E enjte, 25.04.2024, 09:20 PM (GMT+1)

Kulturë

Albert Zholi: Të jesh emigrant shqiptar në Greqi...

E shtune, 28.04.2012, 10:48 AM


Mbi librin e Shpëtim Zinxhirisë “Të pathënat e frikshme të emigracionit...”

Të jesh emigrant shqiptar në Greqi...

Albert ZHOLI

Të jesh emigrant shqiptar në Greqi është një arsye për t'u përballuar me padrejtësitë. Paragjykim i sjelljes së shqiptarëve, ekzagjerim i incidenteve, ku është pjesëtar ndonjë emigrant shqiptar, veprim të nxituar e agresiv nga policia, qëndrim ekstrem nga drejtësia. Kështu, mbijeton racizmi edhe pas miratimit të fundit të ligjit kundër racizmit. Shqiptarët, pa u bërë hetimi përkatës, shpallen si autorë edhe pse, shpeshherë, as që janë të dyshuar. Nga individ e qarqe të veçanta cilësohen si keqbërës aq sa publikisht u bëhet thirrje vendasve të marrin malet për t'i përzënë. Jo gjithnjë e kudo, por shpesh përballen me një realitet aspak "vëllazëror" edhe pse me shumë zhurmë ndërmjet dy vendeve trumbetohet për ekzistencën e një politike e miqësie shumë të mire. Përkundrazi, racizmi kundrejt shqiptarëve arrin deri në episode të dhimbshme. 20 vjet rresht shteti grek nuk arriti të formulojë asnjë politikë efikase për emigracionin, për këta emigrantë që varfëria dhe papunësia i shtyu të gjenden në Greqi. Akoma më e dhimbshme; vrasjet makabre ndaj emigrantëve shqiptarë ende nuk janë hetuar, pasi dosjet janë mbyllur njëherë e përgjithmonë nga drejtësia greke, duke lënë në errësirë arsyen përse u vranë këta emigrantë. Mos hetimi i vrasjeve përcjell një imazh të keq për viktimat, ku eshtrat e tyre ende presin një pafajësim nga drejtësia. Familjet e viktimave i kërkojnë shtetit shqiptar për të filluar sa më shpejt negociatat me vendin fqinj për hapjen e këtyre dosjeve, sepse nuk është fjala për një apo dy, por për dhjetëra vrasje të emigrantëve shqiptarë të pafajshëm. Duke nxjerrë në dritë të vërtetën mbi këto vrasje makabre të emigrantëve shqiptarë nuk bëjmë gjykimin por kërkojmë drejtësi. Për hir të së vërtetës, nuk janë llogaritur plagosjet dhe vdekjet në fushat e minuara të Greqisë, apo mbytjet në lumin Ebro në detin Egje. Gjithashtu, nuk është llogaritur numri i vdekjeve të emigrantëve në ambientet e punës, as aksidentet e tjera që ndodhin në jetën e përditshme.

***

Një vitalitet mbinjerëzor për të mbijetuar me një prirje vetëshkatërruese dhe teoria tjetër shqiptaro-fobe, si njerëz me atavizma fiziologjike, si p.sh, të prapambetur, inferiorë, të paditur etj, të parë nga një optikë tejet e zezë. Për fat të keq, nga kjo optikë u panë dhe u bënë te njohur emigrantët shqiptarë me mbërritjen e tyre në tokën greke, në fillim të viteve 90 nga qarqe të caktuara, por jo nga populli grek. Besoj se të gjithë e kemi dëgjuar shprehjen ofenduese raciste, gjithë ironi "einai albvanos turistas (është turist shqiptar), shprehje, e cila e kishte prejardhjen ose më mirë rrënjën e saj në një prej justifikimeve të nxjerra nga vetë emigrantët shqiptarë që hynë në këtë vend, për të arsyetuar qëndrimin dhe për të ruajtur sadopak atë krenarinë që i karakterizonte. Por nuk shiheshin vetëm nga ana ofenduese e prizmit, ekzistonte dhe ana tjetër, ata që shiheshin me keqardhje dhe aspak me ironi ...ishin ata emigrantë që për hir të interesave të tyre mohonin gjithçka...ishin njerëz të paditur, ose më mirë vetëkarakterizoheshin si tibetianët e Europës. Kishte diçka të vërtet në këtë vetëkarakterizim, niveli i ulët i jetesës dhe liria e kufizuar...por jo padituria. Fluksi i madh i emigrantëve shqiptar,e gjeti krejtësisht të papërgatitur shtetin grek, në të cilin mungonin institucionet e mirëfillta të specializuara për integrimin social dhe ekonomik të emigrantëve në këtë shoqëri të re, një shtet në të cilin nuk ekzistonte as.statusi i emigrantit. Të ardhur me shpresën, të mbartur me ëndrra dhe mendime pozitive ,emigrantët që në vitet e para të qëndrimit të tyre humbën diçka të rëndësishme optimizmin dhe u përballën me zhgënjimin dhe deziluzionin, që i detyruan të harrojnë kuptimin dhe esencën e mendimeve pozitive të nisura dikur si dhe variacionin e mënyrës së jetesës dhe kthimit në një monotoni të plotë pesimizmi. Premtime, premtime, pambarim, iluzione që zbeheshin ngadalë dhe rikthim në një realitet të ashpër, të përballur me probleme, të cilat nuk merrnin kurrë rrugën e zgjidhjes. Nga njëra anë, emigrantët bëheshin çdo ditë e më shumë një forcë jetike e vyer në ekonominë dhe shoqërinë greke dhe nga ana tjetër aq më shumë i largoheshin për shkak të burokracisë që mbizotëronte, integrimit të plotë në atë vend që për shumicën ishte bërë atdheu i dytë që kishin zgjedhur. Një nga problemet më të theksuara, racizmi i paarsyetuar. Ksenofobia, një plagë që skalitej çdo ditë dhe nuk mbyllej me asnjë gjasë. Shumica e emigrantëve duke pranuar realitetin, reagonin me indiferentizëm, por me kalimin e kohës racizmi u bë diçka disi e pranueshme dhe ky indiferentizëm bëri që racizmi, mos të ndikonte më në jetën e përditshme të tyre ose më mirë gjetën një forcë të brendshme, të mundeshin të mos bëheshin robër të kësaj gjendje. Problem tjetër, tepër i theksuar, që ekziston akoma, trafiku i qenieve njerëzore...indiferentizmi i plotë, gjendja jo e mirë ekonomike, mungesa e përgjegjësisë së organeve ekzistuese të drejtësisë, bashkëpunimi i individëve me forca politike e shtetërore, mungesa e sensibilizimit të opinionit publik, bënë që ky fenomen të marr përmasa të gjera në kohën e fluksit të emigracionit në shtetin grek. Dhe është për t’u çuditur me faktin, se, ndërsa ishim vendi me tradita më të lashta për mbrojtjen e familjes dhe të nderit, papritur me hapjen e kufijve,u zhdukën të gjitha këto principe të hijshme. Dhe si rrjedhojë, me "të thatin u dogj dhe i njomi", një arsye më shumë që të përforconte atë mendim të gabuar që kishin krijuar për shqiptarët, vendasit grekë. Entuziazmi i momentit ia la vendin një realiteti të dhimbshëm, që lidhet me krizën ekonomike. Viktimat e para të kësaj krize që ka mbërthyer Greqinë, janë emigrantët. Janë të paktë ata që kanë mundur të ruajnë vendet e punës dhe të shumtë ata që kanë mbushur sheshet, ku kërkohet punë dhe akoma më shumë janë ata emigrantë që janë detyruar tashmë të marrin rrugën e kthimit. Për ku?! Në këtë libër do të gjeni shumë prej këtyre pyetjeve që unë shtrova në këtë retrospektivë. Shpëtim Zinxhiria në librin e tij hap një dritare të re në komunikimin me emigrantët, por njëkohësisht, hedh një dritë domethënëse mbi problemin më të shëmtuar atë të vrasjes së emigrantëve të pafajshëm



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora