E enjte, 25.04.2024, 12:23 PM (GMT+1)

Editorial » Mehmetaj

Gani Mehmetaj: Patriotët tagrambledhësit pushtojnë Perëndimin (II)

E shtune, 28.04.2012, 02:15 PM


Zvicerania i hakërrohet Lulisë* 

(Vazhdimi i rrëfimit: Patriotët tagrambledhësit pushtojnë Perëndimin)

Nga Gani MEHMETAJ

Kur i përshkuan korridoret e gjata e dhomat e errëta të një azili, Lulinë e kapluan dridhma nëpër trup. Pa aty shqiptarë e romë. Bashkëkombësit e saj paraqiteshin kinse janë romë, duke shpresuar të mos i kthenin në atdhe. Ishin ankuar te zyrtarët vendës për keqtrajtime në vendlindje. Heroina jonë i shihte me dhembshuri e pikëllim. Ia këpusnin shpirtin. Dikur mori rol aktiv, iu bë që nuk mjaftonte dhembshuria e pikëllimi.

U përpoq t’i bindte të ktheheshin. Nisi të moralizonte. - Aty ku jetoni ju nuk ishte jetë, - u tha me dëshpërim.

– Më mirë do ta keni të ktheheni. Qytetet dhe katundet po marrin frymë ndryshe. Atdheu  është bërë kantier i madh ndërtimi, gjithandej rrugë e rrokaqiej,   - u përpoq t’ua zgjonte atdhedashurinë dhe mallin për vendin në frymën e euforisë patriotike.

Ata e shikonin me mosbesim e frikë. Aq u bënte për atdheun, u shihej në sy. I la në baltë atdheu, ia hodhi dushin e parë njëri nga ta. Refugjatët më shumë druanin nga delegacioni mos kishin ardhur të verifikonte të dhënat apo t’i kthenin. Ashtu bënin autoritetet zvicerane në bashkëpunim me zyrtarët e atdheut të saj.

– E ku ta thyejmë qafen, moj motër? - pyeti e pikëlluar një jevge plakë, e rrudhur në fytyrë dhe e zvogëluar nga mosha e varfëria. Të tjerët ia tumirnin fjalët në heshtje me lëvizje kokë.

- Jemi mbytur në borxhe për të paguar ikjen. Nga ajo që shohim e dëgjojmë në televizor nuk ka shenja se do të bëhet më mirë, - ia ktheu një burrë i ri, afër të tridhjetave. Para autoriteteve vendëse prezantohej jevg , por ajo qe e sigurt se ai ishte shqiptar. Pamja fizike ia forconte dyshimin.

Refugjatët vazhduan të renditnin ankesat dhe arsyet pse nuk duhej t’i kthenin, Lulia u bë memece, shihte sa njërin, sa tjetrin. S’kishte asnjë argument për t’i bindur të ktheheshin, s’kishte mundësi t’ua fashiste dëshpërimin. Thellë në shpirt e dinte se ata kishin të drejtë. Po ta pyesnin: na garanton ti që do të jetojmë më mirë, ajo do të ngurronte, megjithëse prapë mendonte se më mirë do ta kishin të ktheheshin e të përpëliteshin me jetën në skamje sesa të jetonin kështu si po rropateshin në azil sot për nesër. Në pamundësi t’i ndihmonte më shumë, ua hoqi frikën duke i siguruar se nuk erdhi për t’i kthyer, as për t’i inspektuar. Më të dëgjuar fjalët e saj refugjatët u shkarkuan nga frika e kthimit.

Pas vizitës të një kampi tjetër i ngjashëm më të parin, dy vizitorët e pazakonshëm: Lulinë e Kreshnikun i ftuan në takim të mbyllur. Në të vërtetë i dashuri i saj ishte pjesëmarrës i simpoziumit për krizat e rajonit dhe për refugjatët. Derisa lëviznin me një kombibus rrugëve e magjistraleve, mrekullohej me rregullin zviceran, peizazhet që ia kujtonin Rugovën, herë-herë Rrafshin e Dukagjinit. Qytetet shkëlqenin nga kamja e pastërtia, katundet dukeshin si të qenë zona turistike. Nëpër qytetet e mëdha njerëzit nxitonin secili në punë të vet, duke vrapuar për të zënë tramvajin, autobusin apo shkelnin nëpër shkallët lëvizëse duke kaluar disa shkallare të mos vonoheshin në punë a takim.

- Jeta ndryshonte nga ajo jona, - më tregonte ajo me një entuziazëm euforik.

– Zvicra është larg nesh, m’u kujtua ato ditë kur më dilte parasysh ndonjë fjalim i zyrtarëve tanë, kur i premtonin elektoratit se do ta bënin atdheun e tyre Zvicër, - qeshte me ironi.

Derisa ajo i bluante përshtypjet nga ajo që pa gjithandej këtij shteti parajsor, sikurse e quante, para u doli një grua energjike, me fytyrë të rrumbullakët dhe sy depërtues të kaltër, që i ngjasonte ministres së Jashtme të Zvicrës, Kalmi-Rey. I priti me mirësjelljen e kultivuar. Kur u rehatuan në karrige ajo ua parashtroi problemet me të cilat ballafaqoheshin:

“Dikur na premtuat se, po t’u ndihmonim, do të ndërtonit shtetin tuaj të mirëqenies, do të kultivonit demokracinë e tolerancën, t’u përmbaheshit parimeve perëndimore të të drejtave të njeriut. Na thoshte dikur lideri juaj karizmatik se i takoni Evropës, prandaj kërkonte trajtim evropian. Ai na përgjëronte ta ndihmonim. Dukej bindes. Të gjithë u angazhuam t’ua heqim zgjedhën. Besonim se e meritonit, - e parashtroi ajo hyrjen për të vazhduar me ton kritikues:

“E dini ju kush janë refugjatët të cilët na sillen nëpër këmbë në qendrat e grumbullimit? Viktimat e menaxhimit të keq të institucioneve tuaja. Ata s’kanë ç’të hanë në viset ku jetuan. Thonë ua shkelni të drejtat elementare, i përbuzni, s’kanë të ardhme. Dikush i kërcënonte natën, për t’ua marr atë pak pronë. Na thanë se ai nuk është atdheu të cilin e ëndërruan. Gjysma e tyre, sipas anketave tona ikën, sepse i persekutoni, meqë nuk menduakan si të tjerët, thuajse të gjithë u dashka të mendojnë e të veprojnë me një kokë.

Tre vjet pasi e shpallet Pavarësinë, grupe militante nga shtetet arabe që i pranuat në shtetin tuaj nisën ta frikësojnë Evropën me kërkesat islamike. Nëse doni të ktheheni në mesjetë, mos e kërkoni ndihmën tonë. Kthehuni, por mos i thoni vetes evropianë. Mos harroni se qytetërimi evropian është qytetërim i krishterë. Këtë duhet ta keni të qartë ju dhe ata që tregojnë muskujt për kinse shumicën myslimane në kontinentin e qytetërimit kristian.

Derisa Lulia djersinte nga sikleti, gruaja vazhdonte: “Ku i keni evropianët që betoheshin  në vlerat e qytetërimit perëndimor? Na mashtruat, apo i frikësuat, duke ua këputur fjalën në grykë?” fliste me hakërrim.

- E shihja e skandalizuar si të kishte zbritur nga një planet tjetër, - më tregonte Lulia e shqetësuar nga fjala e zyrtares zvicerane.

- Gruaja që fliste me zjarr, krejt në mënyrë të pazakonshme për natyrën e tyre, nuk më vërente mua, as të dashurin tim, të cilin e njihte nga takimet e mëhershme. E theksonte kohë pas kohe kur ajo bëri përpjekje të mëdha t’i bindte të tjerët ta mbështesnin. “Pse i jepni shkelm paqes e harmonisë?” E përfundoi zvicerania fjalimin e saj.

Derisa ajo fliste, Lulinë e mbuloi turpi, një ngjyrë i shkonte dhe një tjetër i vinte në fytyrë si semaforët e kryeqytetit, kur çakordohen.

–Kurrë më ngushtë nuk e kam ndier veten. Një herë u përpoqa t’i tregoja që nuk jam faktor politik, por zyrtarja e përflakur, ma ktheu: “E ke gabim! Ti dhe bashkëmoshatarët tuaj jeni vendimtarë ta ktheni atë atmosferë, nuk duhet t’ua lini në dorë të ardhmen pleqve të rrjedhur, apo aventuristëve me financime të dyshimta. Duhet të sillni frymë të re perëndimore, në mënyrë që të na bindni se e keni merituar ndihmën tonë”.

“ Po si?” - i tha Lulia e stepur nga këto fjalë.

“Duhet t’i votoni njerëzit e duhur, jo të ngulni këmbë si mushka për të votuar ata të cilët bashkësia ndërkombëtare i akuzon për krim të organizuar, vrasje pas shpine, korrupsion e gjëra të tjera të jashtëligjshme. Duhet të votoni ashtu si ndjeni e jo pse ua japin nga një thes sheqer apo miell. Duhet ta ruani votën e jo të lejoni t’ua falsifikojnë para sysh. Me hajdutëri nuk u lëmë të hyni në Evropë!” Lulisë i doli një episod i pakëndshëm para sysh kur ia përmendi votën e falsifikuar. Më premtoi se do të ma rrëfente atë insert të hidhur në një rast tjetër. Ndërsa vazhdoi me ligjërimin e zviceranes së këndshme, por të rreptë gjatë darkës që e shtruan për nder të tyre: “Nuk keni njerëz të tjerë të kandidoni? Kot mbarojnë njerëzit universitete për t’ua lëshuar timonin e politikës gjysmanalfabetëve, ashtu sikurse bëni ju? Pse nuk demonstroni kundër kthimit të mesjetës nëpër rrugët tuaja?”, i dha ton të ligjërimit akademik zvicerania e nxehur. “Me çka merren njerëzit tuaj të mençur e të arsimuar: me grindje të ndërsjella? Me të kaluarën që po u bëhet barrë mbi kurriz?”

Lulia ia tumirte çdo fjalë më kokë, ndërsa duke ngrënë darkë nuk e dinte çka përtypte, aq shumë qe thelluar në fjalët e nikoqires. Ajo i premtonte se do t’i kishte të gjitha këto këshilla vath në vesh. Megjithatë nuk ia tha frikën se bashkëkombësit mund të mos e dëgjonin.

Por biondina paksa nevrike vazhdoi me të njëjtin intensitet: “ E dini ju që dikur vinin mërgimtarët tuaj të na kërkonin t’u ndihmonim për hapjen e shkollave shqipe? Dhe ne jo vetëm ua lejuam mësimin dhe ua dhamë hapësirën e inventarin e nevojshëm, por u ndihmuan me para. Sot bashkëkombësit tuaj nuk vijnë të kërkojnë ndihma, as lokale për mësim në gjuhën shqipe, por vijnë me kërkesat t’u lejojmë hapjen e xhamive, thuajse pak xhami kanë turqit e arabët në Zvicër e në gjithë Perëndimin.

“Shkoni në xhamitë që i kemi lejuar”, - ua ktheu përgjigjen zyrtari ynë. “ Ato janë të turqve, e të arabëve”, arsyetoheshin bashkëkombësit tuaj. Meqë zyrtari ynë ishte i informuar, i pyeti: “Në cilën gjuhë i bëni ju lutjet? Në gjuhën arabe, ia kthyen ata të habitur me këtë pyetje. “Atëherë çka u pengon të vazhdoni lutjet në xhamitë turke e arabe, përderisa të parët tuaj të fesë u paskan bindur se Zoti nuk e kuptuaka gjuhën tuaj?”, ua shtroi pyetjen tjetër ai. Dolën të indinjuar bashkëkombësit tuaj, të mësuar të mos u kthehej mbrapshtë asnjë kërkesë, por prapë zyrtari ynë në emër të lirisë së fesë ua lejoi hapjen e një xhamie, i brengosur që shkollat e dikurshme shqipe po mbylleshin, meqë s’paskan nevojë për arsimim plotësues fëmijët e tyre!”.

Në fund zvicerania i tha më përzemërsi: “Me pëlqeu që nuk premtuat për realizimin e këtyre kërkesave, sikurse premtojnë zakonisht politikanët tuaj sa herë takohemi. Por i harrojnë premtimet me të dalë në korridor.

*

Para këtij dushi të ftohtë ajo planifikonte të takonte zyrtarë gjermanë. Por dëshira për t’u takuar me ta e braktisi. Druante se mund t’i hakërroheshin më keq. I dilte parasysh kancelaria gjermane, Merkel, të cilën e kishte idhull. Nuk donte ta kishte përballë dhe të duronte shikimet e saj shigjetuese, apo thumbat që e frikësonin gjithë Evropën. Nuk donte të sillej si nxënësi para mësueses së rreptë, ashtu si silleshin zyrtarët tanë para saj.

–“Në vend të puthnit në faqe ushtarët amerikanë, të cilët u çliruan, u shpëtuan nga zhdukja, ju vratë dy ushtarë të tyre në Aeroportin e Frankfurtit”, i bëhej se do t’i thoshte ajo, ose ndonjë zyrtar tjetër gjerman. “Ishte një rastësi tragjike”, do të mbrohej Lulia si ta kishte përballë zyrtarin. “Rast i vetmuar që e tronditi botën, sepse ju asnjëherë nuk u dolët ushtarëve serbë në aeroport në kohën kur vrisnin mijëra bashkëkombës tuaj”, i jehonte në vesh pjesa tjetër e bisedës së imagjinuar.

Ajo i frikësohej ndonjë zyrtareje gjermane të kreshpëruar si kancelaria Merkel, duke ia numëruar gafat e pafalshme që bënin bashkëkombësit e saj, ashtu sikurse iu hakërrua presidentit serb në Beograd, duke i treguar se duhej të hiqte dorë nga Kosova dhe t’i linte shqiptarët të bënin shtetin e tyre.

Prandaj hoqi dorë nga vizita në Gjermani. Mbase një herë tjetër, e bindi veten,  kur gjermanët të qetësoheshin, e bashkëkombësit e saj të përmirësonin imazhin. Megjithëse e dinte - bashkëkombësit e saj e adhuronin këtë shtet, sidomos babagjyshi i saj në gojë mbante gjermanët.

Lakmonte të merrte rrugë në shtetet e tjera të kontinentit të vjetër, por si do ta ndiqnin pastaj zyrtarët vendës dhe çka do t’i thoshin bashkatdhetarët me status të rregulluar në këto shtete, apo ata mbetur as në tokë, as në qiell me një pasiguri të vazhdueshme.

Çfarë të kërkonte në Amerikë? Amerikanët e çiltër e gazmorë ishin plot entuziazëm. Në  biseda me bashkëmoshatarë të ndryshëm në Facebook kishin lexuar që shqiptarët e adhuronin Amerikën dhe amerikanët. Natyrisht e dinte se zyrtarët amerikanë kishin informacionit tjetër: për korrupsionin, krimin e organizuar, prirjen pushtetore për ngufatje të lirisë së fjalës. Apo mos ia përmendte kush rastet e bashkëvendësve që bënin përbetim kundër Ushtrisë Amerikane në emër të fesë.

Nuk donte të bëhej cak i mllefit si në Zvicër. Ajo shkrihej energjish për shqiptarët dhe territoret etnike, kurse bashkëkombësit e saj bënin budallallëqe njërën pas tjetrës. Në atdhe këto gjëra i vërente më pak, apo mbase mësohej me to si i sëmuri më lëngatën, jashtë atdheut dukeshin sheshazi. E keqja shpejt kalonte oqeanin, e mira depërtonte me vështirësi, iu kujtua një thënie e moçme.

Pavarësisht rasteve që ia prishnin orët e mira, lakmonte të bënte sa më shumë ithtarë. Bashkëkombësit jashtë vendit digjeshin për atdhe. Më nacionalistë ishin edhe bashkëkombësit mesdhetarë që e shijonin kurbetin, pavarësisht nëse jetonin në Greqi ku ndryshonin emër e kombësi, apo në Angli sesa ata brenda atdheut. Kur dilnin jashtë bëheshin mbështetës të kombit e të atdheut, sepse e shijonin demokracinë e vendeve ku jetonin dhe i shihnin përparësitë e shtetit të fortë. Para se të niseshin, më tregonte Lulia, mohonin përkatësinë kombëtare, ose turpëroheshin nga kjo përkatësi, e kundërshtonin bashkimin, ose villnin vrer kundër tij nga bindja se posa të deklaroheshin kështu, shtetet nikoqire do t’i përqafonin me të dyja duart, mbase do të zinin edhe ndonjë mik serb, dhe do t’u thoshin: keni tri dëshira, cilën e doni të parën! Kur mësonin se atyre aq u bënte kjo gjë, të përbuzur e të nëpërkëmbur ishin si të thoshin jam shqiptar, si të thoshin jam grek, niste e u rritej dashuria ndaj kombit.

Duke përsiatur këto mëdyshje hamletiane për shqiptarët në diasporë, kur i propozuan të takohej me bashkëkombës, ajo refuzoi duke gjetur pretekstin sikur është me grip. Herën tjetër, ua ktheu përgjigjen nikoqirëve.

Iku me mallin e bashkëkombësve dhe pa e mbajtur një fjalim të zjarrtë patriotik për të sprovuar aftësitë e veta oratorike dhe patriotizmin e diasporës.



(Vota: 7 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora