Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ndue Ukaj: Kriza e librit shqip

| E hene, 23.04.2012, 09:50 PM |


Kriza e librit shqip

Nga Ndue Ukaj

Me 23 prill, është  dita e librit. Në Kosovë, ku krizat e shumëfishta shoqërore, janë të shumta, kjo ditë, nuk është e dallueshme dhe kësisoj s’ka sesi të përbëj ndonjë rëndësi.

Shkrimtarët shqiptarë të kësaj pjese, të shkapërderdhur si delet e sulmuara nga ujqit, e kanë të zorshme të mbajnë kurrizin drejt përballë politikës dhe t’iu qëndrojnë me dinjitetin e shkrimtarit, furtunave të saj. Si alternativë, disa preferojnë heshtjen, e shumë sosh bëjnë punën e argatëllekut.

E për këto arsye, që assesi s’ janë të vetmet,  kjo ditë, duhet me na shërbye si moment reflektimi e meditimi, me e kuptua katandisjen dhe mjerimin e librit shqip, si dhe pozitën e palakueshme të shkrimtarit shqiptar.

Nëse kthejmë shikimin prapa në historinë shqiptare, nga evidencat e shumta letrare të mirënjohura, e kuptojmë se momentet ma të rëndësishme të jetës kombëtare shqiptare, i kanë krijua shkrimtarët, të cilët u bën misionarë të ideve kombëtare, në kohë kur kërkohej liria, e pastaj të ideve përparimtare dhe emancipimit, në kohë kur kërkohej zhvillimi e emancipimi.

Krist Maloki, erudit i letërsisë dhe kulturës shqiptare, i cili i përket periudhës së artë të viteve të 30-ta, kur diskutonte për literaturën shqiptare, pat shkruar: “Paralel me gjendjen dhe rjedhjet sociale qindron edhe literatura e jonë e shkatrueme. Pa një drejtim, pa një qëllim të përbashkët-mbasi u shterp edhe lopa e patriotizmit-vjershojn poetet e sotshem ner gjithfarë anësh të Shqipëniës e gjithfarë vendesh të huej, sejcili në mendje të vetë, pa fije inspiracijonit e shije artistike”. Kanë kaluar dekada dhe letërsia shqipe ka përjetua momente të ndryshme evolimi dhe transformimi, mirëpo sot, nëse jemi të vetëdijshëm dhe heqim qafe dalldinë dhe vetkënaqësinë mburravece, mund të themi se asnjë presje s’mund t’i hiqet vlerësimit të K. Malokit.

  Kosovë, ka pak ose aspak shkrimtarë  të iluminun prej ideve të mirëfillta letrare dhe estetike. Madje, letërsia në Kosovë, ende vazhdon të jetë në funksione joestetike (Northrop Fray) dhe ideologjike.

Në Kosovë, librin  e ka rrëmbye në laboratorin e vetë padijes politika dhe e ka vu në funksion të “shërbimit” ideologjik. Prandaj, nuk është aspak e rastësishme, ajo çfarë ka ndodh në fushën e librit shqip në dekadën e fundit, në të cilën munden me u gjet duzina të tëra librash të pavlera, por pak ose fare libra me vlera të dallueshme artistike.

Andaj, mundet me u konstatua pa hamendje, Kosova në vitet e lirisë, ka prodhua duzina librash, por pak vlera. Këtë fakt, e pranojnë gjithë njohësit e kësaj letërsie. Sot, është e zorshme ose e pamundur të bëhet një regjistër me 10 libra të mirëfilltë në fushën e prozës, poezisë, kritikës, dramës, që mund t’iu ofrohen lexuesve të përbotshme.

Poezia, e cila është mbretëresha e arteve, vuan nga një dozë kontinuele e patetizmi dhe poetët shqiptarë, ende shkruajnë duke “mjel lopën” e shterrur patriotike,  pa inspirim dhe pa shije artistike.

As mendimi për letërsinë, i njohur ndryshe si kritika letrare, nuk qëndron më mirë. Përkundrazi, ai është barrikadu brenda oborreve të ndryshme partiake dhe kështu është bë një mur i vërtet pengues mes letërsisë dhe lexuesve. Kritikët letrare, kanë krijuar kultet e tyre për shkrimtarët, duke ju pamundësuar lexuesve t’i lexojnë dhe vlerësojnë vetë.

Drama shqipe, po ashtu është në trysninë e politikës dhe nuk është zhvillua sipas ligjësive të saj të natyrshme.

Ky përshkrim, për gjendjen e letërsisë shqipe, është një dëshmi e qartë se gjendja e përgjithshme e shkrimit shqip dhe librit në Kosovë është në krizë të thellë.

Një proverb i njohur latinë thotë: "A verbis, ad verbera" - "Nga fjalët, tek kamxhiku". Proverbi në fjalë, është një sinjalistikë domethënëse, për rolin dhe peshën që ka fjala e shkruar. Ndaj këtij fushe shpirtërore, në këto vite lirie, nuk është treguar aspak kujdes dhe respekt, duke harruar se kultura është shpirti i një kombi, ndërsa libri, është një nga shtyllat e tij. 

Dita e librit, edhe njëherë  na përkujton se në  ç’ krize të thellë është  libri, se në  ç’krizë është  letërsia, mendimi kritikë letrar dhe në  përgjithësi kultura. Kosova, vërtetë ka kriza të shumëfishta, por ajo e deformimeve shpirtërore, është    e madhja, më  e rrezikshmja dhe më  kompleksja. Kosova, këto viteve të  fundit, ka krijuar shkrimtarë  servil, kritikë  letrar argatë  dhe njerëz të  “kulturës”, që    vetmen punë    e bëjnë  mirë,  është  shërbimi ndaj  pushteteve dhe partive. 

Kosova mjerisht, sot ka aq pak individualitete të  theksuara krijuese, sa të  kap  ankthi.  Shumica e shkrimtarëve shqiptarë në Kosovë, të futur  nën sqetullat e fondeve të ndryshme, shkollave të ndryshme dhe interesave të ndryshme politike, bëjnë gjithçka tjetër, përveç se kulturë.

Libri është i shenjtë, thoshte shkrimtari erudit Hose Luis Borhes. Andaj, si shkrimtar që e çmonte fjalën deri në adhurim, ai  kërkon tretman të veçantë për librin.

Po e mbyll këtë shkrim, me një referencë nga ky autor, pa dashur dhe pasur nevojë komentimi të mëtutjeshëm: “Ta vësh një libër në duart e një injoranti, është po aq e rrezikshme sa të vësh një shpatë në duart e një fëmije. Ja pra se çfarë mendohej atëherë për librin”.