E premte, 29.03.2024, 09:51 AM (GMT)

Kulturë

Hivzi Muharremi: Monografia ‘’Teatri i Pejës’’ – vepër antologjike

E marte, 24.04.2012, 06:54 PM


Studim libri

MONOGRAFIA “TEATRI I PEJËS”-VEPËR ANTOLOGJIKE

(Sejdi BERISHA: “Teatri i Pejës”-Monografi, botues Club Kultura Pejë, 2012)

Nga Prof. dr. Hivzi Muharremi

Monografia e “Teatrit të Pejës” e autorit Sejdi BERISHA, e cila kohë më parë është botuar, për mua është një ngjarje e veçantë kulturore, një ngjarje e cila për shumë dashamirë të artit skenik deri me sot ka mundur të jetë vetëm iluzion, por me këmbëngulësin  dhe me punën intensive e të palodhshme të autorit, kjo vepër monografike kushtuar institucionit më të rëndësishëm të kulturës Teatrit të Pejës, sot “rilind”, rrezaton dhe ndodhet para nesh, vepër kjo madhore e shkrimtarit dhe publicistit Sejdi Berisha kushtuar këtij tempulli të kulturës, ku kanë aktruar dhe defiluar me qindra emra të njohur të arteve skenike dhe jo vetëm të kësaj fushe.

 

Përkushtim madhor për një pasqyrë historike të artit skenik dhe të vlerave kulturore

 

Më shumë se dy dekada, S. Berisha me përkushtim i është qasur një projekti të tillë. Për punën sizifiane të këtij projekti më së miri shprehet autori, ku në mes të tjerash thotë: “Kjo “përallë” për këtë monografi është e kahmotshme dhe se pjesa dërmuese e materialit të cilin e kam pas grumbulluar, ka rrugëtuar dhe ka udhëtuar së bashku me mua, veçmas në kohën e luftës në Kosovë.” Pra, siç shihet, autori jo vetëm që një kohë të gjatë është preokupuar me  një studim, ta quaj antologjik për institucionin kulturor të arteve skenike në Pejë, nga i cili rrodhën emrat më të spikatur të vokacioneve të ndryshme skenike-artistike. Pra, nuk është për tu quditur se me aq këmbngulësi dhe përkushtim të madh i është qasur përpilimit të materialit studimor, i cili me një gjuhë të lehtë, të pastër dhe të rrjedhshme, me metodologji shkencore i zbaton metodat komporative, analitike dhe sintetike. Sejdi Berisha dëshmon për përkushtimin e madh dhe mishërimin që e kishte gjatë dekadave me Teatrin e Pejës, përkatësisht për botim të një monografie gjithëpërfshirëse.

 

 

Para se të shpalosim materialin e tërësishëm të shkruar nga pena e autorit, i cili më së katër dekada është prezent me shkrime në shumë revista periodike dhe në ato të përditshme e shohim të udhës që në pika të shkurtëra,  para auditorit të respektuar  në mënyrë koncize ta paraqesim jetëshkrimin e krijuesit.

Që nga shkolla fillore, fillon të shkruaj poezi, të cilat së pari i botohen në gazetën “Flaka e Vëllëzrimit” të Shkupit, e pastaj, në “Pionieri” dhe në “Rilindja për fëmijë”. Nga këtu zë fill edhe zhvillimi i talentit të tij edhe si shkrimtar edhe si gazetar. Në vitin 1972 punësohet në Radiotelevizionin e Prishtinës, përkatësisht në Radio-Prishtina si korrespondent nga Peja. Në këtë detyrë qëndroi deri në vitin 1990, kur policia serbe me dhunë i dëbon nga vendet e punës.

Sejdi Berisha, gjatë punës në Radio-Prishtina ka arriturr titullin e Redaktorit të Kategorisë së Parë. Në vitin 1982 nxori numrin e parë të gazetës “Peja” dhe ishte themelues i Radio Pejës (1981). Në vitin 1982 ishte edhe drejtor i këtij institucioni me rëndësi të veçantë informative dhe shoqërore.

Është njëri prej punëtorëve më të mirëfilltë të kulturës në Pejë dhe më gjerë. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe i Lidhjes së Gazetarëve të Kosovës.

Ka botuar tridhjet libra, nga fushat e ndryshme artistike dhe me qindra vështrime kritike, ese,  studime etj. Që nga mosha fëmijërore kur është kyqur në teatër e deri me sot është aktiv me punën e tij të paloshshme dhe frytdhënëse drejt avancimit e afirmimit të teatrit.

 

 

Në aspektin metodologjik monografia “Teatri i Pejës” është e konceptuar përmes kapitujve duke filluar nga : 1.hyrja, 2. Nga rrjedhat zhvillimore historike të Pejës, 3. Fillet e artit skenik në Pejë, 4. Peja çerdhe nga dolën artistët më të njohur të Kosovës. 5. Periudha e viteve të 60-ta të shekullit kaluar, 6. Periudha e rezultateve të mëdha, 7. Vitet e 70-ta Aktivitetin e teatrit e karakterizojnë përgaditjet e dramave kombëtare dhe cilësia e lojës në skenë, 8. Numri i atyre që u kyçën dhe kontribuan në zhvillimin e artit skenik është i madh, 9. Angazhimi dhe kontributi i femrave në zhvillimin e artit skenik në Pejë, 10. Situata politike në Kosovë reflektohet edhe në punën e teatrit, 11. Drejtorët e deritashëm të teatrit, 12. Gazetarët të cilët e kanë përcjellë punën dhe rezultatet në fushën e artit skenik në Kosovë. 13. Arti skenik edhe pas Luftës në Kosovë vazhdon rrugëtimin dhe me kapitullin 14. Në vend të fjalës përmbyllëse “Kështjellë shpirtërore nga e cila nuk mund të dilet pa e hulumtuar kohën, pa e kërkuar vetvetën…” Kuptohet në fund  15. Bibliografia dhe 16. Shënim për autorin.

Do thënë që nga trajtimi i gjenezës së historikut të teatrit të Pejës, autori jo vetëm që e ka konsultuar materialin por anën tekstuale të kapitujve e ka ilustruar me riprodhime të shumta duke filluar nga posterët e shfaqjeve, fotografive si nga ato të imazheve të periudhave të ndryshme historike, ku Peja ka kaluar e deri të fotot e shfaqjeve dhe portreteve të krijuesve, numri i të cilëve goxha i madh është trajtuar në monografinë e autorit. E tëra e kësaj reflektohet në vlerat ideo estetike të monografisë.

 

 

 

Kronologjia zhvillimore e Pejës, vlerat kulturore dhe arti skenik

 

Në kapitullin e parë, në mënyrë kronologjike trajtohet ecuria zhvillimore e qytetit të Pejës. Një nga qendrat më të rëndësishme të Kosovës e cila që nga viti 1912 është veçuar me aktivitete të ndryshme kulturore. Në gjirin e saj kanë vepruar orkestrina të ndryshme, si ajo e mandolinave dhe Orkestra frymore, që ishin raste të rralla apo nuk ekszistonin në qendrat tjera. Në vazhdën e këtyre grupeve filloi funksionimi i teatrit të qytetit, i cili për një kohë të shkurtër i tejkaloi të gjitha përmasat komunale dhe u bë një ndër teatrot më të njohur dhe më të afirmuar jo vetëm në Kosovë por edhe në ish vendet e Jugosllavisë së atëhershme. Gjithashtu, autori na japë një pasqyrë zhvillimore të shumë aktiviteteve apo manifestimeve që janë zhvilluar në Pejën e atëhershme siç janë:  “Netët e Dukagjinit”, Mitingu i Poezisë Revolucionare” dhe  Festivali  i Teatrove Amatore . Veprimin e më së dhjetë klubeve futbollistike, disa prej të cilave garonin në rangun më të lartë të futbollit si dhe shumë shoqëri e klube të tjera të hendbollit, basketbollit, atletikës dhe boksit.

Të gjitha këto aktivitete të ndërmara në atë kohë dëshmojnë se jeta kulturore dhe sportive ka qenë në nivel, dhe potenciali i këtyre fushave ka poseduar emra të mirëfillt që kanë ndikuar në zhvillimin dhe masovizimin si të kulturës skenike po ashtu edhe të asaj sportive. Në kushte dhe rrethana të tilla ka filluar rrugëtimin e vet arti skenik, i cili gjatë dekadave të ardhshme                                               akoma e më shumë do të arrijë t’i dëshmojë vlerat e veta dhe gradualisht do të jetë në hap në ngritjen e kuadrove skenike. Dhe, për një kohë të shkurtër, permes përfaqësimit në festivale të

Sejdi Berisha

ndryshme do t’i dëshmojnë vlerat e veta dhe do të bëhen laureat të mirënjohjeve dhe shpërblimeve të ndryshme artistike.

Aktiviteteve kulturore të organizuara në atë kohë, padyshim një ndihmesë të madhe iu kanë dhënë edhe zejtarët pejan si në aspektin material po ashtu edhe moral e artistik. Pra, zejtarët, sipas autorit Berisha, u angazhuan në shoqëri të ndryshme qysh në kohën e sundimit turk e posaçërisht që nga viti 1914 e tutje. Sipas të gjitha gjasave, shfaqja e parë në këtë periudhë, shikuesve u prezantohet nga Shoqëria Antoniane, me titull  “Zefi i vogël”, në të cilën një ndër rolet kryesore e interpretoi  edhe Mark Gashi, argjendar i njohur e me traditë të gjatë në Pejë.


Këtij aktiviteti që në haperimet e para drejtë tempullit skenik i bashkangjiten edhe shumë zejtarë së bashku me plejadën e aktorëve në teatrin sapo të formuar, si: Ramiz Loxha, Kadrush Bala, Malo Gami, Ahmet Spahiu, Muharrem Dina, Kristë Berisha, Nuredin Loxha, Rrok Gega, Emine Shabi, Lejtore Krajku, Nazmie Thaqi e të tjerë, që do ta fillojnë punën e tyre në teatrin sapo të formuar. Një pjesë e këtyre aktorve janë marrë me zeje të ndryshme. Gjurmët e artit skenik në Pejë, sipas autorit datojnë që nga viti 1900.

Në kapitullin “Fillet e artit skenik në Pejë” datojnë vedçmas që nga viti 1939, kur fillojnë themelet e para në organizim të mbrëmjeve humoristike, me prezantime të shkurtëra aktrimi nëpër oda dhe shtëpi”. Këto ishin xixillonjat e para teatrale që filluan gradualisht të joshin një numër të konsiderueshëm të qytetarëve.

Në vitet e 50-60 teatri i Pejës, jo vetëm që ishte më i kompletuar në aspektin aktoresk, por edhe niveli i shfaqjeve ishte shumë më cilësor e më atraktiv. Për dashamirët e artit skenik, në atë kohë, pjesët teatrale ishin pjesë e pandashme e jetës së tyre. Shfaqjet më joshëse atëbotë ishin “Dredhitë e Shaptukut” dhe komedia e Kristo Floqit “Burri burrë” me rolet e interpretuara nga Kristë Berisha, Ilijaz Nushi, Sytkie Turjaka, Nazmije Thaqi etj. Gjithashtu duhet përmendur edhe dramën e Jusuf Kelmendit “Hakmarrja’, e cila jashtëzakonisht mirë është pritur nga dashamirët e teatrit, për shkak të temës aktuale që trajtonte për atë kohë.

 

Aktorët që i dhanë shpirt artit skenik dhe vlerave shpirtërore e kulturore

 

Në kapitullin “Peja çerdhe prej nga dolën artistët më të njohur të Kosovës”, autori Sejdi Berisha, fillon me një hyrje të shkurtër duke na prezentuar emrat më të njohur të artistëve nga fushat e ndryshme të arteve skenike, e që padyshim një numër nga ky grup i prezentuar janë bërë ëmblemë e teatrit shqiptarë. Në mesin e emrave më të njohur spikasin: Melihate Ajeti-Qena, Abdurrahman Shala, Malo Gami, Kristë Berisha, Ragip Loxha, Nuredin Loxha, Istref Begolli, Faruk Begolli, Ahmet Spahiu, Ekrem Kryeziu, Igballe Gjurkaj-Qena,  Asllan Hasaj, Afrim Kasapolli, Ahmet Jakupi, Selami Taraku etj.

Shtegtimin e vet drejt arritjës së cakut në aspektin profesional, padyshim që me këtë brez, Teatri i Pejës është dashur ta arrijë, apo siç thotë autori: “ Këta dhe shumë tjerë, jetës skenike, teatrit, filmit, televizionit, akademisë së arteve dhe përgjithësisht kulturës i dhanë shpirt për të ecur më pastaj drejtë të të arriturave të vlerave shpirtërore dhe kulturore.

 

Bekim Fehnmiu i veçantë në jetë, i veçantë në aktrim...

 

Në këtë kapitull në mënyrë analitike është përfshir portreti i Faruk Begollit, Bekim Fehmiut, Muharrem Qenës, Istref Begollit etj. Veçanërisht me një theks të veçantë është ndal në studimin: Bekim Fehmiu në skenën e teatrit të Pejës.

Për aktorin e përmasave botërore, i cili padyshim famën e vet më të madhe e ka arritur me “Mbledhësin e puplave” dhe “Odiseun”.

Në vitin 1955/56 me trupe ne Teatrit Krahinor ka aktruar në skenën e teatrit të Pejës. Ky artist i madh i botës së artit skenik dhe filmik, me sukses i ka realizuar rolet në mbi dyzet e pesë filma në ish-Jugosllavi dhe në botë. Autori i librit, kapitullin kushtuar Bekim Fehmiut e fillon me nëntitull: Uliksi ikën… Bekim Fehmiu i dha fund jetës së tij. Aktori i vetëm shqiptar i përmasave botërore, i veçantë në jetë dhe aktrim, ishte i veçantë edhe në vdekje dhe amanet…”

 

 

 

Gjithashtu, me një theks të veçantë, S. Berisha e bën prezantimin e artistit Istref Begolli, i cili që nga mosha shumë e hershme ka hyrë në botën e artit skenik, andaj është personaliteti më i ndritshëm i skenës shqiptare. Në vitin 2007 teatri i qytetit i cili kishte arritur t’i kryejë të gjitha obligimet ligjore për avancim në teatrin profesionist. Vendoset që emërtimi të jetë Teatri Profesionist “Istref Begolli”.

Padyshim, emri i Profesorit Faruk Begolli është bërë sinonim për artin skenik-aktoresk në Kosovë. Krejt jetën e shkriu në dërrasat e teatrit, e sidomos ishte i mishëruar me teatrin “Dodona”. Dua t’ia citojë fjalët nga intervista e fundit të Farukut që janë edhe në monografinë “Teatri i Pejës”:   “ Kurrgjë nuk kam gabue për krejt atë që kam bërë në këtë jetë. Nuk më vjen aspak keq që nuk kam ba edhe më shumë. Asgjë nuk  kam lanë mangut. Kam rrënu me kënaqësi. E tash, po pres, e çka po pres? Nuk po pres ma duartrokitje, as rezultate, as kritikë, as… a? Po pres me pushue… me ikë.

Gjithashtu, edhe emri i Kristë Berishës është ngushtësisht i lidhur me Teatrin e Pejës, i cili ka realizuar shumë shfaqje dhe është iniciator për themelimin e dramës shqipe që nga viti 1945 në këtë qytet. Shfaqja më e suksesshme që e ka realizuar nga një numër të shumtë është “Kryet e Hudrës”.

 

Me dramën “Valsi i kuq” fillon fryma e vlerave moderne...

 

Ndërsa, me vuarjen e dramës “Valsi i kuq” në skenën e Teatrit të Pejës, autorit Sejdi Berisha, fillon të zbatojë një frymë të re në sendërtimin e vlerave moderne në këtë institucion. Mund të themi, për herë të parë, pikërisht me këtë shfaqje, ku padyshim rol parësor ka luajtur edhe regjisori Halil Gashi, ndërsa mesazhin e dramës e ngrit Selami Taraku, kontribut tjetër për këtë pjesë kanë dhënë edhe aktorët: Shaip Grabovci, Ilijaz Nushi, Nuradin Sadiku, Adnan Limani, Shefqet Zogaj, Ferdije Shabi e Osman Kollçaku, skenografi Nuradin Loxha dhe kompozitori Akil Koci.

Në kapitullin “Arti skenik edhe pas luftës në Kosovë e vazhdon rrugëtimin”, theksohet se periudha e pas luftës në Kosovë, kishte një ngecje në vazhdën e aktiviteteve të teatrit, kuptohet për shkaqe objektive, ndonëse objektin e teatrit forcat e KFOR-it e kishin planifikuar për aktivitetet e tyre. Mirëpo një ngecje kulturore zgjati deri në vitin 2001, kur u aftësua objekti i Kino-Teatrit “Jusuf Gërvalla”, i cili deri në lirimin e teatrit të qytetit shërbeu për aktivitete të ndryshme kulturore. Me rihapjen e teatrit me 26 prill 2003, arti skenik e filloi shtegtimin e vet drejt teatrit profesionist, ku edhe vizioni i Drejtorisë së Kulturës dhe ekzekutivit komunal, ishte që Peja pas një kohe shumë të gjatë dhe me një historik mjaftë të bujshëm, më në fund të bëhet qyteti i katërt me teatër profesional.

Në kapitullin në vend të fjalës përmbyllëse: “Kështjellë shpirtërore nga e cila nuk mund të dilet pa e hulumtuar kohën, pa e kërkuar vetveten..”, shkrimtari dhe publicisti Sejdi Berisha, në mënyrë poetike e prezanton rrugëtimin zhvillimor të Teatrit  të Pejës, i cili  kishte një historik të bujshëm e ku caku kryesor ishte shtegtimi drejtë arritjes së statusit profesionist.

 

Institucioni kulturor i cili shpërblehet me një vepër të madhore dhe gjithëpërfshirëse

 

Dhe në fund, lirisht mund të them se autori Sejdi Berisha, ia ka arritë qëllimit, pikësynimi i të cilit ka qenë që më në fund edhe Teatri i Pejës të shpërblehet me një vepër gjithëpërfshirëse, të artistëve të cilët tërë jetën ia kanë kushtuar artit skenik-aktrimit.

Nuk është për tu çuditur përse doli një vepër kaq e suksesshme, kur dihet fakti se autori i kësaj monografie jo vetëm që ishte krijues i të gjitha fushave artistike, por njëherit ishte i mishëruar me botën e artit, ishte artist me plotë kuptimin e fjalës, njohës i mirë i të gjitha zhanreve artistike, mos të përkufizohem vetëm në atë skenik. Andaj, me kënaqësi të madhe mund të konstatojë se kjo vepër e shkrimtarit dhe publicistit Sejdi Berisha, është vepër antologjike për Teatrin e Pejës.

Studimin e shkrimit recensional do ta përmbylli me mendimin përfundimtar të autorit n ga kapitulli i fundit “Në vend të fjalës përmbyllëse”: “Unë kaq thash... por,  jo aq sa kam dëshiruar, aq sa dëshiroj për ta flakur mjegullën, nebulozën dhe smirën, të cilat me decenie mbase me shekuj i kanë ngatërruar ecjet…  Kjo është e tërë ajo që kam mundur të them e të shkruaj për teatrin. Kjo është ajo që ka dhënë Teatri i Pejës, ky ishte i tërë thesari që e vuri si themel dhe i forcoi vlerat shpirtërore dhe kulturore”!



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora