E shtune, 20.04.2024, 04:14 PM (GMT+1)

Kulturë

Sabile Keçmezi-Basha: Nusja e gurtë

E marte, 17.04.2012, 08:09 PM


Sabile Keçmezi-Basha

Sabile_basha@hotmail.com

NUSJA E GURTË

 

 

1. TË MË GJEJË NË NJË PËRRALLË

 

Në urë duvaku i nusërisë sime

Ç’kumbon e trazon botën

Shekujt sfiduan njëri-tjetrin

Në urë duvaku i nusërisë sime

Fëmija qumësht kërkon në vaj

Urata e ktheu prapë në legjendë

Të më gjejë prapë në një përrallë

Zogu thirri tri herë emrin tim

Unë jam prapë në urë mur

Më nuhati si lulen në legjendë

Ku mbeti duvaku i nusërisë sime.

 

 

2. ZOGU I ZI

 

Duke u fshehur nga shenjtëria

Çdo gjë këtu ishte si dikur

Unë shqeva lëkurën e legjendës

Dhe dola mbi Urën e Fshejtë

Vëllai i vogël pa një ëndërr

Në urë u shikua me sytë e mi

Asgjë nuk pa më, as mua, as urën

Duvaku i nusërisë valëvitej

Ura merrte oshtimë të vdekurish

Zogjtë këndonin ninullën e zjarrtë

Për fëmijën që s’diti ç’është çudia

U rrokullisë nëpër djep e zbriti

Në qemerin e urës e pa të ëmën

Dhe tha :”Lëreni  aty ku është

Ajo prej aty më jep gji amshimi”

 

Zogu i zi doli nga guri akull

U fal tri herë dhe fluturoi pastaj

Të gjitha unë i pash, vaj-

Ura e Fshejtë më lulëzoi në dorë.

 

 

3. MOS MË PREK

 

Çdo gjë ndodhi pastaj i dashur

Mos më prek se të ngrihen duart

Në shikimin tim zgjohet murimi

Gur më gur më ndërtojnë trupin

Mbi trup rrëzon Ura e Fshenjtë

Të emërtoj edhe ty si vëllait e vogël

Ç’të bëjë unë në këtë ligësi

Merri flokët e mi e thur një urë

Në të mund të shkelësh vetë i treti

Legjenda do të falë prapë kokën

Për tu kthyer njëherë në konak

Fëmijës gji për t’i dhënë e bekuar

Mbylle këtë ditë se nuk po më zë.

 

 

4. VËLLAI I VOGËL

 

Ç’mësove nga dashuria ç’magji

Vëllai i vogël doli prapë nga legjenda

Tash e ke këmbëkryq në vatër

Dremitet mbi pjesët e veta të ringjallura

Njëmijë vjet më parë në të ka mbetur

Vetëm legjenda që e mban gjallë

Të dal mbi urë dhe të shikohet me veten

Të pres nusen e gurtë nën duvakun e zi

Prapë të kthehet aty ku ishte dikur

Të këndoj për një përrallë të përhitur

Se çdo gjë mund të ndodhë në këtë urë

Morën fëmijën nën sqetull  e tash janë këtu

Shihni si janë duke ndërtuar prapë urën

Mbi trupin tim të rrezitur në legjendë

Vallë ku mbeti duvaku i nusërisë sime.

 

 

5. Ç’MURANË E BUKUR

 

Sonte mos më duaj i dashur, sonte

Për çudi aq shumë i ngjasoj asaj ure

Veli i nusërisë sime i mbulon të tërën

Ç’muranë e bukur në themel të urës

I dashur, sonte jam krejt akull

Mblodhi fëmijët të mos qajnë pas meje

Unë ende nuk dola nga legjenda

Çdo gjë mund të ndodhë sa të mos kthehem

Duvakun tim në themel të urës mos e kërko

 

I dashur brigjet duan edhe viktima

Shikohu në sytë e mi e vdis edhe ti

Ura e Fshenjtë do të na ringjallë sërish

Ndoshta në ndonjë legjendë tjetër

Siç e gjetëm në këtë urë Nusen e Gurtë

 

 

6. DUVAKU I NUSËRISË SIME

 

Ku mbeti duvaku i nusërisë sime, i dashur

O duvaku i nusërisë sime, ku mbeti.

 

 

7. NGASHËRIMI

 

Marramenthi të mora si Napoleon të Zhozefinës

Zbrit pas çdo kënge të bilbilit në degë

Ku mund t’i kërkosh çelësat e kullës sate

 

Unë jam zhulit e Bethovenit të madh

Mund të të tregoi se si mund të jetohet

Si ta nxjerrësh nga jeta krejt këtë lumturi

 

Dashuria i ushqen njerëzit si me bukë e ujë

Nganjëherë është edhe ushejzë

Ai që sprovohet le të lërë emrin e vet dëshmi

 

Marramenthi të mora për Napoleon të Zhozefinës

Kush kullat do t’i hapë në këtë natë të madhe

Ato as që janë mbyllur ndonjëherë për dashurinë.

 

 

8. NË MUA LIND DIÇKA

 

Në mua lind diçka tepër e madhe

Çka është ajo nuk e di

e kërkoi deri në fund të vetes e të botës

 

nuk mund as t’i përshkruaj drithërimat

trupi im luan tango e muzikë kamertale

feston ndoshta natën që kurrë nuk e ka pasur

 

nëse është kjo vetëm një germë për vdekjen

unë kurrë nuk do ta shkruaj me të njëjtin alfabet

gjithkund do të kërkoj vetëm gjuhën e dashurisë.

 

Në mua lind diçka si Dashuria.

 

 

9. DASHURIA

 

Është një vend në botë ku

Nuk mbërrihet kurrë

Ia ofroj zemrën, ajo më digjet shqim.

 

Është një vend diku ku mrizon dashuria

E ndjell me gjethe po vjeshta e zhvesh

Pastaj e mbyll në shpirt e ai i kthen në valë

 

Është një vend në botë ku merr frymë dashuria

E shëmbëllej me varre ato bëhen gurë

E mbyll në vete e nuk vdes më kurrë!

 

 

10. ME GJASË

 

Me gjasë

As ti as unë

Nuk patëm fëmijëri

 

Shumë gjëra nuk i përjetuam

Të kujtohet loja e parë

Dhe e fundit pa uverturë.

 

Çdo gjë filluam dhe mbaruam

 

Natë ishte

Dhe ne luftonim terrin

Darkonim thonjtë tanë

Që na futnin tmerrin.

 

 

11. KALON EDHE KJO

 

Kalon edhe kjo

 

Unë do të jem unë

Ti nuk do të jesh ti

Ai nuk do të na njohë fare

 

Kalon edhe kjo

 

Horizontet do të jenë të ndritshme

Arat do të bëjnë bukë

Nënat fëmijë më shumë

 

Kalon edhe kjo

 

Dhe çdo gjë do të ketë peshën e vet.

 

 

12. Takohemi…

 

Takohemi si gjithnjë...

Në pranverë...

Në ëndrrat fosforeshente

Që i thura enkas vetëm për Ty

 

Dhe... takohemi në të njëjtin vend

Në zenit të ditës

Në pikë të natës

E pëshpëritim

fjalët që kurrë nuk i thamë

 

Takohemi ...

Dhe përsëri do të piqemi

Në këngët e heshtura

Në mistere të vogla

Si në vegjëli...

 

E sot... nesër... një ditë tjetër...

lutem... të lutem...

mos më zgjo

Nga ëndrra e blertë

 

10 Dhjetor, 2009



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora