E premte, 19.04.2024, 05:28 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

U mbajt konferenca shkencore me titull” Maqedonia në sfidat globale të sigurisë”

E diele, 15.04.2012, 01:25 PM


Maqedonia mund të reflektojë siguri në rajon nëse respekton shqiptarët dhe qytetarët e saj në mënyrë të barabartë. Në të kundërtën ajo do të mund të ishte një burim për destabilim të përhershëm. Kështu u tha gjatë një konference shkencore në Tetovë, të organizuar nga Instituti për studime gjeopolitike dhe siguri nga Prishtina në bashkëpunim me Albanian University, Fakulteti i shkencave shoqërore,  Departamenti i shkencave politike, me temë “Maqedonia përballë sfidave në kuadër të sigurisë globale”. Pjesëmarrës në këtë konferencë ishin panelistë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, si: gjeneral Dr. Kudusi Lama-dekan i Fakultetit të Emergjencave në Kolegjin Universitar “Biznesi”; Prof. Dr. Nazmi Maliqi, profesor dhe dekan në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin FON në Maqedoni; Dr. Faton Mehmetaj nga Instituti për studime gjeopolitike në Prishtinë; Doc. Dr. Metodi HADJI-JANEV, profesor universitar në Akademinë Ushtarake në Shkup dhe ekspert i lartë i sigurisë në Maqedoni; Dr. Mark NDRECA, Drejtor i Drejtorisë së Vetting-ut dhe Regjistrit Qendror në DSIK, Tiranë; Mr. Sc.  Ardian RAMADANI, profesor i gjuhës frënge dhe magjistër i Diplomacisë dhe Shkencave Politike, si dhe analist dhe kolumnist; Mr. Sc. Milazim MUSTAFA, nga Sekretariati për Implementim të Marrëveshjes së Ohrit në

Qeverinë e Republikës së Maqedonisë, si dhe përfaqësues i Forumit Rinor Islam në Maqedoni. Të ftuar ishin edhe shumë mysafirë dhe pjesëmarrës, ku ndër to ishin edhe: Naser PAJAZITI, drejtor i Agjencisë së Lajmeve INA (Iliria Neës Agency), Mr.sc. Ibrahim BAJRAMI etj.

Në këtë rast Ish gjenerali i Shqipërisë Kuduse Lame, tha se çdo mosvlerësim i qytetarëve është një hap drejt destabilizimit, është një hap drejt shkatërrimit. Ai u shpreh: “Shqiptarët nuk janë strukturë e një shoqate në Maqedoni, shqiptarët janë realisht nëse do të ketë guximin Maqedonia të bëjë rregjistrimin e saj të popullsisë ndoshta dua të them, kombi prioritar si sasi njerëzish në Maqedonia. Nëse duhet të instalohet një komb maqedonas për hatër të sllavo-maqedonasve duhet të respektohet ajo e kombit shqiptar në autoktoninë e tyre. Pa këtë nuk mund të ketë ardhmëri dhe perspektivë në Maqedoni, kush mendon ndryshe gabon dhe është mirë që të respektohet kombi shqiptarë këtu me gjenin dhe identitetin e tij.Është mirë ti jepet ajo që i takon dhe në këso kushte Maqedonia është e garantuar qind për qind në të kundërtën të jeni të sigurtë se Maqedonia nuk reflekton siguri”, tha Lame. Ai mendon se Marrëveshja e Ohërit nuk është zbatuar dhe është një dështim i ndërkombëtarëve për të mbikqyrur atë drejt zbatimit.

Ndërkaq, profesor doktor Nazmi Maliqi, thotë se për Maqedoninë krijohet një përshtypje se ka një destabilitet të brendëshme, raporte ndëretnike të çrregulluara dhe kjo mbështetet në gjendjen reale të incidenteve të llojeve të ndryshme që zhvillohen herë pas here.

Gjithashtu zgjoi interesim të madh edhe referimi i Dr. Faton Mehmetajt, me titull:“NDIKIMI I SHQIPTARËVE TË MAQEDONISË NË SFIDAT E SIGURISË GLOBALE”,  i cili vuri në pah rëndësinë dhe relevancën e faktorit shqiptar në Maqedoni dhe në sigurinë e saj, i cili faktor nëse vazhdon të anashkalohet, kjo do të jetë fillimi i fundit të këtij shteti.

Ndërsa, Dr. Mark Ndreca shpalosi rëndësinë dhe rolin ndikues të rreziqeve dhe kërcënimeve të brendshme të sigurisë në procesin e integrimeve euroatlantike, rasti i Shqipërisë.

Kërshëri të madhe zgjoi edhe referimi i eskperit të lartë të sigurisë, Doc. Dr. Metodija Haxhijanevit me titull “CONFRONTING CHALLENGES BY MODERN TERRORISM: The Art of Shaping Instruments of national power”, ku theksoi se fatmirësisht për dallim prej rajoneve të tjera të krizës sikur në Afganistan apo Pakistan, që nuk pranojnë vlerat perëndimore, ngase për to është e panjohur dhe e huaj ajo vlerë, në Ballkan dhe në Maqedoni, fatmirësisht këto vlera perëndimore janë edhe pjesë e Ballkanit dhe pranohen si të tilla, andaj vuri në pah se ky rajon që me gjasa është problematik, duhet të përshpejtojë procesin e integrimit në UE dhe institucionet e tjera relevante ndërkombëtare.

Ndërsa Mr. sc. Ardian Ramadani referoi në lidhje me marrëdhëniet shqiptaro maqedonase, duke theksuar se këto marrëdhënie me gjasa janë acaruar për shkak të rrethanave aktuale ku elementi shqiptar ndihet i rrezikuar dhe i kërcënuar, si dhe duke potencuar edhe atë se burgjet në Maqedoni janë të mbushur me shqiptarë, e më konkretisht me ish luftëtarë të kryengritjes së vitit 2001, prej të cilëve 15 me burgim të përjetshëm, me një drejtësi selektive, si dhe potencoi se është koha që Maqedonia si dhe Ballkani të heqë dorë nga imazhi i errët, si prodhues dhe gjenerues krizash dhe luftërash, dhe të krijojë një imazh më të mirë dhe më të vlefshëm.

Milazim Mustafa referoi në temën SFIDAT E SIGURISË NË REPUBLIKËN E MAQEDONISË – (Aspekti fetar), ku theksoi se është mjaft e rëndësishme që në Maqedoni shteti të promovojë respektin ndërfetar dhe multikonfesionalitetin, e jo sikurse në rastin konkret, ku i njëjti shtet aplikon standarde tjera për një konfesion, duke finansuar ndërtim të kishave, e në tjetrën anë harrohet elementi shqiptar, i cili është me shumicë myslimane, duke u anashkaluar edhe në aspekt të besimit.

 

Në fund pati edhe debat të frytshëm me një atmosferë konstruktive. Ndryshe, Konferenca të këtilla janë mbajtur më herët në Shqipëri dhe Kosovë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora