E premte, 29.03.2024, 12:30 AM (GMT)

Kulturë

Kalosh Çeliku: Punëmadhja

E merkure, 18.04.2012, 08:47 PM


PUNËMADHJA

 

Nga: KALOSH ÇELIKU

 

Interesant, ë?! Punëmadhja, gjithë jetën me flamurin kuqezi krahëve mbeti duke festuar “fitore” me çifteli dhe duke kënduar këngë e zbuluar përmendore nëpër varre. Në Facebook duke shkruar “pizi” patetike të ilustruara me trëndafila plot patriotizëm e thashememe. Burrë, as grua nuk la pa e marrë nëpër gojë. Nuk la familjar e farefis pa e shpallur dëshmor lufte. E në realitet, ende gërhet në gjumë për liri.

Punëmadhja, lirinë pret t’ia sjellin “vëllezërit” mbi kalë. Edhe, atë: Rrugës para koçisë t’i pri vetë me flamurin kuqezi hedhur krahëve si ferexhe, edhe sot si dje t’i këndojë këngë patetike me dajre. Herë pas here krushqit partiak mes maleve të shkrepin edhe pushkë. E, Punëmadhja, nën hije të blirit t’ia thotë këngës: Gjithë shqiptarët janë Mic Sokola???!!!... Vit për vit derdhë gjakun deri në gju, sa mbytet edhe kali si te ajo kënga e njohur popullore. Shkaun ta vrasë me çifteli e dajre.

Përçudi, Punëmadhja në ditën e sotshme e shtrembëron përmbi vetull edhe shaminë e zezë. Ferexhenë e hudhë krahëve për liri. Shkaku, se: “pizitë” e saja patriotike i ka vlerësuar një “kritik” i madh i Fcebookut. Doktor Madhi i “tabanit kombëtar”, që në faqen e vet i ka futur në një thes të gjitha personalitet letrare shqiptar ballistë e komunistë, dhe shkruan recensione pa asnjëfarë kriteri letrar: kunguj Stambolli, speca të kuq, banane, kastraveca, patate, domate, dardha gorrice, mollë të egra, kumbulla të zeza me krimba… I futë në thesin me arna dhe ua lidhë grykën nye t’i shesë në Bit-Pazar. E mashtron veten, po edhe çiftin e Punëmadhes se “pizitë” e tyre janë të përosusura “antologjike”. Merreni me mend, në këtë kohë, kur edhe Shekspiri nuk është i përsosur. Askushi i bëhet mëzat (Muzë) Punëmadhes natë e ditë nëpër tubime partiake të kërkojë të drejta të barabarta kombëtare të grave. E presë në dritare ose shtrat me trëndafila të kuq në dorë Dumdumin me gunën hedhur krahëve t’i kthehet nga lufta e “përgjakshme” për liri. Tjetër punë është ajo se, Punëmadhja gjithë natën rri qafë për qafe me “vëllezërit” e ditën me “patriotët” kuqezi heq valle me shami për Shqipëri Etnike. Përditë na e ulë çmimin, na shet lirë, të mos them pa pare në Bit-Pazar.

Punëmadhja, përveçse merret me politikë madhore, herë pas here bënë edhe kulturë shqiptare të “vëllazërim-bashkimit”. Papritmas, e zemëruar përtej kufirit, përshkak se, rastësisht e paska gjetur veten në ndonjë shkrim timin profetik, përmes SMS ma dërgon një “pizi” të saj më të re “antologjike” që posa ka dalë nga furra e saj me kashtë:

O Zombi, o dështak, kleptoman

O primitiv shpellaxhi,

o gojë e fëlliqur fshatareske,

merru me ata që ta kanë prishur themelin

jo me mu se unë nuk nguc njeri.

Të djegt zoti, të përlvloftë.

A ka len gje pa then për mu ajo

Haleja jote o shtrige burre!

Njeri i kohës gurit. Ta ka dhi zoti

surratin.

P.S.

(Lexuesi i nderuar të më falë për gabimet gjuhësore e “teknike” shkaku, se:  nuk desha të hyj në korigjime dhe ta prish stilin e “arrirë” në nivel artistik të autores).

Falemnderit, Punëmadhe për “pizinë antologjike”. Unë ta zgjata dorën në kohët më të vështira, të ngrita nga bërlloku më këmbë. Vite me radhë të kam shëtitur me xhip së bashku me Tri Muzat e mia poetike edhe nëpër manifestime kulturore. Redaktimin e fletoreve të tua me vjersha e tregime që ta shohin dritën. Pavetëdije se, e kisha pasur për krahu spiunen e gruas sime besnike.  Shpeshëherë për ty si grua kam hyrë edhe në luftë, kur t’u sulën ujqërit në gazetën e “vëllazërim-bashkimit”. Megjithatë, unë nuk kam fuqi dhe nuk mundem të të bëj poete, nëse nuk ke lindur, nuk e ke dhunti nga Zoti! “Pizinë” tënde e publikoj shkaku se, përpiqem të ta heq disi atë bindje, urrejtje fanatike që ke për burrat. Ose, siç ke thënë edhe vetë në disa biseda rasti: “unë i ha burrat”. Fundi i fundit, mos i humbësh shpresat, ose bindu më në fund në këtë shkrim miqësor se edhe ti po të duash me pak përpjekje dhe punë shtëpiake në Kopësht, mund t’i bëhesh Muzë ndonjë hadumi teknefes të Nënës Parti.

Tjetër punë është ajo se, Punëmadhja më kishte spionuar edhe te Eshkundura. Gjatë një takim rasti ia kishte përplasur në fytyrë: Miku yt ka qenë dashnori im me të cilin e kam kaluar natën në një hotel të Qytetit. Pastaj, ai ka qenë “viktimë”  e disa grave azgane që i përmend nëpër libra. Vetë këtë denoncim “policor” të Punëmadhes ma përcolli Eshkundura. Edhe më mori në pyetje, “bisedë informative” një natë të ftohtë dimri. Edhe merreni me mend, kur Eshkundura të merr në “bisedë informarive”, më mirë të të marrë UDBA Jugosllave, CIA ose KGBA -ja. Djersët më shkonin çurg ballit deri në fund të këmbëve. Ndoshta, thashë: pasi e pranon ajo, po unë me këmbëngulje e hedh poshtë shpifjen tendecioze të asaj xhadie. Mezi shpëtova atë natë, i thashë: ku ta di unë, nuk më kujtohet “krimi”, ndoshta kam qenë i dehur me raki rrushi atë natë pa Hënë. Po, me Zonjën Di?! Edhe, për këtë do të më thuash se ke qenë i dehur-tapë. Jo, nuk do të të them për këtë Engjull grua. Zonja Di vetëm më shoqëron nën Rrap kur pimë së bashku verë nën hije. Gji më jep me dy shtamba për poezi, fuqi për luftë. Budallai, më tha Eshkundura, vazhdo ta mashtrosh veten se unë nuk di gjë, vetëm po të zura me pelë për dore të gjitha do të m’i paguash në shtrat. Dhe, iku e zmeruar nëpër natë.

Kohën e fundit, siç ka paraljmëruar Punëmadhja shkruan edhe një libër me “pizi” patriotike për Mëzatin e tredhur si “dëshmor” lufte. Thesin në shpinë do të turret me të katra ta përurojë nëpër IRJ të Maqedonisë, Kosovë e Shqipëri. Përgjumshëm merret  me reklamimin e “pizive” të veta patetike, skuqur me gjak, “flamuj tregtar” të Ernest Koliqit e varre nëpër Çarshi të Shkupit. Edhe atë: plot pordhë e piskamë në Shtëpinë Publike. Dy sahat nëpër Çarshi, para këmbëve të kalit të Skënderbeut e bën Shqipëri Etnike. Kaq, për sot në këtë ditë feste. Pastaj, tërhiqet nëpër çajtore mes faqes së Facebook -ut si “fitimtare” dhe gjithë ditën duke pi çaj rusi bënë politikë madhore shqiptare.

Veprime patriotike këto pa krye të Punëmadhes, që ma kujtojnë edhe një histori të hidhur të vendasit tim gazetar (H. H.), ish i burgosur politik në Burrel në kohën e Enver Hoxhës. Përmes tij mësova shumë rrëfime për funksionimin e spiunimit në sistemin komunist në Jugosllavi e Shqipëri. Që, në atë kohë, emisionin informativ për shqiptarët jashtë atdheut tinëz e dëgjoja përmes valëve të Radio Tiranës. Në bisedë e sipër, herë pas here i dëshpruar edhe për këtë sistem komunist kur u kthye  në vendlindje, që e gjeti në Jugosllavi më thoshte: ti je vetë dreqi në tepsi. Vështirë e kanë të të mashtrojnë “vëllezërit” me ndonjë pusi pas porte, zënë në grep si rob lufte. E dija se ku e ka fjalën, prandaj nuk e lodhja për sqarime. Tjetër punë, “frymëzimi” më intersonte mua si shkrimtar. Në çdo hap pas shpine kisha plotë spiunë që më ndiqnin këmba-këmbës. Plotë provokime patriotike. Edhe sot kam, me qerre. Shumë më shumë, në atë kohë më befasonin veprimet dhe metodat e spiunimit të këtyre dy shteteve komuniste, sesa vetëvetja kush më ndjek pas shpine si qeni me zgjebe matanë porte i shitur për një asht.

Djalë i ri, ky vendasi im ishte kur e hodhën matanë kufirit nga Mali Zi me dy-tre shokë për gjah “të freskët” shqiptar. Ne punonim, më thotë ai: me arsyetim dhe keqardhje në Serbi si punëtorë krahu ose shkolloheshim në atë shtet komunist për “vëllazërim - bashkim”. Vite me radhë gjatë shkollimit edhe na përgadisnin, për spiunim që një ditë të na hedhin si krah pune spiunazhi në Shqipëri. Dhe, një ditë me emra e mbiemra të tjerë, vendlindje të rrejshme nga Serbia, Kosova e Maqedonia natën na nxorën matanë kufirit. Porosi kishim, që dhjetë vjet të mos merremi me aktivitete spiunimi, mos bimë në sy si të dyshimtë të na zënë me pelë për dore. E pas dhjetë vjetëve, pasi ta marrim veten të merremi me detyrën “fisnike patriotike atdhetare”. Vërtet, në atë kohë si emigrantë që kishim “ikur” nga Jugosllavia dhe nuk e “donim” sistemin komunist jugosllav, kishim mjaft privilegje shtetërore: poste në Qeveri, vende pune, pagesa shtesë dhe jetë normale si qytetarë lojal të këtij shteti “demokratik” komunsit. Shumica gjatë këtyre vjetëve “lirie” edhe martoheshim, krijonim familje.

Përçudi, nuk shkonte as një vjet-dy dhe na thirrnin në hetime. Habi e madhe, çdo gjë dinin për ne me emër e mbiemër se nga cili vend vinim për spiunazhë. Inspektorët e sigurimit na pështynin në fytyrë si spiunë titist dha na rrasnin me vite në burgun e famshëm, Burrel. Shkaku ynë, për shkak të provave, ndonjëherë e rrasnin në burg edhe ndonjë të pafajshëm, që vërtet kishte ikur nga zori për veprime patriotike t’i shpëtojë rrezikut. Ose, siç thotë populli: përkrah drurit të thatë, digjeshte edhe i buti.

Vite më vonë në burg, më thotë vendasi do të mësoj edhe historinë e gjithë këtij zbulimi sekret të kurdisur policor. Njësoj si shteti Jugosllav që përnatë hidhte spiunë në Shqipëri, poashtu edhe shteti Shqiptar hidhte spiunë në Jugosllavi. I pashoq në atë kohë ishte në zbulimin e këtyre rasteve të rrezikshme një epror ushtarak shqiptar me prejardhje nga Kosova në grumbullimin e informatave politike dhe të nesërmen na i thoshte në sy të gjitha të palarat, se: ishim spiunë. Dhe, kishim dalë në këtë anë me emra të rrejshëm për t’ia humbur gjurmët sigurimit shqiptar, dhe vinim nga një vendlindje poashtu e rrejshme për spiunim të hedhur nga Jugosllavia.

“Vëllezërit” edhe sot nuk i kanë ndryshuar veprimet dhe metodat e spiunimit komunist, i dinë këto “gra e burra të kombit” kuqezi brez pas brezi sa peshojnë në kandar, prandaj edhe nuk humbin shumë kohë në veprime për t’i hedhur në mesin tonë si “patriotë” kuqezi për zbulime “antishtetërore irredentiste”. Shumicën edhe i kanë marrë në gji, rritur që nga koha komuniste duke i stolisur me tituj shkencor, emërime ambasadorësh nëpër botë, profesorë universitar, vende pune në redaksi e anëtarë të akademive shkencore. E ndërtojnë Shkupin e “përbashkët” modern me përmendore grandioze, institucione kombëtare e kulturë antike. Personalitete të huazuar nga fqinjtë me kuaj me shalë e më këmbë në sheshin e Kryeqytetit. Luanë në të dy anët e urës. Gra gjysëmlakuriqe duke kërcyer bythekrye nga Ura e Gurit në Vardar me bythët mbi ujë. Filipin e Maqedonisë mbi kalë me kokën mbi ndërtesa disaktëshe rrëzë Kalasë.

Punëmadhes, përsëri nuk i pjellë truri. Mendja ma thotë, e ka mushkë. Përditë e shoh se si fotografohet e krekoset para kamerave televizive me “motrat e vëllezërit” në përurimin e kulturës njëpartiake të zarzavateve, ndërsehet pas shpine. Herë pas here jep intervista “ekskluzive”. Edhe, krenohet që është pjesmarrëse në “lulëzimin” e kësaj kulture teknefese të “vëllazërim-bashkimit”.

Punëmadhja, që deri më sot: përveç thashethemeve dhe lehjeve pas shpine, as edhe një kafe nuk e ka dhënë për kulturën shqiptare…



(Vota: 465 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora