Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Pëllumb Gorica: Gjurmë, që i ka rrënjët në zemra fisnike

| E marte, 01.05.2012, 12:19 PM |


GJURMË, QË I KA RRËNJËT NË ZEMRA FISNIKE

Mendime për botimin me novela “Gjurmët e qëndresës” të Arsim Halilit.

NGA PËLLUMB GORICA

Krijuesi nga Bujavnoci, Arsim Halili, temën e atdhedashurisë dhe qëndresës së Kosovës për liri, kulturë dhe arsim, ashtu si shumica e poetëve dhe e prozatorëve të këtyre trojeve, e ka trajtuar me seriozitet, në botimin me novela “Gjurmët e qëndresës”. Titulli domethënës i librit nuk tregon vetëm modesti në krijim e interpretim artistik, por edhe vërtetësi, të qëndresës që rrodhi në shekuj, e që mbajti gjallë palcën e shqiptarit dhe u rezistoi rrebesheve të kohrave.

Të tria novelat e shkurtra, por me një mesazh domethënës “Shpendi, Shpëtim i maleve”,“ Gjurmët e qëndresës” dhe “Rrugë me gjemba”, kanë një lajtmotiv kryesor qëndresën e pathyeshme të banorëve të këtyre trojeve para dhunës dhe reprezaljeve serbe për liri, arsim e kulturë.

Që të bëhej Kosova e lirë, u deshën tre elementë: trimëria, ekonomia dhe arsimimi i brezave. Dhe të tria këto i gjejmë në gjetjet artistike të novelave  të Arsim Halilit. Trimëria, rezistenca ndaj dhunës serbe dhe lidhja e besës jepen qartë e thjeshtë në novelën e parë “Shpendi Shpëtim i maleve”. Përpjekjet për një jetë dhe ekonomi më të mirë i ngërthen në vetvete novela “Gjurmët e Qëndresës”. Dhe lufta për arsimim, kulturë, dije e mbrojtjen e gjuhës shqipe, ndonëse e përzier më dy elementët e parë, zënë vend në novelën “Rrugë me gjemba.” E rëndësishme është se, edhe kur luftohet për një jetë ekonomike më të mirë siç ndodh me Bedriun në novelën “Gjurmët e qëndresës”, edhe kur luftohet për dije e arsim me profesor Shpendin apo me Albanin, përsëri këto vihen në funksion të një qëllimi të madh, bashkimit dhe luftës ndaj dhunës serbe dhe fitores së lirisë dhe pavarsisë së një kombi të shtypur barbarisht. Më e shtrenjtë se atdhedashuria dhe patrtiotizmi nuk ka. Për këtë liri dha jetën Shpendi e Albani, për këtë liri vdiq nga infarkti  edhe Rinori që të paktën të jetonte motra e tij. “Etja për dituri i sfidonte të gjitha këto vështirësi”- thotë autori. Luftën për dijen dhe shkollën e simbolizon në portretin e Albanit. Se sa rëndësi ka shkolla dhe arsimimi për një popull të shtypur, e tregon fakti se në asgjesimin e tyre e përqëndruan serbët luftën kryesore. Që ditët e para shkolla ku do mësonte Albani, ishte bllokuar e rrethuar me polic.

Pra, heronjtë e novelave të Arsim Halilit janë realë dhe tokësorë. Në novelën “Shpendi, Shpëtim i maleve” personazhi kryesor, Shpendi ka shumë dëshira dhe ëndrra, ka një familje të mrekullueshme, ka një babë patriot e të urtë, dhe shkruan autori: “Mbi të gjitha për Shpendin, në radhë të parë ishte çështja e pazgjidhur kombëtare, kjo disi e brente atë dhe gjithnjë rrinte në kujtime”. Se kur nuk ke atdhe, kur nuk ke të zgjidhur çështjen kombëtare nuk ke të zgjidhur asgjë. Gjyshërit, nënat dhe baballarët jo vetëm kanë ruajtur traditat e mira shqiptare, por i kanë përcjellë brezave. Mësimet e para të atdhedashurisë Shpendi i kishte marrë në odën e burrave, ku babai i tij, Baca Ukë ligjeronte me mençuri. Autori këtë ligjërim e pasqyron me një detaj kuptimplot. “Baca Ukë ishte në grupin e burrave për faljen e gjaqeve  dhe të ngatrresave, duke vlerësuar këtë si mjet për t’u bashkuar më shumë e forcuar unitetin. Para interesave të atdheut shtrohej emergjente bashkimi, shuarja e hakmarrjes, organizimi i kryengritjes ndaj dhe babai i Shpendit kishte dhe këtë mision të madh. Për veprimtarinë e tij patriotike Shpendin vijnë dhe e marrin tek shtëpia. Tronditet familja. Baca Ukë kërkon sqarim për këtë veprim kriminal,  por katilët serbë  nuk pyesin: “Shiko ti plak… mos fol asgjë, mund të hysh brenda, sa nuk ka ndodhur ndonjë gjë para syve tuaj ”. Skenë dramatike para syve të familjes, fëmijëve dhe gruas, por shpirti i shqiptarit nuk thyhet kurrë. Torturat që i bëjnë në postën e policisë , autori i shpreh me dhëmbje: “ Shpendi tash ishte larë në gjak dhe nuk nxirrte fjalë nga goja”. Me një proces gjygjësor të montuar se gjoja Shpendi paska përkrahur ekstremistët shqiptar, dënohet me tre vjet burg, Nënë Ramizja, gruaja dhe dy vajzat i numëronin ditët me kokrra misri si i thonë dhe pritnin daljen nga burgu.

Mbasi kryen vitet e dënimit, pas një debati në familje, Shpendi niset për në Gjermani, për të mbajtur familjen gjallë. Por edhe atje e gërryen krimbi i patriotizmit. Bisedon me shokët emigrantë se duhej bërë gjithçka për Kosovën. “Në Kosovë po ndodhin gjëra të tmerrshme megjithatë po fryn një fllad lirie”.  Kosovën duhet ta mbrojmë vëllezër”.“Po na kanoset zhdukja e identitetit kombëtar, prandaj sa nuk është bërë vonë të japim besën dhe urgjentisht të kthehemi atje prej nga kemi ardhur”- këto fjalë vë autori në gojën e trimit Shpendi i lirisë. Këto fjalë zemre ngjajnë si thirrje e Rilindasve tanë dikur, ku djeg malli për atdheun e robëruar Pas katër vjet mërgim, Shpendi kthehet dhe angazhohet në luftën për të drejtat e lirinë e  Kosovës. Baba Ukë, kur njihet me veprimet patriotike të të birit, ndihet shumë krenar për djalin e tij dhe shprehet: “… nëse vdes, mos më qani. E di se cfarë djali po lë për mbrapa”. Kurse nëna e tij e regjur nga pesha e viteve, si në legjenda uron :“Bir, hallall gjirin që të kam dhënë!” Kështu Shpendi mblodhi shokë rreth vetes dhe të bashkuar mbushën malet. Parulla e çlirimtarëve ishte: “Besa - besë, besën të kemi dhënë, për Kosovën jetën kemi me dhënë” Serbët bien në gjurmët e komandant Shpendit dhe vijnë e kontrollojnë tek shtëpia: “Ku është UCK –ja? -  pyesin ata të xhindosur. “Në male – u përgjigj plaku i vendosur”. Kjo është vendosmëria e shqiptarit se nga malet do të zbresë një ditë liria. Kalimthi preket në novelë edhe strehimi dhe mikpritja bujare që u bënë në Shqipëri dhjetra, mijëra shqiptarëve nga Kosova të përndjekur nga lukunia shfarosëse serbe. Strehon në Kukës Shpendi familjen dhe kthehet përsëri në ballë të luftës. Një snajpër serb e godet në ballë komandant Shpëtimin, ose profesor Shpendin siç e thërrisnin të gjithë. Fjalët e tij të fundit ishin ato që i thonë çdo zemër shqiptari të Kosovës martire të etur për liri: “Jo kështu, më lini të shkoj i qetë në përjetsi. Ju duhet ta vazhdoni luftën edhe pa mua. Profesor Shpendi i mbylli sytë.  Vazhdimësi e luftës për liri dhe ripërtëritja e jetës jepet jo vetëm nëpërmjet fjalëve të Shpendit por edhe në faktin e lindjes se një djali në familje, pas vrasjes së babait Shpend: “I vetmi gëzim ishte se në këtë familje lindi djalë. Ky ishte djali i Shpendit një burrë i ardhshëm, i cili do të shkojë në rrugë të babait dhe gjyshit”. Me këtë krenari dhe vazhdimësi jete mbyllet novela e parë, “Shpendi, shpëtimi i maleve”.

Dhunimi serb ka arritur kulmin, deri aty sa ti lejë fëmijët jo vetëm pa liri, e pa shkollë, por edhe pa bukë. Bukë që të mbajnë shpirtin gjallë. Ndaj vetëm këtë nuk duron dot Bedriu, personazhi kryesor i novelës “Gjurmët e qëndresës”. “Babi, ne ende nuk kemi ngrënë darkë, -thanë fëmijët e uritur. Kjo për Bedriun ishte si ti bie mbi kokë kulmi i shtëpisë.” - shkruan autori thjeshtë me fjalë zemre që hapin plagë. S’ka më rëndë se sa të jesh në vendin tënd dhe mos të gjesh një punë sa për të ushqyer fëmijët, të kesh gruan sëmurë dhe të mos kesh lekë për të blerë as  ilaçe, të sakrifikojë jetën vëllai për motrën që të paktën të jetojë një gojë më pak. “Një gojë më pak bukë dhe shpresoj se do të shërohet  Egzona dhe nuk ka nevojë për barëra”- shkruan autori për Rinorin dhe pastaj vdes nga infrakti.

Tema e solidaritetit është trajtuar me doza kuptimplote. Kjo shfaqet jo vetëm në ndihmën që i japin shokët e miqtë, familjes së bacës Ukë, kur vritet Shpendi dhe dhëmbja për vrasjen e Albanit në luftë, por edhe në interesimin dhe kujdesjen e Xhevatit për Bedriun, për t’i siguruar atij  punë e për të mbajtur familjen gjallë me bukë. Shpendi dhe Albani merren me inkuadrimin në radhët e luftës. Ata bien në betejë, për të lënë amanetin e fundit e që mbeten mes shokëve e të afërmëve në kujtimin e tyre. Një tjetër detaj, që mbetet i ndjeshëm i trajtuar me finesse, është lidhja e Albanit me Tringën, sidomos letra që i shkruan Albani në çastet e fundit para vrasjes.  Ajo lidhje dashurore dhe letra e shkruar me ndjenjë  janë si një fllad pranveror që fryn mbi plagët e luftës për liri, parfum gjaku në tymin e betejave kundër makinës shoviniste serbe.

Arsim Halili ka krijuar një personash të ri në prozën shqiptare të  trojeve etnike Të Luginës së Preshevës dhe Bujavnocit, larg futurizmit e egzotikës, e mbi të gjitha  komunikon me thjeshtësi me lexuesit, por gjuha hera herës mbytet në një stil publicistik. Duhej shmangur nga ana e autorit deklamimi i thatë në trajtimin e temës, për t’i lënë më shumë hapsirë nënkuptimit të mesasheve nëpërmjet një funksionimi elokuent figurativ e gramatikor. Gjithashtu të kishte më shumë përshkrim artistik të natyrës dhe ndjesive për një proze konçize.

Novelat e autorit Arsim HaliliShpendi, Shpëtim i maleve”,“Gjurmët e qëndresës” dhe “Rrugë me gjemba”, përcjellin mesazhin kuptimplot se liria dhe demokracia nuk duan vetëm këmbëngulje e rezistencë popullore, por edhe gjak. Dhe kjo nuk u ka munguar asnjëherë shqiptarëve të trojeve etnike.