E enjte, 25.04.2024, 08:42 AM (GMT+1)

Kulturë

Pirro Loli: Zëmërimi i malit

E diele, 15.04.2012, 03:12 PM


ZËMËRIMI I MALIT

 

(Cikel poetik)

 

“Dhëmbeli” im, ngrihej majëpërpjetë në qiell

e më rrinte mbi shpinë si dhimbje e përhershme

por  unë e doja si at

që i vogël më kish pranuar nëpër trup

t’i lëvizja lirshëm

tek i  ngjitesha afër majës pak e nga pak

(paçka se nuk nuk ia gjeta dot

folenë e ujkut dhe shpellat e erës)

kur u ngjita mbi lulen e çajit

e kur preka majën e majës atje ku

luleshqerrat hidhnin valle

mali im m’u zëmërua...

 

unë i kërkova të më tregonte ç’kish pas vetes

e ç’ kish përmbi majë.

 

mali heshti siç heshtin hyjnitë

e me gojën e heshtjes më tha:

pas meje ka male të tjerë

e sipër meje

ka një varr

 

 

“TEMPULLI I PLEQËRISË”*

 

Më në fund e gjeta pyllin

që kërkoja në Athinë. Nuk pashë

as shkretëtirë trungjesh të braktisur

as vjeshtën

të hynte e të dilte

për një gjethe të uritur.

 

Orë e çast këtu vijnë gjyshër

me nipër e mbesa pas dore,

 

Ndoshta

u tregojnë këtë trung stërgjyshor prej lisi

nëpër palcen e tharë fsheh

një gjarpër të frikshëm

 

*- kështu quhet një pyll në Athinë

 

 

 

ANTIEVOLUCION

 

Është më e plotë kukulla se njeriu

Më e përsosur se engjëlli

Është kënga e këngëve

ajo vajza e vogël që i kreh flokët e florinjtë

për ta shëtitur me karrocë.

Pastaj vjen kali me urtësinë prej kukulle

Gjarpëri dhe ujku grabitqar

Dhe kjo gjethe vjeshte

Që bije lehtë lehtë pa asnjë psherëtimë

Që kukulla të flerë

qetë...  qetë.

 

( “vorio” – EPIRI )

Pi një kafe të hidhur

e në filxhan shoh

një pyll të prerë

një hartë të grisur

një bisht dhelpre të fshehur

e krahë korbash

që dridhen nga kufomat.

 

*  *  *

Jugu im bie nga jugu

por fjala ma mori gojën

si orakull i heshtur

përtyp duhan të grirë

dhe ha mallkimin e fisit.

 

*  *  *

Pylli ushqehet me histori shirash

që i ka në kujtesë çdo pemë

edhe e prerë

edhe e copëtuar.

 

 

KUJTIMET

 

I vrava të tëra kujtimet

Që nga palca e kockës

Gjer në rrëmb të syrit Milingonat

 

M’u duk se shpëtova nga hijet

Por  fillova të vdisja dalngadalë. Gjaku m’u ftoh

I mbytur po zhytesha në një lumë të thellë

E asnjë fije kashte nuk gjeta dot

Të kapja dorën. Në çastin e fundit

 

Thirra përsëri milingonat e dashura

Që kishin shpëtuar nën lëkurë

 

Hamëni - u thashë - pickomani trupin

Që përsëri të ndjehem

I gjallë.

 

MERMERI

 

Në shekuj i mbuluar

Përsipër duron gurë e kodra të tëra

E duron, duron, duron mermeri

Me baltën e rëndë në sy.

Por ai sheh,

ai e di se:

Në mos gur në tempuj a statuja perëndish,

Në mos buste për vasha të bukura

Një ditë,

mbi ballin e tij të lëmuar

Do çelin gërma të arta.

 

NEPËRKA PIKALORE

 

Paske një nepërkë pikalore

Që ruan majtas e djathtas cicvave të tua

Që nuk më lë t’i bije pianos

Brinjëve të holla, ah

 

që nuk e di gjuhën e gjuhës

Ta kaloj kufirin e gjirit,

ah e ah,

që nuk kam dhëmbë të mprehtë

T’ia këput kokën nepërkës

Të flas gjuhën e mollës

E nepërka pikalore të flerë në folezën e vet.

 

 

GORRICA

 

Mars më mars i tregoja sharrën

I flisja për një dardhë të ëmbël për dy bisqe

të rinj e të butë

Dhe një shami për t’ia lidhur plagën.

Por

Nuk hante gozhdë gorrica

Gjeth më gjeth kreshpërohej

Me inatin e gjëmbit të egër

Drizash e korbash e gjinkallash

Që grisnin fytyrën. Pragu i dimrit

kishte gjuhë tjetër. I ftohtë tehu i sopatës.

Priste. Gojëhapur oxhaku në vatër

Dhe ulërima e ujkut pas derës.

 

STATUJA E LIRISË SIME

Si lypës

me dorë të shtrirë

e mora racionin e lirisë

dhe u ula ne një majë gjëmbi.

 

Fleta gjatë me premtimet

faqe më faqe si me detin

 

Kur durimi m’u bë me brirë

u thinj e u myshk

me duart e mia

mora pak qiell, pak det

dhe ndërtova vetveten

ose statujën e lirisë.

 

Një pulëbardhë prej kripe

në shi tretet e shkrihet

në qiellin e ftohtë le shkronja të bardha

pëlcet

e

digjet.

 

POEZIA

 

Nëse ti nuk e njeh vrapin e tigrit,

Ata dhjetra diej të ndezur në lëkurën e tij,

Nëse ti nuk ke parë

drerë të vrarë në vrapim thikash e kthetrash,

do të thotë se poezia është duke vdekur.

Nëse ti nuk sheh në rrjedhën  e fuqishme të lumit

ku rrëshqasin sytë e tigrit dhe të sorkadhes

si gurë xhevahiri,

atëherë edhe unë

duhet të përtyp  thëngjij të shuar

dhe tigri

të pijë ujë të zi.

 

PIKËLLIMI I TOKËS

 

të hidhura çelen lulet e poetit

e syri i jargavanit qan përmbi varre.

 

shuhet aromat

e të përkohshëm jemi unë e ti.

 

vetëm bari i thatë nuk ankohet,

të pagoja

rënkimet e pemëve në erë

e psherëtimat mbyti pylli tejpërtej.

paska dhe vargje optimiste

kur zambaku i gushtit

mbi varre

thur kurorë!

 

KULPRA

 

U zgjata në ferra e driza

Por erëmirën

Kërcellhollë si nepërka

Dot nuk e këputa.

M’u pleks në trup, m’u mbështoll në grykë,

E më mbyti

Mushkërinë ma shpoi

Parfumi si thika

 

VIOLINA DHE HARKU…

 

Violina me harkun shaluar

Është një grua seksi

Këndon,

Vajton

e klith në mijra zëra

 

Harku mashkullor

I lodhur

bije

Gjer te tingulli i fundit.

 

Përsëri violina mbetet e virgjër

E përsëri pret

Vuan

hesht

 

Po gishtat ,

Gishtat kush i luan?

 

VARRI  I  ZOGUT

 

Ai e ka zemrën te krahët

orë e çast

ndërton skelete të reja fluturimi

dhe nuk i dihet as gjethja e gjumit

As pllaka e varrit

 

 

kish një brengë

Që ia dogji gushën

E diku mbeti si tingull Si një pikë diell

Që shuhet e shuhet e shuhet

 

Shpirt i pushtë me pupla mëndafshi

Më kot ta kërkova varrin në tokë

S’t’i gjeta dot ato pesë kocka të holla pentagrami

 

hapur si partiturë cicërimash

në ajër

 

 

FËMIJËRIA IME

 

Kalorës i vogël me sy të blertë

fëmijëria ime

Me frerët e kalit lëshuar në erë

Fëmijëria ime

 

Malin e kapërceja me hap

Harabelat i kapja në erë

Pija zjarre

Haja diell me okë

Këputja yje si kumbulla

Dhe i fikja me frymë.

 

Pastaj , befas u rrita

 

Nuk e shikoja shiun Nuk

e kapja dot erën me dorë

Kalova nëpër heshtje fushash të urta

Dhe humba.

 

 

 

 

KËNGA E GJARPËRIT

(poemth)

 

Gjarpëri më puth në gojë

me gjuhën dyfishe pëshpërit :

“Grisi ato që ke shkruar, trego të vërtetën

që zvarriset nëper shkurre e plehra,

përdhe.

 

…Leri zogjtë

dhe yjet

dhe shenjtorët

dhe gjethnajat,

këtë botë e drejtoj unë

me pika helmi e zbukuroj,

e stërpik.

 

…Ulu në lajthishtet e mia

ku gjinkalla gris fytyrën

ku gjethet marrin flakë

e krojet këndojnë…

 

Mëso të shkruash si unë

këmisha ime fëshfërin në çdo stinë

tek rreshqas nëper  bar e nëper  fletë…

 

Në vjeshtë, kur digjet bliri kuqërrues,

bije në gjumë, mbështillem me vetveten

e përgatis një pikë helm në gjëmbin e

trendafilit.

Bukuroshet t’i puth në buzë…

 

…Askush s’e ka shkruar dramën time të vjetër,

që kur nisi botë e mishit.

Kryeëngjëll isha në qiell

Por s’më la mallkimi hipokrit…

 

Adamit i tregova shalët e Evës

mjaltin që i gufonte në gjinj…

Grisi të gjitha e shkruaj

për helmin e lotit

për një poet te vertete si une

që zvarriset me koken në baltë.”

 

PIRRO LOLI

Tirane, prill 2012



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora