E enjte, 25.04.2024, 05:26 AM (GMT+1)

Mendime

Astrit Kola: Gërdeci, përgjegjësi e të gjithëve

E enjte, 20.03.2008, 03:29 PM


Gërdeci, përgjegjësi e të gjithëve

Nga Astrit Kola

Tragjedia e Gërdecit, pavarësisht nga përgjegjësitë e drejtpërdrejta penale, është një barrë e rëndë përgjegjësie mbi zverkun e mbarë shoqërisë shqiptare, e mbarë klasës politike.
Një shoqëri që mbyll sytë para marrinave dhe gafave me rrezik jete të anëtarëve të saj, nuk ka të drejtë të bëjë viktimën kur i plas e keqja mbi krye.
Rolin e viktimës në rastin e Gërdecit mund ta bëjnë dhe e bënë vetëm fëmijët e pafajshëm, që u karbonizuan duke luajtur pranë vatrës së shpërthimit: ata kërthinj që kishin shkuar të ndihmonin prindërit për të nxjerrë copën e bukës së përditshme, si dhe të moshuarit e ngujuar nëpër shtëpitë ku copëtoheshin në ditët e pleqërisë për të ndihmuar sadopak fëmijët e tyre në përballimin e varfërisë.
Sot, më shumë se kurrë, për tragjedinë e Gërdecit nuk ka të drejtë të bërtasë opozita, e aq më pak Edvin Rama dhe Skënder Gjinushi.
Ajo që i plasi në dorë Fatkeq Mediut dhe gjeneralëve aktualë të ministrisë së Mbrojtjes, është gatuar qysh në vitin 1997, nga shumica e kuqo-ushtarakëve që popullojnë “Pentagonin” shqiptar, që ka më shumë zyra dhe spaletaxhinj, sesa ushtarë.
Sepse janë pikërisht aleksandonët e rebelimit të ’97-ës ata që, pasi u vunë zjarrin depove dhe ushtrisë, morën armët dhe bënë gjëmën, e më pas bash për këtë meritë vunë spaletat dhe gradat mbi supe, na u bënë NATO-istë dhe u “kualifikuan” pranë saj për të na hedhur në erë, por vetëm pasi më parë spastruan nga Ushtria shqiptare e viteve 92-97, 1500 ushtarakët e trajnuar nga NATO për 5 vjet me radhë.
Ishin pikërisht socialistët opozitarë ata që drejtuan ministrinë e Mbrojtjes për 8 vjet (1997-2005), dhe që pasi u erdhi “zogu” në dorë për të vjedhur edhe atë që kish mbetur nga Ushtria shqiptare të cilën e shkatërruan vetë, asgjësuan për skrap pothuajse 80 % të armatimit shqiptar, duke na lënë: pa flotë detare; pa nëndetëse; pa flotë ajrore; pa bateri kundërajrore, artileri tokësore e detare; pa tanke dhe mjete të blinduara, dhe ka të ngjarë edhe pa raketa, duke na katandisur në nivelin e armatimit konvencional të pseudoshtetit maqedon, përveç municioneve të shumta, do kallashëve dhe mitralozëve... Madje dyshohet se na lanë edhe pa katjushka, pa raketa inteligjente tokë-tokë e tokë-ajër (sikundër ato të Arshilenkos), etj..
Bash këta banditë kuqo-rebelë, ishin ata që grumbulluan rreth Tiranës për 8 vjet me radhë shumicën e dispozitivit të municioneve, duke e minuar kryeqytetin dhe Durrësin pothuajse plotësisht dhe duke na lënë në dorë të Perëndisë.
Dhe këtë e bënë që ta kishin sa më afër Durrësin, për të transportuar natën gjithçka u duhej për të bërë trafik armësh.
Janë kuqot e djeshëm e të sotëm opozitarë, ata që zhdukën 2300 tanket dhe mjetet e blinduara të ushtrisë së djeshme, shumica në graso, (ndonëse pa mjete optike shënjimi dhe bateri), të një prodhimi cilësor, prodhim i njëjtë ky me atë që u përdor gjerësisht: nga rusët në Afganistan; nga arabët në luftën me Izraelin në vitet 1967-1973; nga serbët, kroatët dhe boshnjakët gjatë luftërave ndëretnike në Jugosllavi në periudhën 1991-1999; nga rusët në Çeçeni; nga verikoreanët në luftën civile në Kore në vitin 1950; nga vietkongët në vitet 1965-1974; nga armenët dhe azerët në Nagorni Karabak; nga talebanët afganë kundër NATO-s; nga Sadami kundër Kuvajtit dhe NATO-s në vitet 1990-1991 dhe po nga Sadami kundër NATO-s, në vitin 2003, etj..
Por kuqot tanë morën skrapellat dhe çekiçët për të çmontuar zinxhirët dhe kullat e qindra tankeve në graso, të cilët nga viti 2000-2004 i shitën për skrap me çmimin qesharak prej 40 $ për ton, ndërkohë që çeliqet e tyre specialë në bursën botërore kishin vlerë afro 8 herë më të lartë. Biznes i pistë dhe i fshehtë ky e nga i cili njëri nga kuqot-anëtar i kryesisë aktuale të PS dhe “më i varfëri syresh”, hapi llogari rrjedhëse në shumën 4 milionë $ në emër të vajzës së tij 4 vjeçare në një bankë të Qipros greke, ku edhe përfunduan në fakt tanket tona të çmontuara, dhe ku sërish u montuan për të ngritur dispozitivin aktual të blinduar të ushtrisë greko-qipriote, tashmë me pasuritë luftarake të shqiptarëve.
Por ky kuqo që hapi llogarinë asokohe..., e që sot fshihet pas Edvinit, nuk mundi dot të mbyllë gojën e shefit të atëhershëm të opozitës për këtë skandal dhe për këtë llogari bankare për të cilën nuk dha dhe nuk po jep llogari as tek post-sollakët.
Sot, po ky kuqo dhe oriz-agët e tjerë të tubuar në kryesinë e Edvinit, kërkojnë dorëheqjen e qeverisë vetëm e vetëm sepse na minuan kryeqytetin dhe Durrësin me rrethina, dhe sepse vegla e tyre me mbiemër të gjatë, mori sërish skrapellat dhe çekiçët, i vuri në duart e të uriturve që i paguante 100 mijë lekë në muaj, për të çmontuar predhat e silureve bregdetare dhe ato të baterive të topave dhe obuzëve me kalibër 120-160 mm. që mbartin sasi kolosale baruti!!!
Po syleshët e ministrisë së Mbrojtjes, çfarë bënë ndërkohë! Thjesht shtuan spaletat duke imituar madje në uniformë dhe madhështi deri edhe Herman Shvarckopfin dhe Uesli Klarkun, teksa në vend të “Stuhisë së shkretëtirërs” shndërruan në shkretëtirë Shqipërinë në ’97-ën, Gërdecin, Maminasin, Vorën etj., në 2008-ën, dhe për pak edhe Tiranën dhe Durrësin, ndërkohë që viktimat pothuajse i shndërruan në kokrriza rëre.
E kush më shumë sesa gjeneral-ushtarakët e Shtabit të Përgjithshëm që na lanë kuqot e opozitës, duhet të mbajnë përgjegjësi penale për katastrofën e Gërdecit?
Sepse ishin bash këta që injoruan Kombinatin e Poliçanit, të cilin e këmbyen me Kombinatin e Specialistëve Njomëzakë të Gërdecit, që prodhonte para me thasë, krahas papërgjegjshmërisë dhe mungesës së sigurisë për jetën.
Fatkeqi i ministrisë së Mbrojtjes (ministri kjo që nuk dihet kë mbron tashmë), ka përgjegjësinë e tij..., ngaqë me dashamirësinë dhe besimin e tepruar tek kuqot, la gjithçka në dorë të tyre dhe i shërbeu e iu përkushtua vetëm synimit për marrjen e ftesës së NATO-s në Samitin e Bukureshtit..., ndonëse dhe kjo nuk i shërbeu për asgjë, përveçse...
Tashmë është vonë, jemi “pas pilafit...”.
Shqiptarët paguan dhe po paguajnë me gjak, katastrofat dhe shkatërrimet, ndërsa syleshët thjesht paguajnë çmim të lartë politik bash në prag të Samitit të Bukureshtit.
Kështu të del kur sheh “la e më la” dhe nuk e ul kokën poshtë, si kalliri plot. Nuk hap sytë por vetëm flirton me kuqot që na la në derë rebelimi dhe që i shërbejnë skemave të Ramës e të opozitës me anë të katastrofave të gatuara, apo që na i faturojnë djajtë.
Por, në fakt, a kemi ne mundësi të çmontojmë municionet e rrezikshme në mbarë Shqipërinë, për të shpëtuar shqiptarët nga vdekja dhe për të rikuperuar sadopak vlerën materiale që Qoftëlargu shndërroi në armë vdekjeje e për të cilat mburrej se “Nëse armiku do të guxojë të vërë këmbën në truallin shqiptar, do të gjejë vdekjen e sigurt, pasi në çdo hap do të shkelë mbi mina...”?
Pas kësaj gjëme, qeveria duhet të mbledhë sa më parë kuqo-“atdhetarët” e Mehdi Pogaçes dhe Zyhdi Kroit, por vetëm pasi më parë të ketë skartuar gjysmën syresh, që nuk janë tjetër veçse cerra të Sigurimit të Shtetit të shkolluar në Sauk, pranë UDB dhe KGB, (dordomuzë birucash të diktaturës, e të cilëve u mbeteshin në duar edhe të tyret, kur Qoftëlargu i akuzonte për agjentë), dhe më pas, në vend që t’u japin pensione të majme për hiçluftën që kanë bërë, t’u japin nga një tunel me municion në vendlindje e kudo, për ta çmontuar në këmbim të pensionit dhe bukës së merituar. Dhe kësisoj t’ua provojmë “atdhetarinë” dhe profesionalizmin, e jo t’i lëmë të lirë të përgatisin rebelimin e radhës me metoda dhe kontigjente paramilitarësh, medemek se u digjet barku për popullin, për Shqipërinë dhe demokracinë.
Po me syleshët e ministrisë së Mbrojtjes dhe të maxhorancës, ç’të bëjmë(?), do të pyesë ndokush!
Po ja, t’u themi që të heqin dorë nga praktikat e pranimit të ofertave të porosive shtetërore vetëm me C/V kompanish me famë mbarëbotërore, e që nuk na vlejnë për asgjë nëse nuk sjellin teknologjinë më të lartë dhe më të sigurt, me të cilat të realizojnë projektet dhe volumet e punimeve të kontraktuara...
Këtyre kompanive “zulmëmëdha” të mos u lejohet të punojnë pa specialistët e tyre tejet të kualifikuar në përdorimin e teknologjive moderne, në emër të të cilave edhe janë shpallur fituese... E aq më tepër të mos u lejohet të mos sjellin asnjë specialist, të mos e shohin as me sy Shqipërinë e varfër që i kontrakton me para, e që të na përdorin si çirakë kompani nënkontraktore që punojnë pa cilësi dhe me teknologji primitive, sikundër u punua në Gërdec dhe po punohet gjetkë, me rrezik, apo pa rrezik jete.
Angazhimi i kompanive nënkontraktore pa reputacion, të bën të dyshosh se norma e fitimit është tejet e lartë sa kohë që ka fitim për disa duar. Çka do të thotë se vlera e prokurimit është më e lartë sesa lipset dhe çka nënkupton gjithashtu një barrë më të rëndë dhe kosto më të lartë për ekonominë dhe xhepat tanë të varfër. Por mbi të gjitha, minimalisht të lë të dyshosh se rendja pas normës së lartë të fitimit që sigurohet nga disa duar: që nga kontraktori e deri tek nënkontraktorët, padyshim që do të përkthehet edhe në cilësi tejet të dobët të punimeve..., çka në rastin e çmontimit të municioneve në Gërdec çoi në punësimin e grave, fëmijëve dhe të të bronjuarve për 5 aspra, teksa u kishin dhënë ekslozivë me rrezikshmëri të lartë nëpër duar... dhe ndodhi gjëma!!?
Rama dhe Gjinushi, pasi vunë ulërimat për ruajtjen me çdo kusht të kontigjenteve majtiste të rebelimit në ministrinë e Mbrojtjes, të cilën e kanë tejmbushur ende me aleksandonë, gabohen rëndë që nxjerrin zançaushërinë në autostradën e Vorës me kërkesën për dorëheqjen e qeverisë, duke realizuar kësisoj fazë-etapën e parë të revolucionit – mobilizimin e masave revolucionare dhe nxjerrjen e tyre në sheshe dhe pika nevralgjike ku bllokohet funksionimi normal i shtetit. Sidomos tani, në kulmin e operacioneve të emergjencës së shpëtimit dhe atyre humanitare pasuese. Kjo tregon se gjoja përkushtimi i tyre për detantë politike dhe angazhim gjithëpërfshirës të klasës politike në arritjen e rezultateve që mundësojnë marrjen e ftesës së NATO-s në Bukuresht, paskërka qenë një rreng gjinushian, një mashtrim...
Ata gabohen rëndë që bash pas 11 vjetësh rinxjerrin në skenë sebepin e sudeve dhe xhaferrëve të piramidave që dikur i përdorën si kazus-dordolecë për të nisur trazirat dhe rebelimin për marrjen e pushtetit.
Viktimat e Gërdecit, që janë dhimbja dhe turpi ynë, nuk mund të përdoren si “avni-artur-rustemë” për herë të tretë qysh nga viti 1924 e tëhu, sipas formulës “e treta, e vërteta”. Sepse nëse sërish bie “daci në kos”, kalon “miu nën mustaqe” apo kuqove u bie sërish “shiu në bahçe, në misër”, atëherë përgjegjësia morale dhe atdhetare bie mbi të djathtën historike, që nuk duhet të lejojë që liberal-demokracia të përdoret veçse si dordolec për të trembur gallofët, por si shtet ligjor ku rebelimet, përpjekjet për trazira dhe destabiliteti ndëshkohen qysh në “vezë...”.
Sa kohë që faji është i të gjithëve, madje më shumë është i së majtës së sotme opozitare që shin lëmën para hundëve të syleshëve tanë, e mira e së mirës do të ishte qetësia, vetëpërmbajtja, kapërcimi i pasojave dhe normalizimi i situatës së rëndë humanitare, për t’i lënë kohë institucioneve të linjës, Prokurorisë dhe Drejtësisë të bëjnë punën e tyre, pa e privuar opozitën nga e drejta për të kërkuar interpelanca, seanca me pyetje, si dhe për të zhvilluar propagandë antiqeveritare dhe kundër maxhorancës, ndonëse jemi afro 16 muaj para zgjedhjeve parlamentare të radhës, dhe pak javë para Samitit të Bukureshtit.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora