Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Flet një ndër prezantueset e para në Televizionin Shqiptar, Iva Hoxha

| E diele, 22.04.2012, 07:42 AM |


Para Byrosë Politike qëndruam si të lumturuar

Mimoza Tafaj, Zerina Kuke, Luljeta Noti dhe unë, anonçueset e para

Nga Albert Zholi

Një grua e qetë dhe e qeshur. Po mbush plot 36 vjet në TVSH, por sipas saj, i duket sikur ka filluar punë sot. Ajo sheh se si çdo ditë përparon teknologjia dhe i vjen keq që shumë miq kanë dalë në pension apo kanë shkuar në televizionet e tjerë. Për të TVSH është familja e dytë dhe vendi i punës që i ka dhënë emocione të fuqishme në jetë. Të qënit nënë, sipas saj, sot është shumë më e lehtë se në sistemin komunist, por nuk heziton të thotë se atëherë puna ishte shumë korrekte sepse një gabim e paguaje me kokë.

 

Çdo njeri e ka ëndërr të jetë pjesë e një televizioni. Po Ina si hyri në shkallët e TVSH-së, si e para media vizive shqiptare?

Unë kam filluar për herë të parë në Televizionin Shqiptar në vitin 1976. Pikërisht më 16 dhjetor të këtij viti kam dalë për herë të parë në këtë ekran. Se di si t’i përshkruaj ato çaste kur fola për prezantimin e emisionit të parë. M’u duk diçka qiellore që ra para syve të mi. E kisha ëndërr të shkelja në këtë institucion. Kur kaloja me shoqet e klasës përpara kësaj godine e shihja me shumë kërshëri dhe i thosha shoqeve: “Vallë do shkelim ndonjëherë në këto shkallë? Kushedi sa të aftë janë ata që punojnë në këtë godinë gjigande!”. Edhe kur shikoja netëve televizor, ai ekran i vogël më dukej shumë magjik, deri në kufijtë e një ëndrre. Më dukej midis reales dhe ireales. I pakonceptueshëm në të gjithë vërtetësinë e tij. Ndaj ajo datë më është ngulitur fort në mendje si dita e lindjes së një fëmije.

Si konkurrove për të hyrë në televizion?

Në atë kohë çdo vit bëheshin konkurse për prezantuese ose folëse lajmesh. Pikërisht në vitin 1976 mendova të konkurroj edhe unë. Isha në vit të parë në gjimnaz kur unë konkurrova. Bashkë me mua ishin dhe 70 vajza të tjera sa unë ose pak më të mëdha se unë, por kishte dhe gra. Na futën në një studio dhe na dhanë tekste për të lexuar. Pas leximit që bëmë, pas tre ditësh përzgjodhën 30 veta. Pastaj pas leximit të dytë na përzgjodhën 7 veta. Në fund të konkurrimit nga të shtata fitova vetëm unë. Ishte një gëzim i paparë. Nuk mund ta besoja. Kur më thanë aty më dukej si gënjeshtër. Sa dola nga televizioni fluturova për në shtëpi. Më dukej vetja e rritur, krenare, vizionare. Kisha kapur që në moshën 16 vjeçare një ëndërr që mendoja se gjithmonë do të mbetej ëndërr.

Kush ishte në komision?

Dhimitraq Rrëmbeci, Drejtor i Programacionit të atëhershëm ishte kryetar jurie. Unë kisha shumë emocion dhe atë fiksova si emër, pasi në komision ishin të gjithë regjisorët e televizionit. Ndoshta s’më falet që si mbaj mend, por me thënë të drejtën, për vetë kohën dhe moshën gjithçka falet. Ishte pikërisht Dhimitraqi që më caktoi, datën dhe orën që duhej të paraqitesha në dyert e televizionit.

Çfarë programi keni prezantuar për herë të parë (anonçuar)?

Kam prezantuar (anonçuar) programin “Rreth tryezës së redaksisë” në orën 18:45. Në atë kohë, kur fillonte punë një anonçuese e re nuk prezantonte të gjithë programin. Për një javë rresht unë prezantova nga një ose dy anonçime gjatë ditës  (se atëherë hapej dhe mbyllej programi me anonçim). Programi i mbasdites kishte anonçime deri në orën 22:00. Por prezantimin e parë e mbaj mend edhe sot. Kam folur plot emocion dhe instinktivisht. Mosha bënte të vetën. Pasi anonçova, m’u sulën të gjithë duke më thënë “Të lumtë, të lumtë!”, të paktën nuk gabove. Edhe unë s’e besoja se do t’ja dilja mbarë. Duhet të them se atëherë prezantimet bëheshin vetëm me letër, sepse nuk kishte teknologjinë e sotme. Kisha hequr një barrë të rëndë nga vetja. Shumë herë anonçimi bëhej me letër, por duke e mbajtur dhe përmendsh. Pas këtij suksesi drejtuesit e televizionit vendosën që unë të prezantoj të gjithë programet.

Çfarë rubrikash keni anonçuar?

Të them të gjitha llojet e programeve s’do ta besosh. Por di që bëja anonçimin e të gjitha programeve të mbasdites që në 18:20, që fillonte me përrallat, filmat vizatimorë, lidhjet me studiot për emisionet për fëmijë.  Në orën 18:45 ishin emisionet ekonomike, në orën 19:00 kishte ose koncert ose dokumentar. Në orën 20:00 ishin lajmet. Në atë periudhë çdo film, çdo emision, çdo aktivitet, çdo teatër, anonçohej në fillim dhe në mbarim. Anonçimet bëheshin edhe për efekt të ndarjes së emisionit nga emisioni. Atëherë nuk ka pasur reklama (flas për regjimin komunist).

Sa vjet keni qenë anonçuese?

Plot 30 vjet. Pra tre dekada që s’janë pak. E them me bindje që kam mbetur anonçuesja më jetëgjatë në të gjitha televizionet deri tani. Një jetë të tërë, jam rritur me TVSH. Tek kjo godinë kam shumë mbresa dhe kujtime.

Nuk jeni shkëputur asnjë moment nga TVSH?

Vetëm dy vjet 1992-‘94 që isha në Zvicër. Ishin dy vjet që unë provova emigracionin për të bërë një provë me jetën, gjithmonë me sytë nga TVSH. S’e hiqja asnjëherë nga mendja këtë institucion.

Keni gabuar ndonjëherë?

Po, dy herë. Më është marrë për pak momente goja. Gjëra që ndodhin.

Keni takuar ndonjëherë udhëheqësit komunist të kohës?

Drejtpërdrejt jo. Por tek kjo studio, ku zhvillohet emisioni i mëngjesit “Jo vetëm kafe” kanë ardhur në vitin 1982 shumë anëtarë të Byrosë Politike për të na përgëzuar për punën e mirë. Mbaj mend se lavdërimet më të mira na i ka dhënë Adil Çarçani. Ai ishte një burrë i urtë.

Ju bënë ndonjë pyetje të veçantë?

Na pyetën a keni halle dhe probleme. Ne kishim plot po kujt ja mbante të thoshte. Eh nëne, nëne. Të thoje halle atëherë kushedi, ku të degdisnin. Thoshim të gjithë jemi të lumtur, të kënaqur, s’na mungon asgjë.

Cilat ishin anonçueset e tjera në atë kohë?

Ishin, Mimoza Tafaj, Zerina Kuke, Luljeta Noti dhe unë. Pra, për nga renditja vija e katërta.

Cili është mendimi juaj për televizionin shqiptar sot?

Unë ende punoj në këtë media që ka nxjerrë të gjithë folësit apo pjesën dërmuese të gazetarëve që punojnë në televizionet e tjerë, ndaj mund të them se është televizioni më i mirë (sigurisht për mua). Këtu kanë  dalë gazetarë që edhe sot mbahen në gojë. Gjithë sektori teknik, operatorët, skenaristët, grimierët, regjisorët, kanë një emër të padiskutueshëm. S’ka televizion privat që të mos ketë një njeri nga televizioni shqiptar.

Diçka për femrën shqiptare sot?

Po shoh se, femra shqiptare sot po çan me shumë këmbëngulje, me shumë ide. Ka zënë pozicione të rëndësishme në jetë. Femra që është e aftë, sot ka shumë hapësira, askush nuk e pengon. Kushdo që i bën vend vetes ka mundësi të përparojë.

Flasim për femrat shqiptare, mendoni se ka fituar terren në marrëdhëniet me meshkujt?

Besoj se jo sa duhet. Ende shoqëria shqiptare është shoqëri maskiliste. Do kohë, pasi vijmë nga një regjim totalitar, të izoluar që s’kishim parë demokracinë e vërtetë.

Punoni ende në televizion, cilat janë marrëdhëniet me librin dhe me gazetat?

Gazetat i lexoj rregullisht. Sigurisht jo të gjitha ç’kanë, por titujt kryesorë, por n.q.s më pëlqen diçka e lexoj të gjithë. Librin e kam lënë pak pas dorë. S’e di, por është e vërtetë. Në rininë time libri ishte prioritar.  Por me të bërit nënë raportet me të i kam jo  të mira. Do të doja të kisha më shumë kohë të lexoja. Libri është i pazëvendësueshëm.

Cili është parimi nga i cili udhëhiqeni në jetë?

Thuaj të vërtetën dhe guxo. Ndoshta duken paksa anakronike, por ky është parimi im.

Të jesh nënë, sot, është më e lehtë apo më e vështirë?

Eh, të jesh nënë sot, është shumë më e lehtë. Ushqimi, makina, telefoni, rrugët, shumëllojshmëria e punëve. Rrugët e hapura, e lehtësojnë më shumë jetën e një femre.

Pengu?

Jam një femër e realizuar.

Hobet?

Muzika dhe gatimi