E premte, 29.03.2024, 09:43 AM (GMT)

Kulturë

Agim Shehu: Një bisedë pranë flamurit kuqezi

E diele, 22.04.2012, 06:52 AM


NJË BISEDË   PRANË  FLAMURIT  KUQEZI

Nga Agim Shehu

Te restoranti i bashkëkombasit tim në Gjenevë, Muharremit, qenë mbledhur rreth një tavoline një grumbull i njohur shqiptarësh, kryesisht nga Kosova. Kish zhurmë bisedash e humor më tepër se çdo herë. Te këndi qe një flamur i vogël kuqezi si për stoli kombëtare. Më thirrën gëzueshëm e shkova si zakonisht pranë tyre. «Mbi të gjitha, kemi gëzimin për 100 vjetorin e ngritjes së Flamurit nga Dedë Gjo Luli - tha Selimi dhe ngriti gotën drejt meje. Heroi i madh i Malësisë vënë pranë Flamurit të tij na shihte si për të matur me sy shpirtin shqiptar të bijve pas një shekulli. M’u kujtua menjëherë gjykimi i Luigj Gurakuqit, se «në ka nevojë Shqipëria për tre Monumente, ata duhet të jenë për Skënderbeun, Ismail Bej Qemalin dhe Dedë Gjo Lulin»! (për çudi të paspjegueshme që nuk do ndodhte as në tributë e Afrikës, themeluesi i Shtetit Shqiptar pas pesë shekuj, Ismail Bej Vlora, nuk ka asnjë përmendore në Atdheun e Tij, si për të miratuar shovenët se shteti është i huaj te shqiptarët e paaftë për shtet!..Por kjo është temë tjetër).

Nisëm bisedat. Më përgëzuan që u erdha në këtë ditë. Unë shtova, se po vija dhe për një arësye tjetër të ngjashme nga vëndlindja ime. Sivjet është pikërisht dhe 100 vjetori i ngritjes së Flamurit kuqezi në krahinën time, Kurvelesh, e pikërisht pranë fshatit tim të njohur, Progonat. Ata nuk e dinin, e unë u tregoja:

«Edhe pse Perandoria sulltanore e kish ndaluar, Flamuri kuqezi me shqiponjën e Zeusit rronte në ndërgjegjen e shqiptarëve si frymë e shënjtë plazmuar në gjakun e tyre. Ai dremiste duke pritur rastin ta ngrinin përsëri të zotët. Pasi e ndaluan osmanët, gratë madhështore të Dibrës shqiponjën e vizatuan te krahët në xhubletë, dhe vetë ecnin si ‘flamur’ duke i mbajtur fëmijët në shpinë sipër krahëve të shqiponjës për t’ua mësuar që aty fluturimin (Vojvoda Mark Milan te «Jeta dhe zakonet e shqiptarëve» e pohon me bukuri fisnike se «shqiptari posa lind fëmijë niset drejt lavdisë»).

Për Flamurin Kombëtar ngritur në Kurveleshin e Sipërm 100 vjet më parë dokumentet e kohës shkruajnë :

«Lajthizë, Gusmar-Kurvelesh, më 11 e 12 maj 1911. Populli i Kurveleshit i mbledhur në përfaqësi luftëtarësh, pasi folën gjatë, vendosën që të shpalosin (shpallin) Flamurin e tyre - prej kësaj dite - të kuq me këtë shkabë të zezë dykokëshe. Si ky Flamur do mbajë çdo fshat, derë e shtëpi Kurveleshi».

Ky akt madhështor e i guximshëm u bë nën drejtimin e një Komiteti Krahinor e në mbledhje të zgjeruar me përfaqësues nga tërë fshatrat (Kuçi, Kallarati, Bolena, Picari, Golemi, Nivica, Rerxhini, Gusmari, Progonati, Lekdush, Çorraj, Fterra etj). Shtojmë, ato kohë në Progonat kish ardhur një zabit osman me shpurën e tij të armatosur, duke kërcënuar krahinën për rrebelimin dhe mosbindjen ndaj gjysmë-hënës së flamurit osman. Te Rrapi në qendër të Progonatit ku qenë mbledhur, atdhetari i shquar Shaqo Buzo, në sy të të gjithëve nxjerr shollën me prroka dhe zabitit të krekosur ia vërvit në fytyrë në emër të të gjithë Kurveleshit. E arrestojnë, dhe vdiq diku në burgun e Greqisë.

Megjithatë, edhe si hakmarrje, Flamuri kuqezi u ngrit në Kurvelesh. Ky Akt vulosej dhe me Hymnin e Flamurit krijuar mes malesh të asaj krahine, një poezi që do të nderonte çdo poet kurse autori, po aq modest e fisnik, qëndron i panjohur për të mbetur i shkrirë në palët e Flamurit të tij. Poezia, ultimatum për pushtuesin osman dhe Hymn për popullin e vet, edhe pse lind në një krahinë luftëtarësh rrethuar gryka e humnera, ka një hapsirë të gjerë kombëtare me vizion rilindasish, pa u mbyllur brënda maleve të tij. Mes të tjerash ajo poezi-hymn shkruar 100 vjet më parë thotë tepër hijshëm e madhërisht:

Hiqe atë gjysmë hënë dhe ngrije atë Flamur

të kuq me zhkabë të zezë, si Hodo Beu, o nur !

O Flamur i kuq me zhgabë, anembanë flori qëndisur,

i veçantë për gjithë ne, me gjak ngjyer, me gjak ndritur.

 

Me këtë Flamur të artë s’turpërohet Labëria,

krenohet i gjithë vëndi, nderohet dhe Shqipëria.

Hiqe atë gjysmë-hënë skëterrën e osmanllisë,

ngre në vënd të saj Flamur - zhgabonjënë e Lirisë.

Kjo zhgabonjë hijerëndë për të huajt e Azisë

nuk ka njohur të përkulur se Nëna i ka dhënë sisë.

Shtoj, Hodo Beu apo Hodo Nivica është heroi legjendar nga Kurveleshi që bashkë me kryetrimin Gjonleka 150 vjet më parë shkuan në ndihmë të vëllezërve kosovarë për të mbrojtur trojet shqiptare nga sllavët, e atje u vranë.

(Ndjeva adhurim për nderimin aq të gjerë e të bukur në përmasa kombëtare që Malsia e Madhe i bëri 100 vjetorit të Ded Gjon Lulit. Ndjej po ashtu pikëllim që vulëhumburit krahinarë të mi, zyrtarë, letrarë e biznesmenë tok nuk u kujtuan për ngjarjen e tyre të njejtë e po aq të madhe - vazhdimësi e trimërisë dhe lavdisë së bujëshme të të parëve, duke e shkelur për turp me heshtje)!

Në hapsirën e vëndlindjes për të cilën flas ka edhe një dëshmi jo të vogël, po ashtu në vazhdimësi të së kaluarës. Lufta kundër pushtuesve nazi-fashisë kishte edhe një luftëtar të shquar kurveleshas i cili me përkushtimin vetmohues arriti në udhëheqjen e partizanëve të krahinës. Ishte dëshmori martir Mustafa Matohiti, Hero i Popullit. Nuk hyjmë në gjykimin e anës ku ai u reshtua në luftë, qe partizan apo ballist. Ai u vra për të dëbuar pushtuesit dhe gjakun që derdhi për këtë qëllim parësor të kohës e ka kapak floriri për jetën dhe për vdekjen. Por me të ka  një dëshmi të paharrueshme që zgjatet mesazh gjer në ditët e sotme. Ai udhëhoqi aksionin luftarak për dëbimin e pushtetit fashist së pari nga krahina e tij. Datën e kurorëzimit të këtij akti e caktoi vetë, jo rastësisht më 28 Nëntor 1942, pikërisht në përvjetorin e 30-të të Pavarësisë. Këtë datë e zgjodhi si nderim për 28 Nëntorin e Vlorës duke pohuar se atdhetarizmi shqiptar zgjatet zinxhir i pakëputur nga brezi në brez; e vulosi si pohim përjetësie të Festës së shenjtë kombëtare mbi çdo festë tjetër. Edhe ky akt më vete që vjen nga një krahinë heroike në histori nuk lë shteg që «Dita e Çlirimit» nga pushtuesit fashistë të festohet në një datë me festën sllave - 29 Nëntor, si shenjë komuniste e varësisë prej puthadori me ‘vëllezërit’ sllavë. Nëse shteti-amë do festonte 29 Nëntorin si festë ‘çlirimi’ të tij, ahere ai duhej t’i thoshte popullit që më 28 Nëntor të këndonte për pavarësinë kombëtare, kurse më 29 Nëntor të vajtonte tërë ditën e natën për mbetjen në robëri të gjysmës së kombit (Kenedi thoshte se nëse dhe një njeri i një kombi nuk është i lirë, tërë kombi nuk është lirë). Sidoqoftë martiri nacionalist At Anton Arapi u tha me shqetësim kombëtar e largpamës krerëve gjermanë në Shkodër që të mos largoheshin më 28 Nëntor, të mos na e njollosnin në kujtesën historike lavdinë e Pavarësisë me pushtuesin e ri sllav)…

Biseda vazhdonte te afria e 100 vjetorit të ngritjes së Flamurit në të dy skajet e vëndit. Ato u ngritën pa i thënë njeri tjetrit, siç vazhduan më pas në të gjitha anët posa lëshoi thirrjen dhe Plaku i madh i Flamurit të përbashkët, që vëndi të ndriçonte ngado ‘kuqezi’. Jugu dhe Veriu në tërë kohrat kanë qënë dy sy të një balli, dy krahë të një trupi. Kur të ikën një i afërt apo një bashkëkombas thuhet «më preu krahët », pasi shqiptarët për të përballuar jetën me vuajtje e pushtime kanë qënë në tërësi gjymtyrë të njeri tjetrit. Ata lidheshin bashkë si me një frymë hyjnore. Publicisti i shquar Vangjel Koça i viteve 30-të duke lidhur në një vijë Lidhjen e Prizrenit me Pavarësinë e Vlorës  thoshte bukur: «Shkrepi Prizreni, ndezi Vlora».

Kujtoj nga fëminia: në krahinën time cipa e hollë si prej mëndafshi të bardhë, e bukur dhe e shëndetëshme me fije dhjami që mvesh mushkërinë e deles quhet ‘flamur’. Kur thereshin në gëzime, ne u thoshnim të mëdhenjve: «Ma jep mua ‘flamurin’», thua do shkonim në luftë që fëmijë! Toskërinë e sulmuan andartët gjaksorë grekë nën flamurin e tyre e me urrejtje për të, Kurveleshi iu drejtua mbretit kriminel: «Flamur bardhë e blu me lule/, shkule, Jorgo derri, shkule»! Beja më e fortë e burrave qe «Për Flamur»! Në Greqi fshatit shqiptar pranë Kosturit, « Flamuro» iu vranë 70 burra prej shovenëve grekë pasi nuk donin ta ndërronin atë emër. Erdhi fashizmi e krahina ime vajtoi në këngë: «Flamur, të mbuloi zia/ që kur erdhi Italia/, të vuri shpatat me vija». Erdhi komunizmi e familjet nacionaliste vajtonin në këngë mes tyre: «Flamur, të mbuloi zia/ që kur na erdhi Partia/, të vu yllin nga Rusia»…Është e paharrueshme ngjarja siç e tregon në Kujtime atdhetari Bido Shalësi nga Tepelena: Ismail Bej Qemali ngriti flamurin në Vlorë ndërsa kufijtë kërcënoheshin nga çdo anë. Ahere Burri i Madh zgjodhi atë dhe një kosovar e u dha nga një flamur në dorë. Me të si me flakadan Olimpik kuqezi do të ecnin ditë e natë gjatë vijës së kufirit, një në Jug e një në Veri, për t’i thënë popullit dhe tërë botës se të paktën kufijtë që na mbetën nuk do lejohej të prekeshin më tej»!..

Miqve të mi që dëgjonin ua mbuloi fytyrën një gëzim i bukur. Dikush ndërhyri: «Me sa duket, ju jeni plotësisht për kuqezinë»! « Sigurisht, ia ktheva, ma ka lënë Noli: «O Flamur-gjak, o Flamur-shkabë/ o vatër e nder, o nënë e babë…». Ma ka lënë Fishta kur Flamurin kuqezi e krahason me krahët e ëngjëllit: «Posi fletë e ëngjëllit të Zotit/ po rreh Flamur i Shqypnis»…

«Po ngjyrat e partive - jo ‘blu’ a ‘rozë’ - ndërhyri njëri. «Nuk i paragjykoj, janë ngjyra natyre e punë e tyre. Për mua, në tubimet e tyre Flamuri kombëtar është si minoritet mes flamujve të partive, ‘blu e rozë’ a dhallë e bozë… janë aty-aty. Mendoj, mbetet shëmbull i adhurueshëm Kosova nga duhet të marrin shëmbull partitë e shtetit-amë. Në flamurët apo shënjat e partive të Kosovës në tërësi shfaqet ngado «kuqezi». Kur e vizitoi Shqipërinë në të dy anët, shkrimtari amerikan Fred Rid tha se në Kosovë ndjenja kombëtare është më zotëruese.

«Shteti-amë ndërtoi Rrugën e Kombit» shtoi tjetri. «E adhuroj një vepër të tillë, por ndjej dhe pikëllim kur me ‘Rrugën e Kombit’ në veri synojnë të mbulojnë shkatërrimin e kombit në Jug». «Me sa duket, jeni tërësisht me lëvizjen Kuqezi»! «Sepse ajo sot është me mua, është me shpëtimin e Shqipërisë kur partitë në tërësi me lëshimet e tyre apo me heshtjen e tyre  po ia shesin përditë Athinës. Aq më keq dhe e çudiçme që dhe publicistë a akademikë të nderuar të Kosovës vajtojnë me tërë ligjërimet e vajeve për shëmbjen e një Piramide në Tiranë dhe heshtin për mbushjen e Shqipërisë me varrezat e ushtarëve pushtues grekë duke nxjerrë nga varret e duke përdhunuar eshtrat e shqiptarëve, për mbirje ngado mes fëmijëve shqiptarë të shkollave greke, për shitjen te Athina të detit shqiptar, për regjistrim të popullsisë me vetëshpallje të kombësisë duke e kthyer Shqipërinë shtet shumëetnik, e paralel regjistrimi i pronave të Bregdetit, siç i kërkojnë zyrat e Athinës duke i regjistruar legalisht si toka greke…

Për këto, ‘Aleanca Kuqezi’ në ngjyrën e Flamurit Kombëtar ka harmoni me gjëndjen tanimë shpirtërore të të gjithë popullit, sidomos të rinisë që po vjen si mbrojtëse e Atdheut. E lindur nga rasti dhe e kthyer në fenomen nga përvoja e tejzgjatur e përkalimit (tranzicionit) ku Atdheu është si asnjëherë i rrezikuar, për mendimin tim ajo është një ortek në rritje së cilës në mënyrë të pashmangëshme i takon e ardhmja. Nuk është puna se zevëndëson apo shmang njerën a tjetrën kolege politike. Secila ka vëndin e vet tok me përgjegjësinë e vet. Ajo mbulon hapsirën kombëtare pothuaj të braktisur nga partitë. Duke mbrojtur realisht Atdheun mbi të gjitha. Gabimet e njerit a tjetrit do shuhen brënda madhështisë së saj. Krerët mund të lexohen më saktë nga koha dhe provat, mund dhe të lëvizin, por kjo Lëvizje nën Flamurin Kombëtar mbetet. Koha do dëshmojë gjithëçka»...

Gafuri më ndërpreu: «Flamurin kuqezi si të shenjtë të patjetërsueshëm e ruan dhe Vetvendosja me Albin Kurtin. Ç’mendime keni për ta»!? I them: «Nuk dua të paragjykoj të tjerët, po për mendimin tim te Albin Kurti me shokët Kosova në tërësi ka lindur vetveten; po të qe gjallë Hasan Prishtina do t’u shtrëngonte dorën»!

Dikush ktheu sytë nga Ded Gjo Luli, nëse e miratonte këtë mendim…



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora