E enjte, 28.03.2024, 12:57 PM (GMT)

Kulturë

Flet Akademik Muzafer Korkuti: Tiranës i mungon monumenti kryesor, ai i Ismail Qemalit

E enjte, 26.04.2012, 05:46 PM


Akademitë tek fqinjët tanë janë më të privilegjuarat
Po lihen pa botuar shumë vepra të Akademikëve me rëndësi kombëtare
Tiranës i mungon monumenti kryesor, ai i Ismail Qemalit
Po lihen pa botuar shumë vepra të Akadmeikëve për mungesë fondesh
Një monument tjetër i Pavarësisë në Tiranë, më duket diletantizëm
 
Do t’u sugjeroja shtëpive botuese sot, që të botojnë foto të Ismail Qemalit, t’i shesin, se fitimi është i shumëfishtë
 
Nga Albert ZHOLI
 
        Në radhën e veprimtarive që Akademia e Shkencave ka organizuar për 100-Vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë një vend të veçantë zë edhe botimi i Albumit “Ismail Qemali”, kushtuar Burrit të Madh të Kombit, i cili vuri gurin e parë në themelet e shtetit kombëtar të pavarur shqiptar me 28 Nëntor 1912, përgatitur me përkushtim e cilësi nga akademik Kristo Frashëri.
        Albumi ka 107 faqe, 94 foto, 7 fotokopje dhe 6 gravura. Autori i albumit ka zgjedhur e vendosur në kopertinë një foto pak të njohur por që tregon Ismail Qemalin mendimtar. Ai fillon me një parathënie prej 3 faqesh dhe mbyllet me tekstin e Flamurit (shoqëruar me fotokopje të origjinalit) që në këtë 100-vjetor, vlen ta rikujtojmë, ta mësojmë (nëse nuk e dimë) e pse jo edhe ta këndojmë, e të mos bëhemi të “mençur” për të ndryshuar atë simbol i kombit.
        Albumin e pasuron dhe e bën të këndshëm një CD me 17 këngë, që populli, nga të gjitha krahinat, i ka kënduar Ismail Qemalit, përgatitur e zgjedhur me kujdes nga akademik Vaso Tole.
 
Në shtyp flitet se për aktivitete me arstin e 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarsisë, Akademisë, nuk i është akorduar asnjë qindarkë nga qeveria. Sa i vërtetë është ku lajm?
 
Eshtë plotësisht i vërtetë. Janë bërë dy-tre mbledhje të Komisionit Shtetëror të Festimeve ku është antar dhe Kryetari ynë i Akademisë së Shkencave z. Gudar Beqiraj dhe në  në të tre mbledhjet me shkrim ne kemi parashtruar kërkesat  për aktivitetet që kemi për Akademinë Solemne  (që e kemi në nëntor për 40 vjetorin  e Akademisë) si dhe për botimin e disa veprave të rëndësishme të Akademikëve. Këto vepra janë themelore ashtu sikundër ishte albumi Ismail Qemali me autor Akademikun Kristo Frashëri, ku ne nuk patëm të holla ta botonim dhe kërkuam sponsorizim nga  ambasadori italian Silvano Pedrollo. Kurse në njoftimin që ka dhën qeveria për të mbështetur aktivitete të ndryshme me rastin e 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarsisë, ka akorduar për shoqatën “Vatra” dhe aktivitetet e saj 30 milion lekë. Ky është një paradoks për ne.
Përse?
Sepse nuk i është akorduar asnjë lekë Akademisë së Shkencave. Paradoksi qëndron në atë se, ne kur nuk kemi dhe nuk japim për shtëpinë tonë si të çojm ato pak pare aq larg ?! Ne skemi për të dhënë fonde për vepra që lidhen me 100-vjetorin  siç është vepra “Lidhja Shqiptare e Prizrenit”, “Popullsia e trevës së Kosovës në fund të shekullit të XX” apo  vepra kryesore e Akademik Arben Puto “Shteti i pavarur shqiptar 1912-39” ose  më mirë Shqipëria dhe fuqitë e mëdha në aspektin e së Drejtës Ndërkombëtare (ky libër është në proces) si mund ti japim “Vatrës” aq lekë saqë mund të botojmë këto vepra?!  Vatra duhet ta ndihmojë Akademinë.
 
Ky nënvleftësim i qeverisë përse bëhet kur “Vatrës” që është në Shba dhe ka mardhënie të mira me qeverinë i jepen fodne, Akademsië së Shkencave Institucionit më të lartë shkencor si jepet asnjë grosh?

Kjo s’do asnjë koment. Komentet janë të tepërta. Ne s’bëjmë hosonara askujt. Ne bëjmë shkencë. Lexova në internet një shqiptar në Amerikë që shkruante se “Vatra” duhet ta ndihmojë qeverinë shqiptare dhe jo ti marrë asaj në këtë kohë krize. Tek ne ndodh e kundërta. Pashë tek “Fiks fare” mënyrën si e trajtonte problemin që po diskutojmë ndaj unë s’po bëj asnjë koment. Gjërat flasin vetë. Veprat që fola më lart kanë karakter kombëtar, flasin për indetitetin kombëtar, për një histori që të tjerët duan ta errësojnë. Këto vepra duhet të shohin patjetër dritën e botimit pasi janë historia e kombit tonë. Nga ana tjetër të gjithë jemi koshient për vlerësimin që u bëhet Akademisë së Shkencave në vendet tona fqinje si Maqedonia, Greqia, Mali i Zi, Serbia, ku ky Institucion ose Kryetari i saj kanë vlerësimin maksimal të Kryeministrit dhe ftohet në shumë takime ndërqeveritare. Këtu nuk flitet për Gudarin apo Muzaferin, por për Akademinë si institucion, botimet e Akademsisë në fqinjët tanë botohen dhe financohen pa ngurim nga qeveria.
 
Si referues kryesor i albumit për Ismail Qemalin cili është mendimi juaj për albumin?
 
        Ky Album, përgatitur nga historiani i shquar Kristo Frashëri, ka dy veçanti që vlen të vihen në dukje:
·        Parathënien dhe tekstin e gjerë e të plotë që shoqëron çdo fotografi.
·        Parathënia ka rëndësi e vlera të veçanta sepse ribotohet e plotë pa asnjë ndryshim, siç është botuar në vitin 1962, dmth në 50-Vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë – Dëshmi e vlerësimit objektiv, të rëndësisë historike të kësaj ngjarje madhore si edhe të vetë figurës së Ismail Qemalit.
E veçantë e albumit  është edhe teksti që shoqëron çdo foto. Ato nuk janë diçitura të zakonshme por pjesë, tekste të zgjedhura nga kujtimet e shkrimet e Ismail Qemalit. Kështu albumi fillon me dëshmitë e Ismail Qemalit për historinë e familjes Vlora, për vendin e shtëpinë ku lindi, e u rrit, shkollimin e tij në gjimnazin Zosimea (Janinë) (i pari nxënës mysliman në atë kohë), dhe në mënyrë kronologjike prof. K.Frashëri jep tërë veprimtarinë shoqërore e politike të Ismail Qemalit.
Nuk është rasti që të komentoj tekstet që shoqërojnë fotot, të cilat janë dhënë në 4-5 rreshta apo në faqe të plotë, çdo njeri ka përmbajtje e vlerë për t’u komentuar veçmas. Ato, të gjitha bashkë, përbëjnë një resume të plotë të jetës e veprës së themeluesit të shtetit të pavarur shqiptar.
 
Po si arkeolog çfarë do të veçonit?

Si arkeolog më lejohet të veçoj një prej tyre që dëshmon për interesimin dhe njohjen që kishte Ismail Qemali për kulturën antike. (Në faqen 22) shkruan:
“U largova me keqardhje nga Janina sepse ky qytet kishte interes të dyfishtë. Aty kisha mbaruar studimet e mia dhe ishte një zonë ku çdo hap njihja gjurmët e qytetërimit të lashtë parahelenik ose pellazgjik që raca shqiptare ka të drejtë ta quaj të vetin.
... Nga kujtimet interesante e të këndshme që ruaj nga ajo periudhë, është vizita që bëra në atë vend në rrënojat e Melingos, që më vonë u provua se ishte foltorja e famshme e Dodonës”.
 
Ju vetë çmendim keni për vendndodhjen e Dodonës?
 
...Gërmimet e arkeologut K.Karapanos e mikut të I.Qemalit e të studiuesve të tjerë, e provuan katërcipërisht se Dodona, gjendet rreth 25 km në jugë-perëndim të Janinës.
E përmenda këtë fakt historik, këtë të vërtetë, të cilin Ismail Qemali e ka pohuar një shekull më parë, sepse sot në shek.XXI në Tiranë botohen libra e shkruhen artikuj në shtypin e përditshëm se Dodona pellazgjike është në malin e Tomorit, një tjetër nga Ulqini Dodonën e lokalizon me qytezën mesjetare të Sashit, po ka edhe nga ata që e kanë çuar në kalanë e Këlcyrës (Përmet).
 
Çfarë elementësh të tjera ja rritin vlerën kësaj vepre?
 
Vlerën Albumit ia rrisin dhe disa  gravura të vendeve ku ka jetuar Ismail Qemali, fotokopje të dokumenteve kryesore si Akti i Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare me nënshkrimin e kuvendarëve, fotokopje të telegramëve që urojnë kryetarin e Qeverisë së Vlorës për Shpalljen e Pavarësisë etj.
-                   Në album, prof.K.Frashëri, ka vendosur edhe disa foto të bashkëpunëtorëve të ngushtë si edhe të personaliteteve të kohës që kanë bërë vlerësime për veprën e Ismail Qemalit si Isa Boletini, Mihal Grameno, Ali Asllani, Jani Minga etj.
-                   Albumi mbyllet me ceremoninë që u bë me rastin e sjelljes nga Italia të eshtrave të Ismail Qemalit dhe varrimit të tij në Kaninë.
 
Në retrospektivë mund të na veçoni aktivitete që kanë bërë jehonë me rastin e shpalljes së pavarsisë?
 
        Festime e nderime janë bërë pothuaj në çdo përvjetor të Shpalljes së Pavarësisë, po vlen të kujtojmë disa prej tyre.
Më 28 nëntor 1932 qeveria shqiptare organizoi rivarrimin e trupit të Ismail Qemalit, nga Kalaja e Kaninës në sheshin qendror të qytetit të Vlorës. Pas fillimit të ceremonisë, shkruante më 29 nëntor 1932 korrespondenti i Gazetës “Besa”, “kortezhi u nis nga qendra e qytetit për pelegrinazh drejt Kaninës. U hap varri dhe trupi i Ismail Qemalit pjesërisht i tretur, u rivendos në një arkivol të përgatitur posaçërisht... Gjatë rrugës për në Vlorë, kortezhin e paraprinte banda muzikore, e cila ekzekutonte marshe funebre. Para se arkivoli të vihej në varr, i dërguari i posaçëm i mbretit, gjenerali Leon de Ghilard, zbuloi monumentin e luftëtarit mbuluar me një napë të zezë (punuar nga skulptori i njohur Odhise Paskali). Paraqiste një luftëtar rilindës” (faqe 104).
- Më 28 nëntor 1962, me solemnitet të madh u festua në Vlorë 50-vjetori i Shpalljes së Pavarësisë, veç të tjerave, me këtë rast u rindërtua e u pasurua Muzeu i Pavarësisë.
- Më 28 nëntor 1972, me rastin e 60-vjetorit në qendër të qytetit të Vlorës u ndërtua një monument skulpturor në bronz, që përfaqëson një nga arritjet më të shënuara të skulpturës monumentale kushtuar luftës së [popullit shqiptar për liri e pavarësi (vepër e skulptorëve K.Rama, M.Dhrami dhe Sh.Hadëri). Monumenti i lartë 17 m, përkrah shtizës simbolike të flamurit e shtatores së luftëtarit, krijon një ansambël arkitektonik të veçantë solemn e të papërsëritshëm.
 
Sot janë hedhur ide se do të ngrihet një monument tjetër i Pavarësisë në Tiranë. Mendimi juaj?
 
Këto që dëgjojmë e lexojmë se me rastin e 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, se do të ngrihet një monument tjetër i Pavarësisë në Tiranë, më duken si ato dilentantizmat e atyre që përmenda më lart, që Dodonën antike 2500 vjeçare duan ta çojnë në Kalanë e Këlcyrës.
- Për të qenë të saktë po përmendim diçka edhe nga kremtimi i 95-vjetorit të Pavarësisë. Akademia e Shkencave botoi librin “Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë” me autor prof.Kristo Frashërin. Libri me 281 f. ka dy pjesë: Një vështrim historik mbi Shpalljen e Pavarësisë dhe një pjesë të dytë me dokumente të botuara e të pa botuara.
- Në këtë libër me vlerë është botim i plotë i Aktit të Shpalljes së Pavarësisë me të gjithë firmëtarët, me shpjegimet e nevojshme; dokumenti është i shkruar në dy faqe, autori e shkrimit në gjuhën shqipe (L.Gurakuqi), duke korrigjuar dhe gabimet që ishin bërë në periudhën e monizmit, ku ishin fshirë me qëllim emrat e disa firmëtarëve.
- Me këtë rast Akti i Pavarësisë u shumëfishua i plotë u dha si dhuratë, dhe me foto të mëdha u ekspozua në muret e Kuvendit të Shqipërisë. Mesa duket, për t’i dhënë “vërtetësi” iu shtua edhe një emër, u firmos nga Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë zonja Jozefina Topalli – Çoba.
 
Ç’mund të na thoni për Lef Nosin për të cilin historia dëshmon se ka botuar shumë dokumente të Shpalljes së Pavarësisë?

- Ka vepruar në mënyrë origjinale. Krejt ndryshe sa më lart ka vepruar Lef Nosi, veprimtar i lëvizjes kombëtare, Ministër i Postë-Telekomunikacionit në Qeverinë e Vlorës, studiues, i cili më 1924 botoi shumë dokumente të Shpalljes së Pavarësisë, dhe më 1937 (25 vjetori) origjinalin e Pavarësisë, e shtypi e shumëfishoi dhe e shiti – Atë që kemi sot është nga kopjet e tij duke sjellë një dobi të madhe në ruajtjen e tij, por edhe fitoi duke e shitur.
- Do t’u sugjeroja shtëpive botuese sot, që të botojnë foto të Ismail Qemalit, t’i shesin, se fitimi është i shumëfishtë.
 
Me sa keni lexuar, si Akademik a dini dicka më shumë se çfarë aktivitetesh do të bëhen në Tiranë me rastin e 100-vjetorit të Pavarsisë?

Besoj se kemi të drejtë të gjithë të pyesim dhe çdo shqiptar ku do që ndodhet, çdo të bëhet në këtë 100-vjetor për të nderuar veprën e Ismail Qemalit, Burrit të Madh të Kombit tonë?! Natyrishëm në këtë 100-vjetor Vlora do të vizitohet nga qindra e mijëra shqiptarë, bashkatdhetarë, miq e të ftuar. Por për fat të keq Muzeu i Pavarësisë jo vetëm që nuk është rinovuar por është i pa vizitueshëm (nuk është dhënë asnjë lek nga Qeveria). Po në Tiranë, në kryeqytetin, në Muzeun Historik Kombëtar çdo të bëhet për të kujtuar themeluesin e Shtetit të Pavarur Shqiptar?  Asnjë gjë nuk është planifikuar të bëhet.
Po Bashkia e Kryeqytetit? Asgjë deri tani. Më lejoni t’ju kujtoj se sot në Tiranë ka rreth 25 monumente për figura e personalitete të shquara të historisë e kulturës kombëtare.
 
-                   Monumenti i Skënderbeut
-                   Monumenti i Vëllezërve Frashëri
-                   Monumenti i Andon Zako Çajupit
-                   Monumenti i Faik Konicës
-                   Monumenti i Jeronim De Radës
-                   Monumenti i Fan S.Nolit
-                   Monumenti i Avni Rustemit
-                   Monumenti i Sulejman Pashës
-                   Monumenti i Hafiz Ibrahim Dalliut
-                   Monumenti i Qemal Stafës
-                   Monumenti i Myslym Ketës
-                   Monumenti i Zogu I
-                   Monumenti i Osman Kazazit
-                   Disa monumente të Nënë Terezës
-                   Monumenti i i Shefqet Ndroqit
-                   Monumenti i Adem Jasharit
-                   Monumenti i Frederik Shopenit etj.
 
Por asnjë monument për Ismail Qemalin. Më thoni, Ju lutem, nëse kam të drejtë apo jo të pohoj edhe një herë (atë që kam thënë në Akademi një vit më parë në prani të Presidentit të Republikës) se në Tiranë duhet të ketë një shesh, një monument për Ismail Qemalin, ku ne kryeqytetasit të kemi mundësi në rast festash të nderojmë Ismail Qemalin e veprën e tij madhore.
 
Dmth ky album ka vlera të shumfishta?
Padyshim. Mendoj se Albumi që promovojmë sot është një kontribut i ri e me shumë vlerë, për të njohur edhe më mirë, e më thellë figurën e madhe të Ismail Qemalit, sepse meriton që jeta e këtij Burri të Madh, veprimtari e atdhetari, personaliteti të gjithanshëm të njihet e të nderohet sidomos nga brezi i ri. Me këtë rast falënderimet i takojnë edhe ambasadorit Silvano Pedrollo, i cili para disa ditësh u shpall edhe “Nderi i Akademisë” sonë, që mundësoi financiarisht botimin e Albumit (Për dijeni mund t’ju them se Akademia ka gati për botim edhe disa vepra të tjera që lidhen direkt me 100-vjetorin e Pavarësisë si : “Lidhja Shqiptare e Prizrenit” me autor K.Frashërin; “Shteti i Pavarur Shqiptar 1912-1939, me autor A.Puto; “Popullsia e Kosovës në vitet 1851-1912” me autor  K.Prifti, por nuk ka mundësi financiare për t’i botuar).
- Kurse autorit të Albumit Akademikut Kristo Frashërit, i cili nuk mundi të ishte i pranishëm në këtë veprimtari për arsye të moshës së tij 92 vjeçare, i urojmë shëndet dhe botimin e veprave të tjera.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora