E enjte, 28.03.2024, 10:54 AM (GMT)

Kulturë » Mehmeti

Hazir Mehmeti: Vepër me vlerë e studiueses Shpresa Musaj ''Feja e Shqiptareve - konstante përmes kohërave në ndërrim''

E shtune, 28.04.2012, 10:58 AM


Botime të reja nga studiuesit tanë në Austri

Vepër me vlerë e studiueses Shpresa Musaj ''Feja e Shqiptareve - konstante përmes kohërave në ndërrim''

Botohet vepra e studiueses shqiptare në Vjenë, Shpresa Musaj, me titullin

,,Feja e shqiptarëve – konstante përmes kohërave në ndërrim. Toleranca ndërfetare dhe ndërkishtare në Ballkan” nga shtëpia botuese ,,Tectum – Verlag” në Gjermani.

Nga Hazir MEHMETI, Vjenë

Kultura e bashkëjetesës harmonike ndërfetare tek shqiptaret është një karakteristikë tipike shqiptare e pa përsëritshme, te cilën nuk e gjejmë në historinë qindravjeçare te fesë tek asnjë popull apo komb tjetër. Pikërisht këtë tipar madhor, njerëzor, te cilin, siç thotë Autorja, ne si popull dhe si komb e ruajmë ne mënyre të natyrshme në vetvete, studiuesja Shpresa Musaj merr ne shqyrtim dhe analizon në veprën e saj te botuar kohet e fundit ne gjermanisht, ,,Feja e shqiptarëve – konstante përmes kohërave në ndërrim”.

Ajo e shikon këtë karakteristikë si një nga tiparet thelbësore, karakteristike, përcaktuese të identitetit tonë si popull dhe si komb, që i jep atij një vend të veçantë mes popujve dhe kombeve të tjerë si dhe një nder mesazhet më të larta njerëzore që ne transmetojmë tek popujt e tjerë. Kërkon të gjej shkaqet dhe rrënjët e këtij fenomeni të rrallë. Për këtë ajo merr në analizë, një sërë faktesh të nxjerra nga  trajtimi i historisë së feve në territoret shqiptare që nga antikiteti i krishterimit e deri në ditët e sotme.

Arrin në përfundimin, që qëndrimi tolerant i shqiptarëve ndaj feve të ndryshme ka qenë gjithmonë ekzistues tek shqiptaret dhe ka mbetur konstant përmes shekujve. Sipas saj ky fenomen me dimensionin e tij te rralle konstant e ka bazën në vetëdijen e popullit, i cili me mprehtësi të jashtëzakonshme e ka zgjedhur si qëndrim te tij, në përputhje me zhvillimet e botës së tij të brendshme shpirtërore e njerëzore, për te siguruar mbijetesën përmes tallazeve tronditëse që shekujt pa ndërprerje dhe me tërbim të ndezur e të pamëshirshëm përplasën mbi këto troje dhe mbi popullin tonë. Kjo konstantë është një fakt tjetër me rëndësi shumë të madhe: është konfirmim i vazhdimësisë së ekzistencës së popullit tonë në këto vise ku ai ka jetuar që nga kohet më të hershme.

Është rast i veçantë bashkëjetesa në harmoni e katër bashkësive fetare: katoliket, ortodokset, islami sunit dhe bektashinj në një territor të vogël si Shqipëria dhe brenda një kombi. Kjo tolerancë është mekanizmi mbrojtës që populli krijoi për të mbijetuar i detyruar nga rrethanat historike, duke u bërë kështu një tipar identifikues për shqiptarin. Autorja merr ne shqyrtim edhe kushtet në të cilat u zhvilluan  dhe u përhapen fetë e ndryshme: Pozita gjeografike e Shqipërisë mes lindjes dhe perëndimit, predikimi i riteve fetare në gjuhë të huaj, mosekzistenca e një feje nacionale do të ndikonin që të mos thelloheshin bindjet fetare dhe fetë e ndryshme të mos konsolidoheshin në Shqipëri. Feja e re u mor shpesh për t’iu shpëtuar reprezaljeve, për të mbijetuar, por edhe si mjet i ekzistencës ekonomike.

Ne shekullin e 18, kur të gjitha vendet e Ballkanit shikoheshin nga Evropa si vende të prapambetura, Shqipëria do të përcaktohet nga udhëtari kronist i kohës  Manzur Efendi, si vendi që ndodhet më afër Europes në krahasim me të gjitha vendet e tjera e Perandorisë Osmane. Nga hulumtimet e dokumenteve, që studiuesja iu referohet, del se asnjëherë nuk gjejmë tek shqiptarët gjurmë të fanatizmit fetar, që ndjenja e fanatizmit fetare ka qenë gjithmonë e huaj për shqiptarët, dhe se në asnjë kohë nuk ka pasur ngatërresa apo konflikte fetare mes shqiptarëve. Edhe në raportet e konflikteve me popujt e tjerë nuk ka ekzistuar kurrë ideja fetar. Autorja u referohet në studimin e saj një numri të madh faktesh nga literatura gjermane dhe e vendeve të tjera të kohëve të ndryshme, duke filluar që nga fillimet e krishterimit, periudha  e mesjetës, periudha e kohës së Turqisë si dhe kohet e mëvonshme deri në ditët tona. Ajo ka shfrytëzuar studimet e autoreve të tjerë te huaj, te cilët janë mbështetur në shkrimet e tyre në dokumentet napolitane, venedikase, bizantine, turke, prej saj janë shfrytëzuar te dhëna dhe përshkrime të konsujve austriake, francezë, raportet e klerikëve françeskanë, dominikanë, benediktinëve,  të cilët flasin për fenomenin e tolerancës ndërfetare mes shqiptarëve.

Libri përfshin 11 kapituj dhe është in dare ne shume nënkapituj te tjerë, te cilat analizojnë ane te ndryshme te këtij fenomeni, qe nga fillimet e krishterimit, mesjeta, koha e pushtimit osman, e ndare ne periudhën e rilindjes, vazhdon me periudhën e socializmit dhe deri në ditët e sotme. Vëmendja kryesore është drejtuar tek periudha e mesjetës dhe e pushtimit osman ndërkohe qe kapitujt e tjerë është përqendruar ne momentet me thelbësore historike.

Me ketë studim jepet një pamje e plotë e këtij fenomeni të rrallë tek shqiptarët, i shtrire në një hapësire kohore dymijë vjeçare. Një rendësi të veçante merr studimi, për faktin e shkrimit të tij në gjuhën gjermane dhe i ofrohet lexuesit gjerman me njohuri të plota dhe shkencore mbi këtë fenomen që është pothuaj i panjohur për publikun evropian. Por edhe për vete publikun shqiptare merr rëndësi te veçante pasi plotëson njohuri me fakte të reja dhe të bazuara në një literaturë shumë të gjerë.

Përveç kësaj, Autorja bën të mundur përmes fakteve të hedh poshtë pretendimin e disa akademikeve te huaj, të cilët e thjeshtojnë fenomenin e bashkëjetesës tolerante, harmonike nderfetare të shqiptarëve si një zhvillim të kohës së socializmit në Shqipëri. Me precizitet iu referohet fakteve nga  koha e Rilindjes, të cilët e propaganduan me zjarr idenë e bashkëjetesës fetare, që do të bëhej baza e krijimit te shtetit shqiptar, si rruga e vetme e ekzistencës së një shteti në harmoni e paqe. E megjithatë, shkruan ajo, kjo nuk ishte një shpikje e mendimtarëve të Rilindjes sonë kombëtare. Ata vetëm vunë theksin mbi një fenomen ekzistues, i cili prej shekujsh nga vetë populli ishte pranuar si pjesë përbërëse e jetës së tij, e pikëpamjeve dhe qëndrimit të tij mbi jetën.

Shpresa Musaj argumenton në veprën e saj që në këto territore gjenden rrënjët e krishterimit evropian dhe përhapjes së tij në hapësirat evropiane, por njëkohësisht edhe themelet e një fenomeni tepër të rëndësishëm që në kohën e sotme do të përbënte bazën për zhvillimin e përbashkët në një Europë të bashkuar, ku toleranca fetare është e domosdoshme.

 

Shpresa Musaj,

lindi në Patos të rrethi të Fierit, në Shqipëri.  Studimet e larta i kreu në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Gjuhë-Letërsisë. Më vonë përfundoi studimet e magjistraturës në Vjenë ku edhe jeton sot. Kjo është vepra e dytë e studimeve të saj.  Vepra e botuar në gjermanisht “Feja e shqiptarëve...” mund të porositet nga të interesuarit: ISBN 978-3-8288-2693-9 246  pranë “Tectum” Verlag në Gjermani.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora