E enjte, 25.04.2024, 10:06 AM (GMT+1)

Kulturë

Faik Shkodra: Konteksti i shkrimit për kontekstet letrare e kombëtare

E marte, 01.05.2012, 11:06 AM


KONTEKSTI I SHKRIMIT PËR KONTEKSTET LETRARE E KOMBËTARE

Myrvete Dreshaj-Baliu: “Konteksti i shkrimit” - vepër e shkruar me gjuhë të qartë, të pasur e të zgjedhur

Nga Dr. sc. Faik Shkodra

Ka disa vjet që emri i Myrvete Dreshaj-Baliu lakohet në të gjitha rasat dhe është një emër i pranishëm me shkrime të karakterit shkencor, letrar dhe publicistiko-kritik. Këto shkrime, në të cilat shihen pikëpamjet dhe përgatitja profesionale për t’u marrë me trajtimin dhe me  vlerësimin e vlerave letrare të krijuesve të fushave të ndryshme të letërsisë dhe shkencës sonë në veçanti, Myrvetja i ka botuar në gazeta, revista dhe në vepra të veçanta dhe në to ka hedhur dhe vazhdon të hedhë dritë rreth pikëpamjeve, ideve, tezave, sukseseve dhe mendimeve të kritikuesve e studiuesve që në veprat letrare dhe shkencore kanë rrokur në analizë e sintezë çështje të veçanta, që, kuptohet, lidhen me ndriçimin e problemeve, të aspekteve dhe të dukurive më të rëndësishme ideoletrare, ideoestetike dhe të prurjeve të reja shkencore mbi çështjet më të mprehta të traditës, historisë dhe kulturës sonë kombëtare në përgjithësi.

Gjykime e vlerësime të pavarura me të dhëna të qëndrueshme

Të tilla vlerësime e gjykime Myrvetja i ka shpërfaqur për veprat edhe letrare edhe shkencore, në të cilat trajtohen probleme të gjuhës, të letërsisë, të lirisë sonë nacionale, të rezistencës dhe të traditave tona të zhvilluara e të manifestuara nëpër kapërcej të shekujve. Në këtë aspekt, autorja vlerat më karakteristike shkencore, historike, letrare dhe estetike, me të cilat përshkohen veprat e disa krijuesve e studiuesve të fushës së letërsisë e të gjuhësisë, po edhe të fushës së mendimit teorik dhe estetik, në përgjithësi, i ka trajtuar me përkushtim e përgatitje profesionale.

Aftësinë, përvojën dhe përgatitjen shkencore për të dhënë mendime, gjykime dhe vlerësime të pavarura dhe me të dhëna të qëndrueshme në çështje e dukuri shkencore, teorike dhe estetike, probleme që kanë të bëjnë me kompozicionin dhe strukturën poetike të veprave, sa letrare aq edhe shkencore, të disa autorëve, të cilët edhe kushedi pas sa e sa vjetësh nderojnë kulturën, shkencën dhe historinë e gjuhës, të letërsisë dhe të shkencave albanologjike. Në veçanti, këto Myrvetja i ka dëshmuar në veprën, të shkruar me akribi shkencore “Konteksti i shkrimit”, botuar nga Shtëpia botuese Era, Prishtinë, 2004, me recensues Prof. Dr. Fatbardha Hoxha dhe Mr. Bajram Kosumi.

Në veprën e sipërthënë autorja objekt të studimeve ka bërë çështjet historiko-letrare të Prof. Jup Kastratit, kontributin shumë të rëndësishëm të Eqrem Çabejt në fushën e funksionit të letërsisë dhe të rolit të gjuhës shqipe, mandej ka shkruar dhe ka vlerësuar skicat e Migjenit, ka folur për vlerat dhe botën refleksive të poezisë së Jusuf Gërvallës, për vetëdijen e ndërgjegjen e lartë kombëtare të Jusuf Gërvallës, për idealet dhe veprimtarinë e çmueshme që bëri si analist në gazetën “Çlirimi” Bahri Fazliu dhe më pastaj ka vazhduar me ese kushtuar letërsisë së femrës, letërsisë së gjinisë, për gruan shqiptare ndërmjet mitit dhe bashkëkohësisë, ka folur për efektet e lëvizjes së pajtimit të gjaqeve gjatë viteve 1997-1999 dhe, siç shohim nga përmbajtja e veprës, autorja ka arritur t’i përfshijë disa recensione për formacionin e romantizmit në Evropën Perëndimore, Evropën Lindore dhe Juglindore, brenda të cilave është marrë me pikëpamjet e De Radës, të Çabejt, të Serembes, të Darës e të Skiroit, ka shkruar për veprën e Petrotës, të Lambercit, të Rexhep Qosjes, për Faikun, Naimin, Nolin dhe për Zogun e për disa tema të tjera, që kryesisht lidhen me veprat e disa studiuesve të sotëm të fushës së letërsisë dhe të historisë sonë kombëtare.

Myrvete Dreshaj, me thellësinë e gjykimit, me parimësinë e të vërejturit dhe me kapjen realiste që u bën çështjeve letrare, historike, gjuhësore, estetike dhe përfundimeve të studiuesve rreth problemeve që bëhen objekt analizash e vlerësimesh tani për  tani nga lagjja e studiuesve të rinj ka tërhequr vëmendjen e interesimin e dashamirëve të shkencës e të letërsisë shqipe. Ky interesim vjen e shtohet në radhë të parë për shkak të rezultateve, përfundimeve dhe vlerësimeve të drejta mbi pikëpamjet dhe idetë që krijuesit dhe studiuesit i manifestojnë në veprat e tyre si dhe për vlerat estetike dhe përmbajtjesore të veprave me të cilat ato janë të pajisura.

Duke i lexuar punimet shkencore, të përfshira brenda veprës “Konteksti i shkrimit”, mësojmë më drejtpërdrejt për seriozitetin dhe këmbënguljen e autores që në këto analiza e vrojtime të bëra për veprat në shqyrtim të japë vlerësime e gjykime sa të drejta aq edhe të gjera e të hollësishme mbi përmbajtjet që i përshkojnë si veprat shkencore ashtu edhe ato letrare. Dihet se në këtë punë të vështirë Myrvetes në mënyrë të padiskutueshme i kanë ndihmuar shfrytëzimi i burimeve, dokumenteve, literaturës profesionale dhe studimet e shumta që deri më sot janë bërë për disa studiues e shkrimtarë të njohur, jo vetëm brenda botës intelektuale e akademike shqiptare, por edhe në botën akademike të studiuesve të letërsisë e të shkencave të popujve të tjerë të botës, në përgjithësi.

Myrvetja, me një ndjeshmëri të veçantë dhe përkushtim të llojit të vet, ka arritur që figurën e Prof. Jup Kastratit ta ndriçojë nga shumë anë, duke e nxjerrë atë si njërin prej studiuesve më të frytshëm e më të përgatitur në kapjen e çështjeve e problemeve më të mprehta e më të rëndësishme të kulturës, të traditës dhe të ekzistencës së shqiptarëve në veprat, qoftë shkencore, qoftë letrare, brenda të cilave trajtohen probleme të etnisë shqiptare në përgjithësi.

Personaliteti që do të rrezatojë përherë dije, dritë dhe dashuri

Është e vërtetë se askush prej brezit të tij nuk mund t’i afrohet studiuesit shumë emblematik, Jup Kastratit, për punën dhe ndihmesën e jashtëzakonshme që ka dhënë në fushën e gjuhës, të letërsisë dhe të kulturës sonë kombëtare përmes artikujve, komenteve, studimeve historiko-letrare, hartimit të monografive për krijuesit e njohur e të veçantë në letrat shqipe, duke filluar nga përfaqësuesit më tipikë të letërsisë së vjetër e deri të poetët dhe artistët e njohur dhe shumë të rëndësishëm të Rilindjes Kombëtare dhe shkrimtarëve të letërsisë së sotme shqipe. Është thënë se Jup Kastrati mbetet i pakapërcyeshëm në studimet e karakterit historiko-letrar dhe në grumbullimin e sigurimin e shënimeve bibliografike për krijuesit e letërsisë së Rilindjes, në veçanti.

Myrvete Dreshaj-Baliu, në studimin shumë përmbledhës për Jup Kastratin, ka arritur me të dhëna të bollshme të na japë figurën poliedrike dhe përkushtimin e këtij shkencëtari në shumanshmërinë e arritjeve të profesorit në hedhjen dritë mbi vlerat e mbi rëndësinë e veprave të shkruara në kohët e mugëta, duke marrë kështu rolin prijës në qëndresën shekullore të popullit shqiptar në kushte e rrethana politike dhe historike tepër të rënda. Në këtë kontekst, Profesor Jup Kastrati në gjithë opusin e tij shkencor e pedagogjik është para së gjithash pasqyrues i botës së madhe të poetëve të të gjitha hapësirave shqiptare. Për më tepër, puna hulumtuese shkencore e Jup Kastratit sikur na i kujton vlerësimet e Gjovalin Shkurtajt për veprat e poetëve arbëreshë, kur shkruan: “Në Arbëri   poetët arbëreshë i vendosin ngjarjet dhe konfliktet e veprave të tyre. Atje morën edhe heronjtë e tyre. Por, në poezinë e Rilindjes arbëreshe të De Radës, Serembes e Santorit vizioni i Shqipërisë ishte krejt i sajuar mbi imagjinatën dhe intuitën artistike, sepse asnjëri prej tyre sa qenë gjallë, nuk patën mundësi të vizitonin Shqipërinë. Ata vijuan të jepnin në vjershërinë e tyre një Arbëri të tipit tradicional, sipas gjedheve të gojëdhënës e të folklorit popullor. Gjithçka pothuajse u montua tek “Moti i Madh” e tek bëmat zulmëmëdha të kryetrimit të Arbërisë së asaj kohe”.[1]

Në opusin krijues shkencor të Jup Kastratit vendin qendror kujtojmë e zë kryevepra e tij “Historia e albanologjisë” (1497-1977), në të cilën ai ka derdhur dijen e përkushtimin më të madh në ndriçimin e çështjeve më madhore të veprave e të veprimtarisë së krijuesve shqiptarë që nga lashtësia e deri në ditët e sotme. Kjo vepër madhore dëshmon se me sa energji e vetëdije të lartë profesori ishte mishëruar në studimet e veprave të krijuesve shqiptarë, ndaj të cilëve ushqeu respekt e dashuri të veçantë, duke i ngritur në kultin më të ndritur dhe me këto qëndrime, vlerësime, mendime dhe ide Jup Kastrati mbetet model i papërsëritshëm në historinë e shkencave tona albanologjike dhe si i tillë i vë në dijeni brezat e ardhshëm të studiuesve se si duhet të punohet në çështjet e letërsisë dhe të kulturës kombëtare përgjithësisht.

Prof. Jup Kastrati, sipas studimit të bërë nga Myrvetja, në përgjithësi, na del një studiues, një hulumtues dhe një mendimtar sa i thellë aq i përpiktë dhe shembullor në shkencat albanologjike. Siç mund të shihet, Myrvete Dreshaj-Baliu, duke qenë e mishëruar me punën e lodhshme shumëvjeçare të prof. Jup Kastratit në fushën e studimeve dhe të hulumtimeve të dokumenteve të gjuhës e letërsisë, në veçanti, na e ka dhënë portretin më të plotë të profesorit, i cili në shkencat e albanologjisë do të mbetet një emër, një personalitet që do të rrezatojë përherë dije, përherë dritë dhe përherë dashuri. E themi këtë me plot gojën dhe ndiejmë kënaqësinë e veçantë se me rastin e përurimit të kryeveprës madhore të profesorit “Historia e albanologjisë” (l497-977) në Tiranë, pata fatin e kënaqësinë të isha i pranishëm dhe nga folësit të dëgjoja një varg mendimesh e vlerësimesh ndër më të veçanta, fjalë përgëzimesh e urimesh, me të cilat qe cilësuar puna e madhe e Jup Kastratit. Po ashtu, me kulturën dhe me horizontin e dijes së tij të madhe, që kishte profesori për problemet e për veprat e shkrimtarëve shqiptarë të të gjithë brezave dhe mjediseve, jam njohur e jam bindur në simpoziumin shkencor, mbajtur në Ulqin me rastin e 500-vjetorit të botimit të veprës “Meshari” të Gjon Buzukut në vitin 1995, në të cilin simpozium prof. Jup Kastrati shkëlqeu me idetë, me parimësinë, me qëndrimin prej një shkencëtari të njëmendtë, prej një dijetari të madh dhe me vlerësimet që u bënte kumtesave që lexoheshin, linte pa gojë të pranishmit e këtij tubimi shkencor, në të cilin merrnin pjesë emra që sot janë në ballë të studimeve albanologjike, si Akademik Idriz Ajeti, Akademik Pexhep Qosja etj.

Vlerësime  të drejta dhe të arsyeshme të Çabejt për letërsinë dhe për formacionet letrare

Në shkrimin “Poeti kombëtar” (konceptet e Çabejt) lidhur me misionin dhe rolin e shkrimtarit në shoqërinë njerëzore dhe vlerat që sjellin veprat letrare në çështjet më qenësore të kombit e të historisë së tij, autorja sjell mendime të rëndësishme shkencore. Me të drejtë thekson Myrvetja se Çabej ka arritur të kapë në shqyrtim e në syzim pikëpamjet e disa autorëve emblematikë të letërsisë arbëreshe, me theks të veçantë të De Radës, Santorit, Serembes, Darës dhe Skiroit, krijimtarinë letrare të të cilëve e cilëson me përmbajtje të rëndësishme, si në aspektin ideoestetik ashtu dhe ideoletrar. Myrvetja me të dhëna relevante thekson se sipas Çabejt veprat dhe puna krijuese e këtyre poetëve në mënyrën më të mirë, në mënyrën më sublime janë shprehja më e vërtetë e shpirtit shqiptar, shprehja estetike dhe etnike, në të cilat natyrshëm ruhet qenësia kombëtare me të gjithë përbërësit e vlerave kulturore, historike, politike, etnopsikologjike, gjuhësore. Të gjitha këto vlera paraqesin botën e madhe mendore e poetike, botën e ndjenjave dhe imagjinatën shumë të pasur e krijuese dhe njëkohësisht në të gjitha veprat ata ishin dhe mbetën mësuesit e kombit dhe të ruajtjes së gjuhës dhe vlerave kombëtare në përgjithësi.

Sipas Çabejt del se veprat e krijuesve të romantizmit,  sidomos të De Radës, Darës, Serembes, Naimit, Mjedes, janë të pasura me probleme filozofike, psikologjike, historike, folklorike, shoqërore, estetike dhe gjuhësore. Është e vërtetë se për këto probleme kanë shkruar studiues fushash të ndryshme, por jo rrallë përfundimet e derisotme sikur na bëjnë me dije se aspektet e problemet e kapura në vëzhgim vijnë herë si të thjeshtëzuara dhe herë si të fragmentarizuara. Çabej, ndonëse nuk ishte letrar, as historian i letërsisë në kuptimin më të drejtpërdrejtë, ai, me erudicionin dhe luciditetin, në analizat e tij për letërsinë dhe për formacionet letrare, ka ditur të bëjë vlerësime shumë të drejta dhe të arsyeshme dhe herë-herë sukseset dhe mossukseset, vlerat dhe jovlerat i ka emërtuar me emër të vërtetë, ndërsa brenda tyre ka parë me shumë pjekuri e invencion prej një studiuesi dhe vështruesi të rreptë. Këto koncepte të tij na i kujtojnë mendimet e Artur Shopenhauerit, i cili pa farë hezitimi kishte thënë: “Kush kritikon të tjerët, punon për përmirësimin e vetvetes, prandaj ata që kanë prirjen dhe zakonin për t’ia nënshtruar sjelljen e të tjerëve një kritike të vëmendshme dhe të rreptë, pranojnë me këtë përmirësimin dhe përkryerjen e vetes, meqë do të kenë aq ndershmëri ose aq krenari dhe kryelartësi për të shmangur ato qortime, shpesh të rrepta, që janë mësuar t’i bëjnë”.[2]

Disa mendime e vlera ideoestetike dhe refleksive të poetëve të mëdhenj të romantizmit shqiptar, si të De Radës, Naimit, Gavril Darës, Serembes, Shirokës, Mjedes etj. - Çabej i ndërlidh me disa ndikime nga veprat e shkrimtarëve të mëdhenj të Evropës. Kështu vepron De Rada, i cili, i frymëzuar nga konteksti i kohës dhe nga përmbajtjet e veprave të romantikëve evropianë, temat dhe motivet e veprave të veta i huazon nga llojet e pasura të krijimtarisë gojore, nëpërmjet të cilave hedh dritë mbi njohjen e etnopsikologjisë, mentalitetit, dokeve e zakoneve dhe tërë traditës dhe shpirtit të popullit shqiptar. Prandaj, nuk është pa rëndësi ndikimi dhe mbështetja e De Radës në folklorin popullor dhe, sipas logjikës e dijes që kishte De Rada dhe poetët e tjerë arbëreshë, popullin e shpallën si gjeniun më të madh. Prandaj, mbi këto vlerësime e gjykime, përmes veprave që do t’i hartojnë, do të munden në mënyrën më të mirë të bëjnë konstruktimin e fatit e të historisë së popullit shqiptar.

Ndryshe  nga De Rada, Naimi do të jetë poet, mbase jo i vetmi, që në krijimtarinë letrare do të arrijë t’i tregojë disa prej pikave kërkuese brenda letërsisë së Rilindjes, në një anë, dhe romantizmit evropian, në tjetrën anë.

Sigurisht, këto pikëpamje e interesime të Naimit kanë bërë që Çabej të vërë theksin mbi të: “Naimi është bërë me të drejtë një symbol për nocionin shqiptar, gati një mit, një legjendë”.

E vërteta qëndron se natyra shqiptare, me fusha, male, kodra, pyje, lumenj, liqene, me detin dhe gjithçka që është në të dhe brenda saj, për Naimin janë simbole, metafora e personifikime me kuptime figurative.

Prandaj, në mendësinë e në shpirtin e Naimit deti mbetet gjithnjë simbol i lirisë, sepse deti është i paskajshëm, ndërsa majat e larta të maleve e të kodrave do të jenë lartësi shpirtërore dhe si të tilla do të bëhen lektisje pas fluturimeve shpirtërore, fjalët e qiririt do jenë ndjenjë e mendim i përkushtimit atdhetar, do të jenë përkushtim se ç’rol duhet të ushtrojë një poet në mjedisin shoqëror dhe gjithandej veprave Naimi na del iluminist duke bërë me dije se poeti duhet të sakrifikohet për qëllime të larta njerëzore e morale dhe se nuk duhet të frikohet dhe as të shqetësohet nëse mendimi i tij ka ruajtur apo jo koherencën.

Në opusin letrar të Çajupit e të Naimit Çabej arrin t’i hetojë preokupimet, shqetësimet dhe guximin e këtyre dy poetëve në trajtimin e temave dhe motiveve më aktuale të kohës së tyre. Për më tepër, veprat dhe qëndrimet që shfaqin Çajupi e Noli rreth rrjedhave aktuale historike e shoqërore, rreth fatit të popullit shqiptar, sikur na e sjellin pranë mendimin e Brutit, kur shprehet: “Detyra ime do të jetë të mos hesht, por të mbroj 1irinë. E të vdes para së të shoh fundin e saj”. Sipas Çajupit, kuptojmë se qëllimi i artit nuk duhet të jetë larg fuqive observative të ngritjes popullore, arti duhet ta transponojë jetën e një populli. Çajupi u preokupua shumë me çështjen atdhetare, me pozitën e pafavorshme të femrës dhe u preokupua me probleme të ndjeshme sociale, të cilat kishin goditur deri në palcë popullin. Siç dihet, të gjitha këto preokupime e shqetësime Çajupi i shfaqi përmes krijimeve letrare, duke shfrytëzuar brumin e frymën e poezisë popullore dhe gjithkund kërkon që në jetën politike e shoqërore, kulturore e jetësore të futën fenomene të reja, procese të reja duke i damkosur e demaskuar me një humor popullor e të këndshëm forcat e vjetra e reaksionare.

Në vlerësimin e Çabejt për veprimtarinë artistike të Nolit shihet se poeti ishte i lidhur me luftën e shtresave përparimtare dhe gjithandej veprave Noli pasuroi thesarin shpirtëror të popullit. Me Fan Nolin, siç dihet, kapërthehet Rilindja jonë dhe, duke marrë parasysh të vërtetën se poeti jo vetëm që i dha letërsisë shqipe ato pak xhevahire poetike (nja 20 poezi) me ngjyra e jone të fuqishme, me tinguj refleksivë emocionalë e individualë, por në të njëjtën kohë Noli hapi një fletë të re, një faqe të re në letërsinë shqipe, duke i dhënë asaj poezinë më të bukur politike. Noli, siç vëren Myrvetja, gjithkund në veprat e tij stigmatizon ato forca që i shkaktuan dëme të pariparueshme Shqipërisë dhe çështjes së përgjithshme kombëtare.

Në këtë prizëm, Çabej vazhdon ta bëjë vlerësimin e veprave të Nolit, duke veçuar të dhënën: “atëherë vjershat që shkroi ky poet dhe veprat e shqipëruara që na ka lënë, përfaqësojnë në kuptimin e tyre simbolik që në krye e gjer në fund një konfesion të vetëm, kredon e një njeriu e të një jete”. Pra, i madh është roli dhe të fuqishme janë fjala dhe mendimi i tij. Këto fakte na sjellin ndër mend fjalët e akademik Rexhep Qosjes, thënë te varri i Fan Nolit më 10.6.1990: “Ai na ka mbajtur, kur të tjerët na kanë heshtur! Ai na nderuar, kur të tjerët na kanë fyer! Ai na ka dashur, kur të tjerët na kanë vrarë! Ai na ka dhënë shpresë, kur të tjerët janë përpjekur të na shuajnë çdo shpresë”.[3]

Duke shkruar për Fishtën, poetin e përndjekur e të ekskomunikuar për vite të tëra, Çabej me arsye personalitetin e tij e lartëson duke e lidhur atë fuqishëm me ndjenjat e zjarrta që pati në çështjen shqiptare, për tërësinë tokësore të Shqipërisë, për vlerat e letërsisë popullore dhe krejt në fund Çabej e përmbyll studimin dhe vlerësimin që bën për Fishtën me fjalinë: “Fishta fuqitë e tija njerëzore e poetike i thithi prej kësaj toke”. Se kush ishte Fishta, këtë e thotë Rexhep Qosja, kur shkruan për Lahutën e Malësisë, që, sipas tij, para së gjithash është: “Vepër mbi luftën e popullit shqiptar për liri dhe pavarësi; vepër mbi ndeshjen historike të popullit shqiptar me Serbinë dhe me Malin e Zi; vepër mbi dhembjen kombëtare për shkak të ndarjes së trojeve etnike dhe të vetë popullit shqiptar në disa shtete; vepër mbi idealin e bashkimit të të ndarëve; vepër mbi vlerat morale e mendore të popullit shqiptar; vepër që lirisht e quajmë epope kombëtare”.[4]

Dhimbja kolektive si frymëzim, ideal e përkushtim

Temë me rëndësi për shumë arsye, që zë vend në veprën Konteksti i shkrimit të Myrvetes, është pa dyshim Letërsia e romantizmit dhe vetëdija kombëtare,në kuadër të së cilës trajtohen pikëpamjet dhe qëndrimet e tre krijuesve të mëdhenj dhe të shquar në letërsinë shqipe: De Rada, Naimi dhe Fishta.

Më këtë shkrim autorja me njohuri të bollshme mbi formacionin e romantizmit si lëvizje mendore e si rrymë letrare, si në Evropë ashtu dhe në letërsinë shqipe, ka ndriçuar çështje të mprehta me të cilat karakterizohen veprat e romantikëve evropianë, sidomos në Gjermani, Francë, Angli, Itali, Spanjë etj. Dihet se poetët e romantizmit evropian, nëpërmjet veprave artistike kanë çmuar ndjenjat, pasionet sentimentale, veprimet e buta, ndjeshmërinë shpirtërore, virtytet e zemrës, kanë forcuar emocionet duke përshkruar bukuritë e natyrës dhe në këto përshkrime gjejnë vend peizazhet, që bëhen edhe më të jashtëzakonshme në saje të përdorimit të metaforave, simboleve, apostrofave, personifikimeve.

Natyrisht, veçori shquese në veprat e romantikëve evropianë mbeten ndjenjat e jashtëzakonshme, situatat shumë të forta në rrafshin shpirtëror dhe ndjenjor. U mor vesh, në saje të veprave kuptojmë se De Rada e Naimi kanë shumë pika të përbashkëta me krijuesit e romantizmit evropian. Ashtu siç ngjet me veprat e romantizmit evropian, që përshkohen me një lirizëm të thellë, ashtu ngjet edhe me De Radën e Naimin, bile te Naimi ky lirizëm është shumë më i theksuar. Gjithashtu, Naimi në poemat epiko-lirike na de1 më racional dhe poetika e tij është më racionaliste. Gjithkund në veprat e këtyre dy poetëve të mëdhenj shqiptarë zotëron një lloj didaktizmi dhe sentimentalizmi, që është edhe në përputhje me vokacionin dhe botën e madhe poetike të tyre.

Derisa poetët e romantizmit evropian, thuaja të të gjitha vendeve, në veprat artistike sjellin pasione që trajtojnë gjendjen shpirtërore të tyre dhe me fantazinë e zhvilluar flasin e këndojnë për një botë të çuditshme, De Rada , Naimi dhe Fishta, besa edhe poetët e tjerë të formacionit të romantizmit, pasionet e tilla ia kushtojnë çështjes së atdheut, ndjenjës e shpirtit të tyre patriotik. Pasionet e shkrimtarëve të letërsisë evropiane janë të të gjitha llojeve, ndërkaq pasionet e krijuesve të romantizmit shqiptar lidhen me kultin e gjuhës, me kultin e prometeizmit, lidhen me mitet nacionale, me kultin e së ardhmes së atdheut dhe fatit të popullit. Vargjet për gjuhën amtare përshkohen me mendime të zjarrta e ndjenja të thella. Temën e gjuhës romantikët shqiptarë e shfrytëzojnë edhe për faktin se shumica e tyre kanë jetuar dhe kanë punuar në vende të huaja, si: De Rada, Naimi, Mjeda, Shiroka, Gurakuqi, dhe ata kanë parë se ç’do të thotë gjuha për një komb dhe çfarë rëndësie ka gjuha, ndaj pikërisht në vlerat e gjuhës kanë vërejtur kontinuitetin dhe ekzistencën e popullit. Përmes kultit të prometeizmit ata e fuqizojnë kulturën dhe emancipimin nga disa aspekte. Pra, vargjet rreth kësaj teme bëhen këngë flijimi, këngë të zërit të historisë dhe këngë të ardhmërisë së lumtur. Herë- herë në poezitë e prometeizmit poetët shprehin revoltën dhe shpirtin e trazuar, botën e pakënaqësisë dhe kjo pakënaqësi vjen për shkak se kanë dhembje. Këtu poetët, duke pasur një vetëdije të lartë kombëtare dhe njerëzore, gjithandej veprave me tema të kulteve mbi atdheun, traditën, gjuhën, kulturën, identitetin, i qartësojnë ndjeshëm e me fuqi të veçantë emocionale shqetësimet dhe idealet e tyre dhe, kuptohet, krejt këtë e bëjnë me qëllim të krijimit të vetëdijes dhe dashurisë ndaj vlerave kombëtare dhe ndaj atdheut në përgjithësi. Është e vërtetë se këta poetë me vetëdije e largpamësi të madhe nuk mund t’i lejojnë vetes ndonjë luks që nuk do të shkonte në të mirë të çështjes kombëtare dhe kulturës e vlerave të tjera që lidhen me historinë dhe me rrjedhat shoqërore çfarë këtë luks mund t’ia lejonin vetes shkrimtarët e letërsive të popujve të mëdhenj. Në këtë kontekst, sipas Çabejt, del se De Rada, Naimi dhe Fishta bëhen prijës të popullit dhe si veprimtarë e krijues në veprat e tyre manifestojnë një botë të pasur emocionale, duke kultivouar poezinë e flijimit në emër të popullit. Këtë lloj flijimi e vazhdojnë deri në shekullin XX. Dëshira që popullin e vendin t’i shohin të përparuar e të çliruar, bëhet temë e përhershme. Në këtë temë dhimbja bëhet frymëzim, bëhet ideal e përkushtim. Dhimbja e tyre nuk është personale, por është kolektive, është popullore, nuk është dhimbje subjektive. Shfrytëzimi i miteve nacionale nga De Rada, Naimi, Fishta, Mjeda janë në funksion shoqëror, politik dhe historik.

Periudha e romantizmit shqiptar - periudhë e një jete energjike kombëtare, politike, kulturore dhe letrare

Prandaj, dijetari dhe gjuhëtari i madh Çabej, duke folur për lidhjet e romantizmit evropian, Hygo në Francë, Sheli e Bajroni në Angli, Gëte e Shileri në Gjermani, në krijimet artistike të De Radës, të Naimit, të Fishtës, të Mjedes, të Samiut, të Zef Seremhes etj., sikur na mëson e na porosit se poetët shqiptarë të sipërthënë nuk duhet t’i shikojmë, nuk duhet t’i trajtojmë vetëm si krijues që në veprat e tyre mishërojnë veçori të posaçme poetike, nuk duhet t’i vlerësojmë vetëm nga trajtimi që u bëjnë temave aktuale të kohës, as nuk duhet t’i shohim si mendje e stilistë të veçantë, por mbi të gjitha duhet parë e vlerësuar si artistë, si figura me një botë të pasur shpirtërore, mendore dhe imagjinative.

Me të drejtë shton Myrvetja se “Periudha historike të cilën e shënon letërsia e romantizmit shqiptar është periudhë e një jete jashtëzakonisht energjike kombëtare, politike, kulturore dhe letrare. Për kohën, shkrimtar i vërtetë ishte ai që lidhte krijimatarinë e tij me atdheun”.

Në trajtesën Proza e shkurtër e Migjenit, autorja rrok në vëzhgim skicat e poetit të mjerimit. Skicat e Migjenit me tematikën, motivet dhe personazhet e tyre sjellin një atmosferë të re, një orientim të ri në letërsinë shqipe dhe po ky orientim me talentin dhe prirjen për ta transponuar realitetin jetësor të kohës me të gjitha ngjarjet që manifestoheshin, i jep forcë dhe energji Migjenit që në të gjitha këto skica të trajtojë probleme dhe çështje që lidhen me problemet sociale, në të cilat skica vibrojnë notat e dhimbshme shoqërore. Migjeni, me një shpirt luftarak dhe me talentin e rrallë, në këto skica tregon haptas mizorinë e fshehtësinë e shoqërisë së atyre viteve dhe me mendime refleksive paraqet mospërfilljen e regjimit ndaj asaj armate të madhe të të varfërve. Ai gjithkund në skica tregoi gjendjen e rëndë sociale dhe, si një mendje e rrallë e asaj kohe, e kishte të qartë burimin e kësaj gjendjeje: shoqëria dhe aparati shtetëror e bënë varfërinë, do të thoshte Migjeni. Sipas personazheve del se jeta ishte e padurueshme. Më këto skica poeti na del mendimtar i prirjeve të reja ideore. Përmbajtjet e skicave të Migjenit flasin për probleme të vështira sociale dhe si të tilla bëhen më kritike për nga fryma. Prozat na vënë në dijeni se Migjeni kishte një talent të fuqishëm dhe me atë talent bëhet vrojtues i thellë i jetës mbytëse të njerëzve të asaj kohe.

Tregimet, që në numër shkojnë mbi njëzet e pesë, kanë kuptime simbolike e ironike dhe brenda tyre poeti del krijues sensibil, e në subjektin e këtyre shkrimeve përfshin, si të thuash, të gjitha shtresat e ulëta të shoqërisë shqiptare, që çonin jetën nëpër vende të ndyra, që shumë prej të rinjve ishin shndërruar në lypës dhe gjithandej skicave poeti ngre zërin kryengritës ndaj një gjendjeje të tillë.

Myrvete Dreshaj-Baliu në trajtesën që bën për prozat e shkurtra, që nga studiuesit e shumtë dhe nga vetë Migjeni janë quajtur skica, i ka marrë në shqyrtim thuajse shumicën e studiuesve të veprës së Migjenit. Duke pasur shije dhe përgatitje të mirë për vlerat që ruajnë skicat e Migjenit, Myrvetja herë-herë nuk pajtohet me konstatimet që janë dhënë nga disa studiues dhe mendojmë se kjo është një veti e mirë për çdo studiues, pa marrë parasysh shkallën e përgatitjes shkencore. Për t’i konkretizuar qëndrimet dhe pohimet e veta Myrvetja sjell pjesë nga skicat, përmes të cilave shpreh mendimet rreth strukturës, ideve, kodit e pikëpamjeve të poetit dhe përmbajtjeve me të cilat i vesh skicat. Është me rëndësi vlerësimi dhe përfundimi që nxjerr Myrvetja kur thekson: “Njerëzit e varfër i ndjekin gjithherë vuajtjet, varfëria, uria, vjedhja, lypësia, cubëria, imoraliteti, prostitucioni etj”.

Ashtu siç nuk pajtohet Myrvetja me disa vlerësime dhënë nga disa studiues të veprës së Migjenit, veçanërisht për skicat që i ka bërë objekt trajtimi dhe tekstet letrare të Migjenit në përgjithësi, edhe ne do të dëshironim të shprehnim një mospajtim toni që autorja në trajtesën për prozat e shkurtra të Migjenit e ka sjellë një studiues. Fjalën e kemi për Robert Elsin dhe mendimet e tij. Kujtojmë se është mirë të përkrahim punën e studiuesve të huaj, t’i respektojmë dhe të mbajmë pa rezervë një simpati ndaj përpjekjeve të tyre, por nuk mendojmë se duhet t’i qesim përpara studiuesve tanë, ngase çdo studiues yni është më afër njohjeve dhe më me kompetencë do të flasë e do të hedhë dritë mbi këtë apo atë krijues të letërsisë sonë sesa këtë mund ta bëjë një i huaj. E thamë këtë pa ndonjë të keqe, por me qëllim që të mësohemi t’i vlerësojmë pa ndonjë kompleks njerëzit tanë, njerëzit që vijnë prej oxhakut tonë, sepse, thënë figurshëm, edhe ne shqiptarët i kemi disa studiues e krijues që shquhen me iliadat e tyre.

Universi poetik i një përjetimi të fuqishëm me porosi filozofike

Në studimin Poetika e poezisë së Jusuf Gërvarës, Myrvetja hedh dritë mbi vlerat poetike, artistike dhe estetike të poezisë së krijuesit e veprimtarit të shquar edhe në fushën e poezisë bashkëkohore shqipe të krijuar në Kosovë. Në këtë shkrim serioz dhe shterues janë parë brezat e krijuesve dhe bota poetike e tyre, e shprehur në rrethana e kushte jo aq edhe të përshtatshme, dhe, siç konstaton autorja, në gjithë hapësirën shqiptare poetët përmes poezisë kanë manifestuar një ndjenjë e një këndim që shquhet për “klimën e entuziazmit, të metaforave kolektive dhe folklorizmit shpesh të skajshëm”.

Pas viteve ‘60 e ’70 të shekullit XX në letërsinë shqipe vijnë disa emra, të cilët me poezitë e tyre rrokin në trajtim një botë tematike e motivore më të gjerë dhe të rikrijuar me qasje moderne, siç janë Agolli, Arapi, Londo, Zhiti, Din Mehmeti, Azem Shkreli, Qerim Ujkani, Ali Podrimja, Agim Vinca, Agim Gjakova etj. Në vëllimet e këtyre poetëve lexuesi gjen komunikimin e tyre me kohën, me bashkëkohësit, me vlimet që zhvillohen në kohë dhe hapësirë, vlime këto që e karakterizojnë realitetin shoqëror jetësor dhe historik. Ky komunikim lidhet me fatin dhe me dramat që përjetonte njeriu, si dhe këndohet për shpresat, për ëndrrat dhe për besimin në një të ardhme më të mirë nga shumë aspekte. Në mesin e këtyre poetëve të dalluar, vend të rëndësishëm zë Jusuf Gërvalla. Muza poetike e tij shpreh një lidhje të ngushtë me dukuritë dhe ngjarjet më aktuale të kohës. Pikëpamjet e poetit janë të drejta dhe si të tilla realizohen me vargje që kanë strukturë e univers poetik të një përjetimi sa të fuqishëm aq edhe të ngarkesës me porosi filozofike. Natyrisht, nga leximi i vëmendshëm i poezisë së Jusufit lexuesi mëson të vërtetën se vargu i tij poetik zbulon tablo, ngjarje e meditime të thella, që ngjallin emocione dhe shpalosin një botë të trazuar, botë që është e mbushur me shqetësime për çështje të mëdha të historisë, të kulturës, të traditës, të popullit dhe të atdheut, të copëtuar me pa të drejtë, copëtim ky që duhet korrigjuar me vepra konkrete.

Myrvete Dreshaj-Baliu, përveç hetimit të vlerave kryesore që bart poezia e Jusufit, me të drejtë konstaton se brezi i krijuesve të viteve ’70 të shekullit XX, ku bën pjesë edhe Gërvalla, do të çlirohet nga “kompleksi tematik, me thellësinë e gjuhës poetike, me revoltën poetike dhe me preokupimin modern të çështjeve ekzistenciale, me përvojën tonë mitologjike, historike e bashkëkohore, me imagjinatën e pasur mbi të cilën realizohen konceptet e tij poetike, me një shqetësim krijues, me një gjallëri poetike dhe me gjerësi tematike, me fjalorin poetik, me aftësinë e përpunimit poetik e kështu me radhë”.

Duke udhëtuar shtigjeve të poezisë së Jusuf Gërvallës, Myrvetja, me një sens e përkushtim të llojit të vet, arrin t’i nxjerrë ne dritë vlerat e gjithëmbarshme të poezisë së poetit, duke e vlerësuar atë si një këngëtar me një shpirt e me një prirje të rrallë për të hartuar poezi me përmbajtje e figuracion të pasur stilistik dhe, sipas mendimeve që shpreh Myrvetja, del se emri dhe poezia e Jusuf  Gërvallës, me gjithë përbërësit e vet, zënë një vend të nderuar në letërsinë shqipe dhe se ky vend i nderuar vjen nga vlerat e rralla poetike, estetike dhe nga shfrytëzimi i temave të realitetit të kohës dhe të historisë së popullit shqiptar.

Autorja, për t’i konkretizuar mendimet mbi vlerësimin që i bën poezisë së poetit, jo rrallë sjell mendime të disa studiuesve, që objekt trajtimi e analize kanë pasur poezinë e Jusufit. Krejt kjo na duket se është në rregull. Mirëpo, ndonjëherë mbështetet në konstatimet e njërit kinse i shpallur si studiues, për të cilin kujtojmë se nuk ka ndonjë vlerë a ndonjë peshë, as si studiues e aq më pak si njeri, sepse në jetën kulturore një njeri që pranon të jetë anëtar i tri akademive, Prishtinë, Shkup dhe Tiranë, s’mund ta kualifikosh ndryshe, përveç një kameleon i llojit të vet.

Personalitetin e Jusuf Gërvallës, si ideolog dhe prijës shpirtëror i lëvizjes ilegale, autorja e ka trajtuar në shkrimin përmbledhës Jusuf Gërvalla ideolog i lëvizjes ilegale. Në punimin integral për Jusufin si ideolog i lëvizjes sonë kombëtare, për Jusufin, si përfaqësuesi më i flaktë i lëvizjes ilegale, Myrvetja ka paraqitur përpjekjet dhe idealet më të larta të Jusufit kushtuar problemeve madhore të çështjes kombëtare dhe në këtë prizëm ai është portretizuar si një trim i pashoq, si një mendje shumë e zgjuar, si një idealist që besën e qëndresën i ka ushqim e frymëzim të jetës dhe të realizimit të aspiratave për  lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe bashkimin e trojeve shqiptare në Shqipërinë natyrale.

Puna shumëvjeçare dhe përkushtimi i Jusufit për zgjidhjen më të drejtë e më të shpejtë të çështjes së dhimbshme kombëtare, sikur na i kujton mendimet e shfaqura në veprën “Plagët tona”, e sidomos janë me peshë dhe i shkojnë për shtati vetëflijimit dhe vetëpërkushtimit të Jusufit mendimet: “Një veri e bën detin të buçasë. Një frymë e re e bën një komb të marrë një shpirt të ri. Një të tillë frymë krijonjëse duhet të kemi”.

Për më tepër, këto aspekte e kjo filozofi e dhënë brenda këtyre fjalive, sikur e japin portretin dhe shpirtin e madh të Jusufit në aktivitetet e gjalla që zhvilloi në lëvizjen ilegale, në të cilën ai ishte lokomotiva e saj. Jusuf Gërvalla qe burim krenarie, qe forcë e besimit për të ardhmen e Kosovës dhe atdheut të plotë. Jusufi qe një shpirt kryengritës dhe një njeri i paepur kundër padrejtësive dhe gjatë gjithë jetës, deri në vdekjen e pavdekshme, dëshmoi shpirtin luftarak dhe vitalitetin prej një heroi që nderon historinë dhe mbarë kombin shqiptar.

Spikatje e virtyteve, trimërisë dhe fisnikërisë së pjesëmarrësve të lëvizjes sonë çlirimtare

Punim i shkruar me pasion e ndjenjë përkushtimi është ai që trajton aktivitetin dhe punën e vyeshme të Bahri Fazliut në lëvizjen tonë çlirimtare, të pjesëtarëve të organizimit e të bërjes së luftës së fundit kundër sundimit barbar të Serbisë mbi Kosovën dhe popullit shqiptar. Punimi Mendja kryengritëse e lëvizjes kombëtare,në qendër të pasqyrimit ka protagonistët e lëvizjes për çlirimin e Kosovës. Në brendinë e punimit janë rrokur rrjedhshëm e natyrshëm shumë çështje e probleme që lidhen me aktivitetin, me shpirtin liridashës dhe me guximin, me botën e me biografinë e pasur e të ndritshme të sa e sa veprimtarëve që me veprimtarinë e pandalshme kontribuuan në lëvizjen tonë çlirimtare për Kosovën e lirë dhe të pavarur. Këto aktivitete në mënyrë kontinuele i paraqiti Bahri Fazliu përmes komenteve, vështrimeve, analizave, deklaratave politike të botuara në gazetën Çlirimi gjatë viteve 1993-1998. Në këto shkrime analitike e konceptuale janë dhënë në plotni puna vetëmohuese dhe ndihmesa e pallogaritshme e 1uftëtarëve të lirisë, të përfshirë në Lëvizjen Çlirimtare të Kosovës. Në komentet dhe analizat që Bahriu i ka bërë në organin “Çlirimi” drejt zgjidhjes dhe forcimit të moralit e të aspiratave të pjesëmarrësve në lëvizjen kryengritëse kombëtare, e rëndësishme është çdo fjalë e mendim etj., etj. Po t’i analizojmë më vëmendshëm vështrimet dhe punën e tërësishme që në ato vite të vështira e ka bërë Bahriu, del se aspektet më relevante, si aspekti historik, social dhe politik, janë analizuar me një profesionalizëm tejet të veçantë. Si të thuash, brenda këtyre shkrimeve, Bahri Fazliu, i cili përmes gazetës Çlirimi e ushqeu, e mbajti dhe e trimëroi çdo pjesëtar të lëvizjes sonë çlirimtare, ka spikatur në gjerësi e thellësi vetitë, virtytet, trimërinë dhe fisnikërinë e pjesëmarrësve të lëvizjes çlirimtare, ka shpalosur ndërgjegjen e lartë kombëtare e vlerat e shumta njerëzore dhe shpirtin liridashës e atdhetar të secilit luftëtar e veprimtar të çështjes sonë kombëtare. Dihet se Bahri Fazliu, duke qenë bir i një familjeje me tradita të larta kombëtare dhe me traditë të madhe patriotike, me gjithë shpirt e mendje ka arritur që nëpërmjet shkrimeve në gazetën Çlirimi të trajtojë, tamam si rilindësit tanë, çështje të rëndësishme brenda atyre viteve vendimtare për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Prandaj, “është e kuptueshme pse Bahri Fazliu në momentin e duhur do të jetë aty ku e kërkonte koha, tashti jo vetëm me programin politik, por edhe me veprimin konkret, në krye të lëvizjes ushtarake për çlirimin e Kosovës”, shkruan Myrvetja.

Myrvete Dreshaj-Baliu në esenë Letërsinë shqipe e përbën tërësia e saj, dëshmon horizontin e dijes e të informacioneve që ka për letërsinë kulturën, gjuhën, traditën dhe lëvizjet e shumta kulturore të zhvilluara nëpër kapërcej të shekujve. Autorja ka të drejtë dhe plotësisht e mbështesim kur shpreh qëndrimin se asnjë antologji e letërsisë shqipe nuk do të duhej të shkruhej duke marrë parasysh krijuesit e këtij apo atij shteti, kësaj apo asaj treve, të këtij apo atij rajoni. Letërsia shqipe është një dhe këtu në të vërtetë ndikon mbi të gjitha veçantia sa estetike aq letrare, respektimi i domosdoshëm i gjuhës standarde dhe niveli i vlerave letrare. Me plot të drejtë konstaton Myrvetja se viteve të fundit na kanë vërshuar antivlerat, madje edhe në fushën e shkencës. Si është e mundur të flitet për të ashtuquajturit krijues të qarkut të Prishtinës. Është ky një paradoks, është ky një diletantizëm, është ky një primitivizëm që mund ta mbështesin disa anëtarë të krisur që i takojnë një klani partiak, që mjerisht nuk e njohin as veten e të mos flasim për rrjedhat e letërsisë.

Me çfarë logjike, ndërgjegje dhe morali, të themi “shkencor”, mund të arsyetohen veprat kinse të shkruara me kritere “shkencore”, e që në çdo aspekt na dalin skandaloze dhe, siç vlerëson Myrvetja, “vlerësohen jo veprat po krijuesit, jo krijuesit po qendrat ku jetojnë ata, madje jo vetëm qendrat ku jetojnë ata, por edhe krahinat prej nga kanë ardhur ata, pastaj familjet, barqet, fiset e kështu me radhë”.

Këto konstatime janë të hidhura, por janë të vërteta. Pse ndodh kjo, mund të pyesë lexuesi i rëndomtë? Përgjigjja është se jemi krijues, studiues dhe intelektualë të paorganizuar dhe për keqardhje, jemi rob të servilizmit e të subjektivizmit të skajshëm. Nuk duhet të habitemi se ky mentalitet e kjo e keqe janë të pranishme në të gjitha fushat e jetës, p.sh., në Universitet, ligjërues vijnë njerëz me dije e pa dije, me recension e pa recension, me përvojë e fare pa përvojë, me profesion e pa profesion, me titull profesional e pa farë titulli, as shkencore e as profesional, dhe është tmerr kur Universiteti shndërrohet në ent social apo, thënë më troç, në Nënë Terezë. Po kjo dukuri nuk është për mashallah as në Akademinë e Shkencave e të Arteve, ku individë të ndryshëm, përmes bërrylave e mbështetjes së partisë që i takojnë bëhen anëtarë pa pasur kurrfarë “çejzi” shkencor, madje as pedagogjik e kulturor. Për të qenë tragjedia më e dhembshme, kudo që ka sjellje e veprime, maskarallëqe e punë të pista dhe deri në fund të dëmshme për njerëzit e ndershëm dhe për shoqërinë kosovare nga njerëzit tanë gati të të gjitha niveleve është bërë hit thënia: “Po kjo është Kosovë dhe pse po çuditësh! Kjo do të thotë se dikush nga jashtë nesh duhet të na i rregullojë punët dhe sjelljet tona.

Misioni më i rëndësishëm historik i brezave të idealistëve kombëtarë gjatë shekullit XX

E një rëndësie historiko-letrare, që lidhet me shkrimet e traditës me temë të femrës, domethënë femra dhe letërsia, është eseja “Letërisa dhe gjinia”. Ne këtë ese Myrvetja, me një sinqeritet të veçantë e ndjenjë të çiltër shpirtërore, ka arritur t’i përvijojë emrat më të shquar të femrave, të cilat, përveç punëve të përditshme, kanë arritur të dëshmohen në fushën e letërsisë me vepra zhanresh të ndryshme.

Në këtë shkrim eseistik figurojnë emrat e atyre femrave që kanë zënë vend të çmueshëm në disa antologji, në veprat e disa shkrimtarëve si dhe vetë emrat e femrave që në letërsinë shqipe kanë sjellë vepra në prozë, në poezi e në zhanre të tjera, po edhe në studime, duke arritur grada shkencore. Po kështu, në këtë ese janë përfshirë edhe femra që kanë zhvilluar vlerat e letërsisë së burgut dhe Myrvetja, duke qenë njëra nga ato që ka përjetuar burgun dhe torturat më çnjerëzore në regjimin e ish-Jugosllavisë, kërkon nga realiteti i ri që studiuesit e disiplinave të letërsisë dhe të shkencave të tjera më shumë të merren me shkrimin e me studimin e letërsisë feministe.

Me sinqeritetin e besimin më të madh pohojmë se Myrvetja edhe në esenë Gruaja shqiptare ndërmjet mitit dhe bashkëkohësisë ka bërë një punë të madhe në njohjen e botës shpirtërore, atdhetare, të sakrificave dhe shejtnisë e idealeve të saj, ngjashëm me përmbajtjet e përrallave tona shqiptare, të cilat femrën tonë në të gjitha situatat e momentet do ta paraqesin në prizmin e historisë së miteve që vazhdojnë, të atyre miteve të kulturës që flasin për tejkalimin edhe të miteve më të jashtëzakonshme. Gjithandej shkrimit, studiuesja me përjetimin më të thellë prek në çështjet më thelbësore të shpirtit të qenies dhe të mençurisë së femrës sonë në rrymë të kohëve të rrufeshme, duke theksuar tejkalimin e çdo miti. Pra, Myrvetja, me zotësinë e me shpirtin filantropik, ka afirmuar veprimtarinë atdhetare dhe sakrificat e femrës shqiptare, bërë për çështjen e atdheut, të traditës, të kulturës, të lirisë. Autorja në mënyrë thuajse figurative dëshiron të thotë se bota mashkullore shqiptare ende nuk ka arritur t’i shohë në gjerësi e në thellësi vlerat, veprat dhe aftësitë e femrës sonë në rrjedhë të moteve dhe sikur na vë në dijeni se në të ardhmen duhet të bëjmë më shumë studime, më shumë vlerësime dhe më shumë nderime për femrën tonë. Kjo duket nga fjalët e Myrvetes, kur thotë: “Unë nuk po e shoh se po luftojmë për të drejtat tona. Në të vërtetë, unë po dëgjoj sesi ne po kërkojmë të drejtat tona. Po ne duhet t’i fitojmë ato, në vend që t’i kërkojmë”.

Në punimin Efekte të lëvizjes së pajtimit të gjaqeve në luftën e viteve 1977-1999, Myrvetja në mënyrën më objektive e dëshmon personalitetin prej një studiueseje serioze, e cila nuk vuan nga megalomania, nga shpirtngushtësia dhe nga ndjenja dhe mentaliteti i krahinorizmit, por në tërë shkrimin e trajtuar e paraqet, e vërteton ndërgjegjen, përgatitjen dhe moralin më të lartë, vlera këto që shkojnë krahas penës e pushkës, krahas librit e aksionit, krahas sakrificave për çështje të kombit dhe të ndriçimit e respektimit deri në pakufi të vlerave të traditës. Në këtë kontekst, në punim reflekton idetë, mendimet dhe aspiratat drejt idealeve të vazhdueshme për liri dhe pavarësi kombëtare, drejt objektivave të përmbushjes së dëshirave dhe ëndrrave historike e gjeografike të të parëve tanë. Në gjithë shkrimin integral, Myrvetja në mënyrën më të drejtpërdrejtë sjell përpara vlerësimin shumë të arsyeshëm të Adriatik Kallullit, kur shkruan: “E gjithë vepra e tyre (fjala është për artistët e shquar shqiptarë, qoftë të letërsisë së shkruar, qoftë të letërsisë gojore) më e qëndrueshme, por edhe më e universalizuar, dëshmon se nuk ka art pa atdhe, se s’mund t’i përkasësh njerëzimit pa i përkitur më parë vendit tënd, se s’ka përmasa artistike botërore, pa përmasa të dukshme kombëtare, se s’mund të shkosh në dramat e planetit duke i mbyllur sytë ndaj dramave kombëtare, se çdo lloj humanizmi, por edhe vizioni kushtëzohet prej vendlindjes e vendndodhjes, prej mjedisit ku janë rrënjët e të parëve e dramat e të tuve”.[5]

Pikërisht mbi këto çështje e këto drama ka filluar pajtimi i gjaqeve, një prej ngjarjeve më madhore të kohës së shqiptarizmit. Në realizimin e aspiratave që shqiptarët të pajtohen midis vete ndihmesën e ka dhënë gjithsesi edhe Myrvetja, e cila interesat e qëllimet madhore kombëtare e historike i kishte vendosur përpara interesave personale dhe si e tillë netët e ditët i kalonte nëpër të gjitha fshatrat e rajonet e Kosovës. Autori i këtij shkrimi ka pasur rastin që Myrveten në kohën e pajtimit të gjaqeve ta takonte si banore të Hogoshtit, në familjen e atdhetarit Rexhep Mala.

Efektet e lëvizjes së pajtimit të gjaqeve Myrvetja i trajton nga rrafshi historik, politik, human dhe ushtarak.

Gjithë veprimtarinë e zhvilluar në pajtimin e gjaqeve në krye me kryekuvendarin dhe kryepleqnarin, madje dhe babanë e pajtimit të gjaqeve, Anton Çettën, autorja e përmbyll me konstatim se “nuk është asgjë e re të thuhet se lëvizja e Pajtimit të Gjaqeve ishte një prej misioneve më të rëndësishme historike, që ka shënuar njëri prej brezave të idealistëve të saj gjatë shekullit XX, që sot Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe aleatët e saj ndërkombëtarë e kanë bërë realitet”.

Trajtimi analitik i veprave monografike

Gjatë leximit të veprës Konteksti i shkrimit, kuptojmë se Myrvetja merr në trajtim edhe disa vepra, disa monografi, si: Katërqind vjet literaturë shqipe të Namik Resulit, Faik Konica (monografi, e shkruar nga Prof. Dr. Jup Kastrati), Fan Noli (6 janar 1882 -13 mars 2003) - 120 vjet jetë dhe veprimtari, shkruar nga Mehmet Gëzhilli, Këngë të kreshnikëve - studim e analizë mbi eposin e këngëve tona kreshnike, studim i shkruar tani nga studiuesi më i përkushtuar dhe kontribuuesi më i mirë në këtë fushë Zymer Neziri. Ky studim është shkruar me shumë të dhëna mbi vlerat shembullore të heronjve të këngëve tona kreshnike dhe në këtë punë kaq të vyeshme duhet përmendur edhe studiues të njohur, si: Zihni Sako, Qemal Haxhihasani si dhe studiues të tjerë të letërsive të huaja dhe studiues të rinj dhe shumë premtues nga radha e shqiptarëve.

Veçanërisht monografia e Prof. Dr. Jup Kastratit për Konicën mbetet njëra prej veprave me rëndësi të madhe. Pikërisht brenda kësaj monografie është bërë ndriçimi gjithëpërfshirës i figurës dhe personalitetit të  Faik Konicës edhe si “njeri i alternativave, antagonizmave, kontradiktave dhe tensioneve të brendshme shpirtërore”.

Duke shkruar për jetëshkrimin dhe punën e frytshme të Konicës, Jup Kastrati me të drejtë konstaton: “Faik Konica qe dhe mbetet patriot i shquar në Panteonin Shqiptar. Një analizë objektive e meritave dhe e të metave të tij e vendos në postin që i takon, në atë të atdhetarëve më të përmendur të historisë së Shqipërisë të periudhës 1895-1942”.[6]

Krejt në fund, Myrvetja, rreth monografisë së Faik Konicës shkruar nga Jup Kastriati, thekson se “Për Konicën tash hapen dyert e mëdha të hulumtimit, të zbulimit e pastaj të vlerësimit. Në këtë drejtim, kjo vepër vëllimore për nga hulumtimet dhe trajtimi i materialit, mbyll dyert e kujtesës dhe hap dritaret e vlerësimit”.

Në veprën “Konteksti i shkrimit” autorja ka bërë fjalë edhe për veprën “Fjalor i barbarëve” të Bajram Kosumit, “Mall lirie” të Resmije Ukës, veprën “Mendimi politik i lëvizjes ilegale në Kosovë 1945-1981” të Ethem Çekut dhe librin ekspozitë “Rruga e Kosovës së lirë” të Nusret Pllanës.

Po të gjykojmë me të dhëna objektive, kuptojmë se Myrvete Dreshaj-Baliut në hartimin e kësaj vepre i është dashur kohë e gjatë dhe në shpalosjen e pikëpamjeve dhe ideve rreth konceptimit të fakteve asaj i është dashur jo vetëm kohë e kohë, por mbi të gjitha punë studimore e hulumtuese. Studimet e përfshira në librin “Konteksti i shkrimit” nuk kanë vlerën e rëndësinë vetëm të dokumentimit të rrjedhave tona politike, të trajtuara nga njerëzit e ditur dhe të përkushtuar në fushën e shkencës, të letërsisë, të çështjes së lirisë sonë kombëtare, por punimet e Myrvetes, themi me shumë zemër se nga fillimi e deri në fund, sjellin të vërteta, sjellin argumente, teza dhe përfundime të sakta, punime që përshkohen me të vërteta shumë thelbësore, që do t’u përballojnë kohëve, sepse janë të mbështetura në të dhëna të qëndrueshme dhe si të tilla do të mund të dëshmohen e të mbrohen në çdo kohë dhe në çdo vend.

Vepra “Konteksti i shkrimit është shkruar me gjuhë të qartë, të pasur e të zgjedhur. Autorja gjithandej shkrimeve përdor një terminologji të qartë dhe mendimet, gjykimet, vlerësimet dhe përfundimet që i bën për veprat e marra në trajtim i karakterizon para së gjithash përpikëria, qartësia dhe gjuha e rrjedhshme dhe e pasur me mjete shprehëse stilistike.

S’ka dyshim se Myrvete Dreshaj-Baliu, me veprën “Konteksti i shkrimit”, na ka dhënë një shembull të rrallë se si duhet të punojmë në fushën e studimeve, e sidomos në vlerësimin e veprave të llojeve të ndryshme. Kjo vepër objektivisht hyn në vargun e veprave të suksesshme, hyn në kulturën tonë me një qasje origjinale e me vlera të veçanta nga shumë rrafshe të mendimit edhe shkencor edhe letrar. Për të gjitha këto suksese, e përgëzojmë autoren duke i dëshiruar suksese edhe më të mëdha në studimet e albanologjisë në veçanti.


[1] Dr. Gjovalin Shkurtaj, Panoramë e letërsisë së sotme shqipe arbëreshe, Revista letrare nr. 10, Tiranë, 1999, f. 51.

[2] Artur Schopenhauer, Këshilla për jetën, Ideoart, Tiranë, 2003, f. 157.

[3] Rexhep Qosja, Rilindja e dytë, Toena, Tiranë, 2007, f. 155.

[4] R. Qosja, po aty, f. 359.

[5] Adriatik Kallulli, Pema e jetës, OMSCA-1, Tiranë, 2002, f. 253.

[6] Jup Kastrati, Faik Konica (1876-1942), Jehona, Shkup, nr. 5-6, f. 21.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora