E premte, 03.12.2021, 10:49 AM (GMT)

Kulturë

Demir Krasniqi: ‘’Kablushëkuqja’’ – këngë me porosi amoraliteti...

E hene, 23.04.2012, 06:51 PM


Nga folklori ynë :

“KABLUSHËKUQJA” – KËNGË ME POROSI AMORALITETI, TRADHTI BASHKËSHORTORE DHE NË KUNDËRSHTIM ME TRADITAT E MIKPRITJES SHQIPTARE

Shkruan: Demir KRASNIQI

Njëra ndër këngët e rralla e cila ka shtënë rrënjë padrejtësisht në folklorin tonë , e që brenda tekstit të saj ka një porosi tepër të ulët të amoralitetit, tradhtisë bashkëshortore dhe që është në kundërshtim të plotë me normat dhe traditat e mikpritjes shqiptare, pa dyshim se është kënga shumë e popullarizuar kosovare me titull:”Boll e mire, moj Kablushëkuqe”, e cila me dekada përveç dasmave, ahengjeve dhe koncerteve publike, sillet edhe nëpër emisionet radio-televizive .

Kjo këngë që nga fillimi i saj na tregon për një dashuri tinëzare në mes të dy të rinjve, për të cilët nuk dihet fare se në çfarë afërsie u ka lind kjo dashuri ?!

Po të ishte kjo dashuri e sinqertë , atëherë vajza Kablushëkuqe, nuk do të duhej që ta tradhtonte djalin që e donte aq shumë dhe të fejohet e martohet në tjetër vend !

Absurdi edhe më i madh i kësaj kënge , paraqitet përmes faktit se Kablushëkuqja shpreson se edhe pas martesës së saj tek burri tjetër, do t’i mbajë lidhjet dhe kontaktet tinëzare intime me të dashurin e parë !

Në këtë kontest , që të dy të rinjtë e dashuruar (djali dhe vajza), na paraqiten dyfish tradhtarë , nga se djali edhe pse e di mire se Kablushëkuqja do të shkëputet nga ai, për të shkuar nuse tek burri tjetër, ky prapë se prapë do t’i kërkojë asaj që t’ia tregojë ditën se kur do të shkojë nuse dhe që ajo t’ia japë  dhuratë një pale meste për kujtim !

Pas këtyre akteve , Kablushëkuqja do ta nxisë të dashurin e braktisur që të mos heq  dorë as se si nga ajo, edhe pse do të martohet, por të blejë revole dhe mauzerre për t’u armatosë dhe për të rezistuar në rast të ndonjë rreziku !

Kablushëkuqja , përveç që do të pranojë me vetëdije të plotë që ta tradhtojë moralisht dhe ta nëpërkëmbë dinjitetin e burrit me të cilin do të martohet, ajo do ta nëpërkëmbë dhe denigrojë edhe traditën e mikpritjes shqiptare , duke e ftuar  të dashurin e pare që të shkojë si mysafir në shtëpinë e burrit të saj për të fjetur një natë dhe të maskohet se gjoja ai është një mik i afërt shtëpie !

Këtë tradhti perfide në emër të miqësisë familjare dhe të mysafirllëkut , Kablushëkuqja do ta shfrytëzojë për ta përqafuar ngrohtësisht  ish të dashurin e saj dhe pastaj në emër të mikpritjes dhe të mirëbesimit , të dali me te në bahçe ku do të argëtohen dhe zbaviten pa u penguar nga askush !

Për më tepër rreth porosisë së kësaj kënge, po ua lëmë në dispozicion  vargjet e saj origjinale dhe ju lexues të nderuar analizoni, logjikoni dhe gjykoni drejt se a e meriton kjo këngë të zë vend në analet e folklorit tone muzikor tradicional ?!

 BOLL E MI MOJ KABLUSHË-KUQE

O, boll e mirë, o moj kablushë-kuqe ,

O, kallëzo ditën , kur do t’ shkojsh  nuse !

 

Kallëzo ditën , kur t’ bajsh me shkue –

O, ni parë meste , o, lemi mue !

 

Ni parë meste , o , me m’i  lan-e ,

O, kur t’i marr , o, me i shti në kam –e ...

 

O, t’ ëm bjen n’ mend , o, kush m’i ka dhan-e ,

O, veni – ven , o, s’ ka me mu zan-e !

 

-O, mos t’u zaftë , djalo, veni – ven-e,

O, rrok mamxerrën e qit në shej –e !

 

-O, rrok mamxerrën e qit në shej-e ,

O, ishalla t’ hiqet maraku i jem –e !

 

-Hiq maraku , djalë, mos t’u hjekt-e ,

O, nxirr alltijën e qit përpjet-e !

 

-Hiq maraku , djalë, mos t’u hjekt-e ,

O, mësyja ‘i natë , o, hajde me fjet-e !

 

-Mësyja ‘i natë , o, për mysafir-e ,

O, n’ derë t’ oborrit , o, nisja e thirr-e !

 

-Ata e kanë ni zanat të mir-e ,

O, dil moj nuse , dikush po thirr-e !

 

-Unë, te dyert kur t’i lëshoj syt-e ,

O, kthehna mrena , o, tue bërtit-e !

 

-O, kuku nan-e, kokem , o, korit-e ,

O, na ka ardhë , o, ma i miri mik-e !

 

-Na ka ardhë, o, ma i miri mik-e ,

-O, e kem zanatin , o, i marrim ngryk-e !

 

-O, t’ shtrëngon dada me bylyzyk-e ,

O, rrueza e cingla t’i derdhi n’ gjyks –e !

 

-T’ shtrëngon dada faqen , o, për faqe ,

O, more , dalim bashk-e, o, more , rrimë , o, në bahçe , o hej !

 

Gjilan, Mars 2012.



(Vota: 4 . Mesatare: 1.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora