E marte, 29.09.2020, 11:19 AM (GMT+1)

Kulturë » Berisha

Sejdi Berisha: Këtë rrugë njëherë e kam parë...!

E enjte, 26.04.2012, 07:17 PM


P o e z i

Sejdi BERISHA:

KËTË RRUGË NJËHERË E KAM PARË...!
(Elegji për rrugën ose ëndrra për madhështinë e njeriut)

1.
Këtë rrugë vetëm njëherë e kam parë
Ka qenë dikur kur lodrat e fëmijëve i ëndërroja në prehrin tim
Tash gjithçka ka ndryshuar
Edhe lodrat janë ndryshe,... krejt ndryshe

2.
U ktheva në shtëpinë me merimanga në derë të ahurit
Në te hynim në kullë për t’u ngjitur
Së pari në ahur e ledhatoja Kuqeshën që ma lëpinte ballin si frytit të vet
Pastaj ngjitesha shkallëve plot terr deri në divanhane
I heqja opingat me erë plehu
Vrapoja për në ballë të oxhakut
Babanë për ta përqafuar
Ai thellë thithte tym duhani nga kamishi qelibar
Kështu e shprehte kënaqësinë  për djalin e vetëm
Rrija pak duke ia lëmuar mustakët
Dhe, qysh atëherë më janë shpeshtuar ëndrrat për madhështinë e njeriut

3.
Më vonë zbrisja poshtë në dhomën e çerepit
Nëna ma këndonte këngën e hasretit
Derisa unë ngopesha me erën-rreshk të bukës duke u pjekur nën saç
Dikur,... ndoshta më zinte gjumi me këtë ngrohje të çuditshme
Dhe,... zgjohesha me shpresën e ditës
Sërish zbrisja shkallëve me rrapëllimë kohe
Në ahur e përqafoja Kuqeshën, lopën tonë të vetme
Pastaj ikja me duhmën e ëmbël të plehut në ahur
Prej nga nxehtësia depërtonte deri lartë në odën e kullës

4.
Dal në rrugë...
Këtë rrugë vetëm njëherë e kam parë
E tash me syrin e moshës sime
Sa shumë më pëlqen për të jetuar këtu
Por ndryshe hapat bëjnë rrapëllimë
S’ka më erë molle të mbuluara me kashtë
Nuk dëgjohet kokoritja e pulës siç ishte dikur pas vezës që e sjellke në furrik
5.
Unë nuk e kërkoj hyrjen nëpër derë të ahurit
Por shpirti ma do kështu si atëherë gjirin e nënës
Nuk di si kam ardhur sot në këtë rrugë
As në shtëpinë ku shurrën qep e kisha lëshuar kur isha lindur
Më shpjegoni
Tash, kush jam unë që aq shumë më respektoni 
Që ma përqafoni vargun i cili është lodhur me mua
Që kohën e ikur ma kërkoni si bukën
Kush jam unë që më merrni kështu nën sqetulla
Që ua shoh lotin në sy për këngën time

6.
Mos u mashtroni
Unë jam vetëm një qirinj që rri ndezur e digjet për ju
Një qirinj që flaka gati i ka prekur me fundin e shandanit
Nga i cili pastaj do të ngelen vetëm gjurmë
Si akull i lëshuar mallëngjyeshëm strehëve të stallës
Në të cilën dikur blegëronin qengjat...

7.
Tash nuk di
A të rri në këtë rrugë apo të iki
Të cilën në mbrëmje e ndriçon e njëjta hënë
E njëjta dritë e xixëllonjave
Qetësinë ia prishë e njëjta zukamë murrjelash

8.
Atëherë
Pse kështu kaq ftohtë në këtë rrugë
Ku qëndron i njëjti lis si dikur por i kërrusur bukur shumë
I rënduar e i molisur nga kujtimet, ëndrrat dhe përrallat
I lodhur nga të njëjtat plagë të moteve
Unë këtu do rri deri në mëngjes
Edhe në mëngjeset tjera...

9.
Sa kam dëshirë me babanë dhe nënën të bisedojmë nën këtë lis
Por të mos tregojmë asgjë,... vetëm zërin njëri-tjetrit t’ia dëgjojmë
Sepse kështu kuptohemi më mirë
Dua edhe shikimin e tyre ta pikturoj
Se ua shoh jetën, gëzimin, këngën, lotin dhe krenarinë...
Të gjitha do të ua shohë

10.
Dikur më vonë do të na zë gjumi duke kuvenduar
Unë kokë në prehrin e nënës e me duar në parzmën e babait
Do të kënaqem me ëndrra lumturie
Atëherë dikush sikur më zgjon nga gjumi:
Ja ku e ke rrëfimin që kurrë nuk e ke dëgjuar
Për Krojet e Bardha për të pirë ujë që të pikë në ballë

11.
U zgjova dhe kur shikova përreth              
Çdo gjë më kishte ikur...
As vet nuk e di se prej nga
Në dorë kisha një kurorë lulesh
Me fjongo ari por pa asnjë shkronjë në te
E mbështeta për lisin thatak dhe ia ktheva shpinën...

12.
Edhe këtë rrugë njëherë e kam parë
Aty ku tani jam rob i vargut tim
Sa kënaqësi qenka për të ecur nëpër teh të këngës
E cila shmallë e përmallon dhe pikë...



(Vota: 13 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora