E premte, 29.03.2024, 08:16 AM (GMT)

Editorial

Adnan Abrashi: Rreth një qëllimi kurdoherë të përbashkuar...

E enjte, 20.03.2008, 11:13 PM


RRETH NJË QËLLIMI KURDOHERË TË PËRBASHKUAR ...

Nga Adnan Abrashi

Adnan Abrashi
17 shkurti dhe 15 marsi i këtij viti, për të gjithë ne shqiptarët, do të mbeten si dy data të skalitura thellë në kujtesën tonë kolektive si popull. Të dyja këto ngjarje, si të përbashkët kishin se, të dyja u shënuan me lot. E para, lot ngazëllimi, dhe e dyta, lot pikëllimi.
Gëzimi i shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe fatkeqësia tragjike e Gërdecit, edhe pse të karakterizuara me efekte të kundërta emocionale, ato, edhe na shërbyen për diçka.
Na bashkuan në një forcë të madhe në vete dhe në një tërësi të pandashme shpirtërore si popull; me porosinë se, vetëm si të bashkuar, unik dhe solidare në veprim, mund të ngadhënjejmë me sukses ndaj çfarëdo goditjeje, sado që ajo të jetë e këndshme dhe jo e favorshme për ne.
Në dyja këto data, njëra fatlume dhe festive, e tjetra tragjike dhe e kobshme, shqiptarët si kurdoherë më parë ishin një dhe unik. Tërësi e natyrshme, sikur edhe duhen të jenë. Sepse, ato ditë, qenia jonë kombëtare gëzohej dhe vajtonte së bashku; sepse, ato ditë, shpirti jon i shpërndarë ishte shkrirë në një; ishim mu ashtu homogjen sikur që kurrë nuk dëshironin të na shihnin armiqtë tanë.
Ne, në ato ditë, reaguam sikur na erdhi nga vetvetja - spontanisht, duke dërguar njëkohësisht mesazhin vetes dhe botës: se e duam lirinë pa masë dhe dimë me dinjitet ta kremtojmë atë, por, edhe në morte të përbashkëta, solidarizimin dhe humanizmin e kemi në gjak.
Një autor i yni, për këtë fenomen të rastit, në mënyrë kreative ishte shprehur kështu:“Tragjedia e Gërdecit na shërbeu për diçka! Na shërbeu për t’u bashkuar rreth njëri-tjetrit: nga Mitrovica në Athinë, nga Shkupi në Tivar, nga Ohri në Sarandë. Në mbarë Kosovën shqiptarët u vunë në radhë para spitaleve për të dhënë gjak, dhe u tërhoqën nëpër shtëpi, para televizorëve, vetëm kur mjekët u thanë se nuk u lipsen më dhurues...”
Në këto ditë paradoksesh, vërtet ishte krenari të jesh shqiptar! Vrojtues objektiv i vetvetes, dhe përsiatës meditues i thellësirave të kohës. Sa fuqishëm u shpalos në to instinkti jonë gjenetik i ngushtëlidhjes me bashkësinë, i cili, realisht, ka ekzistuar gjithnjë si virtyt, por i shkapërderdhur dhe shpesh i ngulfatur në ne pa fajin tonë? Të gjetur në këto situata dhe krahasuar veten me të tjerët, pa dyshim se ne si popull jemi të mrekullueshëm dhe madhështor.
Ja pse pra, kurrë nuk na deshën të tjerët të bashkuar! Jo, jo! Ata nuk trembeshin nga fuqia jonë fizike, sepse e dinin mirë se jemi të pakët në numër, por, tmerroheshin nga bashkimi i shpirtit tonë të lashtë civilizues dhe gufimit të mundshëm i tij si inteligjencë; si urtësi kolektive, e cila, vetëm kështu si të bashkuar, mund të na bëj të dominojmë në këto hapësira gjeopolitike si popull.
Sa më shumë po meditoj për këtë dukuri në vete, gjithnjë e më tepër po më duket se metafora e feniksit është trilluar për ne. Sepse, në nënqiellin e këtij shekulli, po ndoll një ringjallje; një rilindje. Një energji me kohë e akumuluar, po shpaloset në veprim.
Nga hiri i zjarrit shekullor të ushtruar mbi ne, sot në Evropë po rilind një popull, shpirti i bashkuar kolektiv i një kulture të lashtë civilizuese të heshtur kaherë me dhunë.
Të lidhur shpirtërisht  si tërësi po,  por jo më të ndarë në disa trupa!!!
Rruga jonë e nisur si ky synim, kaherë ka filluar dhe s’ka të ndalur më.
Na priftë e mbara në realizimin e saj përfundimtar...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora