Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Arben Puto: Shqipëri-Kosovë, dy pjesë të një kombi

| E hene, 30.04.2012, 11:52 AM |


Kosova dhe Shqipëria, ndonëse dy shtete të pavarura, janë pjesë të një kombi. Kështëu shprehet studiuesi i njohur i historisë, prof. Arben Puto, në këtë intervistë, ndërsa shton se, si të tilla, këto dy vende duhet të integrohen gjithmonë e më shumë. Historiani Puto e cilësoi ndarjen mes dy shteteve si konjukturale dhe thekson se zgjidhja është bashkimi i kombit në një bashkësi të vetme. Në këtë intervistë, akademiku i njohur ndalet, në mënyrë të veçantë, në momentet më të rëndësishme në këto100 vjet, duke analizuar ngjarjet që sollën ditën e shënuar të Pavarësisë, krijimin e shtetit shqiptar, Revolucionin e Qershorit, vitet e drejtimit të Mbretit Zog, krisjen e marrëdhënieve me Greqinë, çlirimin dhe Pavarësinë e Kosovës. Puto thekson se 100-vjetori i madh i Pavarësisë duhet të shërbejë si një moment reflektimi  i së shkuarës, si mjet i domosdoshëm për ecurinë e fatin e vendit. Ai vë theksin te bashkëpunimi dhe solidariteti mes politikbërësve, për të arritur marrëveshje të mëdha, në dobi të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Profesor, kohët e fundit, në prag të përvjetorit të 100-të të Pavarësisë, ju keni hedhur tezën se, shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, më shumë se një produkt i diplomacisë së Fuqive të Mëdha, është rezultat i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Si e argumentoni?

Teza që e bëri Pavarësinë e Shqipërisë si produkt i diplomacisë evropiane është një tezë spekulative, e përhapur, në radhë të pare, nga qarqet zyrtare të shteteve fqinje. Në të gjitha konferencat ndërkombëtare që kanë trajtuar çështjen shqiptare, kjo tezë, bashkë me tezën tjetër të “paaftësive të shqiptarëve për vetëqeverisje, për të krijuar shtet”, janë përdorur si argumente për copëtimin e trevave shqiptare. Me rënien e perandorisë osmane, me dëbimin e Turqisë nga Ballkani pas luftës ballkanike, veçanërisht Serbia dhe Greqia e quajtën një moment të përshtatshëm, një okazion për të realizuar synimet e tyre ekspansioniste. Trevat shqiptare duhet të ishin “plaçkë lufte”, si shpërblim për fitoren kundër Turqisë.

Siç dihet, gjendja e krijuar në Ballkan pas disfatës së Turqisë ka qenë objekt shqyrtimi në Konferencën e Londrës, të Fuqive të Mëdha, që zhvilloi punimet në vitin 1912-1913. Përfaqësuesit e Serbisë dhe Greqisë, gjithë aktivitetin e tyre e përqëndruan të synimi për të marrë tokat shqiptare. Ata patën, veçanërisht, përkrahjen e Rusisë. Konferenca e Londrës nuk i kushtoi vëmendje lëvizjes shqiptare. Ajo u pajtua me këto teza, dhe, për pasojë, u la fushë të lirë pretendimeve serbe dhe greke. Si rezultat, u krye një padrejtësi e madhe kundër kombit shqiptar.

Tokat shqiptare dhe të banuara nga shumica shqiptare u cunguan rëndë. Serbia mori Kosovën, Greqia mori Çamërinë. Sipas një shprehjeje të shtypit shqiptar të kohës, Shqipëria mbeti “dy pëllëmbë e gjatë dhe një pëllëmbë e gjerë”.

Një padrejtësi tjetër, që lidhet pikërisht me gjoja “paaftësinë e shqiptarëve për vetëqeverisje”, ka qenë mosnjohja e faktorit kombëtar shqiptar në organizimin e shtetit të ri. Nuk e njohën as Shpalljen e Pavarësisë nga Kuvendi i Vlorës, as Qeverinë e Përkohshme të dalë prej tij. Qeveria e Përkohshme, e kryesuar nga një burrë shteti si Ismail Qemali, do të ishte bërthama e natyrshme e krijimit të shtetit të ri. Por, Fuqitë nuk e njohën. Ato nuk njohën, as vendimin e Kuvendit të Vlorës, as Qeverinë e Përkohëshme.

Pra, nuk njohën fitoren historike të Lëvizjes Kombëtare. Ato organizuan një shtet të uzurpuar prej tyre. Krijuan Principatën e Wied-it, një krijesë e rreme, e sajuar, që nuk hodhi kurrë rrënjë në realitetin e vendit.

Si konkluzion, Pavarësia e shpallur nga Kuvendi i Vlorës, më 28 Nëntor 1912, dhe Qeveria e Përkohshme ishin rezultat i përpjekjeve kombëtare shqiptare. Principata e Wied-it ishte produkt i diplomacisë së Fuqive të Mëdha.

Si e vlerësoni ju rolin e rilindasve në krijimin e shtetit të ri shqiptar?

Rilindja shënon zgjimin kombëtar të shqiptarëve, të ndrydhur për pesë shekuj nën sundimin turk. Rilindasit Sami Frashëri, Naim Frashëri, Vaso Pasha, Ismail Qemali etj…, ishin prekursorë të Lëvizjes Kombëtare, që do të çojë në shpalljen e Pavarësisë. Pavarësia nuk ka qenë projekt imediat. Ismail Qemali kishte fillimisht, një projekt tjetër, atë të transformimit të Perandorisë Turke në një bashkësi kombesh të barabartë, të organizuar sipas parimeve kushtetuese moderne evropiane. Perandorinë e reformuar, Rilindasit e quanin një strehë përballë rrezikut të coptimit të trevave shqiptare nga shtetet fqinje, ashtu sikurse ndodhi më vonë.

Rilindja del në dy dimensione: së pari, si taban i lëvizjes kombëtare; së dyti, si një bërthamë e artë e kulturës kombëtare.

Në këndvështrimin tuaj si studiues, cila ka qenë rëndësia e periudhës së pasluftës I-rë, vitet 1920-1924?

Së pari, këtë periudhë unë e kam karakterizuar si një eksperiment pozitiv në organizimin e jetës politike, mbi bazën e pluralizmit politik dhe të parlamentarizmit.

Ajo që ka më shumë rëndësi të vihet në dukje, në këtë periudhë, është Kongresi i Lushnjes, i janarit 1920. U krijuan disa parti politike me orientime dhe programe të pa qarta. Ishte një, parlamentarizëm i brishtë, i karakterizuar nga një gjendje e pastabilizuar. Nuk vonon shumë, dhe kjo gjendje nxjerr në shesh tendenca diktatoriale. Ahmet Zogu zuri postin e Ministrit të Brendshëm në qeverinë e dalë nga kongresi dhe u afirmua si “dorë e fortë”. Kjo shkaktoi reagimin e krahut liberal, që u materializua me Revolucionin Demokratik të qershorit të 1924-ës. U formua qeveria e Fan Nolit, dhe Ahmet Zogu u detyrua të strehohej në Beograd. Ishte një qeveri e “majtë”, dhe, si e tillë, ajo ra në një izolim të plotë ndërkombëtar, që përcaktoi krizën dhe rrëzimin e saj në dhjetor.

Rikthimi i Zogut, me ndihmën jugosllave, shënon fillimin dhe konsolidimin e diktaturës së tij personale.

Kongresi i Lushnjes ka rëndësi të madhe nga pikëpamja e rolit vendimtar të faktorit të brendshëm në organizimin e Shtetit. Kongresi hapi një faqe të re në historinë 100-vjeçare të Pavarësisë. Aty krijohet shteti shqiptar mbi baza kombëtare, duke i dhënë fund ndërhyrjes së faktorit të jashtëm në qeverisje.

Në programin e qeverisë së re ishte edhe mbrojtja e integritetit territorial. Kjo pati si pasojë konfliktin me Italinë, që zinte një pjesë të madhe të territorit, bashkë me Vlorën. Këtu shkruhet një nga faqet më të lavdishme të historisë, epopeja e Luftës së Vlorës, që e detyroi Italinë të tërhiqej, në gusht 1920.

Në dhjetor të vitit 1924, Zogu erdhi sërish në pushtet dhe e drejtoi shtetin shqiptar si president, e më pas, si mbret, deri në fillim të Luftës së Dytë Botërore. Cili është qëndrimi juaj për këtë periudhë të gjatë qeverisjeje?

Janë 15 vjet, periudha më e gjatë pas Shpalles së Pavarësisë, deri në agresionin fashist  më 1939. Rikthimi i Zogut në pushtet mori formën e Republikës, me Zogun president (1925), dhe pastaj u vendos Monarkia me Zogun mbret.

Kjo periudhë ka dy anë. Në pikëpamje të shtetit, pushteti i Zogut ka si meritë kryesore  konsolidimin e themeleve të shtetit kombëtar, palë e pavarur në marrëdhëniet me shtetet e tjera. Krijohen institucionet në nivel qendror dhe lokal. Përpunohet një legjislacion mbi bazën e modeleve evropiane, që e ndan vendin nga legjislacioni oriental turk. Ndërtohet një rend  politik i qëndrueshëm në të gjithë vendin. Shtet laik, në një vend multifetar. Zhvillimi i arsimit  mbi themelet e kombësisë.

Në pikëpamje të regjimit, u vendos një diktaturë personale, veçanërisht në Mbretëri, dhe një pushtet i mbështetur në një rreth të ngushtë bejlerësh e çifligarësh; një shtet me natyrë agresive që zbaton gjerësisht dënimin me vdekje. Parlament fiktiv dhe zgjedhje të manipuluara. Korrupsion i kapur në të gjitha nivelet, duke përfshirë edhe vetë Zogun që ka ambicjen e pushtetit dhe të pasurisë. Shpërdorim masiv fondesh për Mbretin dhe oborrin e tij, kur vendi është i zhytur në varfëri. Politika e jashtme është e përqëndruar në marrëdhëniet me Italinë, e cila merr koncesione politike dhe ekonomike me shpërblimet që Zogu merr “nën dorë”, “Shqipëria në një aferë ekskluzive të interesave italiane.” Përfundimi logjik: pushtimi i vendit nga Italia fashiste, më 1939.

Profesor, në librin tuaj “Lufta Italo-Greke: Diktatorë dhe Kuislingë”, ju argumentoni se është lufta Nacional-Çlirimtare ajo që shpëtoi Shqipërinë dhe shqiptarët nga një coptim i dytë. Disa fjalë rreth kësaj ideje…

Dihet, se lufta italo-greke, tetor 1940 - prill 1941, përfshin edhe Shqipërinë. Ishte qeveria kuislinge që e futi në luftë. Qeveritë kuislinge, bashkëpunëtore të pushtuesit, ishin një fenomen i përhapur në Evropë gjatë Luftës së Dytë.

Qeveria kuislinge e Tiranës e justifikonte bashkëpunimin me Italinë, në agresionin kundër Greqisë, si një okazion i  rrallë që i jepej kombit shqiptar për të ndrequr padrejtësitë e të kaluarës dhe për të realizuar ëndrrën e shtetit kombëtar, për të krijuar “Shqipërinë e Madhe”.

Kështu, në aktin e shpalljes së luftës kundër Greqisë vinte firmën dhe qeveria kuislinge. Greqia u përgjigj me shpalljen e luftës, jo vetëm kundër Italisë, por edhe kundër Shqipërisë, të cilën e konsideronte, jo si vend të pushtuar, por si aleate të Italisë agresore. Në Konferencën e Paqes të vitit 1946, Greqia përdori si argument pikërisht kolaboracionizmin për të kërkuar Shqipërinë e Jugut. Atë e shpëtoi vetëm rezistenca antifashiste, Lufta Nacional-Çlirimtare që e rreshtoi Shqipërinë në radhët e Aleancës antifashiste. Nuk ishte e rastit që Greqia e rreshtonte  pjesëmarrjen e popullit shqiptar në luftën e fuqive të Boshtit dhe mbështetej vetem te veprimtaria e qeverive kolaboracioniste.

A e shikoni të mundshëm realizimin e ëndrrës së dikurshme të shqiptarëve për të krijuar “Shqipërinë e Madhe”, bashkimin me Kosovën apo me trevat e tjera shqipfolëse, në kushtet e sotme, krejtësisht të reja, të integrimit euroatlantik? Si mund të jetë sipas jush ky bashkim?

Shekulli i Pavarësisë do të festohet edhe për ngjarjen e madhe të kombit tonë, për çlirimin e Kosovës nga zgjedha sërbe. Të kujtojmë si filloi me shkëputjen e Kosovës, të kremtojmë daljen e saj më vete si shtet i pavarur.

Jemi dy pjesë të një kombi. Ishte një ndarje koniukturale, që i ngjan dy shteteve gjermane. Ka vetëm një zgjidhje: bashkimi i kombit në një bashkësi të vetme.

Çfarë i kanë dhënë Shqipërisë këto 100-vjet Pavarësi, dhe si duhet festuar ky jubile?

I kanë dhënë shumë. Kemi shtetin tonë të pavarur kombëtar. Me gjithë rreziqet dhe  ndërhyrjet e dhunshme Pavarësia është rikthyer, u shpëtua. Shqipëria ka dalë nga një  ndrydhje, errësirë shekullore dhe ka zënë vendin që i ka caktuar gjeografia me sytë e drejtuar  kah qytetërimit perëndimor. Janë realizuar vlera të mëdha në shumë fusha. Kemi kulturën dhe arsimin tonë. Janë ngritur universitete e institucione të larta. Tirana, nga një fshat është bërë metropol…

Kemi të drejtë të kremtojmë 100- vjetorin, por edhe të reflektojmë. 100-vjetori e gjen vendin që ka kaluar pragun e demokracisë, por nuk e ka arritur objektivin. Gjendja është e pastabilizuar, nën goditjen e një antagonizmi të skajshëm. Tranzicioni është i gjatë dhe i vështirë. 100-vjetori na gjen në mes të rrugës. Të shpresojmë, që ky përvjetor i madh, të  na nxisë e të na frymëzojë për bashkëpunim dhe solidaritet, për marrëveshje, si mjet i domosdoshëm i përparimit drejt shtigjeve të reja. Ky është mesazhi i 100-vjetorit të Pavarësisë.

Intervistoi: Elvin LUKU