E enjte, 25.04.2024, 07:28 AM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Engjëll Koliqi: Republika e Kosovës, shtet kukull apo funksional?!

E merkure, 19.03.2008, 11:22 PM


REPUBLIKA E KOSOVËS

SHTET KUKULL

APO FUNKSIONAL ?!

Ju lutem liderë të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe ju arbitrarë ndërkombëtarë që po monitoronin rrjedhën e jetës në Kosovë: ose të jetë shteti ynë funksional mbi mbarë territorin, ose ne po e marrim situatën në dorë dhe po fillojm marshin mbarëpopullor, sikur në vjeshtën e vitit 1988, kur poaty – në Stan Tërg filloi marshi i vërtetë i lirisë dhe i pavarësisë!!! Nuk ka kthim mbrapa!!! Përfundimisht t'u thuhet hordhive koshtuniciano-putinore – STOP, SE KJO TOKË KA ZOT!!!

Shkruan: Engjëll KOLIQI

Engjëll Koliqi
Belo Horizonte, 19 mars 2008. – Mbas shumë shekujve, që historinë tonë e kishin mbushur plot gjak e kufoma, plot zjarr e shkrumb, plot mallkime e shkatërrime, plot tmerr e ferr, erdhi 17 shkurti 2008, ajo ditë e shumëpritur, për t'ia vulosur Kosovës Sonë titullin e Republikës dhe për t'i hapur faqet e reja të historisë sonë kombëtare dhe përgjithësisht të asaj njerëzore.

Edhepse shumë gjëra nga ky proces nuk na kanë pëlqyer, u pajtuam. U pajtuam me flamurin që nuk ka kurrëfarë simbolike kombëtare të mbi 92% të popullsisë së Kosovës, u pajtuam me pakon Ahtisaari që pakicave kombëtare (që nuk janë as 8% e popullsisë), u njeh më shumë të drejtave dhe privilegje se sa shumicës, u pajtuam me kushtetutën që del nga kjo pako, u pajtuam me decentralizimin e çoroditur, që pothuajse çdo fshat të banuar me serbë e ngriti në statusin e komunës, u pajtuam me të ashtuquajturin "diskriminim pozitiv", që mjerisht nuk po prodhon kurrëfarë pozitiviteti, por vetëm po na shkakton probleme. Edhepse e dijmë se nuk është përmbushje e aspiratës sonë kombëtare – krejtësisht të natyrshme dhe të ligjshme, për të jetuar të gjithë shqiptarët në shtetin e tyre shqiptar, si shenjë falënderimi kundrejt bashkësisë ndërkombëtare, që na ndihmoi të çlirohemi nga zgjedha okupuese serbiane, ne u pajtuam me këtë gjysmëzgjidhje, me njëfarë republike me sovranitet të kufizuar, që çuditërisht duhet ta quajmë edhe si shtet multietnik. Bile multietnicitetin e vumë edhe në flamurin e ri shtetëror, ku janë gjashtë yjë të gjashtë kombeve që jetojnë në Kosovë (ylli i pakicës që nuk mbërrin as 0,02% të popullsisë është i barabartë me yllin e kombit shqiptar, që përbën mbi 92% të popullsisë së Kosovës). E vetmja punë e mençur në këtë proces të "dikriminimit pozitiv", mendoj është vënia e hartës së Kosovës në flamurin tonë shtetëror, për t'ua bërë me dije kështu kriminelëve të papërmirësueshëm të aparatit shtetëror të Beogradit, me në krye Vojislav Koshtunica dhe kryekriminelit ndërkombëtar – Vladimir Putin, se kjo tokë shumë e tkurrur e Kosovës, që na ka mbetur në Ditën e Madhe të Pavarësisë, është e paprekshme.

Megjithë deklarimet verbale për mospërdorimin e dhunës, aparati shtetëror i Beogradit po vazhdon dhunën, siç dijnë vetëm ata ta bëjnë, mbi territorin e një shteti tjetër – të Republikës së Kosovës. Jam më se i sigurtë, që: jo vetëm që e organizojnë dhunën ata të kreut qeveritar të Beograditm por realizatorë të drejtëpërdrejtë janë vetë agjentët e shërbimev e policore dhe ushtarake serbiane, të cilët përfundimisht duhet të dënohen, jo vetëm me deklarata verbale, por me burgosje dhe me dëbim definitiv nga toka jonë.

Mendoj se liderët e institucioneve tona shtetërore, edhepse nën varësinë e arbitrazhit të shumëfishtë ndërkombëtar – përfundimisht duhet ta ngrehin zërin e arsyes, madje një zë unik i të gjitha palëve shqiptare, përfshirë këtu edhe ata të Shqipërisë, të Maqedonisë, të Malit të Zi e të Kosovës Lindore, të mbetur nën Serbi. Përfundimisht t'u thuhet hordhive koshtuniciano-putinore – STOP, SE KJO TOKË KA ZOT!!!

Nga serbët e Kosovës, që të mund të jetojnë me ne dhe t'i gëzojnë të drejtat e privilegjuara që ua kemi garantuar me kushtetutë, përfundimisht të kërkohet të heqin dorë nga Beogradi gjakatar, duke i thënë haptas kriminelit Koshtunica: larg duart nga ne, sepse shteti ynë është Kosova. Të gjithë ata që nuk e bëjnë këtë dhe që nuk pajisen urgjentisht me dokumente personale të Republikës së Kosovës, si dhe me targat KS, të largohen nga kjo tokë, që nuk e njohin për atdhe të vetin. Dhe, kanë të drejtë se Kosova nuk është atdheu i tyre, sepse ata kanë ardhur si kolonë këtu – janë pushtues e çojnë krye ende!!! Sa të drejta kanë mbi 150 mijë shqiptarë që jetojnë në qytetin e Beogradit dhe afër 100 mijë të tjerë në Kosovën Lindore? Sa shkolla shqipe i kanë, sa radiotelevizione në gjuhën amtare, sa ghazeta shqipe, sa...?!

Ju lutem, ka ardhur koha, që Republika e Kosovës të jetë funksionale mbi mbarë territorin e saj, e assesi vetëm një kukull, sa për të thënë se kemi një shtet. Duam një shtet funksional, ku mbizotëron ligji e rendi. Një shtet paqësor e me liri të plota për të gjithë qytetarët. Ju lutem liderë të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe ju arbitrarë ndërkombëtarë që po monitoronin rrjedhën e jetës në Kosovë: ose të jetë shteti ynë funksional mbi mbarë territorin, ose ne po e marrim situatën në dorë dhe po fillojm marshin mbarëpopullor, sikur në vjeshtën e vitit 1988, kur poaty – në Stan Tërg filloi marshi i vërtetë i lirisë dhe i pavarësisë!!! Nuk ka kthim mbrapa!!!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora