Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Zbardhet skema si ndodhi shpërthimi

| E enjte, 20.03.2008, 03:47 PM |


Zbardhet skema si ndodhi shpërthimi

Nga Elona Elezi

Një djegore e rënë aksidentalisht në një sasi të vogël baruti brenda fabrikës, dyshohet se shkaktoi katastrofën

TIRANË - Nëse deri para dy ditësh kishte akoma shpresa për të gjetur ndonjë të mbijetuar në rrënojat e shtëpive pas shpërthimit në Gërdec, tashmë kërkohen vetëm viktima. Pesë ditë pas katastrofës, vazhdon puna për gjetjen e trupave të personave që punonin në fabrikë dhe banorëve të zonës. Sipas burimeve zyrtare, pranë vendit ku po bëhen kërkimet mësohet se zonat më të nxehta ku janë gjetur trupat që ditën e parë e që vazhdojnë të gjenden edhe sot, janë vendet më afër kraterit. Burimet bëjnë të ditur se pas shpërthimit të dytë, i cili ishte dhe më i fuqishmi, pranë kraterit janë krijuar masive të mëdha dheu, vende në të cilat është përqendruar dhe kërkimi për gjetjen e trupave. Ndërkohë që nga të njëjtat burime mësohet edhe skema, sipas së cilës mendohet të kenë rrjedhur ngjarjet dhe shpërthimet njëri pas tjetrit.

Skema

Gjithçka ka nisur në paradhomën e fabrikës, në të cilën realizohej çmontimi i predhave. Mbase një pakujdesi ka bërë që nga dora e njërit prej punëtorëve të binte pjesa më e rrezikshme e predhës, djegorja. Kjo e fundit ka rënë në kontakt me barutin që dilte nga çmontimi dhe ka krijuar shpërthimin e parë. Shpërthimi i parë ka zgjatur rreth 15 minuta. Burimet saktësojnë se njerëzit që gjendeshin aty, përforcuar kjo dhe nga dëshmitë e të mbijetuarve, fillimisht kanë parë dritën e shpërthimit e pak çaste më vonë kanë ndjerë valën goditëse të tij. Pasi ka zgjatur për çerek ore shpërthimi i parë, një tjetër shpërthim ka ndodhur më pas, i cili ka qenë ai shkatërruesi. Nga paradhoma, një predhë ka plasur e ka rënë pak metra më tutje, në territorin ku mbahej baruti që përftohej gjatë ditës. Pranë kësaj zone mësohet të kenë qenë dhe tre kontenierë të përhershëm me barut. Në kontakt me barutin, predha ka krijuar dhe shpërthimin, pasi sasia e barutit në kontenierë ka qenë shumë e madhe.

Viktimat

Sipas të njëjtave burime, bëhet e ditur se përveç numrit të deritanishëm të trupave të gjetur, dyshohet se në rrënoja ka një numër të madh të vdekurish. Ndërkohë që sipas dëshmive të të mbijetuarve, dihet që ditëve të shtuna punohej me staf të reduktuar, që do të thotë se, nëse në një ditë normale jave kishte rreth 120 punëtorë, të shtunave punonin vetëm afro 80 prej tyre. Shifra 80 është përmendur prej më shumë se pesë dëshmitarësh të pyetur nga “Korrieri” ditën e parë të tragjedisë. Pozicionimi i forcave ushtarake dhe atyre të rendit mësohet të jetë tek masivi i dheut që është krijuar pranë kraterit, pasi shpërthimi ka krijuar një grumbull dheu rreth tri vatrave, përkatësisht tri vatrave që rrethonin kontenierët ekzistues të barutit. Por edhe pse po punohet shumë, pastrimi i zonës nga predhat mbetet pika më e vështirë, pasi poshtë dheut të krijuar mund të ketë akoma predha të paplasura, që eliminon mundësinë për të hequr dheun me ekskavator, gjë që do të sillte një aktivizim ose shpërthim tjetër.

Rreziku i ri, depozitat e naftës
E vetmja frikë që mbetet për banorët e zonës së periferisë së Tiranës pas shpërthimit të Gërdecit, janë dy depozita nafte që ndodhen në vijë ajrore 500 metra larg Vorës dhe shumë pranë aeroportit të Rinasit. Banorët dhe forcat ushtarake i tremb fakti që ndonjë predhë e mundshme mund të bjerë në kontakt me depozitat e naftës, që do të sillnin një tjetër shpërthim e një tjetër katastrofë.

Katër viktima u gjetën në ish-paradhomë
Katër viktimat e para të gjetura në rrënoja janë gjetur në zonën mes paradhomës dhe zonës ku mbahej baruti i përftuar gjatë çmontimit të ditës. Shumica e tyre janë gjetur me pjesë të ndara trupi. Ndërkohë që njëra nga viktimat e familjes Deliu mësohet të ketë pasur një garuzhde në dorë, në momentin që është djegur nga flakët e shpërthimit. Orari në të cilin ka ndodhur katastrofa ka qenë orar pushim në fabrikë, kohë në cilën drekonin të gjithë punëtorët.  

ADN-ja, shpresa për identifikimin
Ndërkohë që burime pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore bëjnë të ditur se vazhdon ende puna për identifikimin e tri kufomave të Gërdecit. Duke qenë se identifikimi është shumë i vështirë, për shkak të gjymtimit të madhe të trupave, e vetmja rrugëzgjidhje mbetet ADN-ja. “Identifikimi përmes ADN-së mbetet e vetmja mundësi që na ka ngelur për të identifikuar tri kufomat e fundit”, - theksojnë burimet. Shkak për këtë mësohet të jetë përçudnimi i trupave nga vala e madhe goditëse, si dhe nga djegiet e plagët në çdo pjesë të trupit të tyre. 

Korrieri