E enjte, 18.04.2024, 05:51 PM (GMT+1)

Kulturë

Cikël poetik nga Lutfi Alia

E marte, 01.05.2012, 12:15 PM


PRINDËRORE 

-Cikël poetik, nga prof dr Lutfi Alia-

Djali i Martaneshit =Plaku i Sienes

NËNA

Është plakur nëna ime
me vitet kaluar në male mundimesh,
rreth saj pa mëshirë shtërngohet koha,
në flokët ka lënë gjurmë të bardha,
e nën peshën e rëndë të viteve,
është zvogëluar nëna ime,
por brenda gjoksit të saj të vogël,
zemra ka mbetur e madhe,
e mban brenda gjithë botën.

Me duart e saj ka arnuar jetët tona,
të lodhura nga varfëria e ëndërrat e thyera,
ndërsa qante fshehurazi e në heshtje,
me shikim të ëmbël vështronte të ardhmen,
kërkonte ta pasuronte fëmijërinë tonë, 
midis pafajësisë dhe nina - nanave,
dhe butësisë së saj,
që veç meje askush nuk e njeh.

Tani që është bërë e vjetër,
herë pas here harron diçka,
e zëmëruar grindet me vetveten,
në përhumbje flet me rrezet e diellit,
që hyjnë nga dritarja e hapur;
e i pengohen nëpër këmbë,
ndërsa në mbrëmje pas lodhjes së gjatë,
me buzeqeshje plot jetë,
mendueshëm veshtron nga qielli,
flet me hënën dhe me yjet,
e kur unë e vështroj nga larg,
vezullon si një dritë e vogël në horizont.
                 ./.

ELEGJI PËR NËNËN

O nënë, o nëna ime!
Ankthi më mundon,
kur shoh vuajtjen tënde.
dhimbjen e trupit të sëmurë,
që Ti, ma mbajte fshehur,
e unë nuk arrija ta largoja. 
...
Shikimi,
t’u këput në rrugën e heshtjes.
Zëri,
mbeti i mbytur brënda shpirtit tënd.
Fjala,
t’u ndal ndërmjet buzëve,
dhe në kurmin tënd të mbetur,
i veshur i teri me dhimbje.

Drita e fundit,
u shua nga sytë e mbytur në errësirë.

Qerpikët,
 ngrinë nga jeta e shuar,
u lagen nga i fundit lot i nxehtë,
që rrodhi nga vështrimi tënd i vrarë,  
i syve të tharë nga malli për fëmijët.
                       ...!
         Prej kohësh qëndron larg në bardhësi,
nga kaltersia zbret në heshtjen tende,
ne agimet e çdo dite që lind,
të shoh duke pëshpëritur në vetmi
kryqëzuar me dritën, veshtrimi yt i ëmbël.
                   ./.
BABAI

Ishte jeta e babait tim,
që nuk e jetoj ashtu si e dëshironte.

Herë e ndjente të kalonte,
si një fllad i lehtë ere të ngrohtë,
që shpërndante rreth aromë lulesh.

Herë të tjera,
e mbushur me mundime,
jetë e lodhur
me shpresa përherë të vrara,
e me plot vuajtje,
jetë, që kurrë nuk e rregulloj si dëshironte.

Ishte jeta e babait tim,
e jetuar me çaste përkëdhelëse,    
por shpesh e lënduar nga ëndërra të thyera,
dhe tani e ndërprerë në mes të rrugës.

Ishte dhimbja,
tinezisht e e kapi trupin e tij të sëmurë,
por ai e mbante të fshehur,
të  mos e ndjenim dhe ne femijët e tij.
 
Babai im e dëshironte jetën,
por e dinte mirë
se jeta shpesh,  padrejtësisht,
të merr më shumë,   
...e të dhuron më pak. 
 
Ishte kujdesi dhe dashuria,
që na përkushtonte të gjithëve së bashku,
para syve të Tij ëndërrimtar,
ku shkëlqente një rreze drite,
...për të ndriçuar jetët tona. 
 .
Ishte babai,
miku im më i mirë,
që më qëndronte pranë,
më shtërngonte dorën kur ndjehesha vetëm,
me jipte dritë në çaste të errëta,
e më udhëhiqte, (edhe) kur humbisja rrugën!
 
Tani shtëpia e jonë është e shurdhët,
nuk i ndjejmë hapat e tij të rëndë,
nuk dëgjojmë zërin e tij burrëror,
nuk e shohim vështrimin e tij të butë,
as buzëqeshjen e shprehur në çdo gjuhë.
Na mungojnë sjelljet e tij atërore,   
që gjithmonë mbanin nën kontroll,
shpirtat tonë rrebelë.

 ...!
Ishte dikur babai.

E tani, mes nesh,
ka mbetur,
dhimbja për babain.

Dhe kujtimi i babait,
 në dhimbje.
         ./.
(Dorëzuar për botim nga redaktori ynë në USA, Zeqir Lushaj, - 1 maj 2012)



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora