E merkure, 24.04.2024, 01:29 PM (GMT+1)

Mendime

Halil Matoshi: Mirupafshim në burgjet e Hashim Thaçit!

E marte, 01.05.2012, 04:19 PM


Mirupafshim në burgjet e Hashim Thaçit!

Nga Halil Matoshi

Çfarë duhet të bëjë një qeveri kur mjetet e informacionit ose organizatat e tjera e shpërdorojnë lirinë e fjalës duke përhapur të dhëna që, sipas mendimit të shumicës, janë të rreme, të neveritshme, pa përgjegjësi apo thjesht të pahijshme?
Përgjigjja e përgjithshme do të ishte: «Asgjë!» Qeveria nuk ka për detyrë të merret me gjëra të tilla. Në përgjithësi, të kujdesesh për lirinë e fjalës do të thotë të lejosh liri fjale hala më të madhe.
Para rreth 200 vjetësh, presidenti Thomas Jefferson tha: “Liria jonë varet nga liria e shtypit, dhe ajo nuk mund të kufizohet pa u humbur”.

Kosovarët, në vitin e katërt të mëvetësisë e humbën lirinë që varet nga liria e shtypit, sepse ajo s’mund të kufizohej pa u humbur.

Në fillimet e qeverisjes së tij, mbrojtësit e devotshëm të kryeministrit deklaronin se “nuk ka politika të angazhuara për shtypjen e lirisë së fjalës”, sepse “asnjë gazetar nuk ka shkue në gjyq për raportin e tij.”

Mirëpo, qe ndodhi!

Kush, ç’idiot votoi Kodin Penal me nenet kontestuese?

Çka synojnë këta idotër?

Ku janë shkolluar këta idiotër dhe cilit idiot i shërbejnë?

Kur do të bien këta idiotër?

Si është e mundur që Kuvendi i Kosovës është mbushur idiotër?

Duke u dhënë përgjigje këtyre pesë pyetjeve të famshme gjendet përmbajtja e lajmit: Ky shtet është kapur nga idiotët!

A mjafton kjo që një prokuror qyqar, një zuzar i neveritshëm dhe i shtyrë të ngrejë një padi kundër autorit të këtij shkrimi, kryeredaktorit ose botuesit?

Lë ta bëjë!

Sepse dalja në gjyqet e këtij regjimi autoritar do të ishte triumf personal i secilit gazetar dhe i vetë profesionit.

Është si të thuash një festë!

Ngase në Kosovë njerëzit e ish LPK-së, përkatësisht PDK-së dhe strukturat nëntokësore të SHIK-ut e kanë marrë ligjin në duart e tyre.

E kanë kapur shtetin.

Demokracia nuk mund të jetojë pa lirinë e fjalës dhe të shprehjes. Të diskutosh dhe të votosh, të mblidhesh dhe të kundërshtosh, të falesh përpara Perëndisë, të sigurosh drejtësi për të gjithë - të gjitha këto varen nga liria e fjalës dhe e informacionit. Kanadezi Patrick Wilson thotë se përpara se të mund të qeverisen, njerëzit duhet të jenë të lirë të shprehen.

Dispozitat e posaçme mbi përgjegjësinë penale për veprat penale të kryera me anë të medias janë formulime thjesht idioteske, sepse kurrfarë vepre penale nuk mund të kryhet përmes medias, pos natyrisht thirrja në dhunë, urrejtje dhe vrasje, që sanksionohet me kushtetutë.

Neni 37 i Kodit Penal kosovar: Përgjegjësia penale e kryeredaktorëve, botuesve, shtypshkronjësve ose prodhuesve është aq idiot saqë në pikën 1 të tij del të jetë zbulimi i shekullit, sepse kurrë dhe askund nuk është kryer ndonjë vepër penale përmes 1. publikimit të informatës në gazetë ose në lloj tjetër të shtypit periodik, radio, televizion, internet ose mjete tjera të komunikimit.

Të tilla pra, idiotike janë tetë pikat e këtij neni, ku inkriminohen, autori, kryeredaktori dhe zëvendësi i tij, botuesi, prodhuesi dhe shtypshkronjësi (sic!)

Kurse neni 38 i Kodit Penal (Mbrojtja e burimit të informatës) objektivisht e shkel nenin 40 të Kushtetutës që garanton lirinë e shprehjes dhe nenin 42 që garanton lirinë e medias dhe natyrisht janë kundër frymës së rekomandimeve të Këshillit të Europës. Neni 40 i Kushtetutës kosovare [Liria e shprehjes] thotë: Pika 1: Liria e shprehjes është e garantuar. Liria e shprehjes përfshin të drejtën për të shprehur, për të shpërndarë dhe për të marrë informacione, mendime dhe mesazhe të tjera, pa u penguar nga askush. Dhe pika 2. Liria e shprehjes mund të kufizohet me ligj në raste kur një gjë e tillë është e domosdoshme për parandalimin e nxitjes dhe provokimit të dhunës dhe armiqësive në baza të urrejtjes racore, kombëtare, etnike ose fetare.

Kurse neni 42 [Liria e medieve], pika 1 thotë: Garantohet liria dhe pluralizmi i medieve. 2. Censura është e ndaluar. Askush nuk mund të pengojë shpërndarjen e informacionit ose të ideve nëpërmjet medieve, me përjashtim të rasteve kur një gjë e tillë është e domosdoshme për parandalimin e nxitjes dhe provokimit të dhunës dhe armiqësive në baza të urrejtjes racore, kombëtare, etnike ose fetare.

3. Çdokush ka të drejtë të korrigjojë informacionin e pavërtetë, jo të plotë ose të pasaktë të publikuar, nëse cenon të drejtat ose interesat e saj/tij, në pajtim me ligjin.

Prandaj nuk mund të ketë idiot as në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës që mund të përligjë këto dy nene të Kodit Penal.

Ndryshe nga sa ndodh në shtetet autoritare, në shtetet me qeveri demokratike, përmbajtja e fjalës së shkruar dhe të folur është jashtë çdo kontrolli, diktati apo gjykimi.

Padija lind plogështinë.

Demokracia lulëzon në saje të energjisë së qytetarëve, të cilët i ushqen një burim i pashtershëm idesh, të dhënash, mendimesh e hamendjesh.

Pse jo edhe hamendjesh!?

Teoricienti i demokracisë Giovanni Sartori thotë se ‘nëse demokracia është qeveri e popullit mbi popullin, atëherë ajo është pjesërisht e qeverisur, pjesërisht qeverisëse, prandaj Sartori citon Disej’n që thotë se “themeli i vërtetë i çdo qeverie është opinioni i të qeverisurve.”

Demokraci thjesht është qeveri e opinionit, qeverisje e bazuar mbi opinionin e të qeverisurve. Mund të duket paradoksale, por në emër të fjalës së lirë, një vend demokratik duhet të mbrojë nganjëherë edhe të drejtat e individëve dhe grupeve që përkrahin një politikë të atillë antidemokratike që është për shtypjen e fjalës së lirë, e nesër, një shoqëri vërtet demokratike kosovare duhet ta mbrojë Thaçin dhe shpurën e tij prej shtetngrënësish, nga hakmarrja.

Duhet të dëgjohen, nëse kanë për të thënë gjëkafshë!

Po çka do të thonë nesër këta tipa gjeneralasimusë!?

Qytetarët e një shoqërie demokratike e mbrojnë këtë të drejtë, të nisur nga bindja se në fund të fundit, debati i hapur çon drejt një të vërtete edhe më të madhe e drejt veprimeve politike edhe më të mençura, sesa kur liria e fjalës dhe e kundërshtimit shtypet. Krahas kësaj, përkrahësit e fjalës së lirë mendojnë se heqja dikujt, sot, e lirisë së fjalës që sipas mendimit tim përbën fyerje, shërben si kërcënim i mundshëm ndaj ushtrimit nga ana ime të fjalës së lirë nesër, pasi fjalët e mia mund t'i duken dikujt tjetër si fyese.

Këta njerëz që sot kanë votuar këto nene, nesër nuk kanë të drejtë morale të flasin, ata duhet ta mbyllin gojën me shtatë dryna, por as kjo s’do të thotë se atyre duhet ndaluar fjala e lirë, nesër!?

Ky është tharmi i demokracisë.

Gazetarëve u pëlqen përkufizimi i Edmund Burkes, burrë shtetas anglez i shekullit 19 për gazetarinë si pushtet i katërt. Ai kishte thënë se në Parlament janë tri autoritete (tri pushtete), por atje në galerinë e reporterëve, ulet autoriteti i katërt që është shumë më i rëndësishëm se të gjitha tjerat.

Nëse nuk ekziston gjyqtari i pavarur (e të gjitha raportet mediale, të OJQ-ve dhe ato që vijnë për Kosovën nga qarqe ndërkombëtare, pra edhe Raporti i Progresit, e thonë se gjyqësori i pavarur vërtet nuk ekziston në Kosovë, e këtë e pranon edhe Qeveria; nëse Kuvendi është shndërruar në një agjenci qeveritare, dhe agjendën ia përcakton Ekzekutivi, pra Kuvendi është shndërruar në një ministri për “menaxhimin e popullit” (numrave?) dhe nëse Ekzekutivi i vendit ushtron kontroll mbi këto dy pushtete, legjislativin dhe gjyqësorin, ku është vallë pushteti i katërt, ai i medias?

Natyrisht, për të padëgjueshmit, pushteti ka në dispozicion shërbimin special, shpall jo vetën gazetarët e pavarur “agjentë të huaj, të Serbisë...”, por të gjithë kundërshtarët politikë, me një fjalë ata që nuk mendojnë njësoj.

Hashim Thaçi nuk është një diktator dhe Kosova nuk është një diktaturë, sepse diktatura shpall me dekret ndalimin e opozitës parlamentare dhe po ashtu shpall me dekret ndalimin e shtypit të lirë. Por ai është një mashtrues autoritarist që nuk e ka ndaluar opozitën, por ua ka tredhë mendjen (si deputetëve të PDK-së!?) ashtu edhe atyre të LDK-së që votuan Kodin..., duke shfrytëzuar injorancën e tyre të  thellë dhe sindromën e “mizës nën kapuç” si zhvatës që janë.

Në autoritarizëm shumica e mjeteve të komunikimit masiv janë rreptësisht njëqendrore dhe njëngjyrëshe, monocentrike dhe flsin vetëm me një zë, me zërin e regjimit.

Në regjime autoritariste lajmi është propagandë dhe mësyn indoktrinimin e masave, pra nuk lejon të krijohet opinion publik, ndërkaq që në demokracitë e zhvilluara media është policentrike, sepse shtypi vërtet sheh, dëgjon dhe debaton, sepse demokracia është vetë debati.

Kosova duke qenë një demokraci e brishtë, dhe e qeverisur me një model zhvatës, ka mbetur jo me katër pushtete, por vetëm me një të mbifuqishëm; që lirisht mund të cilësohet si pushtet i tutës.

Indoktrinimi është leva mbi të cilën qëndron autoritarizmi, mediat e kontrolluara nga Qeveria flasin për rrezikim të kombit dhe lirisë nga një armik i jashtëm dhe kur ky harxhohet ata fabrikojnë një armik të brendshëm.

Pushteti fabrikon armiq kujdestarë, por të paqenë si në “Shkretëtirën e tartarëve” të Dino Buxatit, ku të gjithë mobilizohen për t’u ndeshur me do farë armiqsh, e të cilët s’do të vijnë kurrë!

Po ashtu qeverisja autoritariste e aplikon edhe modelin e joshjes po ashtu (poste profesionale ose publike, avancime në karrierë etj.), e cila me të gjitha kodet e gazetarisë, nuk përkon me etikën e gazetarit.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora