorët më të spikatur si me Agim Qirjaqin, Robert Ndrenikën, Timo Fllokon, Roland Trebickën, Enver Petrovcin, Bujar Asqeriun etj..  Ajo thotë me bindje se nuk do ta zëvendësonte me asgjë profesionin që ka. Vlerëson shumë punën e regjisorit dhe nuk i ndan rolet e komedisë nga ato të dramës. Sipas Flaurës, të luash krah Robert Ndrenikës është një nder i madh, po aq sa është dhe përgjegjësi. I pëlqen kur i thonë je një aktore e mirë, se sa një femër e bukur. Edhe në skenë dhe në jetë ajo nuk do të tregohet koketë, por një njeri real me këmbë në tokë.

Çfarë emocionesh keni ndjerë kur regjisori Spiro Duni ju ofroi rolin e Divnës tek drama “Doktor Shuster”?

Të të gënjej që nuk u gëzova?! Ishte një emocion i një lloji tjetër që m’u besua roli i Divnës, pasi e kisha lexuar pjesën dhe e njihja si tekst. Roli m’u dha disa ditë para se të fillonte projekti. Roli ishte i një vështirësie të lartë, pra isha para një sfide. Nuk ishte një rol që e kisha bërë deri më sot. Vështirësia e rolit nuk qëndronte vetëm në ndërtimin e tij, në amplitudat e mëdha emocionale që kishte si  personazh, por edhe për vetë faktin sepse unë nuk luaj moshën time, por një grua në moshë që duhet t’i  përqasej dhe t’i afrohej në shumë detaje personazhit kryesor, Doktor Shusterit. Pra, impresioni ishte shumë pozitiv, po aq sa ishte dhe përgjegjësia.

Besuat se do ta realizonit këtë personazh?

Po, patjetër, deri sa e pranova. Për të mbërritur te ky rol rrugëtimi im artistik ka qenë i gjatë dhe jo i lehtë. Kur filloi puna me personazhin, dhe unë e pranova, mendova se mund ta luaj. Kam pasur goxha eksperienca deri sa të mbërrija këtu, si në Shqipëri dhe jashtë saj. Këto eksperienca më kanë rritur artistikisht. Ndoshta me këtë rol kishte ardhur momenti dhe koha të bëja diçka ndryshe nga rolet e tjera. Divna ishte fati dhe oportuniteti i një kafshate të madhe, ku vlerat aktoriale që ka çdo aktor, janë të fshehura dhe të mbartura diku. Dhe ja vjen momenti që të shfaqen. Pikërisht mendova se ishte një rol që unë mund t’i shpërfaqja këto akumulime aktoriale. Nuk mund  të thuash se si kam ardhur unë tek personazhi apo si  erdhi Divna tek unë. Divna është mësuese pianoje me moshë mbi të 50-at, dhe interpretimi live në piano e ka plotësuar si figurë. Një personazh anakronik që i ka ngelur ora në vend, është motra  e doktor Shusterit, e cila ka një botë të madhe emocionale dhe shpirtërore që qëndron  shumë, ëndërron shumë dhe mund të thuash se ëndrrat e saj kanë ngelur disi pezull në mes dy kohëve. Janë nga ata personazhe që jetojnë realitetin e sotëm, por që kanë asosacione nga e kaluara. Po ta shohësh edhe nga mënyra se si autori Kovaçeviç e ka ndërtuar këtë personazh, të gjitha këto aluçinacione vijnë në mënyrë shumë graduale, shumë organike, sepse Divna nuk dihet se kur jeton në të sotmen dhe kur jeton të shkuarën, ëndrrat e saj.

Cila është linja kryesore e saj?

Linja e saj kryesore, është linja që ka me vëllanë e saj, Doktor Shusterin,  dashuria e madhe që ka për të, si dhe dashuria e saj për Sergein, dashuria e vetme e jetës së saj, mashkulli që e ka bërë te dashurojë fort, të ëndërrojë  dhe të vuajë, pasi kur ai ndahet nga jeta, Divna e kujton gjithmonë, ka aluçionacione të vazhdueshme, e ëndërron çdo çast aq sa disa herë padashje kthehet ne situate komike personazhi i Sergeit  Duke e kërkuar me ngulm ajo “sikur e gjeti” Sergein, i cili mishërohet tek këngëtari i operës, një personazh tjetër i dramës. Këtu shkrihen këto dy realitete të Divnës, aluçinacionet e saj.

Përballë një aktori klasi, Robert Ndrenikës, ua ka vështirësuar apo ua ka lehtësuar rolin Ndrenika?

Është hera e tretë që luaj me Robert Ndrenikën. Herën e parë kam luajtur tek një vepër e Çehovit, rolin e Nataljes (vajza e tij)  kur sapo isha diplomuar (kisha mbaruar Akademinë e Arteve) dhe gëzimi ishte shumë i madh që do luaja përkrah një legjende të skenës. Herën e dytë kam luajtur para katër vjetësh  “Njeriu që pa vdekjen me sy” të Viktor Eftimiut, ku përsëri isha vajza e tij ku luaja rolin e Alisës. Në harkun e këtyre viteve  kam pasur fatin dhe komoditetin të jem përkrah disa prej personaliteteve të aktrimit shqiptar, përveç Prof. Robertin që e kam dhe mik shumë të mirë. Por në këtë projekt  e kam partner direkt pasi 80 për qind të rolit e kam me të. Përveç këtyre të dy rolet qe janë dhe rolet kryesore të kësaj drame, ku linja kryesore është vëlla motër. Kjo ishte një sfidë e madhe për mua që të luash përkrah një aktori të tillë kalibri, është fa, por dhe risk i madh, pasi aktorët e mëdhenj vërtet të ndihmojnë, por përballë tyre duhet të jesh shumë dinjitoze, dhe  profesioniste dhe mendoj se këtë sfidë e kam kaluar me sukses.

Konkretisht si është sjellë Ndrenika me ty?

Siç sillen profesionistet e vërtetë. Ka qenë një marrëdhënie shumë e bukur në prova dhe jashtë saj. Mënyra se si sillet me mua Ndrenika ma lehtëson punën, por vetë loja e tij të bën që të jesh  komode  dhe të ndihesh mirë krah tij. Roberti më ka ndihmuar shumë, pasi kemi bërë dhe prova individuale sepse këta personazhe janë shumë njerëzorë, pasi ne i hasim kudo, e të tillë ka shumë dhe në Shqipëri. Intelektualë që se kanë marrë shpërblimin e duhur për punën që kanë bërë. Konkretisht vëlla e motër, njëri doktor i famshëm, tjetra mësuese pianoje, nuk janë vlerësuar sa duhet, ndaj jam përpjekur të kapim anën njerëzore të tyren, sepse aktorët e vërtetë rrokin tek personazhi vërtetësinë,  nëntekstin, atë që nuk është e shkruar me fjalë, në dialog, në pjesën teatrale. Këtu qëndron suksesi i kësaj drame, sepse këtu  spektatorët qajnë dhe qeshin njëkohësisht. Nuk ka qenë e lehtë, por dhe nuk është e vështirë të punosh para aktorëve të tillë, sepse duken të vështirë, në pamje të pare, po aq njerëzor dhe të thjeshtë janë kur ulesh të punosh me ta .

Një vajzë e re simpatike, ndërsa Divina një grua mbi të pesëdhjetat. Kur ju pashë ashtu, mendova, si një grua e madhe. Kush ka luajtur rol në përshtatjen e Divnës?

Përkushtimi dhe puna për krijimin e figurës së Divnës ka qenë maksimal dhe me shumë dashuri. Përveç provave, mimikës së fytyrës, kostumit, një rol të rëndësishëm ka luajtur dhe grimi. Unë dua të falënderoj mjeshtren e grimit Bebeka Allën, e cila më ka ndihmuar se si unë të përqasesha dhe të afrohesha në moshën e Divnës. Ulesha në dhomën e grimit dhe pak nga pak duke shtuar thinjat e bardha, me atë grimin, duke më plakur pak nga pak më transformonte  në një plak fisnike.  Ky është një aksesor dhe një element i rëndësishëm që e ndihmon aktorin  të ndihet  personazhi i vërtetë i dramës, jo vetëm në brendësi, por edhe vizualisht. Pra të ketë imazh të kuruar. Unë në përgjithësi kam luajtur moshën time, por në këtë rol ndihem tamam një Divnë e vërtetë

Luani në drama, por edhe në komedi. Ku ndihet më e sigurt Flaura?

Unë i kam prekur të dy zhanret dhe pikërisht tani po luaj dhe tek drama “Doktor Shusteri” dhe tek komedia “XXL”, tek Teatri i Komedisë. Aktorët  e vërtetë nuk i ndajnë dramën nga komedia, ashtu si në jetë që nuk mund t’i ndajmë tragjiken nga komikja. Edhe unë nuk i ndaj dot, sepse i kam të dy pjesë të shpirtit, të jetës, të së përditshmes. Ndihem mirë tek të dyja. P.sh, Divna i mbart të dyja, dhe komiken dhe tragjiken. Pra, ka shumë ngjyra si personazh dhe  komikja del padashur.

Në ekonominë e tregut, shohim se tregu i aktorëve është pak i ngushtë dhe nga ana materiale s’kanë të ardhura për një jetesë të kënaqshme. Je penduar që ke zgjedhur këtë profesion?

Kam mbaruar shkollën e muzikës dhe më pas zgjodha të vazhdoja për aktore, pasi  e kisha ëndërr. Jo më kot e zgjodha,  pasi e dua këtë profesion dhe nuk jam penduar aspak edhe pse realiteti është i vështirë. Kur merr duartrokitje si tek “Doktor Shuster”, kur dëgjon fjalë të mira për lojën, kur shtypi shkruan mirë, të gjitha  këto e përligjin sakrificën, por dhe problemet e tjera që kanë të bëjnë me profesionin.

Ëndrra e lënë përgjysmë?

Regjisura. Kam qenë disa herë asistente në vepra të rëndësishme si “Macja në çatinë e nxehtë”, Fishkëllimë në errësirë”, “Gjashtë personazhe kërkojnë autor”, “Këngëtarja tullace”, “Shpellari” etj.. Regjia është  e vështirë dhe ndryshon nga aktrimi. Regjia është një dirigjencë me shumë vegla, ku duhet një kapacitet dhe akumulim i jashtëzakonshëm. Por le të mbetem tek aktrimi. Ëndrra vazhdon, megjithatë kurrë mos thuaj kurrë!...



(Vota: 2 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora