E premte, 19.04.2024, 07:22 AM (GMT+1)

Kulturë

Mentor Quku: Një punëtor i palodhur për çështjen kombëtare

E premte, 20.04.2012, 06:55 PM


Një punëtor i palodhur për çështjen kombëtare, një historian kërkues për rishkrimin e historisë shqiptare

(Recenzion i Librit “Gjurmeve të së Vërtetës Historike” Botoi Shtepia Botuese “Lumbardhi Prizren 2011”)

Nga: Mentor Quku

Autori i këtij vëllimi, Magjistri i shkencave historike, Nue Oroshi, është bërë i njohur në rrethet shkencore, si edhe në ato atdhetare, si organizator i talentuar i  takimeve shkencore te përvitshme te Shoqatës “Trojet e Arbrit”, dhe si historian kërkimtar që me guxim po shkruan të vërteta, të cilat deri tani pak historianë kanë pranuar t’i thonë e t’i shkruajnë. Zakonisht historinë tonë e kanë shkruar “fituesit”, ose të huajt që kanë pasur interesa në Shqipëri. Autori i librit, është nga ata të paktë intelektualë idealistë, që punon e përpiqet me akribi shkencore të thotë të vërtetën për tema tabu të ditëve të sotme. Ai është unik në tërë veprimtarinë e tij shkencore, shoqërore e atdhetare. Është i njëjti autor, që duke qenë në krye të Shoqates “Trojet e Arbrit” punon me vite për organizimin e konferencave shkencore për të thënë të vërtetën e mohuar dhe shpesh të përbaltur rreth ngjarjeve të rëndësishme kombëtare, figurave të shquara kombëtare që dhanë jetën për çlirimin kombëtar, si edhe të personaliteteve të shquara në fushë të kulturës, arsimit dhe shkencës shqiptare.  Është ndër promotorët e botimit të nëntë vëllimeve, ku me mijëra faqe shkencore dhe publicistike u kushtohen ndriçimit të historisë kombëtare. Vëllimi i ri i Nue Oroshit, përfshin 15 ligjerata, që mund t’i klastifikojmë në tre kategori llojore.

-Në kategorinë e parë përfshihen ligjeratat që i kushtohen Principatës së Artës, mbrojtjes së Lidhjes së Prizrenit nga sulmet e kulisave antishqiptare, nevojës për krijimin e një Besëlidhje të djathtë kombëtare shqiptare dhe se fundi mbi udhëkryqin e zgjidhjes së çështjes shqiptare.

-Në kategorinë e dytë përfshihen ligjeratat që i kushtohen figurave të shquara kombëtare dhe dëshmorëve të atdheut që dhanë jetën për liri e pavarësi.

-Së treti kemi dy ligjerata me karakter të theksuar polemik, përmes të cilit autori mbron figurën e shquar të Dom Anton Kçires, si edhe faktin se Dedë Gjo Luli nuk u pre në besë nga Mirdita por u vra nga krimineli serb kapidan Gjura.

Vëllimi i Nue Oroshit hapet me një këndvështrim të ri mbi arbnorët e Principatës së Artës, të cilët ushtruan pushtetin politik dhe ushtarak dy shekuj me radhë duke filluar  nga gjysma e dytë e shekullit XIII e deri në gjysmën e dytë të shekullit XV, si edhe për Gjin Bua Shpatën që udhëhoqi me sukses këtë principatë. Ky punim është shumë aktual kur Akademia e Athinës ka botuar një libër ku pretendon se Epiri 4000 vjeçar ka lidhje me historinë dhe qytetërimin grek.  Në  dukje me diferencë të madhe kohore, por edhe ligjerata tjetër  është e lidhur me këtë të parën. Digjet për të dytën herë Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Gjithçka është ndërmarrë pas ankimimit të një përfaqësuesi minoritar në organin më të lartë të drejtësisë në Kosovë. Objekt ky, që na është simbol i bashkimit kombëtar, dhe, ku shqiptarët pa dallim feje, krahine apo ideje, u bashkuan në luftë kundër Perandorisë Osmane, që, së bashku me pushtuesit  pansllavistë i shkaktoi dëme të mëdha kombit shqiptar. Më tej vjen një ligjeratë tjetër që i kushtohet krijimit të një lidhje të dhjathtë kombëtare shqiptare në Kosovë. Autori argumenton se duhet qe të bashkohen dhe të shkrihen në një Beslidhje të përbashkët të gjitha ato parti apo organizata tjera politike që kanë veprimin, mendimin, programin në të djathtë, pa harruar edhe kontributin e shumë intelektualëve, që në një mënyrë apo tjetër rrethanat politike kanë bërë që të qendrojnë anash. Në grupin e parë futet edhe ligjerata që trajton udhëkryqin e zgjidhjes së çëshjes shqiptare. Në mes tre opcioneve, autori sugjeron dhe argumenton se më efiçente dhe më reale, bashkimin kombëtar shqiptar. Ai vë ne dukje se ka vite që një grup i madh profesorëve, studiuesve, veprimtarëve, publicistëve dhe shumë intelektualëve tjerë nga të gjitha trojet etnike Shqiptare, dhe Diaspora Shqiptare, janë organizuar në një këshill të përgjithshëm për ndriçimin e Historisë Shqiptare. Në grupin e dytë të ligjratave, autori  ka dhënë informacione me vlerë për ndriçimin e jetës dhe veprës së figurave të shquara. Për Preng Bibë Dodën ai sjell argument që tregojnë për luftërat që drejtoi për mbrojtjen e trojeve shqiptare etnike. Prenkë Bibë Doda, e dinte se pas largimit të pushtueve turq nga trojet tona, do të ndeshej me ardhacakët ballkanas, që luanin politikën dyfytyrëshe. Në mënyrën më fisnike por edhe shkencore, autori ka ndriçuar me argumente figura të tjera të shquara kombëtare. Luftëtari i lirisë, Pjetër Celi, ishte njëri ndër tre komandantët e çetës së Fandit që luftoi me pushkë në dorë për Pavarsinë e Shqipërisë Etnike. Kështuqë, me 12 gusht 1912, çeta e Fandit e Komanduar nga Zefi i Vogël, Pjeter Çeli dhe Zef Gjidoda, ngriti flamurin kombëtar Shqiptar në Shkup. Kurse e plotë jepet figura e Kapedan Llesh Gjon Marku, i cili  me një përkushtim të madh ra në altarin e lirisë, për mbrojtjen e Shqipërisë Etnike. Ai rroki armët e lirisë për t’i dalë zot tokës e dheut, të rinjëve e pleqëve, femijëve e grave,  dhe për të mos rënë në duar të Sigurimit famëkeq të diktaturës i dha fund jetës së tij në mënyrë heroike: Më 8 Gusht 1947, në Munegjë të Simonit, bashkë me Marka Gerin e Tunë Nikollin, mbas sa orësh luftimi, ra dëshmor për lirinë e Shqipnisë. Autori ka një ligjeratë të veçantë  për vetëflijimet heroike të nacionalistëve mirditorë. Gjon Ndue Marku (Gjoni i Zi), i cili në atë ditë të trishtushme të 24 Dhjetorit 1946, të rrethimit të tij, vrau veten. Zemrat e Gjin Jakut, Zef Shkurtit e Preng Ruqit, të cilët me 23 Mars 1947, mbas 6 orë luftimi, e, mbasi mbaruen fishekët, për mos me thy Besën që kishin dhanë, tue marrë hallallin njani tjetrit, të tre bënë vetvrasje.  Pastaj vijnë katër ligjerata njera më interesante se tjetra për katër profesorët që dhanë aq shumë për çëshjen kombëtare, profesorët Tahir Kolgjini, Engjell Sedaj, Jetullah Islami, Muhamet Shatri. Me tipare të theksuara polemike janë ligjeratat që ndriçojnë figurën kombëtare dhe fetare të Dom Anton Kçirës. Autori ka dy ligjerata polemizuese me autorët të cilët të udhëhequr nga mentalitete e paragjykime komuniste vazhdojnë të mbrojnë tezën se Dedë Gjo Lulin e prenë në besë mirditorët.  Mendojmë se botimi këtij vëllimi  e prezanton me sukses  autorin e saj në tre plane: në atë kombëtar, në atë shkencor si dhe në atë organizator. Jemi të sigurtë se botimi i këtij vëllimi do ta pasurojë bibliotekën e  Historisë së rishkruar të Shqipërisë.

Shkodër, 23 gusht 2011



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora