Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Lis Bukuroca: Zoti Grass

| E merkure, 02.05.2012, 11:19 AM |


Lis Bukuroca

Zoti Grass (Shekulli)

Ju është dashur ta dini
Është dashur ta merrni me mend
Ose keni pasur mundësi të mësoni:
Një bombë atomike mund të shuajë një qytet
Një regjion
Por një bombë atomike
Që do të kishte shuar popullin iranian
Do ta kishte zhbërë edhe Izraelin

Këtë është dashur ju ta dini
Sepse ju quheni Günther Grass
Por nëse nga pleqëria
Vetëm Bar* dëshironi të quheni
Ashtu i tharë dhe i shndërruar në sanë
Atëherë mund edhe ta harronit

Gjatë historisë
Edhe në atë gjermane
Kurrë nuk ka pasur ndërmend një popull
Të shlyejë një popull tjetër

Se çka kishte ndërmend Hitleri
Këtë e dimë
Por ç’ ka ndërmend Ahmadinexhad
Përpiqemi ta marrim me mend zoti Gras

Prandaj rrini tutje i blertë
Sanë, thatësira dhe shkretëtira ka mjaft bota
Dhe
Na tregoni si të lirohemi nga bombat atomike
Dhe jo pse duhet ndërtuar të reja

Sikur të kishte qenë Polonia një diktaturë fetare
Sikur të kishte qenë Polonia më e madhe se Gjermania
Dhe sikur Polonia të kishte treguar zell për ta asgjësuar Gjermaninë
Ju, unë dhe të tjerët, duhej të vepronim kundër asaj bombe

Po të kishte pasur Milosheviçi një bombë të tillë
Disa qytetet në Ballkan, do t’ ishin të pabanueshme
Prandaj, përdorni daullen për qëllime tjera
Sepse Davidi po kërcënohet, jo Goliati

Apo akoma më naivisht:

Ta zëmë se ju keni një armë të rrezikshme
Ta zëmë se fqinji juaj i dehur
Dëshiron një armë të tillë
A do të kishit piskatur për të drejtën e armëmbajtjes edhe tek ai
A do t’ ishit shprehur në një tenor të tillë

Grassin e para poezisë e doja më shumë
Se Grassin pas poezisë…Zoti Gras

*Grass mbiemri, me një “S” Gras, dmth. bar