E marte, 16.04.2024, 03:53 PM (GMT+1)

Përjetësi » Kripa

Reshat Kripa: Edhe një herë mbi kolaboracionizmin

E hene, 16.04.2012, 04:05 PM


Edhe një herë mbi kolaboracionizmin

Nga Reshat Kripa
Kryetar i Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë Demokratë të Tiranës

Para pak ditësh në sallën e Akademisë së Shkencave u promovua libri me “kujtime” i Xhelal Staraveckës titulluar “Përpara gjyqit të historisë”. Promovimi u krye nën moderimin e nje analisti, që e shohim pothuajse për çdo natë në shumë prej ekraneve të televizioneve si specialist të gjithçkaje, duke filluar nga gazetaria dhe vazhduar te letërsia, arti, kultura, ekonomia, ambienti, turizmi, moda dhe ku e di unë se çfarë tjetër, madje deri edhe te homoseksualët. Në promovim ishin të pranishëm historianë, botues, kryetar bashkish e komunash, të gjithë të majtë dhe, çuditërisht, edhe një ministër e një prefekt “i djathtë”.

Nuk e di nëse titulli i librit është origjinal i vetë autorit. Unë nuk e besoj, pasi ai e ka provuar vetë gjyqin e historisë. Në shtator 1946 Xhelal Staravecka ishte i vetmi midis atyre burrave të shumtë që u detyruan të braktisnin atdheun, duke kaluar në Itali, që doli para bankës së të akuzuarve si kriminel lufte dhe bashkëpuntor me nazistët. U akuzua gjithashtu se në kohën kur ishte me çetat partizane kishte vrarë tetë robër italianë që u ishin dorëzuar komunistëve. Një veprim barbar, jashtë çdo ligji dhe norme ndërkombëtare të luftës. Por me habi lexova në një gazetë “të djathtë”, se Xhelal Staravecka qenka dënuar atje për pikpamjet e tij anti-fashiste. Mos vallë, në atë kohë, në Itali ishte në pushtet një qeveri fashiste që e dënoi këtë “anti-fashist”? Jo zotërinj! Në Itali ishte në Pushtet Qeveria Demokristiane e Alcide De Gasperit dhe në opozitë Partia Komuniste e Palmiro Toliatit, të dyja luftëtare të rezistencës kundër fashizmit dhe në një shtet të tillë demokratik nuk mund të dënoheshin anti-fashistët.

Tani le të kthehemi te ceremonia. Njëri nga historianët deklaroi:

Në këtë atmosferë festive për 100-vjetorin e Pavarësisë do të dukej e pavend të mësosh, siç mësohet në këtë libër përmes kujtimeve të Xhelal Staraveckës, sesi shqiptarët, të mëdhenj e të vegjël, të pasur e të varfër, si individë apo si grup e kanë tradhtuar pafundësisht atdheun dhe shtetin e tyre në këta 100 vjet të ekzistencës së tij.Por pikërisht sot në kushtet e konfuzionit të madh që i është krijuar edhe vetëdijes sonë historike, edhe siç druan me të drejtë Staravecka, mund të ndodh që vesi të shihet si virtyt dhe tradhtia si meritë

Ju lumtë, i nderuar historian! Me këto shprehje keni dhënë një përcaktim prej atdhemohonjësi kur shpreheni se Staravecka paska të drejtë që shumicën e shqiptarëve e quan tradhtarë. E kush, ai që e tradhtoi i pari Shqipërinë. Mjerë ky popull që pret që historianë të këtij lloji të rishkruajnë historinë e vërtetë të Shqipërisë.

Historiani tjetër vazhdon:

Duke qenë se Staravecka nuk është një dëshmitar çfardo i historisë, por një figurë e lidhur me ngjarje të karakterit parësor si Kryengritja e Fierit, antifashizmi, bashkëpunimi, mërgata politike e pasluftës, ky libër nuk është thjesht një libër kujtimesh por edhe dëshmi e vlerësimit të së shkuarës me rëndësi parësore burimologjike...

Një njeri që në shkrimet e tij pranon se në rrethanat e luftës ka vrarë, nuk mund të gënjejë kur dëshmon për krimet e të tjerëve. Ai u ofron shqiptarëve jo vetëm të vërteta historike, por edhe çertifikime të përpikta për komplekset etnike dhe psikozat sociale të popullit nga ka dalë edhe ai vetë.

Ju jeni historian, more zotëri dhe unë di që historiani mbështetet gjithmonë në faktet historike dhe jo në përrallat me mbret që shkruan njëri apo tjetri në kujtimet e tij. Më poshtë thoni se një njeri që pranon se ka vrarë, nuk mund të gënjejë për krimet e të tjerëve. Kush ju siguron, “i nderuar historian”, se krimet e të tjerëve i ka kryer pikërisht ai pasi, siç pranohet edhe prej vetë atij, a ka kthim prapa krimineli që ka kryer një pafundësi krimesh?

Cili ishte Xhelal Staravecka? Një komunist i betuar, një adhurues i doktrinës staliniane të luftës për pushtet me çdo kusht dhe me çdo mjet. Për këtë nuk iu dridhte dora edhe kur vriste shokët e tij. Por ishte edhe një karrierist i papërmbajtur. Nga një komunist i përkushtuar, pasi nuk mundi të zgjidhej komandant i brigatës së parë, në gusht 1943 dhe rivalitetit  me komunistë të tjerë, braktisi shokët e tij. Po me cilin u bashkua? Ballistët dhe Legalistët i kishte kundërshtarë njëlloj si komunistët. Me ta nuk mund të bashkëpunonte. Forcë tjetër politike në Shqipëri nuk kishte. E vetmja rrugë që i mbeti ishte bashkëpunimi me gjermanët.

Në librin e tij një theks të veçantë i ve 4 shkurtit 1944. Çfarë ndodhi në atë datë? Sipas historiografisë komuniste, forcat e Xhafer Devës dhe Xhelal Staraveckës vranë 84 të pafajshëm. Këtu dua të bëj një parantezë. Përse gjatë 46 viteve të komunizmit dhe, sidomos tani pas 21 vitesh demokraci, nuk u bënë të njohur emrat e këtyre viktimave? Përse? Mos vallë ishte një gjakmarrje e zakonshme shqiptare jo politike për vrasjen e xhaxhait të Xhafer Devës dhe rojes së Kadri Cakranit, e transformuar qëllimisht nga propaganda komuniste në një masakër politke? Këtë i takon historisë së vërtetë ta zbuloj.

Staravecka akuzon Qeverinë e Rexhep Mitrovicës, apo më saktë ministrat Xhafer Deva e Ago Agaj që e paskan kryer nëpërmjet bataliuonit “Kosova”. Sipas disa të dhënave gojore, Xhelal Staravecka në kohën e kësaj “masakre” ka qënë komandant i xhandërmarisë, që ishte shkaku pse regjimi komunist e bëri atë fajtor për këtë ngjarje. Por le ta besojmë variantin e tij se qenka emëruar në këtë post më 12 shkurt 1943. Xhandërmaria shqiptare ishte nën vartësinë e Ministrisë së Brendëshme dhe Ministër ishte pikërisht Xhafer Deva. Në rast se “masakrën” e shkaktoi Xhafer Deva, atëherë si pranoi të merrte një post që ishte nën vartësinë e një vrasësi të popullit të vet? Por hedhja e baltës vazhdon në librin e mësipërm, me të njëjtën gjuhë të librave komuniste prej të cilave ai ishte brumosur. Njollosen Rexhep Mitrovica, Pjesmarrës i Kuvendit të Vlorës, Rexhep Krasniqi, Kryetar i Komitetit Kombëtar “Shqipëria e Lirë” për 15 vjet rresht. Atëherë, si i pranuan Shtetet e Bashkuara të Amerikës këta bashkëpuntorë të nazizmit? Po  Xhafer Devën, në rast se paskësh qënë bashkëpuntor i nazistëve, si e lejuan të punonte me batalionin 4000 që përgatiste luftëtarët e lirisë që do të hidheshin në Shqipëri për përmbysjen e Komunizmit? Mos vallë NATO-ja atëhere paska qenë agresive dhe tani qenka bërë paqësore. Logjika të çon në përfundimin se ishte psikologjia e terroristëve komunistë që të shpinte në këtë përfundim.

Falsiteti i shkrimeve të librit të Staraveckës duket qartë në një episod që i përket politkanit nacionalist Ago Agaj. Xhelali shkruan:

Ago Agaj, që kishte disa llogari të vjetra personale për t’i regulluar me disa në krahinën e vet, e çoi regjimentin “Kosova” në Vlorë dhe krahinat përreth, mirpo rregullimin e atyre llogarive e volli dhe e volli keqas pa shkuar një kohë e gjatë pasi, pas nisjes së tij në mërgim, në Tiranë i vranë babën, Shero Eminin, dhe për t’i paguar Agua krimet dhe llogaritë personale që kreu me anën e regjimentit “Kosova”, ai që i vrau babën dhe që ishte i mërguar, pasi Agua i kishte vrarë të vëllanë,i ra Agos dhe e plagosi rëndë në Rexhio Emilia të Italisë. Këto janë atdhetarizmat e nacionalizmit shqiptar.

Shikoni të nderuar lexues, një trillim të tillë që edhe vet shkruesit komunistë do t’ia kishin zili. Shndërrimi i një hasmërie të shkaktuar nga vjedhja e një deleje nga ana e bariut të hasmit dhe vrasja e bariut për hakmarrje u bë shkak për fillimin e një gjakmarrje që do të vazhdonte me vite. Nje fenomen i tillë në ato kohëra ishte i zakonshëm si në veri dhe në jugë. Pyetni këdo në Vlorë dhe do t’i konfirmojnë këto që po shkruaj unë.  Nuk e di nëse ka qënë në Vlorë batalioni “Kosova”, por unë jam vlonjat dhe nuk kam dëgjuar asnjë bashkëqytetarin tim të shpreh ndonjë ankesë lidhur me këtë batalion. Atribuimin e një hasmërie të zakonshme veprimeve ushtarake të një batalioni kosovar mund ta bëjë vetëm një person i zhveshur nga çdo ndjenjë atdhetarie. Madje autori guxon të përgojojë edhe periudhën kur Agua shërbente si Prefekt në Mitrovicë dhe që për kontributin e tij atje vendasit e quajtën “Kosovari nga Vlora”.

Për të përcaktuar karakterin e autorit të këtij libri mjafton vlerësimi i madh që ai u bën dy kriminelëve më të mëdhenj të këtij kombi, Enver Hoxhës që vrau dhe zhduku deri edhe shokët e tij më të ngushtë dhe Mehmet Shehut që pa iu dridhur syri vrau 65 bujq të pafajshëm pa asnjë shkak. Sigurisht që edhe ai vet ishte i të njëjtit brum me ta.

Këto janë të vërtetat që unë nxjerr nga libri i Staraveckës dhe sidomos nga ceremonia e promovimit të tij. Kujt i shërbeu ky promovim? Kush e organizoi atë? Përse? Hipokrizia e atyre që deri më dje nuk linin më baltë dhe gurë pa hedhur mbi figurën e autorit dhe që sot derdhin lot krokodili për të, madje e shpallin edhe hero, është e padurueshme. Vetvetiu më lindin në mendje pyetjet:

- Kur do të shpëtojmë nga këta falsifikatorë të historisë? Kur do të shkruhet historia e vërtetë? Deri kur fëmijtë tanë do të helmohen me tekstet skandaloze plot helm për njerëzit më të çmuar që ka nxjerrë ky komb dhe për ngjarjet më të shënuara të historisë së këtij vendi? Deri kur...?

Së fundi dua t’i drejtohem mikut tim, Naim Staravecka dhe t’i kërkoj të falur për tonin e ashpër që kam përdorur ndaj atit të tij. Por kam qënë i detyruar. Kam qënë i detyruar pasi në atë libër kam parë përlyerjen e padrejtë të nacionalizmit shqiptar, kam parë bashkimin e zërit të tij me korin e korbave komunistë dhe më ka ardhur shume keq. Nuk e di në çfarë kushtesh ka qënë yt atë kur e ka shkruar, megjithse kam përshtypjen që librin mund ta kenë transformuar më prapa mjeshtrit e falsifikimit.

Të dy kemi qënë në burg, ndonse jo në të njëjtën kohë. Ju keni qënë edhe në internim, ndërsa unë nuk e kam provuar atë ferr. Të dy kemi njohur atje burra që e kanë jetuar atë periudhë dhe ata na kanë folur për atë kohë. Gjyko! A përputhen të thënat e tyre me përmbajtjen e këtij libri? Unë mendoj se aspak. Nuk e di mendimin tënd.

Të them të drejtën nuk më erdhi mirë kur ju pashë në atë ceremoni të rrethuar nga pasardhës të atyre që ju burgosën dhe internuan, të atyre që edhe atin tuaj e emërtuan me shprehjet më të ulta. Doja të të shihja midis bashkëvuajtësve të tu, gjë që ta vuri në dukje edhe moderuesi i takimit. Ju nuk kishit ftuar asnjë nga bashkëvuajtësit tuaj. Siç duket e dinit që ata nuk do të pranonin të vinin në një ambjent të tillë. Do të më vinte mirë që promovimi, me gjithë përmbajtjen e librit, të ishte bërë nga bashkëvuajtësit e tu, nga historianë dhe studiues me të vërtetë të djathtë. Ndoshta në atë takim do të kishte pasur debate pro dhe kundra. Nuk duhej të ishit prekur prej tyre. Kështu jemi ne demokratët. Të vërtetat i themi hapur dhe padrojtje, sado të hidhura të jenë.

Dikur grekët ndërtuan kalin e Trojës dhe e vendosën në portën e qytetit. Aty lindën debatet nëse do ta pranonin apo jo. Atëherë, Laookonti tha shprehjen e famshme:

Mos i besoni grekëve edhe kur ju sjellin dhurata!

Duke paralelizuar me këtë shprehje unë dua t’ju them:

- Ruhu nga thumbat e propagandes komuniste edhe kur ju lavdërojnë!!



(Vota: 10 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora