E premte, 19.04.2024, 03:22 PM (GMT+1)

Kulturë

Monica Mure?an: Nëna Tereze në brigjet e Shqipërisë së shenjtë

E marte, 01.05.2012, 04:00 PM


Nëna Tereze në brigjet e Shqipërisë së shenjtë

Një trajtim i veçantë emocional paraqitet në kapitullin „Lulja e shpirtit”, në vargje ku autori digjet nga përgjërimi ndaj tempullit madhështor të Nënës Tereze, një tempull i shtrirë në hapsirën e blertë të dashurisë, diellin e besimit të parë duke e gjetur mbi brigjet e Shqipërisë së shenjtë. Në këtë kontekst gjejmë edhe shenja tjera të mbrujtura me aksente elegjiake, duke përshkruar në vargje florën dhe faunën e tokës ilire, Shkupin shqiptar dhe krenarinë e dashurisë së madhe, të cilës kjo nënë e shenjtë i ka dhënë dimensione universale.

 

Nga Monica Mure?an

 

Poet shqiptar me vlera dhe principe, Veli Veliu ka atë “vizion shpirtëror” që e ndihmon të gjejë “gjurmët e padukshmërisë” (shih Rudolf Steiner, Evagjelia sipas Jonit). “Shpirti i Dritës Hyjnore” është një poemë e rikapitullimeve të historisë së një fati që është bërë legjendë kontemporane përmes ripërkujtimit të disa detajeve pa të cilat do të humbej diçka nga kompleksiteti i një përfytyrimi të përbashkët, detaje që mund të transformojnë madje edhe ardhmërinë, por me siguri që e ruajnë memorjen e të shkuarës së gjallë në tanishmërinë kontinuitive. Në një ofanzivë e plotë e post-modernizmit, e demitizimit dhe pothuajse e mohimit të vlerave morale nga një dëshirë e papërmbajtur për ta vënë lirinë mbi tehun e thikës, ja poeti që e vetëdijëson përkatësinë e tij ndaj kombit dhe atdheut, partikularitetet e të cilit e pasurojnë dhe rrumbullakësojnë, duke i nyancuar diferencat e multikuluralizmit të epokës sonë.

Veli Veliu është poeti fjalët e të cilit janë bërë pjesë e një bote të tërë, ndërsa katargu mbi të cilin lartësohen këto fjalë, e shtyjnë anijen të notojë mbi ujërat e jetës dhe besimit. Vëllimi i tij më i ri (Sufletul Luminii Divine / Shpirti i Dritës Hyjnore, Amanda Edit, Bukuresht, 2012), është një libër me tema dhe motivacione të njerëzishme dhe atraktive, sa për lexuesin e poezisë, po aq edhe për çdo poet tjetër që tenton të krijojë ura afrimi nëpërmjet përpjekjes për t’i dedikuar Nënës Tereze një monument lirik ku do të funksiononte trajtimi personal për të hyrë në dialog dhe kompeticion kolektiv, edhe me autorët e tjerë. Rëndësia e motivacionit respektiv qëndron në reflektimin e një edukate të shëndoshë fetare kushtuar besimit që e kanë përfituar shqiptarët gjatë shekujve. Dhe aq më tepër, kur kemi parasysh faktin se autori vjen nga një vend fqinj me Shqipërinë, e cila paradoksalisht në kohën e Enver Hoxhës konsiderohej si vendi i parë ateist në botë.

Duke arritur në këtë pikë, nuk mund të mos e përkujtoj një krijues tjetër me origjinë shqiptare, Liman Zogaj, në librin e të cilit, „Florile luminii/ Lulet e dritës”, defilon një poezi ku përmendet Nëna e Njerëzimit: „Unë jam/ Zogu i Diellit/ Me Flamurin e Skënderbeut nën pupla/ Me gjuhën e Naimit në këngë/ Me lotin e Nënës Tereze në vaje/ Unë kosovari i humbur/ Deri në Horizontet e Bardha”, ku bëhet një referim edhe për Formulën e Pagëzimit, dokumenti i parë shqip, i shkruar nga Pal Engjëlli (1442), dhe i zbuluar nga dijetari i famshëm rumun, Nikolla Jorga (1915), i cili ka thënë më vonë se “shqiptarët janë kushërinjtë tanë të gjakut (1938). Vëllimi i Veli Veliut mund të kundrohet si një poemë në tre pjesë, përgjatë së cilës autori përpiqet të rikonstituojë dhe të rikrijojë poetikisht një atmosferë pa fishekzjare të shumta stilistike, por nga rikomponimi i fragmenteve të ndryshme, del në pah një rrëfim i bukur që evoluon pak nga pak, gradualisht, për të ridhënë dhe transmetuar një gjendje emocionale, sa e autorit, po aq edhe e bashkatdhetarëve të tij, për të cilët e ka shkruar me talent dhe përkushtim „Shpirtin e Dritës Hyjnore”.

Mu për këtë, autori ka shfrytëzuar formulën impersonale dhe formën narative, nganjëherë madje edhe atë arkaike, parasëgjithash një formulë në vargje që në shikim të parë duket si një lojë për fëmijë, por në kontekst ballafaqohemi me mbajtjen e një fluksi të gjallë të „përrallës”. „Me Ty/ Të vegjlit/ Janë të mëdhenj/ Me ty/ Të mëdhenjtë/ Janë më të vegjël!” Në tekst gjejmë burime personale përmbajtësore, për atë që i është kushtuar ky vëllim, për nënën e të përvuajturve,  qëllimi i librit duke mos qenë për të dhënë informata, por për të reflektuar krenarinë dhe emocionin e përgjithshëm që e ndjejnë ata që kanë të të njëjtin gjak me një personalitet të këtillë, që ka qenë një shembull mirëbërësie në tërë botën.

Në pjesën e parë, „Lulja e Dheut”, autori na shpie deri në vendlindjen e saj, në qytetin e Shkupit, ku u lind më 27 gusht 1910 Agnesa Bojaxhiu, alias Tereza. Kështusoj edhe neve na jepet shansi të përjetojmë një atmosferë të asaj kohe, e rikonstituar me ekspresivitet, duke përshkruar brigjet e Vardarit dhe qytetin e parë të Gonxhes, Shkupin shqiptar të përvëluar nga vapa, pa e harruar nënën e saj që i pat mësuar fëmijët „Të fshijnë gjurmët e lotëve/ Nga faqet e kohës së shëmtuar”, që kërkonte pak dritë në shtëpitë e mbushura me hi, që shkruante akatiste në kishë për një botë më të mirë. Dhe prej këtu, nga shkëndija e shpresave u ngrit dielli i besimit, „Duke e shpërndarë terrin e trishtimit”/.../ Engjëlli i hapi flatrat/ Një shpirt zbriti në Kalkutë”.

 

Buzëqeshjet e diellit shqiptar dhe bliri i blertë i jetës universale

 

Me të njejtën delikatesë dhe thjeshtësi të asaj që lutej nga thellësia e shpirtit të saj të bardhë për t’i mbyllur “buzët e plagëve shekullore”, poeti identifikohet deri në përfytyrimin për të përshkuar “rrugët pa rrugë” të Indisë, të cilave Nëna Tereze iu qas  “me dritën e dashurisë”, për të cilën gjen një metaforë sugjestive: “Drita e shpërlarë me përmallim”, që bëhet emblematike edhe për dy kapitujt e vëllimit: “Lulja e dashurisë”, ku “Nëna e nënave tona” apo “Nëna e lutjeve”, lutet për të gjithë ata që “janë plakur me lutje” dhe të cilët nuk i besonin “as vetvetes”. Ballafaqohemi në këtë kontekst me gjendje të veçanta, si përlindja e besimit universal në një hapsirë dhe kohë që reflekton forma të ndryshme besimi apo feje, deri sa arrin në një ekumenizëm që funksionon në krejt rruzullin e dheut. Shquhen veçanërisht disa formula impresioniste si, “Buzëqesh dielli/ në kupë të qiellit”, apo “Bliri i blertë i jetës”.

I njëjti trajtim emocional paraqitet në pjesën e tretë, „Lulja e shpirtit”, në vargje ku autori digjet nga përgjërimi ndaj tempullit madhështor të Nënës Tereze, i shtrirë në hapsirën e blertë të dashurisë, diellin e besimit të parë duke e gjetur mbi brigjet e Shqipërisë së shenjtë. Në këtë kontekst gjejmë edhe shenja tjera të mbrujtura me aksente elegjiake, duke përshkruar në vargje florën dhe faunën e tokës ilire, dhe krenarinë e dashurisë së madhe. të cilës kjo nënë e shenjtë i ka dhënë dimensione universale, apo në vargje tjera, me pemën e mirësisë, në të cilën ajo ka ngritur „çerdhen më të ngrohtë të dashurisë”, atje ku „vdekja nuk ishte vdekje”. Si çdo rrëfim lirik, edhe ky përmbyllet së bashku me kthimin e autorit në „vatrën e shpirtit”, pranë monumentit të Nënës Tereze,  duke rigjetur  simbolin e paqes universale, i përfaqësuar nga pëllumbi.

Libri përmbyllet në formë të rrumbullaktë, përmes ripërkujtimit të përfytyrimeve në faqet e para, atë të buzëve, jo të plagosura, por të shëruara, duke shkëlqyer në orbitën e shndritshme mes Gjakovës, Shkupit dhe Tuzit, atje ku pëllumbat „e çukisin besimin në buzë”. Duke u rikthyer në realitetin nga i cili është thurrur rrëfimi, ndoshta nuk është vonë t’ia përkujtojmë opinionit, se edhepse nuk ka dashur kurrë të flasë për familjen e saj, në heshtjen e saj fshihte një dramë të madhe familiare, babai i saj, Nikolla, farmacist, duke qenë i helmuar në moshën 46 vjeçare nga policia serbe, për faktin se militonte që Shkupi dhe Kosova t’i bashkangjiten Shqipërisë, duke lënë pas tij një djalë dhe dy vajza. Më vonë, nëna dhe motra e saja, Agata, do të vendosen në Tiranë, duke qenë deri në mbarim të jetës, viktima të regjimit komunist të Enver Hoxhës. Tereza e të varfërve nuk arriti t’i takojë për shkak të pengesave të autoriteteve të diktaturës shqiptare, kështuqë nëna dhe motra e saj vdiqën nga malli për ta parë, duke u shuar njëra pas tjetrës në një distancë njëvjeçare, 1972 dhe 1973. Vetëm Lazëri, vëllau i saj më i madh, inzhenier për nga profesioni, mbeti në Palermo të Italisë, duke e bërë publike këtë dramë që ta këput shpirtin.

E botuar për herë të parë në gjuhën shqipe (2010), në 100 vjetorin e lindjes të kësaj nëne të shenjtë, e cila për aktivitetin e saj të jashtëzakonshëm humanitar qe nderuar me çmimin e Nobelit pët Paqë, libri i Veli Veliut ka ngjitje dhe zbritje të tensionit lirik, të cilin përkthyesi Baki Ymeri është përkujdesur ta respektojë me besnikëri origjinalin, duke tentuar me përvojën e tij prej poeti, ta rikëndojë me mjeshtëri artistike në gjuhën rumune, se përndryshe, po qe se kjo poemë e bukur do të kalonte nëpër duart e ndonjë përkthyesi pa pregaditje profesionale, ndoshta do t’ia zbehte vlerën përmes intervenimeve të panevojshme gjuhësore apo stilistike. Në këtë kontekst, përfundimisht vlen të përshëndesim edhe vlerësimin që ia ka bërë Dr. Xhelku Maksuti një libri tjetër kushtuar kësaj nëne të dashur shqiptare (The Mother of Charity,  Ed. Velar, Italy, 2010), duke patur për autor Don Lush Gjergjin nga Kosova.

(Titulli në origjinal i këtij reçensioni është “Veli Veliu, nën diellin e besimit”. E përktheu nga rumanishtja: Adriana Tabaku)



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora