Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Baki Ymeri: Doli nga shtypi libri Tregime, i prof. Fehmi Kelmendi

| E merkure, 18.04.2012, 06:33 PM |


Doli nga shtypi libri Tregime, i prof. Fehmi Kelmendi

Gjithmonë ka qenë në shenjestër të UDB-es. Asnjë rresht nuk ka patur të drejtë ta botojë. Kur ka ardhur në Zvicër (1991), gjithë akumulimi i tij ka shpërthyer si një vullkan, duke e derdhur lavën patriotike në letër. Ëndrra e tij e vetme është që krejt shqiptarët një ditë të jetojnë në një shtet të vetëm, me një flamur të vetëm, në Shqipërinë historike të rilindësve tanë.

Nga Baki Ymeri

Portrete psikologjike me vlera të veçanta letrare

Libri Tregime është vepra e dytë e këtij shqiptari të shquar që del në Bukuresht, në kuadrin e Bibliotekës Letërsi shqiptare. Fehmi Kelmendi është përpjekur të krijojë karaktere, duke nxjerrë në pah vese pozitive, duke prekuar njëherit edhe anët negative të personazheve që i godet me armën e mprehtë të satirës. Sipas Adriatik Kalullit, me një tjerrje satirike tepër elegante autori nuk na shfaqet tendencioz, por e përçon idenë natyrshëm, përmes situatave që përshkruan na çon në ide që kërkon të nënvizojë. Kritikon mendësitë tona kolektive që janë vjetruar, që na kanë penguar dha na pengojnë, që janë bërë edhe limfë e trupit tonë. Në këtë kontekst vlerash prozaike, në spektrin e 23 tregimeve shquhen edhe disa subjekte interesante kushtuar mangësive tona apo do miqësive të rreme.

Fehmi Kelmendi, konform vlerësimeve kritike,  vë në bisht të lahutës konservatorizmin bashkëkohor, «ku vyshken e degradojnë dhe shumë virtyte dhe cilësi orale që u kultivuan në epoka të tjera. Prandaj, le t’i luftojmë e përcëllojmë bashkarisht mikrobet dhe epidemitë tona kolektive! Ndryshe, edhe nesër, edhe pasnesër, në çdo lindje dhe perëndim të dielllit, ne do të mbetemi me shumë blozë të së djeshmes, përveç xhaketave, deodorantëve dhe markave të makinave që do t’i nderojmë sipas modës.» Tregimet e Fehmi Kelmendit reflektojnë jetën e njerëzve, ndjenjat dhe mendimet, karakterin dhe relacionet e tyre sociale, morale e patriotike, gjendjet e tyre shpirtërore, solidaritetin dhe zemërgjerësinë, apo zilinë dhe kopracinë.

Sipas mendimeve kritike, ato përmbajnë momente humoristike tepër të natyrshme, aspekte të papritura që japin gjallëri dhe masë e proporcione të menduara mirë, qoftë në portretizmin e personazheve, qoftë në shpalimin e situatave. Karakteristike është mënyra dhe aftësia e autorit për të krijuar tabllo përmes të cilave kuptojmë ngjarje, portretin fizik dhe fshehtësitë psikologjike të disa personazheve nga brigjet e atdheut dhe diasporës. Një krijues i shquar i letrave shqipe, mahnitet sidomos me fjalorin tepër efektiv, mbushur me fjalë të rralla që përdoren natyrshëm dhe në vend të vet, duke dhënë shembuj si “fraq, bërnjak, dahuke, magjetore, i ndulkët, arra gajgë etj., por edhe frazeologji të gjetura si: ”Ecte si kokërr, duke çeptuar prushin, buka marre s’ka, kërkojnë fijen lyç të lëmshit, e vënë në fallaka, flet fushk e dushk,etj. Përmbajtje e formë, ide e gjuhë, tekst e nëntekst, krijojnë një unitet, të cilin autori i këtij libri nuk e lë të kalojë në heshtje..

Një jetë e tërë kushtuar çështjes së çlirimit kombëtar shqiptar

Edhepse i ka mbushur 82 pranvera, Fehmi Kelmendi është njëri nga krijuesit më të zellshëm të diasporës shqiptare në Zvicër. Një fjalë e urtë latine thekson: Historian jam, nuk kam vëlla, nuk kam fis, nuk kam fqinj, pronar e kam të vërtetën, dhe vetëm asaj i përkulem (Docti plus hominis qvam indocti colucio salutati.) Profesor Fehmi Kelmendin e njohim më shumë si historian se sa si poet dhe prozator, por kjo nuk don të thotë se nuk i përket një familje fisnike, me atdhetarë të shquar. Nga bibliografia e tij kuptojmë se u lind më 18 maj 1930 në Preshevë (Kosova Lindore, aktualisht e administruar nga Serbia). Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen (normalen) në Prishtinë, ndërsa Fakultetin Filozofik (degën e Historisë), në Zagreb (Kroaci). Pas përfundimit të studimeve të larta u mor me studime dhe hulumtime historike, duke u dhënë prioritet atyre të karakterit kombëtar shqiptar. Fitoi atributet e profesorit duke dhënë leksione për studentët. Rrjedh nga një familje me tradita të theksuara patriotike.

Profesor Fehmiu ka qenë i persekutuar politik dhe të gjithë pjesëtarët e familjes Kelmendi, të ushqyer me ndjenja kombëtare, gjithë jetën e tyre ia kanë kushtuar çështjes së çlirimit kombëtar shqiptar. Gjithmonë ka qenë në shenjestër të UDB-es. Asnjë rresht nuk ka patur të drejtë ta botojë. Kur ka ardhur në Zvicër (1991), gjithë akumulimi i tij ka shpërthyer si një vullkan, duke e derdhur lavën patriotike në letër. Ëndrra e tij e vetme është që krejt shqiptarët një ditë të jetojnë në një shtet të vetëm, me një flamur të vetëm, në Shqipërinë historike të rilindësve tanë. Profesor Kelmendi është autor i disa veprave të botuara me karakter historik dhe letrar. Ndër to shquhen librat: Kush janë shqiptarët, Përjetime, Duke pritur agimin e kombit tim, Plakur nga malli, Shpirt i ndezur, Golgota kosovare, Tregime. Gjatë këtij viti pritet ta shohë dritën e botimit në Bukuresht, edhe një libër i ri i tij me subjekte historike kushtuar golgotës kosovare dhe bashkimit kpmbëtar.