Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kalosh Çeliku: Sanço Pançot e Ali Mehmetit hipur mbi gomarë

| E marte, 24.04.2012, 09:02 PM |


SANÇO PANÇOT E ALI AHMETIT

HIPUR MBI GOMARË

(Në vend të shënimit të Ditës Botërore të Librit).

Nga: KALOSH ÇELIKU

Më ecet ende këtyre rrugëve të gjata, por pleqëria më troket në derë. Çudi! Nuk mundem të ndahem aq lehtë nga bërlloku… Konservat… Ndjekjet… Rënjet… Ngritjet… Pasuria… Varfëria… Bukuria… E shëmtuara… Qenkan do punë të fshehta, që paskan në vete magnet. O bir, o bir! Sa do të gëzohesha sikur magneti i tyre të mos tërhiqte, po të shtynte, të shtynte në theqafje. Do t’ua ktheja shpinën njëherë e përgjithmonë, pa asnjëfarë mëshire gjithë këtyre bajgave politike. S’do e mundoja veten të eci me sy të mbyllur shtigjeve… Dhiareve… As t’u ngjitem këtyre shkallëve përpjetë, që të zbresin kaq poshtë, përdhe. Nuk do të lejoja të ec pas Hijes që më ka lidhur për brirësh për në varr. S’e kisha marrë kaq lehtë këtë vrapim maratonik për në zero. Po, do t’ju bija mbeturinave neokomuniste me këmbë. Natën do të ecja symëshelë në dritën e Hënës. Ditën do ta merrja shkopin në dorë…

- Zoti Shkrimtar, këmbët po më ecin vetë për në xhami.

- Plak, mos hip në qerre!

- Jo, zoti Shkrimtar. I kam këmbët.

- Plak, ki kujdes mos e gabosh udhën!

- Zoti Shkrimtar, e di unë udhën edhe natën për në Shtëpi…

Dhe, ju mund të më shani natë e ditë. Nuk do të m’i kuptoni marrëzirat. Do t’i kuptoni më vonë. Ose, kurrë. Por, mua s’më bëhet vonë. Nuk jap pesë para. Unë gjithmonë kam qenë i detyruar ta ngris zërin kundër duarve të përlyera me gjak… Koshave të bërllokut… Fytyrave të shëmtuara me kokën te partitë politike shqiptare e bythën te “vëllezërit”… Sanço Pançove të Ali Ahmetit që propagandojnë “kulturë dhe biznes” shqiptar. Kakademikun (Sanço Panço shqiptar), që në hapjet solemne të “faltoreve” shenjta të librit flet përgjumshëm para të pranishmëve, i kthehet mikrofonit dy edhe tre-katër herë me arsye se paska harruar në këtë “ngjarje të madhe kulturore” në Bit-Pazar t’i përcjell “përshëndetjet e një miku të librit”. Ne të pranishmit, gojëhapur pa frymë mezi prisnim Kakademikun të na i përcjellë përshëndetjet e Ali Ahmetit për librin, kur hop papritmas Kakademiku shkrep në mes të Bit-Pazarit “allti”: “përshëndetjet” e një deputeti të Partisë Socialiste nga Shqipëria. Edhe atë: tri ditë para Ditës Botërore të Librit. Tekefundit, së paku “dashamirët” e librit ta prisnin këtë datë historike që e kemi në prag, shënonin siç do t’u kishte hije shqiptarëve, në Çarshi të Shkupit. Zakonisht i madh e i vogël krah për krahu mbi kuaj me shalë e gomarë. I kanë harruar datat historike, i kanë ngatërruar përvjetoret, manifestimet kulturore. I kanë bërë lesh e li kripur me “politikë madhore”. Dorën në zemër, megjithatë duhet përgëzuar “dashamirët” e librit shqip: falë biznesit familjar-partiak nuk e kanë lënë në mëshirën e Shoqatave të Botuesve Shqiptar se, do t’i mbushnin raftet deri në tavan me libra fetar e çaj rusi. Vend të lirë nuk do të na linin si shqiptarë mes librave të ngrejmë me miq edhe ndonjë gotë raki rrushi ose verë të kuqe. Dhashtë Zoti, Kakademiku kësaj radhe e ka këmbën e mbarë, që fare pak besoj në hapin e tij në arsim, kulturë dhe politikë shqiptare. Shkaku se, siç thotë populli: ku ka shkelur këmba e tij me vite nuk ka mbi bar as lule në livadh.

E bëj këtë hap artistik, akuzë parashikuese se, nuk kam frikë. Tokën e kanë munduar dhe e mundojnë dy lloj njerëzish. Njerëz të leckosur, që punojnë natën, ditën dhe e dënojnë veten, shpirtin me varfëri dhe njerëz parazitë që nuk punojnë fare, por jetojnë në shpinën e të parëve me emër e mbiemër - “salep-intelektualë”: kakademikë, profesorë universitar, autorë tekstesh të dramave të arnuara teknefese nga rruga, regjisorë, aktorë, gazetarë… Sanço Panço shqiptar: dje, të Menduh Thaçit, sot të Ali Ahmetit, që nuk u pjellë truri edhe sot e kësaj dite, e kanë mushkë. Betejat e përgjakshme për liri me mullinjt e erës i bëjnë për Dylqinenë e Tobozës. Qengjat e pjekur në hell, dhuratat e majme i kërkojnë pa asnjë grimë turpi për “kryerjen” e ndonjë pune “patriotike kuqezi”. Mos them: shiten edhe për një çorbë, pa pare. Në fund, e gjithë ajo punë del rrenë. Fragment Abetareje. Sanço Panço me diploma të blera universitare e tituj shkencor të “vëllezërve”, e përsëris thënien: dje, të Menduh Thaçit, sot të Ali Ahmetit. Edhe të parët, edhe të fundit janë të rrezikshëm për shoqërinë. Shtetin Shqiptar edhe në këtë Njëqindvjetor të Pavarësisë. E unë i kam dashur më shumë njerëzit. Të gjithë ato që i kam parë me sy dhe i kam dëgjuar me veshë, m’i kanë hëngër mushkëritë, zemrën, zorrët… Mu për këtë më është dukur e udhës t’ua heq maskat, se e kam dashur më shumë veten, juve si shqiptarë… S’më ka shkuar kurrë ndërmend se mund të ma këpusin mishin me danë. Mund të më fusin në kusi me ujë shkul. Mund të ma zhveshin me dorë lëkurën nga trupi. Mund të më varin në trekëmbësh si “armik i popullit dhe shtetit të përbashkët”. Ose: si burrë tradhtar i Dylqines së Tobozës. Mu pse nuk më ka shkuar kurrë mendja për këso dënimesh, unë do t’ia arrij qëllimit dhe ju një ditë për mua do t’i rrahni duart shuplakë. Ti nuk je i marrë. Ti je vëllai i njeriut. Ti ke ecur vetëm ditën. Ti nuk i ke përlyer duart me gjak. Ti na i ke zgjidhur sytë të mos shkojmë vetë te Kasapi. Ti e do Abetaren… Diellin… Hënën… Yjet… Lulet… Fluturat… Pranverën… Ne të duam ty, o plak me mjekër të bardhë! Ne vijmë pas teje edhe në varr… Prijna drejtë rrugës së drejtë, vërtetë përmes luleve! Ne u besojmë marrëzirave që i shkruan nëpër libra…

- O i marrë, a t’u kujtua më në fund edhe ty të vijsh në xhami? - i bërtiti Hoxhë Efendiu me Kur’an në dorë.

- Po, o hoxhë. Erdha ta fal teravinë.

- Vonë është, o plak! Është vonë, o i marrë! Nuk është për ty xhamia me flamuj gjysëmhëne nëpër dy e katër minare. E di, moti e propagandon nëpër Bit-Pazar, se: edhe unë do të vij në xhami t’i lutem Zotit, vetëm atëherë kur nëpër minaret tona do të valojë flamuri kombëtar shqiptar. Hi-hii-hiii… Plak, për ty është, Xhehnemi.

- Jo, o hoxhë! Nuk është vonë. Erdha më në fund t’i rrëfehem Allahut.

- Ha-haa-haaa… Tybeistifka, ti do t’i rrëfehesh Allahut?! Po, ç’do t’i tregosh o i marrë? Marrëzira të xha Derallës duke shartuar dardha gorrice te “Jasakët e Tikeve”?

- Po, o hoxhë, marrëzira… Edhe atë: Natën e Madhe…

- Heu, o i marrë! Allahu sheh dhe dëgjon gjithë çka ndodh në tokë.

- Jo, o Hoxhë Efendi! Allahu nuk i sheh gjithë këto marrëzira, le të flas plaku në xhami. - Ndërhynë disa burra me kësulën e bardhë të Bajram Currit në kokë.

- Burra, unë do t’i bëj vetëm disa pyetje hoxhës?

- Fol, plak!  Fol, jemi në “demokraci”! U dëgjuan zëra të tjerë në xhami.

- O hoxhë, unë dua ta dijë kush i mbyt fëmijët në djep? Dhe, pse asaj dore të ndytë më shumë ia ka ënda fëmijët shqiptar?

- Ku ta dij unë, o i marrë! Nuk përzihem në punët e Allahut!... Tybeistikfa!...

- E di ti, o hoxhë! E di. Se, ti u ke bërë hajmali. U ke dhënë barna… Injeksione… Kush ia la xha Seferit gjilpërën e këputur në dhëmbë?

- Xhemat. Ky plak është i marrë. Përzieni nga xhamia!

- Jo, o hoxhë! Ky plak është i mençur. Vazhdo, plak! Vazhdo! - ndërhyri një i ri.

- Kush i shëron gratë që i kanë burrat në kurbet?

- Xhemat, ky plak fol me xhindet!

- Jo, me ty o hoxhë efendi! Tjetër punë është ajo nëse, ti e merr veten për xhinde. Pasi nuk rrëfehesh vetë si besimtar besnik, po të rrëfej unë para Allahut… Xhematit…

- Plak, ti qenke i meçur! I mençur! U dëgjuan zëra të tjerë në xhami.

- Burra, fëmijët i mbyt Hoxhë Efendiu. Ky bënë injeksione ku i dhemb pacientit. Nëse i dhemb koka, në kokë… Nëse dhëmbi, në dhëmb… Nëse këmba, në këmbë… Nëse syri, në sy… Thotë, se përnjëherë i bënë tri punë. Një: bën hajmali. Dy: jep barëra. Dhe, tre: injeksione. E kanë paguar disa “shkencëtarë të njohur vëllezër” të mos shtohet fara e shqiptarëve. Këta, viteve të fundit e kanë zbuluar shtimin e shpejtë të numrit të lyrekëve. Sipas mendimit të tyre duhet të pengohet lindja e tepërt e fëmijëve, se botës i kërcënohet varfëria dhe rreziku nga shqiptarët???!!!... Hoxhë Efendiu përveç parave të “shkencëtarëve të njohur vëllezër” merr para me të dyja duart edhe nga populli. Ai i shëron gratë, vajzat, nuset e reja… Hoxhë Efendiu është edhe Lugati i Koçajve.

- Hoxhë Efendiu, qenka Lugati i Koçajve?! U habitën burrat dhe filluan një nga një ta lëshojnë xhaminë.

- Çka pritni ju të rendit të parë që nuk dilni në oborr?

- Ne i besojmë Allahut! I lutemi, o plak!

- Edhe juve ju di se çfarë besimtarësh besnik jeni në xhami. Gjithë natën e gjatë vidhni nëpër Qytet. Natë për natë përpiqeni t’i vrisni intelektualët si qenin në rrush. I bëni nëntëqindenëntëdhjetenëntë të këqija. Dhe, kur vjen koha e të falmes të gjithë vini në xhami, uleni në rendin e parë, para këmbëve të hoxhës. Të gjith ju të rendit të parë i keni duart e përlyera me gjak deri në bërryl…

Kur i thash të gjitha dhe s’më mbeti më asnjë fjalë në gojë, dola jashtë duke mbyllur pas vetes derën e xhamisë. Rrugës vetja mu duk e lehtë, gjeth. E hetova se isha shkarkuar nga një barrë e rëndë mbi shpinë. Disa herë më erdhi fuqia t’u bërtas varreve, por e përmbajta veten rrëzë Çukës. Unë e kisha pasur në shpinë një samar. Të gjithë ata që kishin bërë mëkate më kishin hipur në shpinë. Ma kishin vënë frerin dhe më kishin detyruar të ec nëpër pyllin shkëmbor. Unë me këmbë të përgjakura kisha ecur natën, ditën. Më ishin marrë mendtë udhës. E kisha parë Hënën me barrë. Natën më kishin urdhëruar të flej në livadh. Më kishin detyruar të hesht dhe mos e ngrej gishtin. Më vonë e kuptova se këtë e kishin bërë, jo pse më kishin dashur shumë, por pse më kishin pasur frikë. Ishin trembur mos ua zbuloj veprat e shëmtuara me shkop. Ose, të lëshoj në llogari të tyre ndonjë marrëzi nëpër Qytet. Të ec pas këmbëve që të çojnë në mjerim… Dyshim… Pikëpyetje… Bërllok… T’ua shoh sytë e skuqur! Më dridhen këmbët. S’kam fuqi të ik përpara këtyre përbindshave… Qikllopëve me një sy… Grykësve… Zemra më kërcen si top llastiku në krahëror, në mes eshtrave… Lëkurës… Këta qenë e buça me zgjebe ma rrënqethin trupin. Këmbët m’i bëjnë të më bredhin valle në tokë pa lodra e cingana. Përmëtepër, edhe pa dajren e Nuses me pashterkë të kuqe. Duart të më dridhen në xhepa. Flokët m’i çojnë përpjet - iriq. Ma shtinë frikën. M’i errin sytë. Natë për natë shoh ëndërr gjarpërinj… Bolla me flokë… Dhelpra… Ujqër… Derra…

Por, para gjithë këtyre bajgave politike shoh shkëlqimin tim në qiell. Ngrihem përmbi re si zog shqiponje. Fluturoj… Fluturoj… Fluturoj… Rrugës e shoh qiellin e kaltërt… Pa mjegulla… Shi… Breshër… Rrufe… Të gjithë këta armiq që e sulmojnë tokën, njerëzit, kafshët, bimët… Qenkan në qiell! Gjithë të këqijat e të mirat bëheshkan në mes qiellit e tokës. S’di ç’dorë përzihet në mes të kësaj hapsire. Nga na çojnë këto këmbë që nuk na dëgjojnë, o burra? Më hidhet vetë ta marrë litarin dhe t’i lidhë këmbët e mia nye deri në asht. Gojën me shami. Mos bëni më asnjë hap! Mos e folë asnjë fjalë! Një hap më tej, një fjalë më shumë është rrezik! Rrezik! Ju nuk dini ku ma çoni kokën. Vrapimi i juaj është vrapim pulamëshehtas në Kasollën e vjetër me kashtë. Kur dua t’i lidh këmbët, gojën, dikush  më tërheq për gjuhe. Më shan… Më rreh… Ec përpara, o plak! Përpara! Në këmbë! Këmbadoras! Jo, nuk dua. Dua të ec përmbrapa! Ec përpara, kur të them, o plak i marrë! Urdhëri duhet të kryhet i gjallë ose i vdekur. S’keni forcë ju të vraponi përmbrapa. Zbrit në tokë! Jo, jo! Kam frikë. Në tokë ma hedhin litarin në qafë. Më shtinë bajga në xhepa. Më bien me tokmak në kokë. Me zor ma varin për qafe në xhami hajmalinë e Hoxhë Efendiut. Urdhëri është të zbresësh në tokë. Në tokë, o plak! Poshtë! Përdhe! Zvarrë!…

Më detyruan ta tërheq qerren me katër rrota. E detyrimi është më i fortë se ky shkop. Ja, nuk bëj inat. E dua veten më shumë se juve, o Sanço Panço të Ali Ahmetit! Edhe: Faji nuk është i Ali Ahmetit, po i Sanço Pançove shqiptar, që i shkojnë përmbrapa për ndonjë shpërblim pas lufte si dhelpra - dashit mos i bien udhës. Ose, siç thotë Sala: ku di gjë mësuesja sa liqene i ka Shqipëria. Unë them: ku di gjë Ali Ahmeti, çka bëjnë në “fushën e betejës” duke u turrur pas posteve partiake rrugës për në Liri Sanço Pançot e tij hipur mbi gomarë. Prandaj, do të zbres në tokë. Këmbadoras ta tërheq qerren… Oh, ç’shoh o Zot!... Natën me ferexhenë hedhur krahëve… E kam frikë Tollosunin… Xhindet… Lugatin e Koçajve… Sanço Pançot e Ali Ahmetit mbi gomarë…

Ne qenkeshim të këqinj. Aq të këqinj. Aq të këqinj…  Na shpëto, o Zot!...