E premte, 19.04.2024, 05:28 PM (GMT+1)

Kulturë

Flet Prof. Doc. Përparim Hysi

E shtune, 28.04.2012, 10:52 AM


Ja të vërtetat e Toles dhe të Homerit për polifoninë

Albert ZHOLI

Cilat janë mendimet tuaja për dy librat e Akademikut Vasil Tole?

Librat e rinjë të Akademikut, Prof. Dr. Vasil Tole, “Pse qanë kuajt e Akilit” ose ndryshe, “E qara me bote” dhe prejardhja e iso-polifonisë popullore shqiptare, së  bashku me “Fjalorin etnomuzikologjik të muzikës popullore homofonike të Shqipërisë së Veriut”,  janë të tjera kontribute të çmuara të  autorit për njohjen dhe dokumentimin e vlerave autentike të kulturës folklorike shqiptare dhe aspekteve të  krahasuara të  saj. Gjithashtu, këta libra janë plotësim i korpusit të madh të filluar nga autori, mbi trajtimin e faktorëve që kanë bërë    mundur interesin e posaçëm të  UNESCO-s mbi vlera e hershme, të  qëndrueshme e të  thella folklorit shqiptar.

Meqënëse për fjalorin etnomuzikologjik të  muzikës homofonike kam pasur mundësi të shprehem më  parë, unë dëshiroj të  ndalem në veprën e fundit të autorit, “Pse qanë  kuajt e Akilit”.

Çfarë mund të na thoni për prejardhjen e Polifonisë?

Në përgjithësi, muzika folklorike shqiptare e në  mënyrë    veçantë Iso-Polifonia, vijnë  nga thellësia e shekujve si vlera të qëndrueshme e autoritare dhe pikërisht për këtë arsye, gjithmonë ka qenë i domosdoshëm trajtimi i tyre shkencor e i arsyetuar dhe vendi që ka zënë mes kulturave të tjera, gjeografikisht të afërta, por edhe të largëta.

Trajtimi i Vaso Toles lundron pikërisht në këto ujëra. Me një  gjuhë që  është, herë figurative e herë e drejtpërdrejtë, ai dëshmon se Iso-Polifonia shqiptare ka ardhur si rrjedhojë e proceseve shumë të hershme, duke arritur të kapërcejë në rrugëtimin e saj, edhe shumë mendësi e praktika të huaja muzikore dhe të sjellë si rrjedhojë një kulturë të zhvillimeve harmonike me thelb qytetarie e progresi.

Po veçoria e librit “Pse qanë kuajt e Akilit” ku qëndron?

Në këta terma shfaqet edhe veçoria e librit, e cila qëndron në faktin që nuk kufizohet ngushtësisht në pretendimet që kemi pasur deri më tani, për çështje të folklorit e të trashëgimisë, por është një hapje shumë racionale drejt aspekteve të jetës së madhe të njerëzve; drejt arsyetimeve përtej muzikore dhe lidhjeve të  hershme me kulturat e mëdha të Antikitetit.

Për shkak të specifikave të llojit, shumë dukuri të muzikës e të folklorit ne jemi mësuar t’i  spjegojmë ngushtësisht, brenda aspekteve formale e teknike që ofrojnë partiturat muzikore. Ky libër, përkundër kësaj mënyre trajtimi dhe duke pasur në konsiderim të gjitha të dhënat shkencore që vijnë nga studime të shquara për folklorin dhe trashëgiminë, hapet e zgjerohet për t’u afruar e krahasuar me fushat e studimeve tradicionale e moderne të historisë, letërsisë, gjuhësisë, apo edhe drejtimeve të tjera filozofike e sociologjike. Kjo është një nga arsyet që e bën atë të jetë, jo thjesht një libër i vlefshëm për të dhënat dokumentare të  tij, por edhe një libër interesant e i veçantë, i cili është shkruar me një stil të rrjedhshëm e plot pasion dhe dashuri.

Ju thoni se libri përmban detaje, ku qëndrojnë ato?

Në radhën e shumë librave të tjerë që janë shkruar për folklorin e trashëgiminë popullore, “Pse qajnë kuajt e Akilit” është ndër më të mirët që zbërthejnë në detaje të veçanta interesat e gjera njerëzore; këngën dhe vajin e njeriut shqiptar, të cilat shfaqen, jo thjesht si vargëzime notash muzikore, por mbi të gjitha, si shprehje të egzistencës shoqërore shekullore të vetë njerëzve. Në këtë kuadër, aty dallohet qartësisht interesi i veçantë i autorit për të referuar kulturat e mëdha të botës dhe jetën e shqiptarëve në marrëdhënie të ngushta fqinjësore e ndërfqinjësore; marrëdhënie që i krahasojnë dhe i barazojnë ata me konvencionet përfaqësuese të Athinës së Vjetër apo të Romës, etj.

Vepra e Toles dhe vepra e Homerit…..

Në thelb, synimi i autorit nuk ka qenë që ta shkrijë strukturën e lashtë Iso-Polifonike me  veprën e Homerit, apo edhe të zbulojë prej saj, vlera të panjohura të këngëve polifonike apo atyre të vajit. Qëllimi i tij ka qenë që kjo vepër të referohet në një përmasë të munguar më parë; dhe jo thjesht si dokument i rëndësishëm i historisë së njerëzimit, por mbi të gjitha, si dokument që i afron shqiptarët dhe i trajton pjesëmarrës në zhvillimet konkrete të qytetërimeve të hershme, por edhe në formimin e shoqërive të sotme moderne. Nga kjo pikëpamje, libri është unik për arsyetimet dhe problematikat që shtron. Këtu shfaqet edhe veçanësia e tij, e cila mund të shërbejë si shembull për trajtime të tjera të këtyre fushave.

Gjithë struktura e librit është e mbështetur në kriteret shkencore të një trajtimi eseistik dhe synon, jo vetëm dokumentimin e Iso-Polifonisë si një këngë tradicionale e zakonshme, por edhe vlerësimin e saj sipas hamendjeve të ndryshme mbi prejardhjen; shkallëzimin e vlerave dhe sqarimin e veçorive të tyre në krahasim me kultura të tjera. Të gjitha këto përbëjnë një lëndë të strukturuar, e cila u jep mundësinë lexuesve të prekin nga afër e me lehtësi përmbajtjen e “të qarës” dhe Iso-Polifonisë  që buron prej saj.

Mos vallë kjo do të thotë se çdo lexues duhet të besojë verbërisht çka është në llibër?

Natyisht, nuk është e thënë që të gjithë njerëzit të jenë dakord me ato që thotë autori në libër, dhe të gjithë të binden për hipotezat e tij. Kjo është një fushë me të dhëna të pakufishme dhe çdokush mund të krijonte prej tyre përfytyrimet e veta. E rëndësishme  është që zoti Tole ka sjellë një model të ri mbi argumentin, i cili zgjerohet përtej notave të muzikës dhe e modelon hapësirën e trashëgimive kulturore të Shqipërisë në përbërje të gjithë kulturës ballkanike e europiane të sotme.

Unë e uroj autorin dhe shpresoj që shumë  shpejt, trajtime të tilla të bëhen pjesë e natyrshme e letrave mbi shkencat e muzikës dhe trashëgiminë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora