Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kristaq Turtulli: Eh, jetimet..!

| E diele, 29.04.2012, 12:04 PM |


Kristaq Turtulli

FRAGMENT nga romani:" SYRI I RITES", pjesa e pare e trilogjise:" HIDHESIA E PUTHJES"

KAPITULLI  I  TREMBËDHJETË

Eh, jetimet..!

Tre vite shkolle në qytetin bregdetar rrodhën shumë shpejt. Një mëngjes korriku Rrezearta Taneshi mori trenin dhe autobusin e linjës dhe u gjend sërish në qytetin juglindor, në rrugicat e pastra me kalldrëm, shtëpitë karakteristike. Ajo la pas ledhatimin dhe hungërimën e detit plak, bukuroshen e heshtur të amfiteatrit. Miqësinë e lagësht, të lyrshme të Koci Troko peshkatarit.

Vështroi trishtueshëm, përzierë me nervozizëm dhomën e zhveshur, të ftohtë, gati të neveritshme, me tre shtretër hekuri, gati të ndryshkura, me susta të dobësuara, vende- vende të këputura  të shtëpisë së fëmijës.

Rrezearta u drodh. Korridoret dhe dhomat i u dukën jashtëzakonisht të ngushta, të pista, të pështira, fëmijë që vraponin zbathur në çimentot e ftohta të korridoreve. U kapërdi me vështirësi, gjurmët e fëmijërisë së saj gjendeshin të flakura nëpër korridore njëlloj si këta fëmijë vobektë që zhgërryhen shkujdesur bythëjashtë. Mendoi se duhej të merrte vendime më të mençura, të hidhte hapin e parë të jetës së re. Nuk ishte më një çupëlinë e pa vlerë, por vajzë e pjekur me shkollë profesionale tre vjeçare. Njihte shumë gjëra mbi mekanikën e duhet të gjente punë për të nxjerrë vetë bukën e gojës dhe një dhomë ku të fuste kokën.

Drejtoresha e mirë Kalandra Lapi s’ishte më. Zyra e saj në krahun e djathtë

 

të korridorit, gjendej në rrëmujë të plotë, libra të flakura gjithandej, tavolina e thyer dhe e përmbysur, pezhishka të vjetra, të nxira dhe merimanga që tirrnin rrjetat e holla qosheve të dhomës. Kalandra Lapi u pushua nga puna disa muaj më parë, pëshpëritej se i qe pushkatuar i shoqi dhe Kalandrën e urtë e urdhëruan të ngarkonte plaçkat në një kamion të hapur. Sytë e saj ishin të rrëmbushur prej lotëve, puthi e mallëngjyer të gjithë fëmijët jetimë një nga një, ndërsa hetuesia e morri për provokim të rëndë dhe u hap një dosje e re. Policët i thoshin të shpejtonte se kishin rrugë të gjatë për të bërë, ajo dëneste. Kalandrën e internuan në skajin më të largët të vendit.

 

Përballë derës së prapme të vjetër, të shtëpisë së fëmijës, të mbuluar prej ferrave dhe drizave, vajza mbajti këmbët në mes të rrugës së ngushtë. Minjtë dhe hardhucat shushurinin nëpër barishte. Një nepërkë e vogël zgjati kokën diku tej, sytë e vegjël të xhamtë të zvarranikes përgjonin, qëndronin pa lëvizur. Nepërka zgjati gjuhën e hollë, Rrezearta lëvizi instinktivisht, vështroi përdhe mos gjente ndonjë gur. Zvarranikja e ndjeu rrezikun dhe u fsheh mes ferrave.

Duhej të shkëputej sa më shpejt prej rrëkmës, gërdallës, shtëpisë së gërmuqur të fëmijërisë dhe qurravecëve të vegjël, të cilët ia bënin kokën daulle. Të dyja këto çështje të rëndësishme të jetës së saj nuk ishin të lehta për tu zgjidhur. Në radhë të parë: duhej të bënte kërkesa dhe lutje në zyrat e komitetit të strehimit dhe të punësimit.

Shtëpia e fëmijës vazhdonte ti jepte një copë bukë, por nga dita në ditë i bëhej sikur buka i ngelej në fyt, bllokonte frymën. Shtrati i vjetër me susta të deformuara, i dërmonte trupin, nuk bënte gjumë të qetë.

Përgjegjësja e turnit Eli Begolli i dilte gjithnjë përpara, e ndiqte heshtazi me sytë e vegjël. Rrezearta hidhte shikimin mënjanë. Nuk e kishte dashur asnjëherë Elin, por edhe Eli e vështronte me indiferentizëm, e përshëndeste ftohtë, gati me urrejtje. Ndoshta për faktin se Rrezearta vite më parë, kur ish fëmijë e vogël, dhe bridhte përhumbur vrimave dhe vërrushkave të shtëpisë së fëmijës, gjeti Elin në katin përdhes krejt lakuriq duke bërë seks me Halit kaldajistin.

Vogëlushja Rrezeartë mbajti këmbët, lëvizi kryet si miushe dhe ngriti mjekrën e lart, qëndroi e shtangur, fërkoi sytë, ish vetëm pesë metra larg tyre. Të dy ishin të shkalafitur.  Klithma e eksituar të Elit e trembi vajzën e vogël. Dreq kaldajist e shtypte pa mëshirë Elin, me trupin e tij sa një buall. Vajza vuri dorën në gojë, sytë iu çakërritën , ç’po ndodhte në katin përdhes! Haliti po i merrte shpirtin përgjegjëses së turnit Eli Begolli.

Haliti i ndërkryer tundej, shkundej dhe shfrynte, gruaja e mjerë, zhveshur lakuriq klithte me të madhe, vuante. Vogëlushja vështronte e nemitur shpinën e shëndoshë, ezmere të kaldajistit dhe trupin e bardhë, të shkapërderdhur, lakuriq të Elit. Gruas sytë i ishin kërcyer dhe rënkonte me siklet të madh. Oh nëne, lebeti! Sa njeri i keq ky Halit kaldajisti! Nuk kish fare mëshirë!

Për habinë e fëmijës, Eli Begolli syçapëlyer i bënte vogëlushes lëvizje të çakërdisura me dorë, duke i thënë:

‘-Ik mistrece, nga i theve këmbët dhe zbrite këtu! Ik!’

Haliti e kishte mbërthyer keqas, si në mengene, me duart e tij si panxha ariu, femra nuk mund të lëvizte dot që të shkëputej prej tij. Gjithashtu dhe vajza e vogël e hutuar, nuk shkulej prej vendit. Aty ishte tmerrësisht nxehtë, zjarrmi, gjithandej avull, lagështirë, turbullirë. Një tub në qoshe të bodrumit ishte çarë dhe avulli dilte me fishkëllimë. Halit kaldajisti shtrëngo, pompo dhe të dy rënko.

‘-Qërohu qurrashe, mbushu,’- ia bënte me dorë Eli dhe vazhdonte ofshamën me zë të lartë. Palla e Halitit i bllokonte frymëmarrjen. I dhembte por njëherësh i shkaktonte kënaqësi përvëluese.

Fëmija qëndronte e ngrirë, duke thithur gishtin e madh. Kërleshja e të mëdhenjve e hutoi vajzën e vogël. Kacafytje e çuditshme, pa inate, vetëm me rënkime.

Eli i vuri duart në shpatullat e shëndosha të Halitit  për ta larguar nga vetja. Po ku shkulej kaldajisti? Ai mezi e kish pritur këtë moment të shtrenjtë e kush nuk e lakmonte Elin e kolme, të ndezur, të dëshiruar...

‘-Lëviz tutje Halit,’- i pëshpëriti Eli me zë të ulët e të ngjirur: ‘-Një shushkë fëmijë, është gremisur këtu pranë dhe na vështron syshqyer. Qëroje prej këndej.’

Haliti duke shkrofëtirë si derr, rënkuar, sharë, lëvizi, u shty pak më tej dhe ngriti pantallonat. Eli e skuqur dhe shkalafitur lëvizi në të ndenjura dhe u mbulua me shpejtësi, me mantelin e gjatë ngjyrë portokalli.

Haliti i ndërkryer, epsh papërfunduar, mbërtheu për krahu me inat vajzën e vogël e ngriti peshë, si të ishte deng i vockël leckash, me mëri të hapur e shkundi me inat sa andej këndej dhe e nxori përjashta. Rrezearta  nuk bëri asnjë kundërshtim ose ankim, as nuk qau edhe pse pëllëmba e madhe e ashpër e kaldajistit i lëndoi krahun dhe shpatullën. Qëndroi përpara derën së mbyllur të bodrumit pa hequr gishtin nga goja. Vonë u kujtua të lëvizte e të ngjitej lart, krahu i dhembte, shpatulla i shponte.

Prej asaj dite Eli Begolli e urrente vajzën e vogël e cila fuste hundët ngado. Mistrecja si një mackë kobashe, shtyhej pengohej dhe krijonte shqetësime të panevojshme. Njëherësh Eli e vëzhgonte, i druhej llapës së papjekur të çupëlinës. I bërtiste me shkak dhe pa shkak, kur përlyhej me dhera dhe me baltë dhe e qëllonte me pëllëmbë pa hezituar në bythkat e vogla.

Rrezearta e hodhi shpejt prapa shpine  ndodhinë në bodrumin e shtëpisë së fëmijës. Ajo nuk bisedoi me njeri. Mendja e saj bridhte në të tjera shtigje. Ngandonjëherë kacafytjet e të mëdhenjve i dukeshin të çmendura, të pamëshirshme, kafshëri.

Eli Begolli nuk u harbua më me Halil kaldajistin, nuk kishte kuptim, paçka se ezmeri i lutej, me dorë në zemër, ti jepte një çikë ngrohtësi. Ajo ish e pashme, provokuese, bardhoshe e kolme, lakmuar prej të tjerëve, shumë shpejt gjeti monopate të tjera, më të rëndësishme.