E enjte, 28.03.2024, 02:03 PM (GMT)

Mendime

Ardian Ramadani: Maqedonia në sfidat globale të sigurisë

E diele, 15.04.2012, 03:03 PM


Maqedonia në sfidat globale të sigurisë

Nga Ardian Ramadani

1.   Ballkani, vështrim i shkurtër i një rajoni me një problematikë të gjatë

Më tepër se një shekull gadishulli ku jetojmë ne, e që njihet me emrin Ballkan, është konsideruar si një bastion i problemeve, të këqijave, luftërave dhe gjakderdhjes, e sidomos pas luftërave, që po sa i lamë pas, me një kujtesë shumë të hidhur, duke lënë mbi 300 000 viktima të terrorit, krimeve të luftës, të masakrave të mëdha, e gjenocidit të tmerrshëm.

E thënë shumë saktë nga ish kancelari Bizmark, se ky rajon, është rajon që prodhon histori, po shumë pak konsumon prej saj, Ballkani megjithë këtë imazh shumë çoroditës që ka, ngërthen në vete edhe koncepte të tjera. Ky rajon, i cili ngërthen në vete jo vetëm koncepin gjeografik me një pozitë të volitshme gjeografike, me pozitën e tij të përshtatshme në paralelen e 40, me 270 ditë me diell, me një klimë alpine kontinentale dhe mesdhetare, ngërthen poashtu edhe konceptin e miteve, legjendave, idoleve, autoktonisë dhe origjinalitetit, historisë, traditës, vyrtyteve e veseve, vlerave dhe antivlerave, si dhe me të drejtë mund të themi bastion i mburrjeve dhe krenarive të tepruara.

Në suaza të këtij territori kanë jetuar popuj dhe etni të ndryshme, që kanë lënë gjurmë të pashlyshme në historinë e këtij rajoni, e që janë: shqiptarë, grekë, serb dhe bullgarë. Kësisoj këta popuj në këtë rajon, nuk arritën kurrë të kuptojnë se fati i kishte sjellur të jetojnë njëri afër tjetrit, duke mos e ditur rëndësinë e këtij privilegji, e kësisoj ata duke mos mundur të kuptojnë rëndësinë e diversitetit dhe alteritetit filluan të grindeshin pareshtur mes veti, duke mos mësuar aspak të bashkëjetojnë dhe duke bërtitur në refren “Rroftë nekrofilia (vdekja)”, për tjetrin, që ishte i ndryshëm.

Kjo e detyroi edhe Bizmarkun të përshkruante këtë rajon si rajon ku popullata janë vjedhës qengjash, mandej Marksin e detyroi që ta quajë bërllog etnik, ndërsa shkrimtari Gëte do të shprehej në veprën e tij “Fausti” për Ballkanin: “atje larg në Turqi, ku popujt ia thyejnë kokën njëri tjetrit”.  Se a kishin pasur të drejtë ta quajnë kështu këtë rajon problematik e grindavec këta njerëz, ne nuk do të hyjmë dhe nuk do trajtojmë këtë gjë, por ama lypset theksuar fakti që ky rajon, ka gjeneruar vazhdimisht kriza, konflikte e gjer edhe luftëra ballkanike dhe botërore.

Mjafton të kujtojmë faktin se pikërisht nga ky rajon janë nisur luftërat ballkanike që morën jetën e shumë e shumë njerëzve, ndërsa po nga ky rajon nisi edhe Lufta e parë Botërore, si dhe u përshkallëzua Lufta e dytë Botërore. Po nga ky rajon pas viteve 90, u ankorua alarmi i keq që reflektoi masakra të papara, gjenocid e vuajtje që u menduan se ishin harruar.

Pra, në suaza të kësaj duhet theksuar se në këtë rajon, që nga kuptimi don të thotë përzierje mes gjakut dhe mjaltit (Ball mjaltë, kan gjak, vjen nga turqishtja), duhet pasur një prudencë dhe maturi, duhet mbajtur nën vështrim dhe vrojtim permanent ndërkombëtar, ngase ky rajon është potencial krize dhe rrezik për shpërthim, krejt kjo sepse është rajon heterogjen, i përzier me shumë grupe etnike, që nuk jetojnë në kufinj nacional të tyre, me shtete të brishta dhe ende të pakonsoliduara demokratikisht, si dhe me institucione jo stabile. Në këtë rajon ende mitet dhe realitetet gërshetohen dhe përzihen mes veti si vaji dhe uji, por ama që rrezikojnë të mos ndahen mirë e mirë, sepse disa shtete dhe kombe këtu, nuk janë ende koshient se nuk duhet shkuar përpara me kokën mbrapa, ndërsa ende se kanë kuptuar se madhështia e shtet kombeve të tyre nuk qëndron në ndërtimin dhe ngritjen e përmendoreve të mëdha për popuj të vegjël, por në përmirësim të kushteve dhe standardeve të jetesës, në rritje të mirëbesimit dhe politikave të fqinjësisë të mirë dhe në forcim të kapaciteteve demokratike institucionale.

Në këtë rajon, që e zuri nata me probleme dhe vështirësi, ndërsa e gdhiu dita me sfida dhe luftëra, kronologjikisht janë krijuar e rrënuar shtete dhe perandori, Republika federative e besa edhe konfederative, shtete surrogate e shtete xhuxhe, të njohura e panjohura ndërkombëtarisht, me probleme në identitet e në emër, me mosnjohje të grupeve të tjera etnike e deri në tendenca për anashkalim të tyre..... Nuk do të dilnin faqet po të shkruaja për kronologjinë e rrënim ndërtimeve të shteteve në këtë pjesë, por ajo që duhet cekur patjetër është se ky rajon ka ndikim shumë të madh në sigurinë globale dhe më gjerë.

2.   Maqedonia, rezime e problematikave dhe sfidave

Republika e Maqedonisë, ish-Republikë në kuadër të ish-RSFJ, arriti të shkëputej nga Federata Jugosllave, në formën më të “lehtë” për dallim prej shteteve tjera. Edhe sot e kësaj dite mbetet enigmatike, se si arriti të shkëputet ky shtet me dy milionë banorë, me 25 713 km katror, me një pozitë tejet të volitshme gjeografike, nga Jugosllavia e atëhershme e Millosheviçit, pa përjetuar tmerret dhe vështirësitë e soldateskës millosheviçiane, sikur që përjetuan ish-Republikat tjera si: Sllovenia, Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova. Kjo e fundit në atë kohë ishte krahinë autonome. Sipas disa informacioneve Maqedonia u “la me qëllim” nga serbët sepse sipas tyre, puna ishte e kryer, ata pas përfundimit të misioneve të tyre të “suksesshme” në Republikat tjera dhe pas suprimimit të autonomisë së Kosovës, do të ktheheshin shumë shpejt edhe në këtë shtet triumfalisht dhe do ta aneksonin apo pushtonin edhe këtë shtet, që sipas tyre ishte tejet e lehtë. Por gjërat ndryshuan. Pas takimit Gligorov-Millosheviç ky shtet u nda përfundimisht. U pamvarsua, u mbajtën zgjedhjet e para të lira pluraliste, u aprovua dhe u miratua kushetuta, por kjo kushtetutë do të ishte burimi i pashtershëm i problemeve, që do të gjeneronte kriza mes dy komuniteteve me shumicë në këtë Republikë, mes komunitetit shqiptar dhe atij maqedon. Komuniteti shqiptar nuk e pranoi kurrë këtë kushtetutë, e cila ua minonte atyre të drejtat legjitime të parapara edhe në kushtetutën e vitit 1974. Ndonëse ky shtet ishte krijuar që më parë në Jajce nga ish udhëheqësi jugosllav Josip Broz Tito, me një qëllim me sa duket, pengimin e nacionalizmit bullgar dhe ekspansionizmit të tij, si dhe frenimin e atij serb, ky shtet i ndërtuar në parametra joegalitar, në parametra diskutabil, ngase etnikumet që jetonin në këtë shtet nuk trajtoheshin njësoj, si duhet, përjetoi dhe po përjeton edhe më tej në vete dilemën se kush është, çka ka qenë dhe kush do të jetë, ngase ka në vetë dilemën hamletiane, se vallë i takon identitetit sllav, që me gjasa është më i përafërt dhe më i saktë, ose atij antik maqedonas, e me këtë i hap telashe vetes dhe rajonit, ngase vlerën dhe të drejtën posesive mbi antikitetin e ka Greqia dhe shqiptarët.

Sido që të jetë ky shtet vazhdoi me ngulm ndërtimin e raporteve duke mos respektuar të drejtat e gjitha popujve që jetojnë këtu, e më konkretisht të shqiptarëve edhe pas pavarësisë së saj. Megjithëse shqiptarët në përgjithësi, fill pas dështimit të referendumit mbi Iliridën, pranuan në heshtje dhe në paalternativë këtë shtet, ngase të njëjtën gjë e bënë edhe Shqipëria e asaj kohe, por edhe Kosova që në atë kohë gjendej nën okupimin serb, por që kishte Presidentin e saj, ata mbetën në udhëkryq. Pasi u organizuan dhe u rreshtuan nëpër parti politike, fillimisht në Partinë për Prosperitet Demokratik, e më pastaj edhe në Partinë Demokratike Popullore, ndërsa më vonë në Partinë për Prosperitet Demokratik të Shqiptarëve, e njohur sot si Partia Demokratike Shqiptare, shqiptarët po edhe ky shtet përjetuan konfliktin më të rrezikshëm që mund të shformonte këtë shtet, atë të vitit 2001, ku ky shtet në rajone të caktuara u përfshi në luftë dhe në kryengritje, e cila me të drejtë mund të quhet e pambaruar. Kjo kryengritje ishte dhe është vlera më e madhe që e kanë arritur shqiptarët e Maqedonisë dhe mbetet njëra prej kryengritjeve që do të radhitet në mozaikun e vlefshëm kombëtar, por ama rezultatet e kësaj kryengritje do të zvetënoheshin më tutje nga politika fragjile shqiptare. Pas nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, më 13 gusht 2001, palët në konflikt ranë dakord për ndërtimin e duhur të shtetit, ngase tani me gjasa ishte eliminuar gjeneratori i krizës dhe konfliktit, kushtetuta e këtij shteti, e aprovuar pa miratimin e shqiptarëve më 1991, si dhe u krijuar shumë parti të tjera të vogla, që disa do të mbijetonin, disa do të mbeteshin vetëm në histori, ndërsa partia që doli pas kësaj kryengritje, Bashkimi Demokratik për Integrim, ende është e fuqishme dhe pjesëmarrëse në pushtetin ekzekutiv, por pa rezultate. Se sa rrezikshmëri të lartë mbarte në vete konflikti i vitit 2001 për sfidat e sigurisë globale, kjo mund të shpaloset shumë lehtë, kur marrim parasysh faktin se në këtë konflikt po mos të kishte ndërhyrë bashkësia ndërkombëtare me në krye SHBA të, me gjasa konflikti do të mbartej edhe në tërë rajonin.

Kjo që e them bazohet në informacionet që flasin se kishte tendenca të hapura për ndërhyrje nga shtetet fqinje Bullgaria, Greqia dhe Serbia për pjesëmarrje në këtë konflikt. Pjesëmarrje indirekte vetëm kishte, por edhe marrëveshje për këmbime dhe blerje armatimesh. Vlen të theksohet se Maqedonia në këtë kohë, gjatë këtij konflikti duke blerë armë me shuma marramendëse nga Ukraina dhe shtetet tjera proruse, dëshmoi interesin dhe orientimin e saj antiEvropë dhe anti Nato.

Krejt kjo që është sipërthënë është bërë për të vetmin qëllim, për të treguar ndjeshmërinë dhe senzibilitetin e situatës në Maqedoni, e cila në rast përshkallëzimi mund të sjellë dëme të pariparueshme për tërë rajonin, e në rast qetësie dhe respekti të ndërsjellë mund të jetë shembull dhe model për rajonin.

Maqedonia, e cila ka një situatë mjaft të volitshme gjeografike, ngase shërben si urë lidhëse mes dy kontinenteve, përmes Bullgarisë për në Turqi, si dhe lidhet përmes Serbisë, për në Kroaci, direkt me Evropën Perëndimore, duhet të rishikojë absolutisht politikat e saja në drejtimin intra, respektivisht përbrenda. Pacifizimi i Maqedonisë përbrenda, është garancion për zhvillim të mëtutjeshëm të demokracisë në këtë rajon, ndërsa e kundërta është shkatërruese për të e rajonin.

Një gjë që duhet të thuhet publikisht dhe që është fakt i pamohueshëm është ajo, se shqiptarët në këtë shtet që paraqesin shumicën e përafërt me maqedonasit, janë faktori kyç për stabilitetin dhe sigurinë e këtij shteti. Edhe pse me kokëfortësi establishmenti institucional dhe ai i partive politike maqedonase, nuk e kanë kuptuar apo shtirren se nuk e kuptojnë këtë, që është fakt i pamohueshëm. Mjafton të përmenden shumë raste dhe të kthehet në retrospektivë, në mënyrë që të kuptohet se ky shtet ekziston falë vullnetit të shqiptarëve të këtij shteti, por edhe vullnetit të Kosovës dhe Shqipërisë. Edhe pse ky shtet ka probleme të shumta përbrenda, shteti dhe identiteti maqedonas i këtij shteti është i kontestuar, së pari emri dhe identiteti nga Greqia, për të cilën Maqedonia nuk është sa duket e vetëdijshme, edhe pse e pagoi me mos anëtarësim në NATO në Samitin e Bukreshtit, mandej nga Bullgaria kontestohet gjuha e maqedonasve, sepse pretendohet se ajo ëshët dialekt i bullgarishtes, por edhe Serbia nuk pranon Kishën Ortodokse të saj. Të vetmit që e pranojnë këtë shtet janë shqiptarët. Shpërblimi ndaj shqiptarëve për këtë akt, është si vijon. Shqiptarët u shpërblyen me Ladorishtën. Vijoi me aferën e armëve. Kur u sajua e ashtuquajtura “Afera e armëve” shtetarët maqedonas menjëherë nxituan dhe fajësuan shqiptarët e këtij shteti pa më të voglin dyshim. Këtë e paguan shtrenjtë shumë qytetarë, po edhe disa politikanë. Mandej hiç më lehtë dhe shumë keq e përjetuan edhe qytetarët shqiptarë me rastin e Bit Pazarit, me rastin e hapjes së Universitetit të Tetovës, rastin e Gostivarit, me rastin e kryengritjes së vitit 2001 me ç`rast u vranë shumë civilë shqiptarë të pafajshëm; me rastin e Rakovecit të harruar dhe të Sopotit, me rastin e Brodecit dhe të Vaksincës, me rastin e Radushës e shumë e shumë raste të tjera, për të ardhur deri ke rrahjet e fundit të nxënësve shqiptarë dhe te vrasja e dy shqiptarëve në Gostivar nga ana e një polici maqedonas, si dhe miratimi në Parlament i marrëveshjes për këmbim policor me Serbinë, me ç`rast si prioritet u fiksua Serbia që konteston KO maqedonase, e jo Shqipëria dhe Kosova që kanë pranuar këtë shtet pa kurrfarë kondicionesh, si dhe duke u harruar përbërja etnike shqiptare e këtij shteti, e cila është numeroze. Ajo që është shumë e dhimbshme dhe tronditëse është fakti që burgjet maqedonase janë të stërmbushura me luftëtarë të kryengritjes shqiptare të vitit 2001, ku sipas statistikave estimohet që ky numër shkon në 130 pjesëtarë të ish UÇKombëtare, prej të cilëve 15 janë të dënuar me burgim të përjetshëm, përmes proceseve të montuara politike.

Edhe pse ky shtet konsiderohej pas shpërbërjes së Jugosllavisë si “oazë e paqes” në Ballkan, ngase ishte e vetmja Republikë që u shkëput pa luftë nga Jugosllavia socialiste,  me sa duket ka ende sfida që duhet t`i kapërcejë pa më të voglin dyshim, në mënyrë që siguria e rajonit të jetë në nivel të mos cenohet dhe rrezikohet.

3.   Maqedonia dhe sfidat e sigurisë me rrezik potencial në tërë rajonin e më gjerë

Edhe pse në dukje ka bërë hapa të suksesshëm drejt reformave politike, demokratike, ekonomike dhe institucionale, duke iu afruar kritereve të Kopenhagenit, ka përfunduar negociatat në kuadër të Procesit të Stabilizim Asocimit, duke fituar statusin e vendit kandidat për në UE, Maqedonia ka ende sfida shumë të mëdha përpara.

Ajo në planin e brendshëm duhet të përfundojë zotimin për realizim të të drejtave të shqiptarëve, edhe pse kjo ishte e paraparë me Marrëveshjen e Ohrit, e paraparë për realizim dhe implementim praktik gjer më vitin 2004,  por e frenuar dhe e cunguar nga ana e politikës kryeneçe maqedonase.

Ajo duhet të rishikojë patjetër politikën e saj përballë dhe kundrejt shqiptarëve që janë faktori kryesor për qenësimin e saj si shtet, të hapërojë kësisoj drejt një modeli më të suksesshëm të rirregullimit të marrëdhënieve me shqiptarët, ngase mosimplementimi me kohë i Marrëveshjes së Ohrit, e paraparë që të realizohet gjer në fund të 2004, solli situara dhe rezultate të pakëndshme për këtë shtet, dhe me gjasa mund të rrezikojë më shumë qenësimin e tij. Rirregullimi i një forme tjetër të marrëveshjes me shqiptarët përbrenda shtetit, duke ndërtuar një shtet model qytetar, ku multikulturalizmi do të funksionojë ashtu si duhet, jo duke u anashkaluar një etnikum e duke u priviligjuar tjetri, por duke u respektuar modeli i respektit të ndërsjellë, si dhe duke u prioritizuar marrëveshjet me Shqipërinë dhe Kosovën, ngase gjysma e popullatës së këtij shteti janë shqiptarë, andaj marrëveshjet e këtij shteti me këto dy shtetet e lartëpërmendura, duke mos anashkaluar shtetet tjera fqinje, duhet të jenë të patjetërsueshme për një funksionim të mirëfilltë të këtij shteti. Ajo për të realizuar këtë që e ceka më lart, duhe të marr modelin e shtetit të Kosovës, ku komuniteti serb edhe pse pakicë, gëzon privilegje të papara duke pasur të drejta, po aq sa komuniteti shumicë shqiptar.

Sfida e radhës për këtë shtet në planin e brendshëm, përpos trajtimit të duhur të elementit shqiptarë përbrenda dhe atij jashtë, është edhe sindromi tjetër i brutalitetit ndaj opinionit publik, ndaj mendimit ndryshe, ndaj mediumeve dhe ndaj zërit kritik të opozitës. Siç do të thoshte me një rast gjenerali i famshëm francez De Gol, « Demokraci është edhe sundim i opozitës », në Maqedoni, koncepti demokraci është zvëtënuar tej mase deri në mosekzistim, pikërisht për shkak të rrezikimit dhe cenimit të zërit kritik të opozitës dhe mediumeve antiqeveritare, nga pushteti. Andaj qeveria duhet të vëjë gishtin në kokë, si dhe të marr modelin e shteteve demokratike. Presioni ndaj opinionit të ndryshëm publik dhe ndaj mediumeve duhet të ndalet njëherë e përgjithmonë. Jo rastësisht Maqedonia nuk u radhit këtë vit në vendin e 102 nga 138 shtete gjithsejt për nga liria e mediave.

Në planin e brendshëm përpos këtyre që tham më lartë ekzistojnë edhe probleme të tjera, që lidhen me Kriteret e Kopenhagës të vitit 1993: kriteret politike, ekonomike dhe juridike si dhe ato të Madridit të 1995, si shtojcë apo suplement, e që janë kriteret e kapaciteteve administrative të shtetit. Që edhe Maqedonia të mos jetë rrezik për  sfidat e sigurisë rajonale dhe globale, duhet të promovojë dhe kultivojë raporte të mira mes komuniteteve, të respektohen të drejtat e njeriut e shumë gjëra të tjera. Si kritere politike llogariten këtu: stabiliteti politik, i cili mungon me gjithë përparimet prej breshke, demokracia, si koncept më i përdorur teorik nga goja e shtetarëve dhe nga politikanët e këtij shteti, me ç`rast është dëshmuar se ende ky shtet është larg demokratizimit të duhur evropian, sundimi i ligjit, ku dihet se kjo është pika më problematike për këtë shtet. Shtetarët e këtij shteti janë të parët që sjellin ligje, që stërzgjasin procedurat parlamentare, që i zgjasin fjalimet nëpër foltoret e parlamenteve, që sjellin vazhdimisht ligje, por që nuk implementojnë praktikisht shumicën e atyre ligjeve që sjellin, të drejtat e njeriut, që janë me rëndësi primordiale dhe të patjetërsueshme, e dihet dhe shihet se ky kusht apo parim është më i keqpërdoruri në këtë shtet, sepse ende cenohen dhe rrezikohen këto të drejta, (për më tepër si shembull mund të marrim rrethanat aktuale, ku nuk ka natë që nuk rrahet ndonjë shqiptar dhe nuk maltretohet). Si kritere ekonomike llogariten ekonomia e lirë e tregut e cila duhet të jetë konkurruese me ekonomitë e shteteve të UE-së, e dihet se ekonomia e këtij shteti është në letargji, pikërisht ngase në vend të hapjes së vendeve të reja të punës ndërtohen objekte të panevojshme që cenojnë marrëdhëniet fqinjësore në rend të parë me Greqinë, e pastaj edhe me të tjerat, duke synuar përvetësimin e një pjese të historisë dhe figurave historike, si dhe duke derdhur dhe shpenzuar para në antikvizim dhe në kisha e manastire në çdo cep. Ekonomia e këtij shteti ende është larg të qenunit në shkallën e duhur, ende prodhimet bujqësore nuk shiten, ende bujqit janë kategoria më e ulët. Parimet juridike që kanë të bëjnë me përshtatjen e legjislacionit kombëtar me atë të UE-së ende janë larg të qenunit objektive dhe të implementuara praktikisht, sepse nacionalizmi negativ ka zënë peng këtë shtet, e nuk mund të ketë përshtatje me legjislacionin e UE-së. Dhe së fundi, kriteret administrative të shtetit kanë të bëjnë me kapacitetin dhe gadishmërinë e shteteve për të implementuar politikat dhe të drejtën e UE-së. Maqedonia në vend të perfeksionimit të administratës shtetërore ajo partizon administratën shtetërore dhe monopolizon atë, ajo në vend të standardizimit të institucioneve dhe afirmimit të kuadrit cilësor, afirmon kuadro jo cilësore, analfabetë me diploma të blera dhe të kontestuara, militantë partiak dhe pse jo edhe njerëz që diplomat i kanë marrur me forcë apo në forma tjera koercitive, korrupsioni dhe nepotizmi janë ende pjesë e pandashme e administratës shtetërore të këtij shteti, andaj nëse nuk evitohen këto rreziqe dhe probleme, ky shtet do të jetë sfidë shumë e ndishme për rajonin.

Në planin e brendshëm megjithëse u mundova të cek shumë gjëra, Maqedonia posa të rregullojë këto gjëra, duhet patjetër të mendojë edhe në rregullimin e gjërave në planin e jashtëm. Ajo në planin rajonal, përpos që e cekëm më lartë që duhet të fuqizojë marrëveshjet dhe tregtinë me Shqipërinë dhe Kosovën, vijon të ketë problemin e emrit, i cili nuk duket të jetë sfidë e lehtë me Greqinë, që është anëtare e BE së dhe mund të bllokojë çdo vendim pro Maqedonisë në procesin e integrimit në BE, por edhe në NATO. Andaj pa realizimin e ndryshimeve dhe reformave në planin e brendshëm dhe pa lëvizjen e pozicionit kokëfortë nacionalist në raport me shtetet fqinje, e posaçërisht me Greqinë, ajo do të vijojë të ketë probleme dhe pengesa, që mund ta dërgojnë në përmasa shkatërruese dhe shpërbërëse këtë shtet. Edhe pse nga prognozuesit e ndryshëm dhe nga telepatikët dhe futurologët prognozohet dhe dizajnohet e ardhmja e këtij vendi në BE aty nga fundi i vitit 2012 dhe në vigjilje të 2013, realiteti po tregon krejtësisht diçka tjetër, krejt kjo ngase aderimi në BE, nuk është fryt i progonozve dhe dëshirave e vokacioneve, po sakrificë, përkushtim dhe punë të palodhshme.

4.   Një lidership përgjegjës me mendësi demokratike dhe evropiane, çelësi i daljes nga rrethi vicioz i problemeve

Është më se e qartë se secili udhëheqës ka dëshirë të arrijë diçka në jetë, por ata lloj udhëheqës duhet të kenë ide se si të arrijnë deri aty për çka synojnë. Lidershipi në Maqedoni, me gjasa një miks dhe përzierje e ish sistemit të mëparshëm, por edhe djem të ish funksionarëve të mëparshëm në njërën anë, e në anën tjetër një pjesë e lidershipit e rritur në rrethana pak më ndryshe, edhe pse i takojnë ndoshta plejadës së re, ende nuk kanë arritur të xhvishen nga petku i nacionalizmit dhe shovinizmit. Ata edhe sot e kësaj dite janë peng i shërbimeve të ndryshme të huaja, si dhe peng i frustrimeve nacionaliste të trashëguara nga prindët, funksionarë të dikurshëm ose të marrura dhe fituara pas epokës së pavarësisë së këtij shteti, ku gjithçka shqptare shihet e keqe. Për të qenë i suksesshëm një udhëheqës, ai duhet përpara se të arrijë atë çka dëshiron, të jetë i përgatitur për gjithçka. Në radhë të parë të ketë ambicie të justifikuara.

Megjithëse udhëheqësia aktuale maqedonase e këtij shteti më shumë sillen si dublerë të Millosheviqit se sa si demokratë, ata duhet të jenë koshient se stabiliteti i Maqedonisë është kusht për stabilitetin e rajonit, po aq sa është edhe stabiliteti i Mitrovicës dhe mosndarja e saj dhe e Kosovës. Edhe pse ndikimi i shërbimeve sekrete serbe në Maqedoni, është më se i pranishëm dhe i ditur, e kjo vërehet përmes proceseve të montuara politike ndaj ish luftëtarëve të guerrilës shqiptare, si në Maqedoni, poashtu edhe në Kosovën Lindore, është me rëndësi të thuhet se në këto loja dhe në realizimin e projekteve, kanë ndihmuar mjaft edhe shërbimet e spiunazhit ndërkombëtar, por edhe linjat diplomatike botërore që kanë dëshirë të ketë çrregullime, por edhe që kanë simpati për Serbinë.

Ashtu si dihet botërisht, në shumë mjedise në Maqedoni veprojnë mbeturina të policisë sekrete komuniste, që identifikohen me ish besnikët e regjimit të Millosheviqit, e që përbëhen nga disa ish ushtarakë dhe eprorë të MUP it dhe të KOS it serb. Ata nxisin probleme e tensione në këtë shtet, e kjo normalisht i shkon për shtati politikës ksenofobe shtetërore maqedonase me ç`rast edhe gjenerohen probleme, sikur që janë në vazhdimësi, rrahja e nxënësve shqiptarë, vrasja e dy të rinjve në Gostivar, ndërtimi i Kishës në Kalanë e Shkupit, mandej nxjerrja e Enciklopedisë famëkeqe, e njëjtë me Memorandumin e ASHAS, një manifest i lëvizjes nacionalshoviniste serbe për krijimin e Serbisë së madhe.

Andaj lidershipi i Maqedonisë, e posaçërisht ai maqedonas duhet të ketë karakteristikat e një lloji të liderit demokratik, të një njeriu i cili nuk vuan nga sëmundja kancerogjene e kultit të individit, të një njeriu i cili nuk vuan për mbështetjen qind për qind nga masat e thjeshta, sepse është koshient që nuk mund të ketë përkrahjen qind për qind nga masat, sepse kjo në një mjedis demokratik është e pamundur. Them e pamundur sepse siç do të thoshte Gandi “Bota nuk do të kishte kuptim pa diversitetin e theksuar dhe po mos të ishim të ndryshëm”, andaj me këtë mëtoj të them që çështja e diversitetit, e alteritetit, e mendimit pro et contra është çdoherë e pranishme dhe e paevitueshme, andaj një lider duhet të mësohet që të respektojë mendimin pro dhe mendimin contra. Koha e liderit kult ka mbaruar. Ata që mëtojnë të sillen dhe të luajnë me këtë kartë janë të prirë që të vdesin politikisht dhe intelektualisht. Rasti i të tillëve është jo edhe pak. Mirëpo ata janë pjesë e historisë së shëmtuar, ndërkaq ata që sillen si lider po që respektojnë lidershipin, pra po që se punojnë në ekip, që konsultohen për çdo vendim me këshilltarë profesionistë, që pranë vetes kanë kuadro profesionale, që respektojnë alteritetin, që krijojnë tampon zona mes nacionalizmit negativ dhe patriotizmit nacionalist pozitiv, ata janë të prirë që të jenë të suksesshëm dhe të kenë harmoni gjatë qeverisjes së tyre me masat popullore.  Koha e liderëve pushtet (Shteti jam unë do të thoshte Luigji i XIV i Francës), është në histori, ndërsa tani flet koha e liderëve që janë pushtet i institucionit dhe kjo duhet të jetë karakteristikë për këta liderë, koha e liderëve autokratik është e përfunduar, autokracizmi dhe autarkia si forma të qeverisjes i takojnë llojit të njerëzve që kanë hyrë në histori për të keq, përkundrazi koha e liderëve të rinj dhe modern sjell liderin apo lidershipin demokratik, pranues e jo imponues, tolerant dhe elitar, e joautoritarist dhe mediokër. Lideri dhe lidershipi nuk duhet të bëhen peng i idesë, po duhet të ndjekin kohën dhe tempon e zhvillimeve, në mënyrë që sa më shpejtë të ikë koha, ai të ngarendë pas saj. Kur një lider kritikohet apo vlerësohet mëson t`i vlerësojë si duhet situatat dhe rrethanat politike, kur ndesh në fatkeqësi ai mëson të vërtetat e botës reale dhe objektive. Jemi mësuar të dëgjojmë se kush pëson mëson, andaj pësimi nuk duhet të perceptohet si zhgënjim, humbje dhe tërheqje, por përkundrazi të mëson të bëhesh i kujdesshëm, i hapur, stoik dhe i matur. Beteja për të fituar postin e liderit të merituar, të lidershipit meritor, nuk do të thotë betejë rrugaçe, por betejë institucionesh, vlerash, doktrinash, si një lloj gare vrapimi, por me vlera, e jo me forcë, edhe pse kjo e fundit nevojitet çdoherë. Lideri dhe lidershipi i duhur duhet të vlerësojë atë që i përshtatet së drejtës, e më pas ajo çka është e drejtë, pra të kihet parasysh siç thoshte kardinali Rishelje, ish- udhëheqës i Francës, respektivisht kryeministër i shkëlqyer, i cili solli impakte të fuqishme epokale, pra në politikë për të qenë lider duhet të vihet në rend të parë intelekti, arsyeja, racionaliteti e më pas moralja.

Andaj që Maqedonia në sfidat e sigurisë rajonale dhe globale të reflektojë pozitivitet dhe të gjenerojë vlera e demokraci, duhet patur parasysh këto gjëra që u thanë më lart, e shumë e shumë të tjera që kanë mbetur pa u thënë, në mënyrë që procesi i shpërbërjes dhe i konflikteve të mos rinisë, ngase me këtë rrezikohet paqja në tërë rajonin, po edhe në tërë globin. Për këtë përgjegjësi kanë gjithë spektri politik i këtij shteti, e posaçërisht pushteti qeveritar, por edhe faktorët e tjerë direkt apo indirekt në politikë dhe këtë shtet.

Siç do të thoshte Frederiku i Madh, “Pasionet e dëshirave mbarojnë atëherë kur pasuesit janë të lodhur” , dua të përfundoj se edhe popujt që jetojnë në këtë shtet janë të lodhur nga dëshirat e pajustifikueshme të kësaj klase politike në qeveri dhe duan ndryshime, në mënyrë që edhe ky shtet të bëhet pjesë e strukturave euroatlantike dhe institucioneve demokratike, po kur secili do të ndihet rehat dhe mirë, i pacenuar dhe me dinjitet.

(Autori është profesor i gjuhës dhe letërsisë frënge, magjistër i diplomacisë dhe shkencave politike, si dhe opinionist dhe kolumnist i rregullt)

(Punim i prezantuar në Konferencën shkencore “Maqedonia në sfidat globale të sigurisë në kontekst të marrëdhënieve ndëretnike”, mbajtur në Tetovë, 5 prill 2012)



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora