Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Caio Werneck: Ligjëratë me argumente e porosi shumë domethënëse e Engjëll Koliqit

| E enjte, 20.03.2008, 11:49 PM |


NË HAPJE TË KONFERENCËS NDËRKOMBËTARE TRADICIONALE "TEMAS 4" NË BELO HORIZONTE:

Ligjëratë me argumente e porosi shumë domethënëse e Engjëll Koliqit

Prof Engjëll Koliqi, në hapje të konferencës

Caio WERNECK
Në edicionin e katërt të kësaj konference tradicionale, i ftuari special, në hapje të saj, me ligjëratën e tij mbi luftën, ka sjellë këtu shumë argumente dhe dëshmi interesante nga lufta e fundit në Kosovë. Prof Koliqi i dha një domethënie speciale konferencës, me porosinë e tij këmbëngulëse që gjeneratat e reja ta ngrehin fuqishëm zërin e arsyeshëm kundër luftës dhe që të bëjnë çmos që kjo botë e përlyer e intereseve të ndryshojë me dashuri, porosi kjo – siç tha ligjëruesi kosovar – e Të Lumturuarës Nënë Tereza.

Nga Caio WERNECK

Belo Horizonte, 20 mars 2008. – Siç është bërë tashmë traditë e mirë, në kryeqytetin mineir – Belo Horizonte, në Javën e Shenjtë, për të katërtën herë është organizuar Konferenca Ndërkombëtare kushtuar krizave të luftërave, me titull TEMAS. Në edicionin e sivjem të kësaj konference, që ka filluar dje e do të zgjas deri më 23 mars, i ftuar special ishte profesori kosovar Engjëll Koliqi, i cili tashmë në vendin tonë është i mirënjohur edhe si shkrimtar e poet, si dhe  përfaqësues i denjë i vendit të tij, që aktualisht është shteti më i ri në botë – Republika e Kosovës. Këtë ftesë Z. Koliqi e kishte marrë ditë më parë, kur mbajti një ligjëratë mbi Kosovën, në Universitetin Papëror Katolik të Minas Gerais-it, meqë organizatorë të kësaj konference janë studentët dhe profesorët e Fakultetit të së Drejtës Ndërkombëtare, të këtij universitetit.

Prof Koliqi, gjatë ligjëratës

Konferencën e ka hapur koordinatori i edicionit të sivjem – studenti Roberto Vinicius Pereira da Silva Gama. Ai, mbas Hymnit Kombëtar të Brazilit, të kënduar nga të gjithë të pranishmit, ia dha fjalën përfaqësuesit të Prefekturës së Belo Horizonte-s - sekretar i Prefekturës, i ngarkuar për marrëdhënie të jashtme – Rodrigo de Oliveira Perpétuo, i cili pasi lavdëroi organizatorët, tha se kjo konferencë po e arsyeton angazhimin e palodhshëm të studentëve dhe profesorëve të këtij universiteti, të cilët një ditë të afërt do të jenë nderi i vendit tonë në politikën dhe diplomacinë ndërkombëtare. Ai, poashtu shprehu kënaqësinë e Tij për nderin që i është bërë Republikës së Kosovës, me ftesën për hapjen e Konferencës, me ligjëratën e Prof Koliqit, me të cilin – siç tha – sot po takohet për të katërtën herë, brënda një viti dhe tashmë janë miq të mirë. Mbas tij, organizatori ia ka dhënë fjalën profesorit të shquar të së drejtës ndërkombëtare – Dr Eugenio Pacelli Lazzarotti Diniz Costa, i cili përfaqësonte Departamentin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Institutit të Edukimit Permanent, të këtij universiteti. Edhe Prof Eugenio, mbasi u ka shprehur komplimente studentëve për organizimin e bukur të edicionit të katërt të konferencës, ka thënë se përcjell vazhdimisht zhvillimet në Kosovë dhe rreth Kosovës. Edhe ai ka thënë se ka një mik të mirë kosovar – njërin nga luftëtarët e lirisë, tash funksionar i lartë në TMK – Kolonel Xhavit Gashin, me të cilin janë njohur në një seminar special, në Filadelfia të SHBA-ve.

Prof Engjëlli e Prof Vera Lucia gjatë ligjëratës

Koordinatori pastaj ka paraqitur ligjëratën e parë të Konferencës, dhe ligjëruesin Engjëll Koliqin – siç e ka cilësuar ai – përfaqësues diplomatik i Kosovës në Amerikën Latine. Megjithë reagimin e Prof Engjëllit, Roberto nuk ka lëshuar pe, duke thënë se ai tashmë, edhepse i paemëruar, mrekullueshëm po ushtron detyrën faktike të ambasadorit të Republikës së Kosovës në vendin tonë.

Dr Vera Lucia Alves Neves: Shembull si luftërat e përlyera kanë copëtuar tokat shqiptare

Profesor Koliqi, që kësaj here kishte përgatitur një ilustrim special me pamje nga lufta, me shpjegime në gjuhën portogeze, në programin kompjuterik "power point", nuk ka folur gjatë, por ligjërata e tij ka qenë shumë domethënëse. Ai, para se të fillojë ligjëratën, ua ka shpërndarë të pranishmëve nga një kopje të historisë së Kosovës, gjashtëfaqëshe (poashtu në gjuhën portogeze, përkthyer nga profesoresha jonë e nderuar Dr Vera Lucia Alves Neves, e cila edhe kësaj radhe e shoqëronte profesorin kosovar, si përkthyese dhe organizatore e ligjëratave të tij, në emër të Institutit për bashkëpunim mes Brazilit e Kosovës – BRAKOS).

Prof Koliqi: JO luftës

Duke i paraqitur argumentet më domethënëse të luftës çlirimtare të vendit të tij, Prof Engjëlli i ka shpjeguar mirë arsyet, pse Kosova, me të gjitha normat e së drejtës ndërkombëtare, ka shpallur pavarësinë dhe po njihet nga shumë vende të botës. Ai ka kërkuar që autoritetet federative në Brazlia ta njohin sa më parë vendin e tij, sepse në bashkëpunimin tashmë të filluar, edhe Brazlili do t'i ketë interesat e veta ekonomike.

Edhe në këtë ligjëratë me Flamurin e Republikës së Kosovës

Në fund të ligjëratës së tij shumë domethënëse, profesori kosovar iu është drejtuar studentëve, me kërkesën e tij këmbëngulëse për ta kundërshtuar fuqishëm luftën, kudo që ndodh. Ai u ka thënë të pranishmëve se të gjitha luftërat zhvillohen për interese të përlyera të atyre që e ndjejnë vetin të fortë, prandaj duhet ngritur fuqishëm zërin  e arsyes kundër luftërave. Duke e cituar Shenjtëreshën e Dashurisë, që ishte bijë kosovare – Të Lumturuarën Nënë Terezën, prof Koliqi ka ftuar gjeneratat e reja që të mos e njohin kurrë urrejtjen, por vetëm dashurinë dhe tolerancën mes njerëzve dhe mes popujve. Ai ka thënë se është vështirë, por kjo botë e përlyer e intereseve, mund të ndryshohet vetëm me dashuri.

Ligjësuesi prezanton bukur çlirimtarët e Kosovës